Opinion4 Jul 2019

Harrojeni Poznanin –BE-së i nevojitet një politikë e re për Ballkanin

Me “procesin e vjetër të Berlinit” dhe perspektivën e zgjerimit të BE-së në Ballkan tashmë të vdekur, Brukseli duhet ta harrojë samitin e Poznanit dhe të punojë shpejt në një qasje të re dhe më realiste ndaj rajonit.

Autor: Srecko Latal BIRN Sarajevë
Printo

Flamuri i BE-së. Foto ilustruese Pixabay.

Samiti i ardhshëm i Ballkanit Perëndimor, i cili fillon të enjten në Poznan, Poloni, ka gjasa të hyjë në librat e historisë si ngjarja e fundit e organizuar në kuadër të të ashtuquajturit proces i Berlinit, një program i nxitur nga Gjermania që synon të riforcojë dhe përforcojë pranimin e Ballkanit në BE.

Por procesi i Berlinit, njësoj si ideja e zgjerimit të BE-së në Ballkan, është frenuar gjatë viteve, i ngecur midis thellimit të problemeve politike dhe bllokadave të Ballkanit dhe BE-së.

Udhëheqësit e BE-së tani përballen me një zgjedhje; të çojnë dëm energjinë e tyre dhe të përpiqen ta ruajnë iluzionin për një periudhë tjetër; të fajësojnë vendet e Ballkanit dhe t’i lënë ata të marrin rrugën e tyre: ose të pranojnë një humbje, të përballen me gabimet dhe të hartojnë një plan më të mirë për rajonin e brishtë.

Pengesat e zgjerimit të BE-së në Ballkan u dukën qartë në verën e kaluar, të pasqyruara në shpërbërjen e Samitit të fundit të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt gushtin e kaluar në Londër.

Ato u zbuluan më tej në dobësimin e vazhdueshëm të perspektivës së angazhimit të BE-së në Ballkan në muajt në vazhdim dhe u konfirmuan përfundimisht dhe zyrtarisht nga presidenti francez Emmanuel Macron të hënën.

I frustruar nga dështimi i liderëve të BE-së për të rënë dakord mbi shpërndarjen e pozicioneve kyçe në institucionet e BE-së, pas zgjedhjeve të fundit të Parlamentit Europian, Macron u shpreh: “Unë do të refuzoj çdo lloj zgjerimi përpara një reforme të thellë të funksionimit tonë institucional,” tha ai.

Gjermania u përpoq përsëri ta shpëtonte ditën. Në një deklaratë për gazetën Pobjeda të Malit të Zi të martën, zyra e kancelares Angela Markel theksoi se “Gjermania qëndron fort pas perspektivës europiane për Ballkanin Perëndimor dhe mbështet vendet e rajonit në përpjekjet e tyre për reforma”.

Por në biseda joformale, të gjithë diplomatët dhe zyrtarët e BE-së pranojnë se perspektiva e zgjerimit të BE-së në Ballkan është hequr nga tryeza e bisedimeve dhe se pak vende anëtare do të konsideronin seriozisht pranimin e çdo anëtari të ri të BE në të ardhmen e parashikueshme.

Në një kohë rritjesh ndasish politike – si në BE ashtu edhe në Ballkan – asnjëra palë nuk duket më e interesuar për zgjerimin. Ndërsa liderët e Ballkanit ngurrojnë të ndërmarrin reforma të vështira pa një perspektivë më të qartë të anëtarësimit në BE, zyrtarët e BE-së kanë mungesë qëndrueshmërie dhe interesi për të vazhduar përpjekjet për të shmangur pengesat politike të Ballkanit.

Nëse, kur dhe nën cilat kushte perspektiva e BE-së do të rikthehet në Ballkan, askush nuk e di.

Presidenti francez Emmanuel Macron. Foto: Facebook/Emmanuel Macron.

Politika e zgjerimit me një këmbë në varr

Fakti që Franca, Holanda dhe disa vende të tjera anëtare të BE-së janë të vendosura të bllokojnë zgjerimin e ardhshëm për momentin – nëse jo përgjithmonë – dihej prej muajsh tashmë.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, ideja e vazhdimit të zgjerimit të BE-së u mbajt në jetë nga vendosmëria e Merkelit – një nga zyrtaret e pakta europiane që është në dijeni të rreziqeve që do të krijonte kolapsi përfundimtar i procesit të pranimit në Ballkan dhe në Europë.

Megjithatë, edhe Gjermania e fuqishme nuk ka qenë në gjendje ta vazhdojë këtë ide. Në një përpjekje për të treguar një front të përbashkët me Francën dhe njëkohësisht të rifillojë dialogun e zvarritur të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Serbisë dhe Kosovës, Gjermania organizoi një mini samit ballkanik ad-hoc në Berlin më 29 prill.

Por kjo ngjarje zbuloi vetëm ndasitë në rritje brenda dhe midis udhëheqësve të Ballkanit dhe BE-së.

Pastaj, në fillim të qershorit, Bundestagu gjerman nuk arriti të japë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – e konsideruar tepër e rëndësishme sidomos për Maqedoninë e Veriut sidomos  pas marrëveshjes së saj historike, por të diskutueshme me Greqinë.

Kohët e fundit, zyrtarë dhe diplomatë të ndryshëm të BE-së thanë për BIRN se liderët e BE-së tani ishin pranë arritjes së një marrëveshjeje për “ndarjen” e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe për t’i shqyrtuar këto dy vende më vete.

Kjo mund të nënkuptojë që Maqedonia Veriore më në fund do të marrë një datë për fillimin e negociatave të saj me BE-në në tetor, thanë zyrtarët.

Megjithatë, shumë dëm është bërë tashme që kur BE-ja nuk arriti ta shpërblente Maqedoninë e Veriut, pavarësisht përpjekjeve dhe progreseve të saj të fundit, duke iu shtuar frustrimeve ekzistuese të shkaktuara nga ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve të BE-së ndaj Ballkanit.

Ky gabim i BE-së mund të vijë me një çmim të lartë, pasi ai mund të dëmtojë stabilitetin e brishtë politik në Maqedoninë e Veriut, sidomos duke pasur parasysh ndryshimin e pritur të qeverisë në Greqi.

Zgjedhjet e ardhshme në Greqi më 7 korrik priten të sjellin në pushtet një qeveri më konservatore, e cila mund të mos tërhiqet dot nga marrëveshja e fundit me Maqedoninë e Veriut, por me shumë gjasa do të bllokojë progresin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit të saj në BE.

Një tjetër gabim i BE-së në Ballkan ishte vazhdimi i mbajtjes së regjimit të vizave për Kosovën, më shumë se një vit pasi Komisioni Europian deklaroi se të gjitha kushtet për të janë përmbushur.

Kjo jo vetëm që ka frustruar shumë kosovarë – të cilët kanë qenë kampionë për ndjenjën pro-europiane në rajon – por gjithashtu ka kontribuar në relapsin e rrezikshëm politik që Kosova ka dëshmuar vitin e kaluar.

Një dobësim i vazhdueshëm i angazhimit të BE-së në Ballkan u reflektua gjithashtu në anulimin e fundit të takimit pas mini samitit të Berlinit. Takimi i dytë duhej të mbahej në Paris më 1 korrik dhe të sillte disa ide konkrete për rifillimin e dialogut të zvarritur midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai u anulua pa paralajmërim dhe pa një shpjegim zyrtar. Diplomatët perëndimorë thanë për BIRN se ai u anulua sepse Franca, po ashtu edhe Gjermania, kishin pak energji për të diskutuar zgjerimin, ndërsa merreshin me problemet e tyre të brendshme, të cilat dolën në pah gjatë dhe pas zgjedhjeve europiane në maj.

Ndërsa zgjedhjet europiane nuk arritën të sillnin triumfin e pritur të partive populiste dhe nacionaliste, rezultatet e tyre të përgjithshme e kanë komplikuar gjithsesi situatën brenda BE-së. Si rezultat, krerët e BE-së janë përpjekur të bien dakord mbi shpërndarjen e pozicioneve kyçe në institucionet e BE-së – një situatë që shumë zyrtarë vendas dhe ndërkombëtarë e konsiderojnë të ngjashme me politikën e Ballkanit.

Humbja e perspektivës së BE-së ringjall nacionalizmin

Kancelarja gjermane Angela Merkel. Foto: Pixabay.

Ndërsa gjurmët e fundit të një perspektive të BE-së për Ballkanin zhduket, samiti i ardhshëm i Ballkanit Perëndimor në Poznan duket i destinuar të dështojë.

Pak zyrtarë vendas ose ndërkombëtarë kanë ndonjë pritshmëri për të, ndërsa mediat e Ballkanit dhe BE-së kryesisht e kanë shpërfillur atë.

Ndërkohë, disa zyrtarë po përpiqen të kuptojnë se cilat janë pasojat e mundshme të zhdukjes përfundimtare të perspektivës së zgjerimit dhe se çfarë mund të bëhet për të.

Shumica e tyre pajtohen se zgjerimi i BE-së mbetet opsioni i vetëm i sigurt për Ballkanin. Ndërsa idetë e vjetra/të reja nacionaliste dolën në sipërfaqe në vitet 1990 – për një Shqipëri, Bosnjë, Kroaci dhe Serbi të Madhe, si edhe për një lloj Turqie të re Osmane – shumë njerëz në Ballkan vendosën se dëshironin të jetonin brenda të njëjtëve kufij me llojin e tyre etnik.

Por vetëm kufijtë e BE-së kanë qenë mjaftueshëm të gjerë për të akomoduar paqësisht dhe transformuar gradualisht ato ide nacionaliste.

Megjithatë, zyrtarët e BE-së, mesa duket, e kanë humbur të gjithë kujtesën institucionale të paraardhësve të tyre nga fundi i viteve 1990, të cilët, pas shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, kuptuan se anëtarësimi i shpejtë i Ballkanit ishte vendimtar – jo vetëm për të transformuar ato shoqëri, por edhe për të parandaluar konflikte të reja etnike në rajon.

Dobësimi i opsionit të vetëm të sigurt që mund të akomodojë dhe të qetësojë gradualisht të gjithë aktorët e fuqishëm të Ballkanit, ka inkurajuar tashmë një ringjallje të ideve nacionaliste dhe populiste në të gjithë rajonin gjatë vitit të kaluar.

Fundi zyrtar i procesit të zgjerimit të BE-së mund të ushqejë më tej këto zhvillime negative, nëse BE-ja nuk vjen me një plan të ri për Ballkanin.

Ndërkohë, angazhimi i SHBA-së në Ballkan është gjithashtu në rënie, për shkak të rebusit të brendshëm të Amerikës.

Qasja e administratës Trump ndaj shumicës së sfidave të politikës së jashtme, përveç Iranit, po përballet me përpjekjet e Kongresit për të ruajtur qasjet e vjetra dhe proaktive të administratës Clinton dhe Obama.

Departamenti i Shtetit, duke u përpjekur të ekuilibrojë këto qasje divergjente, jep urdhra kontradiktorë, ndërkohë që politika e jashtme e SHBA-së shpesh duket se i mbetet diplomatëve individualë amerikanë.

Dobësimi i ndikimit të BE-së dhe SHBA-së në rajon ka krijuar gjithashtu një vakum pushteti, të cilin Rusia, Turqia, Kina, shtetet e Gjirit dhe aktorët e tjerë të huaj e kanë shfrytëzuar për të forcuar pozicionet e tyre.

Ndërsa Rusia mbështetet në lidhjet e saj historike me Serbinë, Turqia dhe shtetet e Gjirit kanë përdorur lidhjet e tyre me boshnjakët në Bosnje.

Ndërkohë Kina, i riu në bllok, ka shfrytëzuar burimet e saj të bollshme dhe mungesën e kushteve politike për të bërë shkelje të rëndësishme në politikën dhe ekonominë e rajonit.

Të gjitha këto interesa të huaja divergjente dhe shpesh kontradiktore kanë filluar të ndërthuren gjithnjë e më shumë me lojtarët e pushtetit lokal.

Rajoni po përjeton një rilindje të rrezikshme të tensioneve etnike, politike, ekonomike dhe sociale, duke i vendosur shqiptarët, kroatët, boshnjakët, maqedonasit, malazezët dhe serbët kundër njëri-tjetrit në kombinime të ndryshme.

Shenjat e telasheve përfshijnë nismat e reja separatiste serbe në Bosnje, armiqësitë në rritje midis Serbisë dhe Kosovës, spiunimin e skandaleve që përfshijnë Kroacinë, Bosnjën dhe Slloveninë, dhe protesta politike dhe shoqërore në të gjithë rajonin.

Shtyrja e një krize nuk ka kuptim

Zyrtarët dhe diplomatët e BE-së janë ende shumë të ndarë për mënyrën se si të merren me Ballkanin, në kohën e humbjes evidente të perspektivës së tij në BE.

Disa, si kancelarja gjermane Merkel, duken ende të vendosur për të ruajtur iluzionin e perspektivës së zgjerimit, edhe pse tani ka pak interes për këtë ide në qarqet e BE-së apo të Ballkanit.

Kjo taktikë mund të shtyjë një krizë të mundshme që mund të ndodhë në Ballkan nëse dhe kur perspektiva e zgjerimit të BE-së të shpallet e vdekur. Megjithatë, ana e saj negative është se ajo vazhdon të dëmtojë ndikimin tashmë të dobët të BE-së në rajon.

Liderë dhe zyrtarë të tjerë të BE-së, si presidenti francez Macron, po deklarojnë publikisht përfundimin e zgjerimit – të paktën tani për tani – dhe po propozojnë një marrëdhënie të re me Ballkanin. Në vend të aderimit, ata përdorin fjalë si “partneritet” ose “bashkëpunim”.

Kjo taktikë, nëse dhe kur të pranohet gjerësisht nga Brukseli, rrezikon të shkaktojë një protestë në Ballkan kur e vërteta të dalë në shesh. Megjithatë, pasi të ndodhë kjo, BE-ja mund të jetë në gjendje të fillojë seriozisht të mendojë për një qasje të re për rajonin e brishtë – një që do të ishte më konkrete sesa ajo aktualja.

Të dy rrugët janë të vështira dhe mundësisht të rrezikshme, pa asnjë premtim për sukses. Megjithatë, të paktën ekziston një konsensus në rritje midis ekspertëve dhe diplomatëve se çfarë do të duhej të përfshinte kjo qasje e re e BE-së.

Ajo do të duhet të ketë qëndrime politike më të forta dhe më të qarta dhe do të duhet të përfshijë fonde më konkrete dhe më të kapshme për projektet kryesore, duke adresuar çështje të rëndësishme për Ballkanin, siç janë infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, energjia, punësimi dhe kriza e emigrantëve.

Diplomatët lokalë dhe ata të BE-së në Ballkan gjithashtu bien dakord që BE-ja tashmë është vonë për të përmirësuar seriozisht qasjen e saj ndaj Ballkanit.

Nëse ajo nuk fillon të kuptojë realitetet e problemeve të Ballkanit – dhe vetë problemet e saj – ajo rrezikon të mundësojë një përshkallëzim të ardhshëm të dhunës në rajon. BE-ja rrezikon gjithashtu të humbasë para Kinës, e cila vazhdon të zgjerojë në mënyrë agresive dhe të shpejtë praninë e saj ekonomike dhe politike atje, duke ofruar para me pak ose aspak kushte.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.