Zhdukja e disa qenve të braktisur në zonën e plazhit në Durrës bëri bashkë aktivistë dhe vizitorë të huaj të qytetit që akuzuan pronarë të lokaleve e bizneseve pranë plazhit për helmim të organizuar.
Qytetarët të Durrësit dhe turistë që ndodheshin në qytet protestuan për mbi një orë për mbrojtjen qenve të braktisur, pasi gjatë javëve të fundit ishte konstatuar mungesa e mjaft prej tyre në zonat ku banojnë. Vullnetarët thanë se prej javësh qentë për të cilët ata kujdeseshin në lagjet e tyre po zhduken.
“Që nga 10 marsi kemi numëruar rreth 20 qen të helmuar dhe mbi 80 të zhdukur sipas banorëve që i ushqejnë. Nuk ka kufoma, kemi shkuar edhe tek landfilli dhe nuk i gjejmë. Për ne është e organizuar nga bizneset, në prag të nisjes së sezonit turistik”, shpjegoi për BIRN Gjenovefa Müller-Hasanaj, aktiviste për mbrojtjen e qenve.
Qytetarët u mblodhën përpara Bashkisë Durrës dhe marshuan përgjatë bulevardit, me pankarta në duar, që bënin thirrje për mbrojtjen e jetës së kafshëve dhe tregonin me foto disa prej qenve pa pronar që nuk gjenden më në zonën ku qëndronin.
Një pjesë e turistëve të rastësishëm, por edhe shtetas të huaj që jetojnë e punojnë në Durrës, ju bashkuan protestës së bashku me qentë e tyre, duke bërë apel për mbrojtjen e tyre.
“Turistët nuk kanë frikë nga qentë. Ata shqetësohen më shumë për ta, se sa shqetësohen vetë shqiptarët. Nuk është gjë e mirë për turizmin, që t’i tregojmë turistëve që në qytetin tonë po vriten qentë”, tha Fredrika Nyberg, me origjinë nga Finlanda dhe që prej disa kohësh punon në Durrës.
Numri i atyre që njihen si qentë endacak pa pronarë në qytetin e Durrësit sipas burimeve zyrtare nga bashkia mendohet se është rreth 2000, por aktivistët mendojnë se ky numër është dyfish më i lartë. Bashkia Durrës sqaron se nuk përdor më metoda për asgjësimin e qenve endacakë dhe se po bashkëpunon me aktivistët për sterilizimin e tyre.
“Bashkia ka lidhur një marrëveshje me një shoqatë, ku ne ofrojmë një ambient dhe shoqata i sterilizon qentë, duke i rikthyer në rrugë. Vetëm ata të cilët janë agresivë ose kanë sëmundje, mbahen në trajtim afatgjatë. Policia bashkiake kur ka konstatuar grupe qensh, ka njoftuar shoqatën”, tha një zyrtar i Bashkisë Durrës për BIRN.
Shoqata zviceriane “Jeta, kafshët dhe njerëzit” ka nisur fushatën e sterilizimit të qenve endacakë që prej muajit nëntor të vitit që lamë pas, por sipas drejtueses së shoqatës puna duket se po cënohet nga zhdukja e kafshëve të cilët rehabilitohen dhe më pas kthehen në rrugë.
“Projekti quhet “Kap, sterilizo, vaksino dhe lësho” në habitatin e tyre. Bashkia na jep mundësinë që të kemi një objekt, ku ne t’i mbajmë 3-5 ditë qentë pas operacionit, që të rikuperohen dhe më pas kthehen në habitat, të vaksinuar dhe sterilizuar”, u shpreh për BIRN Gjenovefa Müller-Hasanaj, drejtuese e shoqatës zvicerane “Jeta, kafshët dhe njerëzit”, duke sqaruar se deri më tani janë sterilizuar 150 qen pa pronarë.
Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve në qytetin bregdetar kanë evidentuar raste të shumta helmimi të qenve në zonën e plazhit. “Ne mendojmë se vetë bizneset dhe banorët po i helmojnë. Kjo ndodh sepse qytetarët nuk kanë frikë nga ligji dhe nga ndëshkimi. Ne duam që të merren masa nga Bashkia Durrës, të ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për të ndërgjegjësuar njerëzit, mos t’i keqtrajtojnë dhe mos t’i vrasin qenushat”, shpjegoi për ne Livia Kreko, aktiviste.
Qytetarët dhe shoqatat shprehen se do të vijojnë kërkesat zyrtare ndaj Bashkisë Durrës, duke kërkuar nisjen e kërkimit për shkaqet e helmimit dhe zhdukjes së qenve endacakë. Po ashtu së shpejti do të çelin një peticion që të firmoset edhe nga shtetasit e huaj, si edhe parashikohet të nisi një fushatë sensibilizimi me qytetarë shqiptarë dhe të huaj, të cilët do t’i drejtohen bizneseve për të gjetur një zgjidhje për problemin, duke i adoptuar dhe sterilizuar qentë e braktisur.
Sipas aktivistëve sot vendet e Europës po lobojnë që edhe ato që nuk janë vende anëtare, të kenë një ligj të qartë që të mos i vrasin kafshët, teksa shtojnë se ka një ligj në Shqipëri që synon mbrojtjen e kafshëve nga dhuna dhe braktisja. “Por ka 1 vit e gjysëm që është dërguar në Kuvend si kërkesë dhe nuk është bërë asgjë”, sqaron Gjenovefa Müller-Hasanaj.
Një protestë e ngjashme u zhvillua edhe vitin e kaluar në Durrës, pas helmimit dhe vrasjes së disa qenve endacakë, teksa pasditen e djeshme shoqatat për mbrojtjen e qenve raportuan aksidentimin e një qeni nga një automjet dhe nevojën urgjente për ndërhyrjen që do ta shpëtonte.