Lajm26 May 2018

Helmohen 20 punonjëse të një fasonerie në Shkozet

Një prej punonjësve u dërgua në QSUT në Tiranë për shkak të situatës shëndetësore, ndërsa 10 të tjera u shtruan në Durrës. Shkaqet e gjendjes së rënduar, mbeten ende të paqarta.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Një nga punonjëset e helmuara. Foto: Geri Emiri

Rreth 20 punonjëse të një biznesi fasonerie në Durrës u paraqitën me shenja helmimi ditën e shtunë në urgjencën e spitalit të Durrësit. Një prej punonjësve u transportua për në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, në Tiranë, për shkak të gjendjes së saj të rënduar shëndetësore, ndërsa 10 të tjera u shtruan në Repartin Infektiv të Spitalit të Durrësit. Pjesa tjetër pas mjekimit u kthyen në shtëpi.

 

Gratë punonin për kompaninë “Lovers Albania” e cila operon në Shkozet të Durrësit dhe ka rreth dy vite që është hapur. BIRN nuk mundi të kontaktonte me administratorët apo drejtues të kompanisë per të folur rreth ngjarjes. Punonjëset që ndodheshin në spital i thanë BIRN se nuk ishin vizituar nga ndonjë prej drejtuesve të saj.

Drejtoria e Policisë Durrës njoftoi se ishte ngritur një grup hetimor në bashkëpunim me Specialistët e Shëndetit Publik Durrës dhe po punohej për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Kushtet e sigurisë dhe shëndetit të punonjësve në rrobaqepsitë, një prej bizneseve që siguron punësim me paga minimale për disa mijëra gra në vend, janë diskutuar edhe më parë.

BIRN mësoi se të shtunën punonjëset nisën të shfaqnin shenja këputje, dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje vetëm pak kohë pasi kishin shkuar në punë dhe shkuan në urgjencë për ndihmë mjekësore njëra pas tjetrës.

“Në orën 9 të mëngjesit, një prej punonjëseve të rrobaqepsisë i ra të fikët. Më pas një tjetër që ishte shtatzënë e gjetëm pa ndjenja në banjë. Po ashtu kolege të tjera, njëra gjatë procesit të qepjes dhe një tjetër tek sektori i paketimit, pësuan të fikët”, tha për BIRN Malvina Halili, punonjëse e rrobaqepsisë.

“Kjo ishte një gjendje emergjence, pasi u paraqitën rreth 20 paciente”, tha për BIRN Blenard Qama, mjek i urgjencës. Sipas tij ato i kishin parametrat jetësorë në vlera normale. Ai tha se nuk diheshin ende arsyet e gjendjes së helmimit. Sipas mjekut në fasoneri mund të jetë përhapur ndonjë gaz pa aromë, ose për shkak të situatës së të fikëtit tek punonjëset e para mund të jetë përhapur një “histeri kolektive”.

Punonjëse të ndryshme të kompanisë, që kërkuan të mos identifikoheshin, i thanë BIRN se shqetësimet ishin të përsëritura dhe se çdo javë kishte raste “të fikëti” në vendin e punës. Ato thanë po ashtu se ndërsa vendi i punës ishte i paisur me kondicioner dhe freskuese, një pjesë e grave ndjeheshin nën presion dhe stres përshkak të normës.

Për 10 pacientet e shtruara në repartin infektiv, mjeku patolog Bashkim Kullesi, na informoi se gjendja shëndetësore e tyre është përmirësuar dhe se kanë marrë serume dhe medikamente kundër dhimbjes së kokës apo të vjellave. Ndërkohë shkaqet e helmimit pritet të mësohen pas analizave. Mjekët e urgjencës i thanë BIRN se rezultatet do i dorëzoheshin edhe prokurorisë.