Lajm7 Jul 2015

“Imigrantët ngecin në tokën e askujt në Ballkan” thotë raporti i Amnesty International

Gjatë rrugës për në BE përmes Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, imigrantët përballen me  ngacmimin policor, dhunën nga banditët dhe kushtet e këqija të azileve,” thotë një raport i Amnesty International.

Autor: Sasa Dragojlo BIRN Beograd
Printo

Itinerari i refugjatëve në Ballkan. Foto: Amnesty Internacional

Itinerari i refugjatëve në Ballkan. Foto: Amnesty Internacional

Refugjatët që kërkojnë të hyjnë në Europën Perëndimore janë vazhdimisht subjekt i dëbimeve të paligjshme dhe trajtimit të keq nga policia në kufirin maqedonas me Greqinë dhe në kufirin serb me Maqedoninë, thotë një raport i ri i Amnesty International.

Raporti bazohet në katër misione kërkimore në Serbi, Hungari, Greqi dhe Maqedoni nga korriku 2014 deri në mars 2015 dhe në intervista të më shumë se 100 refugjatëve dhe imigrantëve, kryesisht nga shtete si Siria, Iraku, Afganistani, Somalia dhe Eritrea.

Imigrantët izolohen arbitrarisht nga autoritetet dhe statusi i tyre i parregullt i bën më të prekshëm ndaj shfrytëzimit financiar nga oficerët e ligjit, të cilët keqpërdorin autoritetin e tyre për të kërkuar ryshfete, sipas raportit.

Gauri van Gulik, Zëvendës Drejtor i Amnesty International për Europën dhe Azinë Qendrore, tha se refugjatët përgjatë rrugës nga Ballkani në Europën Perëndimore e gjejnë vazhdimisht veten të abuzuar, të shfrytëzuar dhe të lënë në mëshirë të sistemeve të dështuara të azileve.

“Serbia dhe Maqedonia kanë shumë për të bërë për të respektuar të drejtat e imigrantëve dhe refugjatëve. Por është e pamundur të ndash shkeljet e të drejtave të njeriut atje nga presionet e kufizimit të vërshimit të imigrantëve dhe refugjatëve në BE dhe  nga një sistem i dështuar i migrimit në BE,” tha ai.

Refugjatët dhe imigrantët janë gjithashtu më të dobët përballë shfrytëzimit financiar nga kontrabandistët dhe nga sulmet prej grupeve kriminale. Dy nigerianë i thanë Amnesty International se si u mbajtën në Maqedoni: “nëntë burra na sulmuan me thika. Ne shkuam në polici dhe kërkuam ndihmë… por ata na arrestuan.”

Në Maqedoni, Amnesty International zbuloi se refugjatët dhe migrantët shpesh mbahen arbitrarisht në kushte të këqija në Qendrën e Pritjes së të Huajve të quajtur Gazi Baba në Shkup.

“Në Gazi Baba kishte rreth 400-450 persona kur ne hymë… Njerëzit po flinin edhe në shkallë, mbipopullimi ishte i tmerrshëm. Kishte batanije në dysheme dhe në korridore,” tha për Amnesty International një refugjat sirian.

Në Serbi, refugjatët paraburgosen rregullisht për hyrjen dhe qëndimin e tyre të paligjshëm. Në prill 2015, një raport i të drejtave të njeriut tha se policia vazhdimisht fyente dhe abuzonte me azilkërkuesit dhe migrantët – gjë që Ministria e Brendshme serbe e ka mohuar kategorisht.

“Ballkani toka e askujt”

Refugjatë në Maqedoni. (AP Photo/Dalton Bennett)

Refugjatë në Maqedoni. (AP Photo/Dalton Bennett)

Refugjatët dhe migrantët ngecin vazhdimisht në një tokë të askujt në Ballkan, thotë raporti.

Serbia dhe Maqedonia po shërbejnë si një tubacion refugjatësh dhe migrantësh që as Greqia dhe as Hungaria, po ashtu as BE-ja në tërësi, nuk do t’i mbajë.

“Isha shumë i frikësuar në det, por ai ishte ndër problemet më të pakta që kishim,” tha një migrant nga Siria i intervistuar në Serbin në mars 2015.

Sipas Amnesty International, 60,620 refugjatë dhe migrantë u kapën duke hyrë ilegalisht në Hungari, shumica e të cilëve kishin mbërritur nga Serbia më 22 qershor 2015.

Më shumë se gjysma kishin udhëtuar përgjatë Ballkanit perëndimor nga Greqia, pjesa më e madhe prej Maqedonisë dhe Serbisë.

Në Hungari, refugjatët dhe imigrantët që hyjnë ilegalisht janë subjekt i trajtimit të keq dhe fillimisht burgosen. Deri në 40 për qind e azilkërkuesve burra u burgosën gjatë këtij procesi.

Numri i njerëzve të kapur gjatë kalimit të kufirit Serbi-Hungari u rrit 25-fish që nga viti 2010, nga 2,370 në 60,602.

Në 2014, vetëm 10 azilkërkues morën statusin e refugjatit në Maqedoni dhe vetëm një fitoi azil në Serbi.

Në vitin 2014, Hungaria i dha azil 240 njerëzve, një pakicë krahasuar me numrin total të aplikimeve.

“Teksa ka një numër në rritje refugjatësh, azilkërkuesish dhe imigrantësh po ngecin në një tokë të askujt në Ballkan, presionet mbi Serbinë dhe Maqedoninë po rriten. Këto presione, ashtu si ato në Itali dhe Greqi, mund të zgjidhen vetëm nga një rimendim më i gjerë i politikave të imigrimit dhe azilkërkimit të BE-së,” tha Van Gulik.

Rreth 123 refugjatë, azilkërkues dhe imigrantë janë mbytur duke u përpjekur të kalojnë Mesdheun për në Greqi dhe 24 u vranë në hekurudha që nga janari 2014.