Është koha që Europës t’i dalin për zot shtetarët dhe jo politikanët apo bankierët cinikë që e kanë sjellë në buzë të greminës, argumenton Jeffrey D. Sachs, këshilltar i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit.
Krizat e borxhit sovran si ajo në Greqi mund të zgjidhen vetëm përmes hapave të guximshëm, si nga debitori dhe nga kreditori. Debitori ka nevojë për një fillim të ri përmes një ristrukturimi të borxhit, kreditori duhet të gjejë një mënyrë për ta mundësuar këtë pa shpërblyer sjelljen e keqe. Që të bëhet një marrëveshje, nevojat e të dyja palëve duhet përmbushur. Prandaj, reformat serioze dhe çlirimi nga borxhi i thellë duhet të shkojnë dorë për dore. Për këtë arsye, Greqia dhe Gjermania, kreditori i saj më i madh, kanë nevojë për një modus vivendi në mënyrë që të vazhdohen negociatat.
Si fillim, qeveria greke duhet të jetë e qartë rreth nevojës për reforma ekonomike urgjente. Ekonomia e vendit jo vetëm që ka pësuar kolaps, por është në agoni nga aspekti i strukturës. Rrënjët e problemeve të Greqisë shtrihen edhe më thellë sesa kursimi i këtyre viteve të fundit.
Në vitin 2013, për shembull, shpikësit vendas në Gjermani plotësuan 917 aplikime për patenta për çdo një milion banorë. Shpikësit në Greqi, hartuan 69 aplikime për patenta për çdo një milion.
Nëse Greqia do begatinë që lidhet me një ekonomi të përparuar teknologjikisht të shekullit 21, duhet ta fitojë këtë, duke prodhuar produkte inovative që janë konkurruese në tregjet e botës, ashtu siç bën Gjermania. Kjo gjë ka gjasa të jetë një sfidë e përgjithshme.
Nga ana e vet, Gjermania duhet të pranojë madhësinë e kolapsit të Greqisë. Ekonomia greke është tkurrur me 25% që nga 2009; papunësia është 27%, ndërsa papunësia e të rinjve rreth 50%. Kur Gjermania u përball me kushte të ngjashme në fillim të viteve 1930, kreditorët e saj ngritën supet dhe rezultati ishte ngritja e Adolf Hitlerit. Pas Luftës së Dytë Botërore, megjithatë, borxhi i Gjermanisë ishte shkurtuar, duke e lejuar vendin të rindërtohet. Duke marrë parasysh këtë eksperiencë, duhet të kuptojë rëndësinë e uljes së borxhit të një vendi kur barra e përmbushjes së tij është e paqëndrueshme.
Arsyeja për ofrimin e një fillimi të ri financiar një shteti është sa ekonomike aq dhe morale. Kjo e bën të vështirë të kuptohet nga shumë bankierë, pasi industria e tyre nuk e njeh moralin, vetëm fundin. Politikanët gjithashtu priren t’i kenë busullat e tyre morale të kalibruara nga gjuetia e pamëshirshme e votave. Gjetja e zgjidhjeve më efektive dhe morale kërkon një art qeverisjeje më të sinqertë – diçka që ka qenë shumë e rrallë gjatë krizës së euros.
Kryeministri grek Alexis Tsipras dhe kancelarja gjermane Angela Merkel tani kanë mundësinë të shfrytëzojnë rastin për t’u bërë shtetarë europianë. Që nga zgjedhja e Tsipras në janar, zyrtarët gjermanë pak kanë mundur të përmbajnë zemërimin e tyre se një qeveri e krahut të majtë e një shteti të vogël të falimentuar ka guxuar të sfidojë një nga ekonomitë më të mëdha të botës. Ministri i financave Wolfgang Schäuble, për shembull, është shfaqur duke provokuar Greqinë të lërë eurozonën.
Përgjigjja e Tsipras ndaj këtyre provokimeve ka qenë e qartë dhe e vazhdueshme: Greqia duhet të qëndrojë në eurozonë dhe ka nevojë për një fillim të ri financiar që ta bëjë këtë. Më 5 korrik, populli grek mbështeti liderin e tij të ri karizmatik me një votë “Jo” vendimtare mbi kërkesat e paarsyeshme të kreditorëve të vendit. Vendimi i popullit do të njihet një ditë si një fitore për Europën përballë atyre që preferuan të copëtonin eurozonën në vend që t’i jepnin Greqisë shansin për të filluar nga e para brenda saj.
Në takimin e kësaj jave mes Tsipras dhe Merkel në Bruksel, rreziqet nuk mund të jetë më të larta. Kostot ekonomike të rrugës pa krye kanë qenë katastrofike për Greqinë dhe shfaqin një kërcënim të madh për Europën. Prishja e negociatave javën e shkuar nxiti një panik bankar, duke paralizuar ekonominë e Greqisë dhe duke i lënë bankat e saj në prag të falimentit. Nëse bankat do të rigjallërohen, ato duhet të shpëtohen brenda pak ditësh.
Nëse Tsipras dhe Merkel takohen si politikanë të thjeshtë, rezultatet do të jenë katastrofike. Bankat greke do të shtyhen drejt falimentit, duke e bërë koston e shpëtimit të Greqisë edhe shumë të lartë. Nëse dy liderët do të takohen si shtetarë, ata do ta shpëtojnë Greqinë, eurozonën dhe shpirtin ngurrues europian. Me premtimin e çlirimit nga borxhi i thellë për Greqinë dhe një riqasje mes Greqisë dhe Gjermanisë, besimi ekonomik do të kthehet. Depozitat do të kthehen në bankat greke. Ekonomia do të ringjallet.
Tsipras duhet ta sigurojë Merkelin se Greqia do të jetojë brenda mjeteve që ka, jo si një e sëmurë kronike e Europës. Për të siguruar një rezultat të tillë, çlirimi nga borxhi dhe reforma të ashpra duhen prezantuar brenda pak kohësh, sipas një programi të miratuar, ku çdo palë ndjek zotimet e saj për sa kohë bën të njëjtën gjë edhe tjetra. Fatmirësisht, Greqia është një vend me talente të mrekullueshme, e aftë për të ndërtuar sektorë të rinj konkurrues nga zero, nëse i jepet shansi.
Merkel duhet të marrë një qëndrim që është në kundërshtim të asaj që ka ndjekur ministri i saj i financave deri më tani. Schauble është padyshim një nga figurat politike më të rëndësishme të Europës, por strategjia e tij për shpëtimin e eurozonës duke nxjerrë jashtë Greqinë ishte e gabuar. Merkel tani duhet të ndërhyjë dhe të shpëtojë Greqinë si pjesë e eurozonës – dhe kjo nënkupton lehtësim të barrës së borxhit. Nëse nuk bëhet kështu në këtë fazë, do të krijohej një ndarje e pariparueshme mes të pasurve dhe të varfërve, dhe mes të fuqishmëve dhe të dobëtëve në Europë.
Disa – në veçanti bankierët cinik – argumentojnë se është shumë vonë që Europa ta shpëtojë veten. Nuk është. Në Europë, shumë liderë me influencë dhe shtetas ende e shohin tregun si brenda konsideratave morale, siç është nevoja për të lehtësuar vuajtjen ekonomike. Ky është një aset i paçmuar. Ai mundëson që Merkel t’i ofrojë Greqisë një fillim të ri, sepse është gjëja e duhur për t’u bërë dhe sepse përputhet me eksperiencën dhe historinë e Gjermanisë.
Ideja e një qasje etike ndaj krizës greke mund të tingëllojë absurde për lexuesit e shtypit financiar dhe shumë politikanë do ta konsideronin padyshim naive. Megjithatë shumica e europianëve mund ta përqafojnë atë në kuptimin e një zgjidhje të ndjeshme. Europa u ngrit nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore për shkak të vizionit të burrave të shtetit; tani është sjellë në buzë të kolapsit nga mendjemadhësia, korrupsioni dhe cinizmi i bankierëve dhe politikanëve. Është koha që të kthehet arti i qeverisjes – për hir të brezave aktualë dhe të ardhshëm në Europë dhe botë.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. Statesmanship and the Greek Crisis