Lajm20 Mar 2018

Ish-gjyqtari Besnik Imeraj referohet në prokurori nga “vetingu”

Në vendimin e parë të këtij lloji, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i njohur më së shumti si Komisioni i Vetingut, vendosi të referojë dokumentet e tij në Prokurorinë e Përgjithshme. Imeraj e quan "sulm politik" referimin në Prokurori. 

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Një seancë e Gjykates Kushtetuese. Foto: LSA

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj dha dorëheqjen nga pozicioni më 31 janar 2018 për arsye shëndetësore dhe personale, por problemet e tij me drejtësinë duket se nuk kanë përfunduar.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, institucioni që do të hetojë të gjithë gjykatësit dhe prokurorët e vendit, njoftoi të martën se pavarësisht se Imeraj i ka shpëtuar vetingut pas dorëheqjes, ky institucion ka vendosur të referojë dosjen e tij në Prokurorinë e Përgjithshme.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, në bazë të nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale, ka referuar pranë Zyrës së Prokurores së Përgjithshme të gjithë dokumentacionin që rezultoi nga hetimi administrativ gjatë procesit të rivlerësimit të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, zotit Besnik Imeraj,” thuhet në njoftimin e shkurtër të KPK të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Ish-anëtari i Kushtetueses, Besnik Imeraj e quajti referimin e dosjes së tij në Prokurori si “sulm politik” në një reagim për televizionin Ora News.

“Nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore. Gjithçka është e qartë, përsa kohë kryeministri i vendit, Edi Rama dhe qeveria si pushtet ekzekutiv deklaron se është duke kontrolluar punën dhe pasurinë e gjyqtarëve,” tha Imeraj për Ora News.

Nuk bëhet e ditur se çfarë përmban dosja e hetimit administrativ, por referimi në Prokurori shënon një procedurë të re për KPK-në, institucioni që njihet më shumë si “vetingu”.

Gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë iu dha mundësia në fillim të reformës në drejtësi, që të tërhiqeshin pa hyrë automatikisht në kontroll për një periudhë tremujore. Sipas Aneksit G të Kushtetutës, gjyqtarët dhe prokurorët që tërhiqeshin në këtë mënyrë, nuk lejoheshin të ktheheshin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Vendimmarrja e deritanishme e KPK-së për disa raste dorëheqjeje, ka qenë ndërprerja e procedurës së hetimit administrativ. Për Imerajn, PKP vendosi pushimin e procesit të vetingut më datë 12 shkurt. Por vetëm një muaj më vonë, po ky institucion vendosi ta referojë çështjen në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila do të ketë për detyrë të shqyrtojë nëse nga ky hetim administrativ kanë dalë apo jo fakte që përbëjnë vepër penale.

Imeraj është një gjyqtar karriere, i cili ka mbajtur postet e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.