AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Rajoni

“Askush nuk na përmend”: Heshtje rreth përdhunimit të grave të pakicave etnike gjatë luftës në Kosovë

Stigma ende mbështjell fort dhunën seksuale të kryer gjatë luftës në Kosovë, edhe më shumë të mbijetuarit romë, ashkalinjë e egjiptianë.

Serbeze HaxhiajngaSerbeze Haxhiaj
11 seconds më parë
në Rajoni
Koha e leximit: 7 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
cover v7
Ilustrimi: Igor Vujcic/BIRN.

Ishte 19 vjeçe kur ajo dhe kushërira e saj u përdhunuan nga tre policë serbë, më 25 shkurt të vitit 1999, në kulmin e luftës në Kosovë.

Atë ditë, të dyja vajzat rome po prisnin autobusin nga Prizreni për në shtëpi, në Deçan, kur një patrullë policie iu afrua, u kërkoi letërnjoftimet dhe më pas u tha se duhej të shkonin në stacionin e policisë.

“Hipëm në makinë me tre policë”, tregon kjo grua për BIRN. “Ata nuk na çuan në stacionin e policisë, por në një pyll, ku na përdhunuan.”

“Mbërritëm natën në shtëpi. Familja e kuptoi se çfarë kishte ndodhur, edhe pse unë insistoja se vetëm na kishin rrahur.”

Sot, kjo nënë e pesë fëmijëve jeton në varfëri, në një fshat afër Gjakovës. Është e papunë dhe vuan nga depresioni. Kohët e fundit kishte vendosur të aplikojë për statusin e së mbijetuarës së dhunës seksuale në luftë, pasi vite me radhë hezitonte se shqetësohej se si do t’ia arsyetonte burrit se nga po e merrte pagesën prej 230 eurosh.

“Ai nuk e di për përdhunimin,” thotë ajo. “Si t’i tregoja për paratë?”

Gjendja e saj, e vështirë, është një tipar i përbashkët për shumë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës nga komunitetet rome, ashkali e egjiptiane në Kosovë.

BIRN foli me tetë gra për përvojat e tyre, margjinalizmin, frikën nga përjashtimi i familjes apo rrethi i tyre, stigmën dhe mungesën e ndërgjegjësimit për të drejtat e tyre, që i kanë bërë shumë prej tyre të mos kërkojnë ndihmë. Të gjitha folën në kushte anonimiteti.

“Dëmshpërblimi, veçanërisht drejtësia, mbetet kryesisht e munguar për gratë e pakicave”, thotë Bashkim Ibishi, drejtor i organizatës Advancing Together që merret me të drejtat e minoriteteve.

Përtej diskursit publik                      

unnamed
Shehrije Balaj, gruaja e parë që dëshmoi në Beograd kundër luftëtarëve serbë që e përdhunuan gjatë luftës në Kosovë, por që vdiq para se kërkesa e saj për njohje zyrtare si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës të miratohej. Foto kortezi e Haxhi Balajt.

Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë filluan të njihen zyrtarisht në vitin 2018, pas vitesh avokimi nga organizatat që u ofrojnë përkrahje viktimave, shumë më vonë se kategoritë tjera të luftës.

Sipas Komisionit Qeveritar të ngarkuar me verifikimin e aplikimeve për njohje, më shumë se 2,100 persona kanë aplikuar për njohje të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, shumica shqiptarë.

“Komisioni Qeveritar nuk kërkon të dhëna mbi përkatësinë etnike të viktimave gjatë procesit të verifikimit dhe nuk ka diskriminim”, thotë kryetarja e Komisionit, Leonora Selmanaj.

Grupet për të drejtat e minoriteteve thonë se vuajtjet e viktimave të dhunës seksuale të luftës nga minoritetet shpesh anashkalohen në diskursin publik rreth kësaj çështjeje.

“Viktimat rome, ashkali e egjiptiane të përdhunimit janë të përjashtuara nga diskursi publik”, thotë aktivistja rome, Diana Shaka.

Në vitin 2013, Shehrije Balaj, një grua rome, dëshmoi para gjykatës në Beograd për përdhunimin e saj, më 6 maj 1999, nga forcat serbe që kryen masakra në katër fshatra të Pejës. Balaj, ishte 29 vjeçe kur u dhuna. Ajo vdiq në shtator të vitit 2018, para se ta dërgojë aplikacionin për njohje.

Në vitin 2019, BIRN solli për herë të parë rrëfimin e saj dhe në vitin 2021 ajo u dekorua post-mortem me Medaljen për Guxim nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në aplikacionin, që i mbeti në shtëpi, të parë nga BIRN, Balaj përshkroi përdhunimin e dytë nga dy burra shqiptarë më 29 korrik të vitit1999, pasi lufta kishte mbaruar. Të nesërmen familja e saj u largua dhe 13 vite jetuan në Mal të Zi. Djali i saj, Haxhi Balaj, mësoi për përvojën e tmerrshme të nënës vetëm kur ajo dëshmoi para gjykatës në Beograd.

Mbështetja e pakët

roma survivor photo by serbeze birn 3 1024x576
Një e mbijetuar përdhunimi gjatë luftës, e cila rrëfeu dhunën që përjetoi në një intervistë për BIRN. Foto: Serbeze Haxhiaj.

 E mbijetuara e dytë e intervistuar nga BIRN, e komunitetit egjiptian, ishte 24 vjeçe kur u përdhunua nga tre policë serbë, në një shtëpi të zbrazët në Rahovec.

Ishte qershori i vitit 1998, në kohën kur po zgjerohej lufta e guerilëve të Kosovës kundër sundimit serb. Ajo kishte qenë me burrin e saj kur u ndaluan nga policia; të shoqin e morën, ndërsa ajo u përdhunua. “Kur më lëshuan isha krejt në gjak”, tregon ajo.

Burri i saj ende është i zhdukur. Keqtrajtimi nga vjehrri u përkeqësua pasi ai zbuloi se çfarë i kishte ndodhur asaj dhe ajo u detyrua me tre fëmijët ta lërë shtëpinë pas luftës dhe të kërkojë ndihmë te një OJQ.

“Përjashtimi dhe turpërimi nga rrethi më bënë të largohesha nga qyteti me fëmijët “, tha ajo për BIRN.

Ajo thotë se vuan nga depresioni, ankthi dhe gjëndra tiroide. Pagesa që merr prej 230 eurosh, si viktimë e dhunës seksuale, nuk ia mbulon as koston e barnave.

“Shumica e të mbijetuarve nuk kanë mundësi punësimi ose qasje në iniciativa publike për fuqizim ekonomik”, thotë aktivistja rome për të drejtat e njeriut, Shpresa Agushi.

E mbijetuara e tretë, e komunitetit ashkali, tregoi historinë e saj të përdhunimit në maj të vitit 1999, në shtëpinë e saj në Gjakovë, nga dy paramilitarë serbë. Të nesërmen kishte tentuar ta varte veten. “Nëna më kishte diktuar, ajo më gjeti dhe më pshtojë“, tregon ajo për BIRN. Dy muaj më vonë, pasi lufta kishte mbaruar, një patrullë e trupave të NATO e shpëtoi atë nga një tjetër përpjekje për përdhunim, këtë herë nga një burrë civil shqiptar.

Për më shumë se dy dekada, kjo grua nuk kishte qasje në ndonjë shërbim shëndetësor psikologjik.

Ajo nuk di shkrim-lexim dhe beteja e saj për të gjetur punë ishte edhe më e vështirë.

Në vitin 2020, asaj iu njoh statusi i viktimës së dhunimit dhe tani është një nga të paktat të mbijetuara nga minoritetet që marrin shërbime psiko-sociale nga një OJQ në qytetin e saj të lindjes.

Por pagesa prej 230 eurosh që ajo merr zor se ia mbulon shpenzimet mjekësore asaj dhe të burrit të saj.  Ata jetojnë në një dhomë të vetme me dy fëmijët e tyre.

“Askush s’po na përmend”

roma survivor photo by serbeze birn 1024x576
Shumë të mbijetuar nga komunitetet pakicë, viktima të përdhunimit gjatë luftës, nuk kishin qasje në mbështetje psikologjike apo në shërbime të tjera të kujdesit shëndetësor. Foto: Serbeze Haxhiaj.

Disa nga ato që u larguan nga lufta dhe nuk u kthyen kurrë shpesh nuk kanë mundësi për të aplikuar për njohje si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, edhe për shkak të dokumenteve.

Një nga ato, e katërta me radhë, e intervistuar nga BIRN, ishte 29 vjeçe kur u përdhunua dy herë nga policët në ndërtesën e policisë në Gjakovë në mars dhe prill të vitit 1999, derisa po punonte si pastruese në ndërtesë. Kur lufta mbaroi ajo dhe familja u largua nga frika se mos bëhej cak i hakmarrjes për faktin se ishte punonjëse e shtetit serb.

Kjo grua tani jeton në Podgoricë, por nuk ka dokumente të Kosovës.

“Kemi jetuar në kamp refugjatësh për një kohë të gjatë. Nuk kishim ushqim, e lëre më psikolog”, tregon ajo. “Kur kisha ndonjë dinar nganjëherë blija qetësues.”

Pas luftë në Kosovë, komunitetet pakicë u bënë cak sulmesh e dëbimi nga individë me uniforma të UÇK-së dhe nga civilë shqiptarë.

Një grua egjiptiane nga një fshat afër Pejës kujton se ishte një ditë përvëluese më 27 korrik të vitit 1999 kur pestë burra të armatosur hynë në shtëpinë e saj. Njëri prej tyre kishte një bluzë me simbolin e UÇK-së. Burri i saj u rrah dhe ajo u mor zvarrë në pyllin aty afër. “Njëri prej tyre më përdhunoi. Burri nuk mundi të më ndihmojë.”

Burrat më vonë shkuan në derën ngjitur, dhe morën fqinjën e saj.

Tri ditë më vonë, familja e saj u largua nga Kosova. Rasti i saj u dokumentua në një raport të vitit 1999 nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Në raport, ajo thotë: “Kur erdhën, më kërkuan të gjeja dy gra të tjera dhe t’ua dërgoja. U thashë se s’mund t‘i gjeja dhe iu luta të më linin të shkoj se i kisha fëmijët e vegjël. Njëri prej tyre më kërcënoi se do të ma vriste burrin nëse nuk u bindesha. Duke qarë, shkova atje. Më lanë atje, duke kajtë dhe të turpërume.”

Megjithatë, Ligji për njohjen e statusin e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, viktimave civile dhe viktimave të dhunës seksuale përfshin njohjen e statusit të mbijetuarve të dhunës seksuale mes shkurtit 1998 dhe 20 qershorit 1999, një javë pasi forcat serbe u tërhoqën nga Kosova.

Kjo grua thotë se nuk ka “nevojë” për njohje. “Por më vjen inati që askush nuk na përmend”, thotë ajo. “Gratë rome, egjiptiane janë përdhunuar edhe këtu.”

Aktivistja, Shpresa Agushi, thotë se të mbijetuarat e përdhunimit nga minoritetet pak përfshihen në diskursin publik rreth luftës dhe dhunës seksuale në luftë, përderisa viktimat pas përfundimit zyrtar të luftës diskriminohen dyfish.

“Ato që ishin viktima të dhunës seksuale pas 20 qershorit të vitit1999, janë edhe më të margjinalizuara dhe diskriminuara sepse nuk njihen ligjërisht dhe mbeten në hije”, thotë ajo.

Një valë terrori

roma survivor photo by serbeze birn 2
Asnjë rast që përfshin dhunë seksuale gjatë luftës ndaj grave rome, ashkalike apo egjiptiane nuk ka arritur ndonjëherë në gjykatë në Kosovë, dhe aktualisht nuk është duke u zhvilluar asnjë hetim. Foto: Serbeze Haxhiaj.

Një studim i vitit 2024 mbi pasojat afatgjata të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë, i Medica Mondiale në Këln dhe Medica Gjakova, thekson se rastet e dhunës seksuale të kryera nga shqiptarët ndaj grave të minoriteteve, ndonëse më të rralla, ndodhën sidomos pas luftës.

Fatmire Haliti, nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë, KRCT, thotë se “po avokohet për të zgjatur afatin ligjor të njohjes përtej 20 qershorit të vitit 1999, dhe për ta lënë pa afat aplikimin për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale.”

BIRN identifikoi të paktën tri gra rome që kishin qenë dy herë viktima të dhunës seksuale, gjatë dhe pas luftës.

Disa nga dëshmitë tregojnë se përdhunimi ishte pjesë e një vale terrori që detyroi familjet rome të braktisnin shtëpitë e tyre.

“Ishte një situatë në të cilën Kosova e pasluftës u bë pre e bandave të armatosura të pakontrollueshme që kryen një numër  krimesh”, thotë Jean-Christian Cady, ish-shef i Shtyllës për Polici e Drejtësi në Misionin e OKB-së në Kosovë mes viteve 2000-2004.

Një nga ato ishte 30 vjeçe kur u përdhunua nga dy burra, në shtëpinë e saj në Mitrovicë, më 3 korrik 1999, disa javë pas përfundimit të luftës, . Familja e saj u detyrua të largohej nga shtëpia , e cila më pas u uzurpua nga njerëz të tjerë. Ajo aktualisht jeton në qytetin e Novi Sadit në Serbi.

Një tjetër rome ishte 14 vjeçe kur u përdhunua më 12 qershor të vitit 1999, një ditë pas përfundimit zyrtar të luftës.

Ajo nuk e raportoi kurrë përdhunimin, por në gusht të vitit 2004, një ish-pjesëtar i UÇK-së u arrestua në Mal të Zi dhe u ekstradua në Serbi, ku u dënua me 13 vjet burg për vrasjen e dy serbëve dhe një romi në qershor të vitit 1999, tri ditë pasi lufta mbaroi zyrtarisht.

Kjo grua rome, ka katër fëmijë dhe jeton në një strehë për persona të zhvendosur. Ajo vuan nga diabeti dhe depresioni. Pasi fillimisht iu refuzua aplikacioni, ajo më pas u njoh si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Kisha frikë të aplikoja, më herët, sepse çështja ime u bë publike gjatë gjykimit”, tregon ajo.

Asnjë rast që ka që lidhet me dhunën seksuale gjatë luftës ndaj grave rome, ashkali ose egjiptiane nuk ka arritur të trajtohet ndonjëherë në gjykatat e Kosovës, dhe aktualisht nuk ka ndonjë hetim të hapur.

Etiketa: KosovëLuftapakica etnikeviktima perdhunimi
cover v7

“Askush nuk na përmend”: Heshtje rreth përdhunimit të grave të pakicave etnike gjatë luftës në Kosovë

14:30 | 22/07/2026
KPA

Argumentet e KPA për lënien në fuqi të shkarkimit të prokurorit Sabri Kastrati

11:40 | 22/07/2026
qindra profile të rreme targetojnë mbështetësit e protestës

Lufta për algoritmin: Qindra profile të rreme targetojnë mbështetësit e protestës

07:37 | 22/07/2026
center of gostivar 1536x864

Analizat konfirmojnë ndotjen fekale të ujit të pijshëm në Gostivar

14:47 | 21/07/2026
mbledhje e klgj

Shtatë gjyqtarë në garë për tre vende në KLGJ

14:46 | 21/07/2026
veliaj ndreca

Gjykata gjobit avokatin e Erion Veliajt për zvarritje procesi

11:49 | 21/07/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.