Lajm14 Jun 2017

Ish-gjyqtarja Majlinda Andrea shpallet fajtore për marrjen e 50 mijë eurove rryshfet

Gjykata e Lartë vendosi të dënojë me 4 vjet burg ish-anëtaren e saj Majlinda Andrea, por dënimi do të kryhet në shërbim prove dhe jo në qeli. Andrea dhe bashkëshorti i saj nuk do të kryejnë funksione publike për pesë vjet.  

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gjykata e Lartë, | Foto : LSA

Gjykata e Lartë vendosi të dënojë me 4 vite burg ish-anëtaren e saj Majlinda Andrea, ndonëse gjyqtarja nuk do ta kryejë dënimin në qeli. Në vendimin e shpallur të mërkurën, Gjykata e Lartë deklaroi se Andrea është fajtore për veprën penale të korrupsionit pasiv, por vendosi njëherazi të pezullojë dënimin me burg, duke e kaluar atë në shërbim prove për 3 vitet e ardhshme.

Gjykata vendosi gjithashtu që Majlinda Andrea të mos ushtrojë funksione publike për 5 vitet e ardhshme. Bashkëshorti i saj, Odhise Andrea u dënua me 1 vit e gjashtë muaj burg për të njëjtën vepër penale si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5 vjeçare.

Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë dhe bashkëshorti i saj u hetuan dhe u shpallën fajtorë për marrjen e 50 mijë eurove rryshfet nga një palë ndërgjyqësuese, e cila ndodhej në një proces gjyqësor për një sipërfaqe toke prej 40 hektarësh në zonën e Butrintit në Sarandë.

Korrikun e kaluar, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se gjyqtarja Andrea dhe bashkëshorti i saj, i cili në atë kohë ishte zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë kishin përfituar shumën e parave në këmbim të një vendimi të favorshëm gjyqësor.

Gjatë fazës së hetimeve, Prokuroria kërkoi në Gjykatën e Lartë masë sigurie për të dy bashkëshortët, por ky informacion dyshohet se u dekonspirua për shkak se të dy ata ndodheshin jashtë vendit në kohën që policia shkoi t’i arrestonte.

Majlinda Andrea u kthye në Shqipëri disa ditë më vonë, ndërkohë që Gjykata e Lartë dha në ngarkim të saj masën e sigurisë “pezullim nga detyra”, gjë që i mundësoi të ndiqej në gjendje të lirë. Bashkëshorti i saj Odhise Andrea u vetëdorëzua në polici gjashtë muaj pasi qe shpallur në kërkim.

Majlinda Andrea është gjyqtarja e parë e Lartë që dënohet me akuzën e korrupsionit.