Sinan Shala u arrestua pas një hetimi të gjerë mbi tjetërsimin e dhjetra hektarëve tokë në bregdet, ndërkohë që Prokuroria kishte pushuar një hetim kundër tij për deklarim të rremë të pasurisë.
Arrestimi i Sinan Shalës, ish-kryetar i komunës Gosë në Kavajë ka nxjerrë në sipërfaqe zhvatjen e dhjetra hektarëve tokë në bregdet përmes falsifikimit të dokumenteve. Ish-kryekomunari akuzohet se është një ndër përfituesit më të mëdhenj të 76 hektarëve tokë, së bashku me ish-zyrtarë të tjerë të komunës.
Hetimi që çoi në arrestimin e Shalës dhe pesë ish-zyrtarëve të tjerë të komunës dhe zyrës së Hipotekës përgjatë muajve nëntor 2015-shkurt 2016 nisi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në qershor 2014, KLSH publikoi raportin e auditimit të bërë në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Kavajës, ku u konstatuan mbi 100 tituj pronësie të regjistruara në kundërshtim me ligjin në zonat bregdetare të Spillesë, Gosës, Vilë Bashtovës, Karpen, Kryemëdhenj dhe Golem.
KLSH vlerësoi se mbi 3 mijë metra katrorë tokë ishte regjistruar përmes procedurave të paligjshme në emër të personave të tretë. Hetimi i prokurorisë zgjeroi përmasat e skandalit, duke e çuar këtë sipërfaqe në 76 hektarë.
Në zemër të falsifikimit qëndron ndryshimi i strukturës nga “tokë pa fryt” në “tokë arë”. Përmes këtij mekanizmi, ish-kryetari i komunës dhe zyrtarët e tjerë kanë përfituar sipërfaqe të tëra rëre përgjatë vijës bregdetare.
Në shtator 2015, Prokuroria e Rrethit të Kavajës nisi hetimet në bazë të raport të KLSH-së, por edhe sinjalizimeve të Njësisë Anti-korrupsion në Këshillin e Ministrave.
Në nëntor të vitit 2015, Prokuroria urdhëroi arrestimin e Idriz Thaçi, kryetar i Komisionit të Tokës në fshatin Vilë Boshtovë; Myzafer Xhelili, përfaqësues i rrethit të Kavajës; si dhe Fatos Gjuzi, kryeregjistrues i Hipotekës në Kavajë.
Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria njoftoi arrestimin e ish-kryekomunarit Sinan Shala më 17 shkurt 2016, ndërsa shpalli në kërkim ish-shefin e kadastrës, Nezir Leçini.
Prokurori i Rrethit të Kavajës i tha BIRN se sipërfaqja prej 76 hektarë tokë në bregdet është regjistruar nëpërmjet falsifikimit të dokumentave, ku përfitues janë të afërm të ish kryetarit të komunës, por edhe persona të tretë si blerës. Për prokurorinë, ish kryetari i komunës Goce dhe kryeregjistruesi i Kavajës, dyshohen për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Fallsifikimit të dokumentave”.
“Pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës bregdetare, e shpërndarë nëpërmjet këtij mekanizmi abuziv, tashmë është tjetërsuar në emër të personave të tjerë, të cilët i kanë blerë në shuma të konsiderueshme parash. Blerësit e rinj i kanë regjistruar këto pronanë Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”-thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Verifikimi i “pronarëve” të rinj është pjesë e hetimit të dosjes voluminoze, që kjo prokurori ka hapur për titujt e pronësisë në bregdetin e Kavajës.
Sinan Shala është një prej shumë ish-kryekomunarëve që akuzohet për tjetërsim pronash në bregdet. Në vitin 2011, ai është përfshirë edhe në një hetim të Prokurorisë, pas kallëzimit të ILDKP-së për fshehje të pasurisë.
Në kallëzimin e ILDKP, që BIRN e disponon, Shala akuzohet se kishte bërë deklarim të rremë të shitjes së 2 mijë metrave katrorë tokë në Karpen të Kavajës. Sipas deklaratës së tij të pasurisë, në vitin 2009 Shala ia kishte shitur tokën ish-kreut të ALUIZNI, Shaban Memia për 150 mijë euro. Duke iu referuar kontratës së shitjes, ILDKP tha se Shala kishte marrë 200 mijë euro nga Memia, duke bërë deklaratë të rremë.
Në kallëzim, ILDKP pretendonte gjithashtu se ish-kryekomunari nuk kishte deklaruar blerjen e një zyre për 50 mijë euro dhe të dy makinave.
Përkundër akuzave, Prokuroria e mbylli hetimin për ish-kryekomunarin e fshatit Gosë. Prokuroria e Kavajës nuk e ka ende të qartë nëse toka e shitur në vitin 2009 nga Shala bën pjesë në sipërfaqen e përfituar padrejtësisht prej tij. Por zyrtarë të saj i thanë BIRN se po verifikojnë të gjithë titujt e pronësisë.
.