
Në një intervistë me podcasterin David Sensa të datës 31 maj 2026 (link), Ivanka Trump përshkruan e shpenguar dhe plot pasion mënyrën idilike me të cilën zbuloi, “duke notuar dhe këmbëzbathur”, ishullin e Sazanit në brigjet e Mesdheut. Duke e dëgjuar të flasë në këtë podcast, të kujtohen rrëfimet e kolonizatorëve europianë kur zbuluan tokat “e reja”: ata flisnin për terrene të pafundme e të lira, të cilat nuk i përkisnin askujt dhe mbi të cilat nuk kishte asnjë juridiksion të njohur.
Sipas studiuesve, përgjatë shekujve kjo narrativë shërbeu si lehtësuese dhe justifikuese për vendet kolonizuese që të grabisnin dhe pushtonin qindra territore që, në fakt, ishin gjithçka përveçse bosh. Afrika, Azia dhe Amerika Veriore, Qendrore e Latine ishin të mbushura me qytetërime të vjetra sa vetë bota, të cilat banonin aty që nga fillimi i kohës. Tokat nuk ishin “tokat e askujt”, në të cilat mund të ndaloje anijen dhe të kridheshe si në parajsën e fundit të paprekur e të paarritur nga qytetërimi.
Idilizmi i Ivanka Trump na bën të ndihemi sikur ajo nuk “po i prish punë askujt” dhe po merr një tokë të lënë djerrë, pa të interesuar dhe pa zot. Në rrëfimin e saj, ajo po shpenzon miliardat e veta për t’i dhënë vlerë këtij habitati të braktisur dhe të papretenduar nga askush. Dikush në rrjetet sociale kishte shkruar: “Erdhi Kristofore Kolombja.” Shekujt kanë kaluar dhe bota ka lëvizur disi, por nga mendësia kolonialiste kanë ndryshuar vetëm mjetet: dikur dërgoheshin batalionet të vrisnin “të egërit”, sot dërgohet kapitali.
“Të egërit” sot janë ata që duhet të falënderojnë që po u shkatërrohet shtëpia, sepse do t’u vijë “zhvillimi”, do t’u vijnë vendet e punës, paraja; do të qytetërohen e civilizohen, ndaj mirë bëjnë të ulin kokën e të thonë faleminderit për këtë mundësi që iu dha. Sepse, në fakt, Ivanka e shpreh në intervistën e saj të shkurtër: “Over the years, we developed the opportunity to help realise its potential”, pra: “Ndër vite ne zhvilluam mundësinë të ndihmonim për të realizuar potencialin e ishullit.”
Si fillim, renditja e shumë fjalëve në këtë formë na lë shijen se po mundohet të fshihet pas tyre, në vend që të informojë mbi thelbin. “It’s not even a business”, vazhdon ajo. Pra, Ivanka dhe Jared, njësoj si evangjelistët e mirë të shekujve të shkuar, të vënë në punë masivisht nga kolonizimi, gjetën një ishull bosh dhe u vetëofruan si bamirës për t’i dhënë vlerë potencialit të tij. Gati ngashëryese shpirtgjerësia e tyre për ta kthyer të përdorshëm nga njerëzit një ishull djerrë që s’i hyn në punë askujt. Nga cilët njerëz – lind pyetja – duke ditur shifrat marramendëse që do të ketë resorti?
Më pas, Ivanka e mbyll me një përdëllim të thellë shpirtëror, duke thënë e emocionuar: “I want to build something that is a tangible manifestation of how people want to live”, duke iu referuar faktit se ëndrra e çdo njeriu është të jetojë në mes të natyrës. Patjetër, si jo! Veçse kjo ëndërr po i grabitet shumicës së varfër që t’i vihet në dispozicion pakicës së kamur, e cila blen me para edhe sovranitetin e shtetit, siç po bën Ivanka. Ne fund, fjala manifestation që ajo përdor është një shpëlarje me shpirtërim new age e aferës miliardere.
Në intervistën e saj të shkurtër dhe të sheqerosur mbi bukuritë e këtij vendi, duke iu referuar ishullit të Sazanit, Ivanka përdor pa teklif fjalën privat. Pra, ishulli sipas saj është privat. Duke parë qetësinë me të cilën ajo përdor këtë term, duke ditur edhe njohuritë që ajo ka në fushën e investimeve të tilla, ku vepron prej shumë vitesh, na lind dyshimi se në këtë pikë përgjegjësia për etiketimin e tij si “privat” nuk i takon më Ivankës, por palës shqiptare, e cila ia ka servirur ishullin si të tillë: privat.
Dhe kur diçka është private, ka një pronar; transaksioni i shitblerjes është mjaft i thjeshtë dhe i lehtë. Dal në pazar me trastë dhe blej mollë. Që Sazani i përket një shteti sovran me juridiksion, me kushtetutë, me ligje e me institucione, nuk është çështje që i përket Ivankës. Kjo është përgjegjësia e atij që ia ka shitur në tavolinë Ivankës sikur ta kishte pronë të trashëguar nga babai.
Banditizmi tokëgrabites amerikan bashkohet me sulltanizmin ballkanas të ndarjes së hesapeve pa pyetur për ligje dhe të mira publike. Kapitali prej kohësh i përvidhet sovranitetit të shteteve dhe blen çdo të drejtë thjesht e vetëm sepse mundet. Rasti i Shqipërisë është përtej imagjinatës për pafytyrësinë dhe arrogancën me të cilën po bëhen gjërat, hapur, në dritë të diellit, pa pasur më as sensin e masës.
Lufta për Vjosë-Nartën, Sazanin dhe mbrojtjen e shumë territoreve të tjera anembanë Shqipërisë nuk është thjesht luftë për mbrojtjen e biodiversitetit. Midis shumë shtresave të rëndësishme që përmban brenda kjo përpjekje e madhe, qëndron parësore shembja e mendësisë kolonialiste, e cila gjithashtu qëndron në bazën e sistemit kapitalist.
Rojtaret kryesore të biodiversitetit në planet edhe sot e kësaj dite mbeten popujt indigjenë, të cilët, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, ruajnë rreth 80% të biodiversitetit në nivel botëror, edhe pse përbëjnë vetëm 6% të popullsisë globale.
Në përgjithësi, popullatat vendase që jetojnë prej shumë kohësh në të njëjtin territor dhe kanë një kulturë të vjetër të lidhur pazgjidhshmërisht me Natyrën, pergjithesisht kanë prirjen ta ruajnë territorin dhe të bëjnë ndërhyrje me impakt të vogël dhe të qëndrueshëm. Kapitali masiv që vjen nga paraja e pistë dhe nga investitorët financiarë të mëdhenj e shkatërron mjedisin, indin social dhe gërryen përkatësinë e njerëzve me vendin ku jetojnë.
Ky lloj modeli i dëbon vendasit (njësoj siç u dëbuan autoktonët gjatë kolonizimit) dhe i kthen vendet në “jo-vende”, të zbrazura dhe të huajtësuara (sipas konceptit të Marc Augé në librin Jo-vendet, të sjellë nga shtëpia botuese Berk dhe të përkthyer nga Mikaela Minga).
Vendet që shohim me sy përditë, ku lindim, rritemi, përjetojmë dhe jetojmë, janë vendet e gjalla që shënjojnë kujtesën duke brumosur psikën tonë njëlloj me një laps që i bie sipër letrës kopjative. Ndërsa shohim përditë të na copëtohen e te na bien përpara syve copa të qyteteve ku jetojmë dhe copa të natyrës ku jemi rritur, domosdo ky rrënim brendashkruhet edhe në skenën e brendshme të shpirtit tonë.
Dhe ndodh kështu që imagjinata mbi veten mpaket dhe ajo përkatësi kolektive që ne e quajmë Shqipëri zvogëlohet nga asociacionet e veta. Territori anembanë transformohet në një resort të Katarit, të njëjtësuar pa dallim kudo qofsh nëpër botë, pa asnjë lidhje me kulturën vendase dhe lidhjet shpirtërore, emocionale, identitare e të kujtesës që vendi mbart.
Për ta mbyllur këtë përsiatje, vlen të kujtojmë se protesta e fundit e të rinjve, e cila ka marrë emrin Revolucioni i Flamingove, është edhe një përplasje midis dy mënyrave të mendimit dhe qëndrimit në botë, thelbësisht të kundërta.
Politikanët shqiptarë, oligarkët dhe investitorët e huaj njohin si zot të tyre vetëm paranë. Në kulturën e vjetër shqiptare që na kanë lënë trashëgimi stërgjyshërit dhe paraardhësit tanë, Natyra ka qenë – jetë e mot – zoti ynë i parë, dhe ndoshta i vetmi.
Sot që planeti ndodhet në prag të kolapsit, le të kthehemi te ajo trashëgimi e gjyshërve tanë, si gjëja më e çmuar që kemi.






