Gjyqtarja Mirela Fana ka dhënë dorëheqjen nga Gjykata e Lartë, një javë pasi është konfirmuar në postin e kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KED.
Dorëheqja e Fanës u konfirmuar nga zyra e shtypit të Gjykatës së Lartë, e cila nënvizoi që në bazë të ligjit për “Rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,” për dorëheqjen e Fanës, pritet që Presidenti i Republikës të dalë me njoftimin në faqen zyrtare në internet.
“Në datën 30.01.2017 anëtarja e Gjykatës së Lartë Znj. Mirela Fana, ka paraqitur tek Presidenti i Republikës së Shqipërisë kërkesën për dorëheqjen nga detyra, si dhe ka vënë në dijeni Kryetarin e Gjykatës së Lartë,” tha Gjykata e Lartë nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
Sipas nenit 56 të ligjit për “Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë,” subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Mirela Fana është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1988. Pasi ka ushtruar në vitet e para të karrierës detyrën e hetueses në Mirditë dhe atë të gjyqtares Tiranë ka vazhduar, më tej në pozicionin e Inspektores në Drejtorinë e Ligjishmërisë në Gjykatën e Kasacionit.
Në sferën akademike është angazhuar në mësimdhënie në degën e “të drejtës familjare” në Shkollën e Magjistraturës. Ne prill të vitit 2009 është emëruar anëtare e gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe vetëm disa ditë më parë u zgjodh në krye të Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED është institucioni i parë që u krijua pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re. I projektuar fillimisht si një institucion kyç në sistemin e drejtësisë, KED ka humbur shumë prej kompetencave të fillimit me ndryshimet e njëpasnjëshme të paketës së reformës.
Sipas ndryshimeve KED ka të drejtën e verifikimit të kushteve ligjore dhe kritereve morale dhe profesionale për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese dhe kandidatët për Inspektor të Përgjithshëm.
Ky institucion përbëhet nga 9 anëtarë të cilët u përzgjodhën me short nga Kuvendi; dy nga Gjykata Kushtetuese, një nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga Apeli dhe një gjyqtar i Gjykatës Administrative.