Lajm27 Jun 2021

Katër të vrarë në përplasjen mes pronarëve të dy hoteleve në Velipojë

Pronarët e dy hoteleve, fqinjë me njëri-tjetrin në Velipojë, u përfshinë në një përleshje me armë, që përfundoi me katër të vrarë dhe dy të plagosur. Policia tha se konflikti kishte nisur mbi hapësirën e plazhit para hoteleve.

Autor: Emi Kalaja BIRN Velipojë
Printo

Hotel “Gocaj” vendi ku ndodhi vrasja e 4-fishtë. Foto:Emi Kalaja.

Katër persona mbetën të vrarë pas një konflikti mes pronarëve të dy hoteleve, që sipas policisë ka filluar mbi hapësirën e plazhit para tyre, për të cilën të dy palët kishin pretendime. Të vrarë mbetën dy vëllezërit Xhovani Gocaj dhe Edmond Gocaj, pronarë të hotelit “Gocaj”.

Po ashtu i vrarë mbeti Kujtim Ferracaku, që ishte pronar i hotelit “Fantazia”. Myzerim Zeneli, 20 vjeç, që po ashtu mbeti viktimë e përplasjes, ishte punësuar si punonjës zhezllonesh në një prej hoteleve. Ndërkohë janë plagosur Hasan Ferracaku vëllai i Kujtim Ferracakut dhe Elmilind Dyli.

Një prej viktimave, Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut, i  vrarë në një atentat në vitin 2018, që dyshohet se është pjesë e përplasjeve mes dy grupeve rivale në Shkodër.  Drejtori i Policisë Shkodër Niko Brahimaj në një deklartaë për mediat tha se ngjarja kishte ndodhur për shkak të një konflikti të çastit.

Por Pjetër Gocaj, babai i dy viktimave, u tha mediave se palët përplaseshin për hapësirën e rërës para hoteleve prej dy-tre vjetësh. “Më kanë shuar derën e shtëpisë”, tha Gocaj, ndërsa tregoi se konflikti kishte filluar herët. “Vjet i kam pasur unë, simjet ja kanë dhënë këtij zotërisë, dhe këtë vit i kam thonë do të presim sepse i kam në proces edhe unë”, tha ai, duke iu referuar procesit të dhënies me qira të plazheve, një proces që ka filluar në qershor dhe ështe ende i papërfunduar nga Agjencia Kombetare e Bregdetit dhe bashkitë, pavarësisht se sezoni ka filluar prej javësh.  “Ne i kemi vendosur shezllonet përpara se të bëhej ndarja nga shteti dhe ishim në pritje kur të vendosej kjo ndarje për të parë se ku i kemi ne dhe ku i kanë ata”, tha Gocaj, që humbi dy djemtë në konflikt.

Gocaj tha se Ferracakun dhe të vëllain i kishte pasur shokë dhe se ishte i tronditur që ata nuk kishin folur me të për konfliktin që kishin pasur me djemtë e tij.

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi në një reagim fajësoi mospraninë e policisë dhe vonesën e agjencive shtetërore në ndarjen e plazheve për konfliktin. Zëvendës kryeministri Erion Braçe ia vuri fajin sistemit që u jepte pronarëve të hoteleve pjesë të plazhit. Ai bëri thirrje që plazhet të ktheheshin në hapësira publike.

Reagime të ashpra pati nga Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, që fajësuan Policinë e Shtetit për mungesë kontrolli në territor. ” Rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht dhe kërkojnë masa të reja efektive”, tha Meta.

Policia njoftoi se në ndihmë të saj ishin vendosur FNSH e Shkodrës dhe forcat RENREA. Shkodra prej vitesh është kthyer në arenë përplasjesh mes dy grupeve kriminale, që pavarësisht akuzave mbeten të pandëshkuara për vrasjet për të cilat dyshohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *