Lajm6 Aug 2019

KED miraton kandidaturën e Xhaferllarit për Inspektor të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi miratoi të martën kandidaturën e Marsida Xhaferllarit për një vakancë të shpallur në Gjykatë Kushtetuese dhe për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Marsida Xhaferllari pas seancës dëgjimore në KPK. Foto:BIRN

KED vendosi të martën lejimin e kandidimit të Marsida Xhaferllarit për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe vakancën e shpallur nga Presidenti i Republikës në 4 mars 2019, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, duke përmbyllur procedurat e verifikimit të kandidatëve për këtë dy institucione.

“Sikurse edhe në rastet e tjera të deritanishme, shqyrtimi i rasteve të kandidatëve për vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë është vendosur në përfundim të procedurave të verifikimit rigoroz dhe të thelluar të ndjekura nga Këshilli, sipas ligjit dhe standardeve tashmë të njohura e të aplikuara që kërkohen për përzgjedhjen, qenien dhe konfirmimin në detyrën e magjistratit apo anëtarit të Gjykatës Kushtetuese,” tha KED nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Xhaferllari e ka filluar karrierën si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, ku ka shërbyer nga viti 1999 deri në vitin 2007. Në periudhën dhjetor 2007 deri në shtator 2008, ajo ka punuar si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë dhe nga shtatori 2008 e deri në janar 2013, si drejtor në Drejtorinë e Kodifikimit si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë në Ministrin e Drejtësisë.

Në vitin 2013 Xhaferllari u emërua kryeinspektore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, një post që ajo e ka mbajtur deri zëvendësimin e KLD-së me Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Ajo iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të tre kriteret e vetingut, por në përfundim të procesit KPK vendosi me shumicë votash se ajo e kishte humbur statusin e magjistratit dhe se për këtë KPK nuk mund të vendoste konfirmimin ose jo të saj.

Xhaferllari e ka ankimuar vendimin e KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Kandidatët për Inspektoriatin e Lartë

1-Artur Malaj

2-Artur Metani

3-Eris Hysi

4-Marsida Xhaferllari

Kandidatët për Gjykatën Kushtetuese

1-Arta Vorpsi

2-Besnik Muçi

3-Elsa Toska

4-Fiona Papajorgji

5-Marsida Xhaferrllari

6-Regleta Panajoti