Lajm3 Aug 2019

KED skualifikon dy kandidatë të tjerë për Kushtetuese dhe Kryeinspektor

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi skualifikoi të premten dy juristë të tjerë nga gara për Gjykatë Kushtetuese dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Mbledhje e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi | Foto : LSA

Këshilli i Emërimeve ne Drejtësi njoftoi të shtunën se i ka ndaluar kandidimin për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë juristit Klodian Rado dhe njëkohësisht  ka ndaluar kandidimin e juristes Zhaklina Peto për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë të njëjtës mbledhje, KED miratoi kandidaturën e avokates Iris Hysi për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, ILD.

Ndërkohë, KED pritet të shqyrtojë të hënën gjetjet për kandidaturën e Marsida Xhaferllarit në ILD dhe Gjykatë Kushtetuese.

“Sikurse edhe në rastet e tjera të deritanishme, shqyrtimi i rasteve të kandidatëve për vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë është vendosur në përfundim të procedurave të verifikimit rigoroz dhe të thelluar të ndjekura nga Këshilli, sipas ligjit dhe standardeve tashmë të njohura e të aplikuara që kërkohen për përzgjedhjen, qenien dhe konfirmimin në detyrën e magjistratit apo anëtarit të Gjykatës Kushtetuese,” tha KED.

Pas mbledhjes së ditës së premte numri i kandidaturave për Gjykatë Kushtetuese ngushtohet në 5 dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë në 3. Edhe nëse KED do ta miratojë të hënën kandidaturën e Marsida Xhaferllarit për ILD, gara për kreun e këtij institucioni vihet në pikëpyetje pasi ligji kërkon 5 kandidatë dhe skualifikimi i Rados duhet të sjellë rihapjen thirrjes.

Kandidatët për Inspektoriatin e Lartë

1-Artur Malaj (konfirmuar nga KED)

2-Artur Metani (konfirmuar nga KED)

3-Eris Hysi (konfirmuar nga KED)

5-Marsida Xhaferllari (Ende pa vendim)

Kandidatët për Gjykatën Kushtetuese

1-Arta Vorpsi (konfirmuar nga KED)

2-Besnik Muçi (konfirmuar nga KED)

3-Elsa Toska (konfirmuar nga KED)

4-Fiona Papajorgji (konfirmuar nga KED)

5-Marsida Xhaferrllari (Ende pa vendim)

6-Regleta Panajoti (konfirmuar nga KED)