Lajm12 Mar 2015

KESH shet tepricat drejtpërsëdrejti te OSHEE, shmangen tregtarët

Pas kritikave të muajit të kaluar, korporata e prodhimit të energjisë KESH dhe ajo e shpërndarjes OSHEE, ranë dakord për të shitur drejtpërsëdrejti 270 MWh ndërsa KESH shiti një sasi energjie për 18-30 euro për MWh.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Diga e Komanit

Diga e hidrocentralit të Komanit | Foto nga : Phil Hdgson/Flickr

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, anuloi tenderin për blerjen e energjisë për periudhën 11-20 mars 2015, pasi Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ra dakord t’i shesë drejtpërsëdrejti asaj 270 MWh gjatë kësaj periudhe me çmim referencë çmimin e raportuar nga bursa e Hungarisë.

Vendimi për transaksionin e drejtpërdrejtë mes dy kompanive nën pronësi publike erdhi pas debatit të muajit të kaluar mbi faktin që OSHEE po blinte energji nga tregtarët përkundrejt çmimeve mbi 50 euro për MWh ndërkohë që KESH po i shiste energji të njëjtëve tregtarë përkundrejt çmimeve disa herë më të ulëta. Pas kritikave të medias dhe akuzave për vjedhje nga ana e opozitës, qeveria organizoi lidhjen e një kontrate mes dy kompanive për të lejuar shitjen e drejtpërdrejtë nga KESH te OSHEE në rast se KESH disponon teprica energjie.

“Në përputhje me vendimin nr.12, dt. 06.02.2015 të Bordit të Komisionerëve të ERE-s si dhemarrëveshjes nr.prot 2614, dt.06.02.0215 ndërmjet KESh sh.a dhe OSHEE sh.a mbi “Shit-blerjen e energjisë elektrike ndërmjet KESh sh.a dhe OSHEEE sh.a për tepricat e energjisë elektrike, përfshirë tepricat në kushtet e prurjeve të mëdha, më qëllim plotësimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për vitin 2015”, nga përfaqësues të kompanisë KESh sh.a u njoftuam me e-mail në date 09.03.2015 që KESh sh.a ka mundësi hidroenergjitike të mbulojë gjithë kërkesën e shoqërisë OSHEE sh.a. (prej 270MWh) për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes për periudhën 11-20 Mars 2015 nga prodhimi i tij,” thuhet në njoftimin e OSHEE.

Sipas modelit aktual të tregut të energjisë, KESH ka për detyrë t’i shesë OSHEE-së një sasi energjie me çmim të rregulluar për të furnizuar konsumatorët familjarë ndërsa OSHEE ka për detyrë të blejë në treg të hapur energjinë e nevojshme për të mbuluar humbjet teknike dhe vjedhjet. KESH nga ana e saj mund të shesë në treg të hapur energjinë që disponon mbi sasinë e detyruar për furnizim me çmim të rregulluar te OSHEE.

Modeli u krijua në kohën kur sistemi i shpërndarjes qe nën pronësi private dhe synonte që duke e detyruar operatorin e shpërndarjes të blinte energji të shtrenjtë në rrjet të hapur, të krijonte incentivën e nevojshme që ky operator të luftonte vjedhjet dhe të investonte në pajisje për të reduktuar humbjet teknike. Modeli i tregut dhe autoriteti mbikëqyrës dështuan të zbatojnë me efikasitet ligjet në fuqi, gjë që solli inflacionim artificial të kostove nga ana e operatorit privat të shpërndarjes gjatë viteve 2009-2012 dhe në përfundim, dështimin e privatizimit.

Por pavarësisht se sistemi i shpërndarjes së energjisë u rible nga shteti shqiptar në vitin 2013, modeli i vjetër vijoi të zbatohej duke krijuar kosto të panevojshme për konsumatorin.

Gjatë muajit shkurt të këtij viti, KESH kreu disa tenderë për të shitur energji përkundrejt çmimeve që variuan nga 14 në 38 euro për MWh. Në të njëjtën periudhë, OSHEE bleu energji përkundrejt çmimeve prej 57 eurosh për MWh.