Lajm17 Sep 2020

Këshilli i Europës reagon ashpër ndaj Ramës për paketën “anti-shpifje”

Raportuesi i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE) i kërkoi Shqipërisë në mënyrë specifike të heqë dorë nga ligji antishpifje.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Stefan Schennach nga Austria, raportues i përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve. Foto kortezi: PACE

Në një deklaratë për shtyp të publikuar të enjten në darkë, Stefan Schennach nga Austria, raportues i përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve paralajmëroi prerazi qeverinë shqiptare të mos vijojë me planet për të miratuar të ashtuquajturën “paketë antishpifje”.

Reagimi i Schennach erdhi pak orë pasi ambasadoi i BE-së në Tiranë Luigi Soreca ngriti të njëjtin shqetësim, por Schennach përdori një gjuhë akoma më të ashpër dhe shënjon në mënyrë të veçantë kryeministrin Edi Rama.

“Ligji i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë si një “paketë anti-shpifje” synon të krijojë një organ administrativ me fuqi për të urdhëruar mediat të heqin lajmet mbi çështje të tilla si “cënimi i dinjitetit të individit”, nën kërcënimin e gjobave të rënda. Është e dukshme se një ligj i tillë do të ketë efekt frikësues mbi lirinë e medias për shkak të termave të saj shumë të gjerë,” tha raportuesi në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të PACE.

“Unë i referohem Opinionit të Komisionit të Venecias Nr. 980/2020 të 19 qershorit 2020, i cili qartazi thotë se ligji vuan nga paqartësia dhe me gjasa do të ketë një ‘efekt frikësues’ duke shtypur diskutimin e lirë dhe të folurin politik në sektorin e internetit në Shqipëri. Unë ndaj mendimet e Komisionit të Venecias se teksti i amendimeve ligjore, për sa kohë nuk rishikohet rëndë, rrezikon të bëjë më shumë dëm se sa mirë për lirinë e shprehjes në Shqipëri, për aq sa i përket medias online,” shtoi Schennach.

“Për rrjethojë, unë nxis parlamentin e Shqipërisë të heqë dorë nga propozimi aktual dhe të rinisë të gjithë procesin,” shtoi ai.

Javën e kaluar, pesëmbëdhjetë organizata shqiptare paralajmëruan se shumica parlamentare socialiste ka në plan të bëjë një rishikim të përciptë të ligjit aktualisht të bllokuar sipas kritereve të nenit 86 të Rregullores së Kuvendit. Përdorimi i këtij neni, i cili përshkruan mënyrën se si parlamenti rishikon ligjet e kthyera për rishqyrtim parlamentar nga presidenti, mund t’i lejojë socialistëve të bëjnë ndryshime të përcipta të këtë ligj dhe ta vënë atë menjëherë në fuqi. Organizatat vendase dhe ndërkombëtare thonë se edhe nëse parlamenti do të trajtojë të gjitha vërejtjet e presidentit, sërish ai do të dështojë të trajtojë disa vërejtje me rëndësi kritike të bëra nga Opinioni i Komisionit të Venecias, duke sjellë një ligj poshtë standardeve ndërkombëtare. Neni 86 i rregullores së Kuvendit i lejon parlamentit të bëjë ndryshime në një ligj të kthyer nga presidenti, por vetëm për ato çështje për të cilat presidenti ka shprehur vërejtje. Në çdo rast, parlamenti ka të drejtë ta injorojë dekretin e presidentit në tërësi ose në mënyrë të pjesshme. Organizatat kanë shprehur gjithashtu vërejtjen se kjo taktikë legjislative e përdorur nga shumica socialiste mund të prodhojë një ligj të pakonsultuar paraprakisht. Për këtë arsye, organizatat i kërkojnë parlamentit të heqë dorë nga  ky ligj dhe të nisë procesin nga e para.

Opinioni i Komisionit të Venecias vërejti se krijimi i një institucioni administrativ për të mbikëqyrur median online, siç dëshiron kryeministri Edi Rama, në kushtet kur vendi nuk ka një traditë institucionesh të pavarura, do të sjellë rrezikun e keqpërdorimit të këtij institucioni si mjet presioni ndaj gazetarëve. Komisioni vërejti gjithashtu që mënyra e formulimit të ligjit nga socialistët, mund t’i hapë rrugën përdorimit të këtij ligji nga oligarkët për t’i mbyllur gojën medias për çështje të interesit publik. Venecia i këshilloi Shqipërisë që fillimisht të trajtojë problemin e pavarësisë politike të Autoritetit të Medias Audiovizive dhe ndërkohë, të nxisë vetërregullimin e medias si mjet për të luftuar shpifjet apo gjuhën e urrejtjes online.