Analize29 Jun 2021

Koncesionari i landfillit të Sharrës, afat deri me 15 korrik Durrësit

Kompania që kontrollon venddepozitimin e Sharrës i ka dhënë edhe 15 ditë kohë bashkisë së Durrësit për depozitimin e mbetjeve falas, duke i kërkuar të paguajë një tarifë që është e papërballueshme për qytetin bregdetar.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Mbetjet urbane nuk u tërhoqën për disa javë nga kontejnerët në qytetin e Durrësit | Foto Geri Emiri

Pas gati katër javësh, kur rrugët e qytetit të Durrësit u pushtuan në pirgje plehrash, kamionët e ndërmarrjes komunale të pastrimit filluan të largojnë mbetjet nga qyteti bregdetar.

Situata kaotike ka ardhur si pasojë e refuzimit për të depozituar mbetje nga kompania koncesionare që kontrollon landfillin e Sharrës, për të cilat ajo kërkon një tarifë të majme prej 40 euro për ton, para që qyteti bregdetar nuk i ka.

Në një letër dërguar bashkisë të hënën, kompania Integrated Energy B.V. është shprehur se për shkak të situatës kaotike të krijuar dhe me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, do t’i pranojë plehrat e Durrësit deri më 15 korrik falas.

“Mund të vijoni menjëherë me depozitimin pranë Z.T.M.T, për të cilën ju nuk do të paguani tarifën e depozitimit për një periudhë nga data 28.06.2021 deri më 15.07.2021,” shkruan Arjola Kodra, administratorja e Integrated Energy B.V, në letrën dërguar bashkisë Durrës.

“Pas kësaj date jeni të lutur të ndërmerrni masat e nevojshme për zgjidhjen e problematikës, pasi nuk do të lejoheni të depozitoni në Z.T.M.T, nëse nuk përmbushin kushtet e komunikuara nga ana e shoqërisë Integrated Energy B.V.”, shton Kodra.

Z.T.M.T ose Zona Trajtimit të Mbetjeve Tiranë është emërtimi që i jepet landfillit të Sharrës – ku koncesionari planifikon të ndërtojë edhe një incenerator.

Kryebashkiakja në detyrë e Durrësit, Emiriana Sako i tha BIRN se situata në qytet ishte drejt përmirësimit.

“Aktualisht jemi duke bërë evadimin e plotë, pasi kemi nisur përsëri depozitimin në Sharrë dhe kemi marrë masa për të pastruar totalisht qytetin,” tha ajo. “Sot kemi edhe disa pika që kanë probleme dhe janë në periferi të qytetit, ku aktualisht po evadohen,” shtoi Sako.

Në një mbledhje të mbajtur me 10 qershor, Këshilli Bashkiak i Durrësit i kërkoi qeverisë së kryeministrit Edi Rama që të subvencionojë për një periudhë 10 vjeçare tarifën e depozitimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës dhe të financojë një stacion transferimi që kushton 5.5 milionë euro.

“Në Sharrë kemi depozituar për një vit pa kontratë, pa pagesë domethënë dhe normalisht ka një limit çdo gjë,” tha Sako.

“Ndërkohë, kemi ndërmarrë hapat ligjorë për vendimmarrjen më të favorshme teknike për depozitimin e mbetjeve të Durrësit,” shtoi ajo.

Mbetjet urbane të grumbulluara në oborrin e strehës për qentë e braktisur në Shkozet, Durrës. Foto | Geri Emiri

I kontaktuar nëpërmjet një zëdhënësi, Këshilli i Ministrave nuk iu përgjigj një kërkesë për koment të dërguar nga BIRN mbi situatën e krijuar në Durrës, e cila vazhdon të jetë pa zgjidhje prej më shumë se një viti, kur qeveria mbylli venddepozitimin e Porto Romanos – i vendosur 4 kilometra në veri të qytetit – për të ndërtuar një park.

Pasi u bllokua depozitimi i mbetjeve në Sharrë nga koncesionari, gjatë katër javëve të fundit, bashkia e Durrësit u detyrua të hapte një venddepozitim të përkohshëm në një qendër për strehimin e kafshëve të rrugës në lagjen industriale ‘Shkozet’ të Durrësit.

“Kur erdha dje në mëngjes për t’u kujdesur për kafshët e rrugës, nuk arrita dot të hyja në strehë sepse dera që jashtë në rrugë kishte kamionë pa fund që po depozitonin mbeturinat këtu dhe unë nuk arrija dot të hyja brenda të kujdesesha për to,” u ankua  Zamira Kuçi.

Ajo është vullnetare në organizatës joqeveritare “Jeta, kafshët dhe njerëzit”, që ka ngritur një strehë për qentë e braktisur në Shkozet, në një ambient të dhënë nga Bashkia Durrës. Por në mungesë të depozitimit të mbetjeve në Sharrë, oborri ku rehabilitohen kafshët e rrugës u kthye gjatë javëve të fundit në një pikë grumbullimi për mbetjet.

“Bashkia e Durrësit duke u njohur si qytet turistik duhet të marrë masa para kohe për këto lloj situatash dhe jo të mbesë kaq e papërgatitur dhe të dalë të thotë se na gjeti të papërgatitur kjo situatë,” shtoi Kuçi.

Ngërçi i krijuar midis bashkisë dhe koncesionarit të mbetjeve gjatë javëve të fundit i ka kthyer rrugët e Durrësit në stacione mbetjesh urbane që qëndrojnë pirg nën temperaturat e larta.

“Një erë e tmerrshme, një erë e keqe,” tha Vjollca Reka, e cila banon ngjitur më strehën për kafshët e rrugës në Shkozet.

“Burri im ka gati 1 javë që rri 24 orë brenda i mbyllur, me dyer, me dritare, me të gjitha sepse vjen një erë shumë e keqe,” theksoi ajo, ndërsa shpjegoi se i shoqi vuan nga probleme me zemrën edhe me mushkëritë.

Sipas vlerësimit të bashkisë, në Durrës asgjësohen rreth 75 mijë ton mbetje në vit, ç’ka do të thotë se vetëm tarifa e portës për koncesionarin e Sharrës shkon në 3 milionë euro në vit, ose më shumë se 60 milionë euro për një periudhë 20 vjeçare.

Kryebashkiakja Sako i tha BIRN se tarifa e pastrimit të qytetit nuk mjaftonte për të mbuluar koston e lartë të trajtimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës dhe për këtë arsye atë kanë kërkuar subvencion nga qeveria.

Mbetjet urbane nuk u tërhoqën për disa javë nga kontejnerët në qytetin e Durrësit. Foto Geri Emiri

“E kemi kërkuar 10 vite, që nëqoftë se do të kemi nevojë për rritje të tarifave për arsye të efekteve që do të ketë depozitimi, kjo të jetë graduale”, tha Sako, e cila shtoi se “ne i kemi shumë sociale tarifat.”

Sipas Sakos, zgjidhja e ngërçit të krijuar me mbetjet në qytetin bregdetar tashmë varet nga Këshilli i Ministrave, i cili duhet të përcaktojë mënyrën e prokurimit të kontratës me landfillin dhe mbulimin e kostove të transferimit të mbetjeve.

“Nuk ka qenë neglizhencë, por ka dashur kohën e vet që të gjithë institucionet të veprojnë ligjërisht, sepse depozitimi në Sharrë nuk ishte vendimmarrje e bashkisë, ishte një vendimmarrje qendrore,” përfundoi Sako.