Masat e sigurisë të lëshuara nga Gjykata e Krujës kanë bllokuar një përpjekje të koncesionarit për të përzgjedhur një kontraktor të ri për shërbimet e ushqimit social në terminalin ndërkombëtar të aeroportit “Nënë Tereza”
Kontrata mes kompanisë që menaxhon aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe një prej kontraktorëve të saj që operon disa dyqane dhe kafene brenda terminalit të pasagjerëve pritej të skadonte më 30 prill 2020.
Por ndërsa kompania koncesionare Tirana International Airport, TIA, mbajti një tender për ambientet dhe lidhi një marrëveshje të re për ofrimin e shërbimeve të ushqimit social në terminal, kompania A&A Airport iu drejtua gjykatës duke e sulmuar vendimmarrjen e koncesionarit.
Prej 5 majit të këtij viti A&A Airport bëri 4 kërkesa për sigurim padie, 1 në Gjykatën e Tiranës edhe 3 në Krujë.
Kërkesa e parë në Gjykatën e Tiranës , për të pezulluar afatet e marrëveshjes, u rrëzua, pasi gjyqtari Ervin Pollozhani vlerësoi se nuk ishte e bazuar në “ligj dhe në prova”. Por dy kërkesa të ngjashme, njëra me objekt sekuestro konservative mbi ambjentet dhe mobiljet dhe tjetra për pezullim të procedurave të koncesionit, u pranuan në Krujë nga gjyqtarja Enkeleidi Hoxha.
Kjo e fundit kërkoi pezullimin e kryerjes së çdo veprimi nga ana e Shoqërisë “Tirana International Airport” mbi dyqanet dhe objektet e kompanisë A&A Airport dhe bllokoi edhe procedurat për dhënien prej saj me koncesion të shërbimit të furnizimit me ushqim dhe pije të zonës së biznesit në aeroport.
Në një letër të hapur TIA ankohet se vendimet e Hoxhës ishin të njëanëshme dhe joprofesionale, ndërsa thonë se janë ankuar ndaj saj pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
“Është rast unikal në botë, ku vendimi i zyrës përmbaruese i dorëzohet TIA-s përpara vendimit të gjykatës, pa asnjë njoftim paraprak për TIA-n, duke nënkuptuar shpejtësinë e pazakontë dhe kapërcimin e procedurave që në një proces të rregullt dhe ligjor mund të marrin disa ditë”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër Aliona Zeqiri, drejtore ekzekutive e A&A Airport mohoi akuzat, ndërsa fajësoi TIA për prishjen në mënyrë të njënashme dhe abuzive të një marrëdhënie biznesi që sipas saj kishte shkuar mirë për 14 vjet.
“Akuzat nga ana e koncesionarit të aeroportit, se po ngrihen padi të paligjshme që pengojnë punën e aeroportit janë te pabaza dhe të pavërteta si në aspektin ligjor dhe atë moral,” tha Zeqiri.
Kjo nuk është hera e parë që TIA has pengesa në gjykata në përpjekjen për të ndryshuar kompanitë nënkontraktore kur kontratat me të cilat kanë mbaruar.
Prej më shumë se një viti kompania koncesionare po përballet gjithashtu me kompaninë “Albania Duty Free Distribution”, ADFD, e cila vazhdon të ushtrojë aktivitetin si magazinë doganore në Rinas falë disa vendimeve gjyqësore edhe pse humbi garën për ambientet dhe kontrata me TIA i ka mbaruar.
Paditë në dy gjykata
Përplasja e TIA me A&A Airport duket se niset prej problemesh të ngjashme me ADFD. Sipas padive në gjykatë TIA ka refuzuar të rinovojë kontratat duke kërkuar kontraktues të rinj për shërbimet në aeroport, por pala nënkontraktore nuk është pajtuar me vendimin e koncesionarit duke e sulmuar në gjykatë.
Siç del nga dokumentet që BIRN ka siguruar, A&A Airport iu drejtua fillimisht Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për sigurim padie, që kishte për qëllim të pezullonte përfundimin e kontratës mes TIA dhe kompanisë kontraktore dhe vazhdimin e saj deri në përfundim të procesit në themel.
Në objekt i kërkohet gjykatës “marrje të masës të sigurimit të padisë duke pezulluar përmbushjen e afatit të përfundimit së marrëveshjeve të koncesionit” për dy dyqane dhe dy bare e restorante. Paditësit arsyetojnë ndër të tjera se kontrata mes TIA dhe A&A Airport që përfundonte më 30 prill të këtij viti duhej të shtyhej, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.
Në padi thuhet se një shtyrje e tillë, për aq kohë sa vazhdonte situata e krijuar nga një forcë madhore, ishte parashikuar në kontratë mes palëve dhe se TIA kishte refuzuar ta merrte parasysh duke i ofruar A&A Airport vetëm zbritje me 50 për qind të detyrimeve për muajin Mars dhe duke mos kërkuar pagesë për muajin Prill. Por në padi A&A Airport këmbëngul se këto lëshime nuk ishin të mjaftueshme dhe se TIA po shkelte kontratën duke u krijuar atyre dëme të menjëherëshme.
Megjithatë, gjyqtari Ervin Pollozhani e gjeti të pabazuar kërkesën për masë sigurie ndaj TIA-s. Në arsyetim ai shprehet se kërkesa e padisë ishin çështje që i përkisnin gjykimit në themel dhe se nëse gjykata vendoste në favor rrezikonte të dëmtonte të paditurin. Duke iu referuar kërkesës për të pezulluar përfundimin e kontratës Pollozhani shprehet se “masa e sigurimit nuk mund të merret për t`u rivendosur gjendja e mëparëshme e marrëdhënies kontraktore midis palëve, ashtu si ka ekzistuar para lindjes së mosmarrëveshjes”. Ai nënvizon se gjykata mund ta merrte këtë masë vetëm në një vendim themeli.
Pak ditë pas këtij vendimi më 15 maj 2020, A&A Airport i drejtohet Gjykatë së Krujës me një kërkesë të ndryshme në objekt, por që sipas TIA-s synon sërish të ndalojë veprimet e mëtejshme të koncesionarit mbi dyqanet dhe restorantet në aeroport dhe duke bllokuar punën e tyre.
Në kërkesën e dytë A&A Airport kërkon “sekuestro konservative” mbi mjediset dhe sendet e luajtshme, duke parashtruar po ashtu edhe bërjen e një kallëzimi penal ndaj TIA-s dhe duke pretenduar se mjetet e saj të punës po lëvizeshin në mënyrë të paligjshme.
Gjyqtarja Enkeledi Hoxha që ka marrë në shqyrtim kërkesën brenda të njëjtës ditë kur është bërë padia, ka vendosur ta pranojë dhe të bllokojë dyqanet dhe baret apo sendetet e luajtshme deri në zgjidhje të çështjes në themel.
E njëjta gjykatëse më 22 maj merr një vendim plotësues të masës së sigurisë dhe vendos që mjediset dhe sendet do të ruheshin dhe do të ishin në përdorim nga A&A Airport.
Me një kërkesë të tretë po prej A&A Airport, Hoxha vendosi si masë sigurimi edhe “pezullimin e procedurave për dhënien me koncension të shërbimit të furnizimit me ushqim dhe pije në sallën e biznesit” në aeroport.
Përplasja e palëve
Pas masës së fundit të gjyqtares Enkeledi Hoxha, TIA reagoi publikisht duke i cilësuar vendimet e saj të paligjshme, dhe duke lënë të kuptohej se dyshonte për veprime të organizuara që merreshin brenda një kohe të shkurtër dhe që përfshinin gjykatën dhe përmbarimin.
“TIA bën thirrje se klima e biznesit merr goditje të rëndë, sa herë kjo drejtësi shtrembërohet”, thuhet në një komunikatë për mediat.
TIA shtoi se ishte ankuar në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë për gjyqtaren Hoxha, e cila më herët është përmendur për vendimet kontraverse të lirimit me kusht të disa të dënuarve për krime të rënda, përshirë Ilir Paja dhe Indrit Dokle.
Por për administratoren e A&A Airport, Aliona Zeqiri, pretendimet e TIA-s janë të pavërteta dhe se koncesionari kishte bërë vetëgjyqësi duke mos marrë parasysh kushtet e krijuara nga COVID-19 si “forcë madhore” dhe kërkesën e tyre për të vijuar kontratën për aq kohë sa mbetej pas përfundimit të situatës së krijuar nga forca madhore.
“TIA duhet siç çdo entitet privat të respektojë ligjet edhe normat që shteti shqiptar ka dhe të mos veprojë duke ndërmarrë veprime force të njëanshme, duke kryer rolin e gjykatës”, tha Zeqiri, duke thënë se kompania që ka në koncesion aeroportin kishte ndërmarrë akte force të njëanshme.
Avokati Përparim Kalo, themelues i Kalo & Associates, që përfaqëson TIA-n në këtë proces i tha BIRN se gjykata në këtë pikë ishte futur padrejtësisht në marrëdhënien mes palëve, duke i imponuar njërës palë të mbante në fuqi marrëveshjen.
“Kjo është njësoj sikur dikush të kërkojë të divorcohet dhe gjykata të mos e lejojë”, tha Kalo, ndërsa shpjegoi se gjykata mund të vendoste vetëm për dëmin shkaktuar palës tjetër dhe dëmshpërblimin në rast se TIA do gjendej në shkelje në gjyqin në themel. “Parimi është që zgjidhet kontrata dhe gjykata nuk ndikon në vullnetin e palëve për marrëveshje”, tha Kalo.
Përndryshe Zeqiri tha se, edhe pse e pranonte të drejtën e TIA-s për të bërë marrëveshje me atë që zgjidhte, ajo duhej të zbatonte rregullat e tenderit të vendosura prej vetë saj. Ajo tha se kompania e saj kishte qenë fituese në tenderin e bërë nga TIA dhe se kompania që menaxhon aeroportin kishte refuzuar të bënte transparencë. Zeqiri tha se si provë në gjykatë ishte paraqitur protokolli i “komisionit të tenderimit, sipas të cilit “kompania jonë ka dalë fituese”.
Nga ana e tij Kalo tha se forca madhore nuk luante rol në vendimmarrjen në këtë rast, ndërsa vuri në dukje se theksi ishte te vendimet e gjykatës që bëheshin imponuese ndaj një pale.
TIA nga ana e saj pretendoi edhe se Gjykata e Krujës nuk kishte juridiksion në çështje dhe hodhi dyshime mbi veprimet e kryera.
“TIA është thellësisht e shqetësuar për një sistem të njëanshëm të drejtësisë që po ndodh në gjykatën e Krujës, ku vendimet – jashtë juridiksonit dhe pa asnjë profesionalizëm – kanë dëmtuar ringritjen e dyqaneve dhe bareve të reja në shërbim të pasagjerëve, duke dhënë masa sigurie të njëpasnjëshme dhe të paligjshme në dëm të shërbimit publik dhe të imazhit kombëtar të aeroportit të vetëm në Shqipëri”, thuhet në deklaratën për shtyp të koncesionarit.
Përndryshe Zeqiri pretendoi se paditë në Tiranë dhe Krujë ishin të ndryshme dhe se ndërsa padia në gjykatën e Tiranës bëhej se kjo ishte gjykata e përcaktuar në marrëveshje për zgjidhje të mosdakordësive, ajo në Krujë kishte juridiksion gjeografik mbi të dy palët, pasi aeroporti ndodhet në rrethin e Krujës dhe se nuk kishte për qëllim marrëveshjen, por “procedurat abuzive tenderuese të zhvilluara nga ana e TIA-s” edhe veprimet e kësaj të fundit mbi mallin e A&A Airport.
Zeqiri po ashtu tha se kishte bërë njëkohësisht edhe kallëzim penal ndaj TIA “për vetëgjyqësi edhe dëmtim prone”. Ajo shtoi se TIA vijoi me veprime të njëanshme edhe pas këtyre kallëzimeve.
Ndërkohë nga ana e tij Kalo deklaron se vendimet e Gjykatës së Krujës ishin vijim i vendimeve të ngjashme problematike të marra më herët nga gjykatat kundër aeroportit për magazinën doganore “Duty Free”. Kalo theksoi se vendimi i dytë i Gjykatë së Krujës me objekt “plotësim vendimi”, ishte i paligjshëm, pasi në këtë rast kishte ndryshim të objektit dhe jo saktësim të ndonjë gabimi apo harresë nga seanca. Kalo po ashtu vuri në dukje kohën e shpejtë që ishin marrë vendimet.
“Nëntë faqe nuk mund të shkruhen për një orë”, tha ai duke iu referuar vendimit të parë.
“Ajo që është shqetësuese është se e gjithë kjo krijon një imazh të keq në aeroportin ndërkombëtar”, tha Kalo, ndërsa shtoi se për shkak të sistemit të drejtësisë, çështje të tilla mund të zgjasin në proces për aq kohë sa do merrte edhe kontrata e re dhe se kjo cënonte TIA-n në raport me të tretët të cilët ishin fitues të tenderave.
Përndryshe Zeqiri tha se nuk kishte për qëllim “bllokimin e asnjë aktiviteti tregtar e aq me pak të TIA, me të cilën ka shumë vite bashkëpunimi të frytshëm”, ndërsa fajësoi drejtues specifik të TIA për sjellje joprofesionale, duke thënë se problemet ishin krijuar nga individë dhe jo kompania. Ajo pretendoi se ishin këto sjellje që po e dëmtonin imazhin e kompanisë.