Analize18 May 2018

Kontrabanda e naftës ‘vergine’; pafajësia e ish drejtuesve të doganës

Gjykata e Tiranës ka arsyetuar në vendimin e saj mbi aferën e naftës ‘vergine’, se të gjithë veprimet e ish numrit dy Doganave Lula Njebza dhe kreut të Doganës së Tiranës Mirëarbër Teneqexhiu ka qenë të ligjshme, edhe pse i kanë hapur rrugën biznesmenit Adrian Xhillari të kontrabandonte 4.4 milionë litra naftë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Fier
Printo

Gaz duke u djegur pranë disa depozitave karburanti, në fushën naftëmbajtëse të Patoz-Marinzës në afërsi të Fierit | Foto nga : LSA

Kur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 29 mars 2018, e deklaroi fajtor të pandehurin Adrian Xhillari, administratorin e “Tea Construction & Petrol Sh.a” për të gjitha akuzat e ngritura nga prokuroria, dy zyrtarët e nivelit të lartë të akuzuar për “shpërdorim detyre” të kryer në bashkëpunim, veprimet dhe mosveprimet e të cilëve “lejuan” shmangien e pagimit të akcizës në shumën e 242.7 milionë lekëve dhe hedhjen në tregun e zi të 4.4 milionë litrave naftë vergine, janë vlerësuar nga trupa gjykuese në të gjitha rastet si të ligjshme, duke u dhënë atyre pafajësinë.

Në vendimin Nr.946, datë 29.03.2018, të Gjykatës së Tiranës shkruhet se ish-Ndëndrejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Lula Njebza dhe ish-kreu i Doganës së Tiranës, Mirëarbër Teneqexhiu, “gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në rastin objekt gjykimi, kanë vepruar në përputhje me legjislacionin përkatës.

“Gjatë gjykimit u provua se të pandehurit Lula Njebza dhe Mirarbër Teneqexhiu nuk kanë kryer asnjë veprim të paligjshëm gjatë ushtrimit të detyrës. Në këto kushte, përderisa nuk provohet që të pandehurit të kenë kryer ndonjë veprim të paligjshëm në kuptimin penal, atëherë nuk kemi as faj, pasi mungon si elementi intelektual ashtu dhe ai volutiv, që të ekzistojë faji si element thelbësor i përgjegjësisë penale”, citohet në vendimin prej 77 faqe të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, një kopje të cilit BIRN e disponon.

Çështja ndaj Xhillarit dhe drejtuesve të doganës filloi pas një denoncimi nga  Crown Agents – një kompani britanike e kontrakuar nga qeveria shqiptare për të ndihmuar doganat kundër kontrabandës, në prokurorinë e Fierit në maj të vitit 2015. Në Dhjetor  të po atij viti, prokuroria urdhëroi arrestimin e Njebzës dhe 6 doganierëve.

Në Maj 2016 Prokuroria e çoi çështjen për gjykim, duke akuzuar administratorin e kompanisë Tea Construction and Petrol, Adrian Xhillari për “fshehje të të ardhurave”, “mospagim i taksave” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Akuzë u ngrit edhe për ish kreun e Doganës së Tiranës Mirëarbër Teneqexhiu dhe ish zv/drejtoreshën e përgjithshme Lula Njebza, si dhe doganierët Alfred Bushi, Syrja Misiraj dhe Adrian Alikaj për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.

Çështja ndaj Bushit dhe Misirajt u gjykua në Fier dhe u mbyll në Gjykatën e Apelit të  Vlorës e cila dha  pafajësi për doganierin Alfred Bushi, ndërsa dënoi me 1 vit burg  doganierin tjetër Syrja Misiraj. Ndërkohë Adrian Alikaj, vijon të gjykohet në Fier.

Biznesmeni Xhillari, i cili është larguar nga vendi pasi u bë e njohur çështja ndaj tij, u arrestua në fillim të shkurtit në Gjermani pas dy vitesh arratie dhe pritet të ekstradohet.

Pas vendimit përfaqësuesja e prokurorisë së Tiranës Suela Salavaçi, i tha BIRN se nuk ishte dakord me trupën gjykuese dhe se shumë shpejt do e ankimojë atë në gjykatën e Apelit Tiranë. Salavaçi pretendon se ekzistojnë prova të mjaftueshme që faktojnë dhe fajësinë e dy ish-zyrtarëve të lartë të Drejtorisë së Doganave.

Nga ana tjetër të pakënaqur me vendimin ishin edhe mbrojtësit e Xhillarit, Përfaqësues të zyrës avokatore që mbron Xhillarin, thanë në dalje të gjykatës se nuk ishin dakord me vendimin dhe do kërkojnë pafajësinë në gjykatën e Apelit Tiranë.

Veprime të ligjshme

Në vendim thuhet se prokuroria ka pretenduar se ka qenë e pandehura Lula Njebza ajo e cila ka trajtuar në vazhdimësi shkresat dhe kërkesat e paraqitura nga subjekti “Tea Construcion&Petrol”, lidhur me shtesën e autorizimit për t’i dhënë statusin magazinë fiskale depove në Kodër Mëzez. Sipas organit të akuzës, Njebza ka administruar kërkesat e “Tea Construcion&Petrol” drejtuar Departamentit të Akcizës dhe Departamentit Operativo-Hetimor duke mos i kaluar nga një kopje këtij të fundit.

Po sipas prokurorisë, Njebza i ka trajtuar personalisht këto shkresa dhe ia ka dërguar për kompetencë Degës së Doganës Tiranë, nga ku rezulton se ajo është interesuar personalisht që të përmbusheshin kërkesat për heqjen e plumbçeve dhe lëvizjen e produktit naftë virgine. Fillimisht ajo ka hasur në kundërshtimin e Përgjegjësit të Zyrës së Akcizës, Gerand Ylli dhe kreut të Degës së Doganës së Tiranës, Drilon Bushati, të cilët kanë pretenduar se mungonte kushti i detyrueshëm për vendosjen e kontalitrave, ose njësive matëse në hyrje dhe në dalje të depozitave.

Lidhur me këto pretendime të organit të akuzës, gjykata ka arsyetuar se: “prokuroria, përpara se të konkludonte lidhur me përgjegjësinë penale të të pandehurve Lula Njebza dhe Mirarbër Teneqexhiu, duhet të ballafaqojë çdo veprim të tyre në çështjen objekt gjykimi me dispozitat ligjore konkrete që pretendohet se janë shkelur, gjë që nuk u konkludua gjatë gjykimit. Ndodhur në këto kushte, Gjykata duke u mbështetur në provat e administruara gjatë gjykimit si dhe në aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë fushën e akcizës dhe në aktet ligjore që përcaktojnë detyrat konkrete të punonjësve të doganave sipas sektorëve përkatës, arrin në përfundimin se argumentat e mësipërm të cituara nga ana e prokurorisë janë të pabazuara në prova dhe në ligj”.

Kjo, pasi sipas gjykatës “nuk mund të passjellë përgjegjësi penale për të pandehurën Lula Njebza fakti që ajo në cilësinë Drejtorit të Departamentit të Akcizës dhe Drejtorisë Teknike në Drejtorisë e Përgjithshme të Doganave ka trajtuar në vijimësi shkresat kërkesat e paraqitura nga subjekti Tea Construction & Petrol Sh.a, me objekt ‘për evidentimin e produktit naftë virgine që ndodhet në magazinën e Kodër Mëzezës’ dhe fakti se ajo ka dhënë miratimin përfundimtar teknik dhe juridik të kërkesës së paraqitur nga subjekti ‘Tea Construction & Petrol Sh.a’ për shtesën e autorizimit që është dhënë më datë 16 Qershor 2014”.

“Përkundrazi nëse nuk do veprohej nga ana e autoriteteve doganore në shqyrtimin e kërkesave të subjekteve mund të lind përgjegjësia penale në formën e mosveprimit në kundërshtim me ligjin që passjellë cënimin e të drejtave ligjore të personave juridikë e fizikë, që hynë në elementët e anës objektive të figurës së veprës penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, citohet në vendim.

Gjithashtu, Gjykata çmon se nga ana e të pandehurës Lula Njebza është mbajtur një qëndrim në përputhje me ligjin për shqyrtimin e kërkesës për dhënien e shtesës për autorizim për Magazinë Fiskale për subjektin Tea Oil duke ju referuar korespodencës me kompaninë në fjalë. “Pra, nga korrespondenca rezulton se e pandehura Lula Njebza ka kthyer dy herë për plotësim dokumentacioni kërkesën për t’u pajisur me shtesë magazinë fiskale, duke vepruar në përputhje me kuadrin ligjor deri në plotësimin e kushteve ligjore”, shkruhet në vendim.

Largimi i vartësit

Një tjetër pretendim i prokurorisë për përfshirjen e Njebzës dhe Teneqexhiut në aferën e naftës virgine, ishte edhe largimi i kreut të Degës së Doganës së Tiranës para se të kryhej transporti i paligjshëm i naftës virgine dhe emërimi në këtë post i të pandehurit Mirëarbër Teneqexhiut. Madje, numri një i doganave në këtë periudhë, Elisa Spiropali ka deklaruar para hetuesve se Njebza i kishte propozuar edhe shkarkimin e shefit të zyrës së akcizës së Tiranës, Gerand Ylli, i cili e kishte kundërshtuar për heqjen e plumbçeve dhe lëvizjen e naftës virgine nga depozitat në Kodër Mëzes drejt depozitës G-43 në Ballsh.

Prokuroria ka konkluduar se, menjëherë pas emërimit në krye te Degës së Doganës së Tiranës, Tenqeqexhiu ka kërkuar informacion për kërkesat e subjektit “Tea Construcion&Petrol”, të cilat nuk ishin zbatuar deri në atë kohë dhe ka urdhëruar verbalisht dy vartëse që të shkonin në magazinat fiskale në Kodër Mëzes që të hiqnin plumbçet me argumentin se subjekti kishte bërë kërkesë që të bënte pastrimin e tubacionit të depozitave.

Në vendimin e gjykatës arsyetohet se nga provat e paraqitura rezulton se e pandehura Lula Njebza zyrtarisht ka kërkuar nga Dega e Doganës Tiranë që të vijohet me procedurat sipas legjislacionit në fuqi. “Ndodhur në këto kushte, Gjykata çmon se që t’i kërkosh institucioneve në varësi të respektojnë ligjin gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, përbën një veprim që duhet ikuarajuar dhe vlerësuar, për rrjedhojë nuk mund të konsiderohet një veprim që duhet dënuar.

Shmangia e departamentit hetimor

Ashtu si në rastet kur gjykata ka çmuar se Lula Njebza ka vepruar në përputhje me ligjin për veprimet që ka kryer pasi ka zbatuar vetëm ligjin, edhe në rastin kur akuzohet nga prokuroria për mos kryerje të qëllimshme të veprimeve, gjykata arsyeton se Lula Njebza ka vepruar sërish në zbatim të ligjit dhe të procedurave.

Bëhet fjalë për pretendimin e prokurorisë, se në rastin e mos kalimit të kopjeve të shkresave me Nr. 224, datë 8 Korrik 2014 dhe Nr. 245, datë 8 Korrik 2014 të shoqërisë Tea Construction & Petrol Sh.a drejtuar Drejtorisë së Përgjithsme të Doganave, Departamentit të Akcizës që drejtohej nga Zv. Drejtori i Përgjithshëm dhe Shefi i Departamentit, e pandehura Lula Njebza, si dhe Departamentit Operativo Hetimor. Sipas prokurorisë, këto shkresa janë administruar nga shtetasja Lula Njebza me cilësinë e Drejtorit të Departamentit të Akcizës dhe Drejtorisë Teknike në D.P.Doganave, por pa ia kaluar kopje të tyre për njohje dhe vlerësim Departamentit Operativo Hetimor, apo edhe vetë Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave.

Por, gjykata ka çmuar se prokuroria nuk provoi gjatë gjykimit që është detyrë e të pandehurës Lula Njebza për të shpërndarë shkresat në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, që iu drejtohen edhe departamenteve të tjerë. Sipas gjykatës, “nga përmbajtja e kësaj rregullore është përgjegjësi e sektorit të sekretarisë dhe arkivës që të shpërndajë shkresat në sektorët përkatës dhe jo e të pandehurës Lula Njebza.

“Për më tepër që në rastin konkret shkresat janë përcjellë për kompetencë nga e pandehura pranë Degës së Doganës Tiranë dhe në procesin e ç’plumbosjes kanë marrë pjesë dhe punonjës të antikondrabandës. Pra, nga ana e të pandehurës Lula Njezba janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore”, citohet në vendim, edhe pse ajo nuk i ka përcjellë shkresat në fjalë edhe Departamentit Operativo Hetimor që i drejtoheshin këto shkresa.

Mungesa e garancisë fiskale

Lidhur me garancinë fiskale, prokuroria ka pretenduar se gjatë deklarimeve të tij, Teneqexhiu ka pohuar se ka zbatuar vetëm ligjin, pasi sipas tij produkti ka qenë i mbuluar me garanci fiskale. Por, nga hetimi është zbuluar se më datë 19 Gusht 2014, subjekti “Tea Construcion&Petrol” i ka kërkuar Degës së Doganës Tiranë kalimin e garancisë fiskale në Kodër Mëzez për në magazinën fiskale G-43 në rafinerinë e Ballshit, kur kalimi i garancive tashmë ishte kryer.

Sipas prokurorisë, nga këqyrja e sistemit ka rezultuar se kalimi i garancive është realizuar nga një punonjës i Drejtorisë Teknike të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave më datë 18 Gusht 2014, një ditë para se subjekti të kryente kërkesën. Punonjësi Endri Dafa ka deklaruar para hetuesve se ka qenë e pandehura Lula Njebza e cila në cilësinë e eprores i ka kërkuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë që të kryejë këtë veprim në sistem, duke i thënë se subjekti “Tea Construcion & Petrol” kishte bërë kërkesë për kalimin e garancive, kur ende nuk ishte kryer një kërkesë e tillë.

Gjykata ka çmuar se këto veprime nuk bien në kundërshtim me ligjin, përkundrazi, sipas treshes gjykuese, është kompetencë e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave administrimi dhe monitorimi i garancive.

Por, gjykata nuk arsyeton lidhur me pretendimin e provat e prokurorisë, se kalimi i garancive është kryer nga punonjësi Endri Dafa me urdhër të të pandehurës Lula Njebza, një ditë para se subjekti i interesuar të kryente kërkesë për kalimin e garancive.

“Më datë 18.08.2014, Lula më ka pyetur se çfarë u bë me atë kalimin e garancisë, nëse kisha filluar procedurën e kalimit të saj apo jo, pasi subjekti e kishte bërë kërkesën dhe e kishte nisur,” ka deklaruar punonjësi Endri Dafa para hetuesve. “Ajo më urdhëroi gjithashtu që në atë moment të nisja procedurën e kalimit të garancisë si dhe kalimin e artikullit virgin naftë nga depozitat në Kodër Mëzez ne atë në Ballsh,” ka pohuar Dafa.

Shmangia e përgjegjësive

Një tjetër fakt sipas prokurorisë, është edhe tentativa e të pandehurve për të fshehur paligjshmërinë e kryer prej tyre, kur Njebza, menjëherë pas emërimit të saj në detyrën e Kryetares së Degës së Doganës Fier, ka miratuar programin e kontrollit për shoqërinë “Deveron Oil Albania”, për magazinën doganore G-43, në KPTHN-në e Ballshit. Për shkak se administratori i “Deveron Oil”, nuk ka pranuar të kryhej ky kontroll me argumentin se kjo depozitë nuk kishte qenë asnjëherë në pronësi apo në përdorim të subjektit që ai drejtonte, Njebza ka ndryshuar planin e kontrollit, duke ja drejtuar shoqërisë “Tea Construcion & Petrol”.

E pandehura Njebza ka deklaruar para hetuesve se ka mbajtur qëndrim konstant se subjekti që duhej të penalizohej ishte shoqëria “Tea Construcion&Petrol”. Por, zyrtarë të tjerë të doganave dhe pjesëtarët e grupit të “Croën Agents”, kanë theksuar se qëndrimi fillestar i Njebzës ka qenë që të penalizohet subjekti “Deveron Oil”, me pretendimin se produkti ndodhej në magazinën që administrohej nga ky subjekt. Por, pasi administratori i “Deveron Oil” nuk pranoi të kishte në administrim magzazinën doganore G-43, atëherë Njebza ndryshoi destinacionin e kontrollit.

Prokuroria ka pretenduar se Njebza dhe Teneqexhiu kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin e aktet nënligjore në fuqi, me rregulloren dhe detyrat e tyre funksionale me dijeni për faktin, duke tentuar të bënin përgjegjës shoqërinë “Deveron Oil Albania” dhe jo të pandehurin Adrian Xhillari dhe kompaninë që ai administronte, për hedhjen për tregëtim në mënyrë të paligjshme të sasisë prej 4.4 milionë litra naftë virgine. Sipas prokurorisë, ata e kanë shpërdoruar detyrën me dashje dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Por, gjykata vlerëson se gjatë gjykimit rezultoi se veprimet e të pandehurës Lula Njebza në cilësinë e kryetares së Degës Doganore Fier nga data 11.05.2015 e në vijim për rastin objekt gjykimi kanë qenë në përputhje me ligjin. Sipas gjykatës, ka rezultuar se, rreth 10 muaj nga kryerja e transportit fiktiv të 4.4 milionë litrave naftë vrgine, Njebza ka nxjerrë vendim për penalizimin e subjektit që adminsitronte Xhillari, ku këtë herë janë përfshirë edhe inspektorë të antikontrabandës të cilët gjatë lëvizjes së naftës virgine ishin vlerësuar si të panevojshëm nga zyrtarët e pandehur, vlerësim që u gjet i drejtë edhe nga gjykata.

Gjykata pasqyron në vendimin e saj edhe deklaratën e shtetasit Andi Nuredini, ku thuhet se ai deklaroi ndër të tjera se: “Në këtë mbledhje kam vënë re që Znj. Lula Njebza më dukej e predispozuar për hetimin e këtij rasti, sepse tregohej e gatshme për bashkëpunim ndaj strukturave të Croën Agents dhe si element kam parasysh takimet e tjera ku kam qenë i pranishëm midis përfaqësuesve të Crown Agents dhe Kryetarëve të Degëve Doganore, të cilët kanë qenë jo bashkëpunues ose në mosrakordim për bashkëpunimin me strukturat e Croën Agents.”

“Pra, e pandehura Lula Njebza ka qenë e predispozuar për hetimin e rastin objekt gjykimi. Për më tepër që për veprimet pas lëvizjes së mallit nën rregjimin pezullmit të detyrimit të akcizës që korrespondon me datat 14-12 Gusht 2014 e pandehura Lula Njebza nuk ka pasur asnjë detyrë pranë Degës së Doganës Fier.

Gjatë gjykimit rezultoi se veprimet e të pandehurës Lula Njebza në cilësinë e kryetares së Degës Doganore Fier nga data 11.05.2015 e në vijim për rastin objekt gjykimi kanë qenë në përputhje me ligjin”, citohet në vendim.

Por, nuk trajtohen në këtë arsyetim qëndrimet e mbajtura fillimisht nga e pandehura Njebza, kur ka kërkuar hetimin e subjektit “Deveron Oil” si edhe faktin se ka pasur debate me përfaqësuesit e Crown Agents. Dëshmitë e përfaqësuesve të Crown Agnets nuk janë të pasqyruara në arsyetimin e gjykatës, e cila në këtë shfaq dëshminë në favor të Njebzës.

Deklarata kontradiktore

Të tjera fakte, që sipas prokurorisë kompromentojnë Njebzën janë edhe deklarimet e saj dhe verifikimi i vërtetësisë së tyre. Ajo ka deklaruar fillimisht para hetuesve se nuk ka pasur dijeni rreth transportit të lëndës naftë virgin nga subjekti “Tea Construcion&Petrol” në muajin Gusht të vitit 2014 dhe se nuk ka pasur njohje me administratorin e kësaj shoqërie, Adrian Xhillari dhe se as nuk ka kryer komunikime telefonike.

Ndërkohë, gjatë deklarimeve të tjera, ajo ka pranuar se kishte pasur dijeni për transportin e naftës virgine dhe se kishte kryer veprime sipas ligjit duke udhëzuar Teneqexhiun. Gjithashtu, nga këqyrja e tabulateve telefonike ka rezultuar se midis të pandehurve Njebza e Xhillari ka pasur 24 komunikime telefonike nga data 13 deri më datë 21 Gusht 2014, ndërsa midis Xhillarit dhe Teneqexhiut ka pasur 15 biseda telefonike në muajin Shtator 2014.

Në vendimin e gjykatës pasqyrohen pretendimet e prokurorisë lidhur me qëndrimet e ndryshme që ka mbajtur Njebza gjatë hetimeve. Por, gjykata nuk rezulton t’i ketë marë parasysh në vendimin e saj vërtetësinë e deklarimeve të Njebzës.

Tjetër kundërshti mes arsyetimeve të prokurorisë dhe gjykatës është edhe qëndrimi që kanë mbajtur kundrejt urdhërit të Teneqexhiut që magazina doganore e Kodër Mëzezit të mos ruhej me pretendimin se produkti ishte i matur dhe i mbuluar me garanci fiskale. Sipas prokurorisë, legjislacioni dhe rregullorja për transportimin e 4.4 milionë litra naftë vrigine parashikon vënien në dijeni të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe marrjen e masave paraprake nga Drejtoria e Antikontrabandës për shoqërimin e produktit dhe minimalisht të ishte njoftuar Dega e Doganës Fier si doganë pritëse për marrjen në dorëzim të tij.

Por edhe në këtë rast gjykata ka pasur tjetër arsyetim. “Gjykata çmon se lëvizja e mallit do të duhej të ishte nën prezencën (i shoqëruar) e grupeve të antikontrabandës vetëm në rast se ky mall do të lëvizte me destinacion eksportin sipas Urdhërit nr. 4150, datë 05.03.2013 të Drejtorit të Përgjithshëm “Mbi monitorimin e lëvizjës drejt eksportit të benzinës vergine”.

“Në rastin konkret, nuk kemi të bëjmë me një procedurë eksporti por thjeshtë me një levizje nga një magazinë fiskale drejt një magazine tjetër fiskale për rrjedhoje urdhëri i sipërcituar i cili trajton vetëm rastin e eksportit të produkteve virgin, nuk mund të gjejë aplikim. Në çështjen objekt gjykim flitet për lëvizje të mallit nga depozitat Kodër Mëzës Tiranë, pranë Rafinerisë në Ballsh, Fier, (pra doganë jo kufitare) dhe për rrjedhojë s’mund të flitet për procedurë eksporti. Ndodhur në këto kushte, Gjykata çmon se Deda e Doganës Tiranë nuk ka pasur detyrim të njoftoj Degën e Doganës Fier që doganë mbikqyrëse e magazinës fiskale G43 në Ballsh”, citohet në vendim.

Nafta e ndaluar

Por, sipas organit të akuzës, transporti i naftës virigin nga Kodër Mëzezi është udhëzuar, urdhëruar dhe lejuar nga Njebza dhe Teneqexhiu, në një kohë kur që prej vitit 1996 është e ndaluar që të ripërpunohet në vend nafta virgin.

Në deklaratën e saj të dhënë më datë 26.02.2015 gjatë hetimeve paraprake para prokurorëve Englantina Shehu dhe Andi Pogaçe, e pandehura Lula Njebza ka shpjeguar se, “në zbatim të ligjit doganor procedura e lëvizjes së naftës virgine ka dy destinacione: A) Eksport; B) Ripërpunim. Në rast eksporti produkti që lëviz shoqërohet me dopkumentin deklaratë eksporti. Në rastin e ripërpunimit shoqërohet me dokumentin DSHA në pezullim. Lidhur me procedurën e saktë të lëvizjes së këtij produkti është dega e doganës nisëse ose mbikëqyrëse që realizon operimin nga ana teknike dhe njoftimet përkatëse”, ka deklaruar ndër të tjera Njebza.

Për të konkluduar në vërtetësinë e deklarimeve të Njebzës, prokuroria e Fierit i është drejtuar me kërkesë për informacion Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial, ku në kthim përgjigjen e këtij institucioni ndër të tjera citohet se: “në vendin tonë egzistojnë mundësitë teknollogjike për përpunimin e mëtejshëm të këtij produkti në impiantin e Platformingut në rafinerinë e naftës në Ballsh. Nëpërmjet këtij procesi realizohej rritja e numrit të oktanit të benzinës në 85 njësi si dhe prodhimi i hidrokarbureve aromatik dhe gazit të lëngët. Prej vitit 1996 impianti i Platformingut është i ndalur dhe virgin nafta ka qenë e destinuar për eksport”, citohet në kthim përgjigjen e Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial.

Në vendim thuhet se; “gjatë shqyrtimit gjyqësor prokuroria pretendoi se nga ana e Degës së Doganës Tiranë duhej të njoftohej Dega e Doganës Fier dhe punonjësit e antikondrabandës.” Por, gjykata çmon se lëvizja e mallit do të duhej të ishte nën prezencën (i shoqëruar) e grupeve të antikontrabandës vetëm në rast se ky mall do të lëvizte me destinacion eksportin sipas Urdhërit nr. 4150, datë 05.03.2013 të Drejtorit të Përgjithshëm “Mbi monitorimin e lëvizjës drejt eksportit të benzinës vergine”.

“Në rastin konkret, nuk kemi të bëjnë me një procedurë eksporti por thjeshtë me një levizje nga një magazinë fiskale drejt një magazine tjetër fiskale për rrjedhoje urdhëri i sipërcituar i cili trajton vetëm rastin e eksportit të produkteve virgin, nuk mund të gjejë aplikim”, citohet në vendim.

Mos njoftimin e Antikotrabandës për lëvizjen e naftës virgine dhe mos kryerjen e kërkesës për shoqërim nga ana e të pandehurve Lula Njebza dhe Mirëarbër Teneqexhiu, gjykata e vlerëson si të panevojshme, duke mos i marrë në konsideratë provat e paraqitura nga prokuroria.

Rakordimi i veprimeve

Sipas organit të akuzës, Njebza dhe Teneqexhiu kanë rakorduar veprimet me njëri-tjetrin në datat 13, 14  dhe 15- 21 Gusht 2014 duke lejuar dhe mundësuar me dashje lëvizjen e sasisë 4.4 milionë litra naftë virgine nga magazina doganore fiskale në Kodër Mëzez.

Prokuroria ka ngritur dyshime edhe tek lëvizjet në organikë të kryera nga ish-Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali, e cila në datën 13 gusht 2014 – 1 ditë para se të hiqeshin plumbçet e depozitave të Tea Construction & Petrol në Kodër Mëzez – ka urdhëruar largimin nga detyra të Përgjegjësit dhe Drejtorit të Sektorit të Antikontrabandës. Spiropali ka deklaruar para hetuesve se korespondimi i levizjes paralele me zhvendosjen e produktit ka qenë vetëm rastësi.

Gjithashtu, veprimet janë kryer në datat 13-14 Gusht 2014, kur përgjegjësi i Zyrës së Akcizës së Tiranës, Gerand Ylli është larguar për kontroll me urdhër të Njebzës, pasi nuk kishte pranuar heqjen e plumbçeve dhe transportimin e naftës nga magazinat në Kodër Mëzes pa u instaluar më parë kontalitrat nga subjekti. Pasi përgjegjësi i Zyrës së Akcizës ka marrë dijeni për ç’ka ndodhur i ka kërkuar Teneqexhiut që të kryenin mbikëqyrjen e kësaj lëvizjeje por nuk ka marrë miratimin e tij, me pretendimin se ishin DSHA me pezullim dhe nuk krijonin të ardhura për Degën e Doganës Tiranë.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Mirëarbër Teneqexhiu i udhëzuar dhe i mbështetur nga e pandehura Lula Njebza, duke rakorduar veprimet me me këtë të fundit nga datat 13, 14, 15-21 Gusht 2014 e në vijëmi, kanë lejuar dhe mundësuar lëvizjen e produktit “naftë vrigine” nga magazina doganore fiskale në Kodër Mëzes.

Gjykata nga ana e saj shprehet se lëvizja e mallit nga një magazinë fiskale në një magazinë tjetër fiskale është një e drejtë që parashikohet nga ligji për depozituesit e miratuar, status që e gëzon Tea Construction & Petrol Sh.a.”.

“Nga përmbajtja e këtyre dispozitave që të bëhet lëvizja e mallrave në pezullim të detyrimeve të akcizës duhet të plotësohen dy kushte: i) duhet garancia në masën 100% që garanton detyrimin e akcizës dhe ii) vetëm duke qenë i mbuluar edhe nga një dokument administrativ elektronik. Në rastin konkret këto kushte janë përmbushur”, citohet në vendimin e gjykatës, ku nuk është mar parasysh fakti se që prej vitit 1996, nafta vergine mund të lëvizë vetëm me distinacion eksportin, pasi nuk mund të ripërpunohet brenda territorit të Shqipërisë.

Nisur nga arsyetimi i saj lidhur me provat dhe parashtrimet e prokurorisë gjykata ka vlerësuar se dy të pandehurit Lula Njebza dhe Mirëarbër Teneqexhiu janë të pafajshëm për akuzën e ngritur ndaj tyre.