Lajm12 May 2021

KPA largon nga detyra drejtuesin e prokurorisë së Kavajës, Artan Madani

Ndryshe nga KPK, Kolegji i Posaçëm i Apelimit konkludoi se prokurori Madani nuk justifikoi me burime të ligjshme pasurinë e tij, si dhe nuk kishte deklaruar përdorimin e një automjeti.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Artan Madani në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto: Besar Likmeta

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të mërkurën vendimin për shkarkimin nga detyra të drejtuesit të prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Artan Madani.

Artan Madani u konfirmua në detyrë me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 1 korrik 2019, por Komisioneri Publik Florian Ballhysa e ankimoi vendimin për kriterin e pasurisë dhe kërkoi shkarkimin e tij. Sipas Komisionerit, Madani nuk justifikonte burimet për blerjen e një apartamenti dhe një garazhi në vitin 2000 në qytetin e Durrësit, kursimet cash dhe një fond investimi.

Madani i kundërshtoi gjatë gjithë seancave publike në KPA shkaqet e ngritura prej Komisionerit dhe në përfundim të konkluzioneve përfundimtare u shpreh se ishte i qetë, për shkak të sinqeritetit të tij.

Të mërkurën më 12 Maj, trupi gjykues i kryesuar nga Albana Shtylla, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Ina Ramën, Rezarta Schuetz e Natasha Mulajn shpallën vendimin për ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe të shkarkimit të prokurorit Artan Madani nga detyra për deklarim të pasaktë dhe të pamajftueshëm të pasurisë.

Shtylla u shpreh se nga shqyrtimi në Kolegj u konkludua se prokurori Madani kishte mungesë burimesh të ligjshme për apartamentin, garazhin, krijimin e gjendjes cash dhe të një fondi investimi. Ajo vijoi se Madani kishte kryer deklarim të pasaktë në deklaratën veting pasi nuk kishte pasqyruar përdorimin e një automjeti tip “Ford”.