Analize7 Mar 2020

KPK me tre mendime të ndryshme në vendimin për gjyqtarin Fatri Islamaj

Shumica në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit vendosi shkarkimin e gjyqtarit Fatri Islamaj, por një nga anëtarët votoi për konfirmimin e tij, ndërsa as shumica nuk kishte qëndrim të unifikuar. Islamaj u shkarkua për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që shqyrtoi rastin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës Fatri Islamaj u nda në tre qëndrime të ndryshme mbi rivlerësimin e pasurisë së gjyqtarit.

Shumica, relatorja Valbona Sanxhaktari dhe anëtarja Pamela Qirko, ra dakord të shkarkonte Islamaj, për deklarim të pamjaftueshëm mbi një apartament të blerë nga i ati për 65 mijë euro në vitin 2010, duke arsyetuar se babai nuk kishte pasur burime të ligjshme dhe se apartamenti ishte përdorur vetëm nga gjyqtari duke nënkuptuar mundësinë e një pasurie të fshehur.

Në pakicë Lulzim Hamitaj kundërshtoi këtë arsyetim me argumentin se babai i Islamajt kishte pasur burime financiare dhe se kërkesa e shumicës për dokumentim të shkëmbimeve financiare brenda familjes ishte e tepruar.

Brenda trupës ndërkohë ka pasur qëndrime të ndryshme edhe në lidhje me një pasuri tjetër të Islamajt. Në mendim paralel Pamela Qirko pretendon se gjyqtari kishte marë trajtim preferencial nga një bankë dhe nga një kompani ndërtimi dhe se këto ishin po ashtu shkarkuese.

Trupa ndërkohë pranoi argumentet e Islamajt mbi dyshimet për konflikt interesi dhe rrëzoi denoncimet ndaj tij. Po ashtu ai u gjet pa përgjegjësi mbi mosdeklarimin e refuzimit të një vize turistike nga SHBA, pasi kjo kishte ndodhur pas plotësimit të formularit. KPK arsyetoi se ai kaloi me sukses në dy kriteret e tjera të procesit.

Fatri Islamaj, i cili prej vitit 2016 është anëtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë, ndërsa ka qenë edhe kryetar i Gjykatës së Tiranës,  kundërshtoi gjetjet e KPK-së për shtëpinë e blerë nga babai të cilën ai pretendon se e kishte pasur me qira. Po ashtu ai kundërshtoi gjetjet për trajtim preferencial apo ato për konflikt interesi. Islamaj ka ushtruar gjithashtu funksionin si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i zgjedhur përmes shortit për vitin 2019.

Argumentet e shkarkimit

Anëtaret Valbona Sanxhaktari dhe Pamela Qirko arsyetuan në vendimin që solli shkarkimin e Islamajt, se  për apartamentin e blerë nga babai i tij dhe që ishte përdorur vetëm nga gjyqtari, nuk provoheshin burimet e ligjshme.

“Duke analizuar konkluzionet e mësipërme në raport me njëra-tjetrën, Komisioni krijoi bindjen se subjekti i rivlerësimit ishte në thelb duke përdorur një apartament (para dhe pas deklaratës “Vetting”), për të cilin subjekti nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimit të krijimit”, thuhet në arsyetim.

Shumica lë të kuptohet se kishte dyshime mbi apartamentin, ndërsa babai dhe vëllezërit e subjektit që supozohet se e kishin financuar atë nuk e kishin përdorur dhe nuk kishin pretendime për pronësinë.

“Nga hetimi rezultoi se babai i subjektit e ka blerë këtë apartament i cili është banuar që nga fillimi prej djali i tij, Fatri Islamaj. Subjekti i rivlerësimit e ka përdorur këtë apartament duke pretenduar se ka pasur një marrëdhënie qiraje, por nuk rezultoi e deklaruar në asnjë rast, deri në datën 27.9.2016”, thuhet në arsyetim. Shumica arsyetoi se pretendimet për qiranë nuk provoheshin.

Gjithashtu dy anëtaret në shumicë argumentuan se nuk provoheshin të ardhurat e një vëllai që supozohej se kishte ndihmuar në blerejen dhe se babai nuk kishte burime të ligjshme. Shumica cilësoi si të paprovuar përfshirjen në këtë blerje edhe të vëllait tjetër dhe motrës së gjyqtarit, duke arsyetuar se nuk provoheshin transaksiont dhe se të ardhurat nuk ishin provuar. Shumica arsyetoi se një nga vëllezërit kishte blerë një pasuri në emër të tij në këtë kohë dhe e kishte bërë këtë përmes një kredie bankare, duke vënë në dyshim mundësitë e tij për të kontrinbuar në apartamentin e parë.

“Të ardhurat e deklaruara të vëllezërve dhe të motrës mund të tregojnë potencialisht mundësinë e tyre për të pasur të ardhura, por nuk rezultoi e provuar se kanë paguar tatime për të ardhurat, gjithashtu, nuk u provua në ndonjë mënyrë bindëse se ia kanë dhënë të ardhurat babait të tyre”, arsyetoi shumica. Dy anëtaret po ashtu pretenduan se financimi i apartamentit në emër të babait nga vëllezërit ndërsa ata nuk pretendonin bashkëpronësi dhe fakti që ai ishte përdorur vetëm nga gjyqtari nuk ishte bindës.

Në pakicë Lulzim Hamitaj shprehet se nuk ishte dakord me shumicën dhe se Islamaj duhej të ishte konfirmuar. Hamitaj merr përbazë argumentet e gjyqtarit mbi apartamentin në fjalë dhe arsyeton se dokumentimi i marrëdhënies së qiradhënies nuk ishte i detyrueshëm, duke marrë parasysh edhe marrëdhënien prind-fëmijë.

Ngjashëm Hamitaj në pakicë u ka kushtuar më shumë rëndësi raporteve të vëllait të Islamajt me babain, duke pretenduar se shkëmbimet financiare brenda familjes nuk duhej të provoheshin në ndonjë mënyrë tjetër. “Rrjedhimisht, sipas pakicës, të gjitha burimet e ligjshme të gjeneruara nga çdo anëtar i familjes Islamaj, deri në shtator të vitit 2010, që kanë rezultuar të provuara me dokumentacion ligjor, duhet të konkurrojnë në shumatoren e kursimeve të mundshme të familjes, të cilat de jure janë bërë pjesë e të mirave të përbashkëta familjare dhe me të cilat është kontribuuar në blerjen e apartamentit në fjalë, të përdorur nga subjekti i rivlerësimit”, arsyeton Hamitaj.

Sa i përket burimit të ligjshëm ai ka referuar dokumentet sipas të cilave një prej vëllezëve të gjyqtarit kishte pasur një llogari të përbashkët bankare me të atin në të cilin ishin hedhur dhe tërhequr para në shumën deri në 3.1 milion lekë. Hamitaj thotë se të ardhurat e provuara të vëllezëerve dhe babait mjaftonin disa herë për të blerë apartamentin dhe për të justifikuar shumën prej 50 mijë euro si këst i parë.

Ai po ashtu arsyeton përfshirjen në këtë financim të të dy vëllezërve dhe motrës së gjyqtarit. Vetë Islamaj referoi në KPK kontrata shitblerje aksionesh të njërit prej vëllezërve dhe të ardhurat e tij në shuma të konsiderueshme. Ai po ashtu thotë se një pjesë e këtyre parave i ishin dhënë nga vëllai babait dhe se kjo provonte burimin e pasurisë së blerë. “Dokumenti tregon pagesën e sigurimeve shoqërore në shumën 249.874 CHF në Zvicër (kuptohet që të ardhurat kanë qenë shumëfishi i kësaj shume)”, pretendoi Islamaj.

Pakica po ashtu arsyeton se Islamaj nuk duhej të mbahej përgjegjës për mosdeklarimin e një llogarie bankare dy emërore të bashkëshortes me vëllain e saj. Hamitaj arsyeton se kjo nuk ishte një pasaktësi dhe se llogaria nuk ishte përdorur nga bashkëshortja e subjektit prej vitesh dhe qarkullimet në të kishin qenë minimale.

Përndryshe shumica arsyetohet se mosdeklarimi i kësaj llogarie ishte shkarkues. “Personi i lidhur me subjektin e rivlerësimit (bashkëshortja) nuk ka deklaruar në deklaratën “Vetting” (dorëzuar më 25.1.2017) një llogari bankare të përbashkët me vëllain e saj, për të cilën Komisioni ka hetuar disa depozita ndër vite, si dhe ligjshmërinë e burimit të krijimit”, thuhet në përfundimet e arritura nga shumica.

Për një llogari tjetër të bashkëshortes të përdorur për tu ardhur në ndihmë të afërmve para martese, KPK pranoi provat e Islamajt dhe e cilësoi të provuar burimin e të ardhurave të vendosura në llogari.

Mendimi Paralel

Nga vendimi rezulton se trupa gjykuese është ndarë edhe në elemente të tjera të pasurisë së Islamajt.  Në mendim paralel Pamela Qirko arsyeton se Islamaj kishte përfituar trajtim preferencial nga një bankë dhe një kompani ndërtimi.

Qirko arsyeton ndryshe nga shumica (në këtë rast Hamitaj, Sanxhaktari) se këto momente duhej të cilësoheshin shkarkuese. Ajo thotë se apartamenti 144 metra i deklaruar si banesë, nuk ishte përdorur si e tillë dhe ishte njësi shërbimi.

Qirko arsyeton se çmimi i kësaj njësie ishte mjaft më i ulët se i tregut dhe dëshmonte trajtim preferencial. Ngjashëm ajo arsyeton me kredinë nga një bankë, që sipas anëtares së trupës ishte marrë me interes të ulët dhe mbulonte 100 për qind shpenzimet e blerjes së kësaj njësie.

Qirko pretendon se arsyetimi i Islamajt se fqinji i tij e kishte përdorur njësinë si banesë, nuk kishte vlerë për rastin e tij dhe argumentet e dhëna nuk provonin të kundërtën e dyshimeve se ai ishte trajtuar në mënyrë proferenciale.

Islamaj argumentoi në këtë pikë se ai nuk kishte pasur trajtim preferencial nga kompania dhe as nga banka. Ai pretendoi se njësia e shërbimit ishte blerë si apartament dhe dorëzoi pamje e foto të shtëpisë së komshiut dhe kontrata të fqinjëve. Ai pretendoi se njësia do të përdorej si banesë.

Ai pranoi gjykimin e një çështje me palë bankën në të cilën kishte marrë kredinë, por vuri në dukje se kjo e fundit kishte qenë në gjyq si palë e tretë dhe se vendimi i marrë nuk kishte qenë vendim themeli. Ai theksoi nga ana tjetër se interesi 3 për qind dhe mbulimi 100 për qind i vlerës së ndërtesës nuk ishin preferenciale dhe se në kontratë ishte parashikuar që interesat mund të rriteshin nga banka deri në 5.8 për qind.

Konflikti i interesit dhe çështjet e tjera

Ndërkohë edhe pse dyshimet për konflikt interesi u debatuan gjatë në seancë dëgjimore, ato u rrëzuan nga KPK në vendim. Dy rastet e referuara kishin të bënin me marrëdhëniet e ILDKPKI-së me vëllai e Islamajt dhe po ashtu me një kompani ndërtimi. Në rastin e parë vendimi ishte prishur nga Gjykata e Lartë, pikërisht me arsyetimin se Islamaj kishte qenë në konflikt interesi. Vetë Islamaj pranoi se ishte në dijeni të përplasjes mes vëllait dhe ILDKPKI-së, por vuri në dukje se rasti ishte unik dhe se bazuar në legjislacion dhe në “Parimet e Bangalores” nuk kishte qenë në konflikt interesi. Rasti i dytë po ashtu u rrëzua, pasi Islamaj sipas KPK provoi se s’kishte pasur dijeni për marrëdhëniet e vëllait me kompaninë e ndërtimit dhe se vendimet gjykatës nuk kishin qenë në favor të kompanisë.

Komisioni arsyetoi se nuk kishte shkelje që mund të çonin në shkarkim edhe në lidhje me disa pasaktësi në deklarimin e llogarive bankare. Në dy raste KPK vlerësoi se edhe pse llogaritë nuk ishin deklaruar të ardhurat prej tyre ishin deklaruar. Po ashtu u rrëzuan edhe dyshimet mbi një makinë të blerë në vitin 2006.

Mbi 20 denoncime nuk u gjetën problematike nga KPK, që shprehet se akuzat nuk cënonin vlerësimin profesional të Islamajt. Denoncimet kryesisht për konflikt interesi në çështje pronësie nuk u gjetën të bazuara në fakte.