Analize22 Oct 2020

KPK u nda në qëndrim për të ardhurat e bashkëshortit të prokurores Enkeleda Osmani

Trupa gjykuese doli me qëndrime të ndryshme në lidhje me provimin e ligjshmërisë së të ardhurave nga paga e bashkëshortit të prokurores Enkeleda Osmani (Xhengo) në disa kompani ndërtimi, por tre anëtarët ishin dakord që ajo të konfirmohej.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurorja Enkeleda Osmani (Xhengo) pas vendimit të KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që kreu rivlerësimin e prokurores së Durrësit, Enkeleda Osmani (Xhengo) është ndarë në përcaktimin apo jo si të ligjshme të një pjese të të ardhurave të përfituara nga puna e bashkëshortit të subjektit, që kishin shërbyer për blerjen e një apartamenti në Kashar.

Anëtarja Suela Zhegu, në mendimin paralel ndërsa shprehet se ishte dakord me konfirmimin, mendon ndryshe nga kryesuesi Roland Ilia dhe relatorja Brunilda Bekteshi dhe pretendon se të ardhurat e pretenduara si paga nga kompania P.A, nuk ishin provuar plotësisht të ligjshme.  “Për një vlerësim sa të saktë e të drejtë për pozitën financiare të subjektit, gjykoj se mungesa e provave sa më sipër cituam, ka sjellë pamundësinë për t’i konsideruar të ardhura të ligjshme”, shprehet Zhegu.

Ndërkohë në shumicë Ilia dhe Bekteshi arsyetuan se deklarimet vjetore, dëshmia e njërit prej punëdhënësve, emri I bashkëshortit në disa prej projekteve të kompanisë, dokumentimi i disa pagesave përmes çeqeve bankare dhe pagesa e mëvonshme e tatimit mbi të ardhurat nga punëdhënësi për disa vite duke pranuar mosshlyerjen e tyre në kohë, ishin indicie që provonin si ligjshmërinë e marrëdhënieve të punës edhe mos-dijeninë e bashkëshortit se tatimet nuk ishin paguar.

“Trupi gjykues vlerëson se mosveprimi në kohë nga punëdhënësi për pagimin e detyrimit tatimor, por edhe mos-ushtrimi i detyrave nga inspektorët e tatimeve nuk mund të rëndojnë pozitën e bashkëshortit të subjektit”, arsyeton shumica. Ndërsa thekson se “rrethanat faktike dhe ligjore diktojnë që proporcionalisht nuk gjendemi përpara arsyeve të mjaftueshme për të aplikuar ndonjë masë disiplinore”, ndaj prokurores.

Hetimi mbi pagat e bashkëshortit

Komisioni ka hetuar të ardhurat e deklaruara në periudhën 2006-2009, si të përfituara nga bashkëshorti nga puna në 4 shoqëri, të cilat kanë shërbyer ndër të tjera, si burim për shlyerjen e çmimit të një apartamenti me sipërfaqe 111.87 m2 në Kashar të Tiranës të porositur në nëntor të 2006-ës për vlerën 50.341 euro.

Si burime për blerjen e këtij apartamenti, Osmani ka deklaruar edhe një hua në shumën 10 mijë euro marrë nga prindërit e bashkëshortit dhe 6 mijë euro të dhuruara nga motra e tij, që kanë rezultuar pa probleme.

Ndërkohë, trupi gjykues është ndarë në qëndrim për vlerat e deklaruara si të përfituara nga puna në një prej shoqërive në të cilat kishte punuar bashkëshorti. Në vendim thuhet se subjekti ka deklaruar se për periudhën 2005 – 2008 ka përfituar nga shoqëria “P.A.” sh.p.k., të ardhura në shumën 3 milionë e 520 mijë lekë.

Komisimoni bazuar në të dhënat e marra nga arkivi qendror dhe drejtoritë rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, konstaton se bashkëshorti i subjektit, ose nuk figuron në listëpagesa, ose është siguruar për një pagë shumë herë më të vogël nga ajo e deklaruar. Gjithashtu, në vendim evidentohet se për punësimin në kompaninë P.A nuk ka ekzistuar një kontratë me shkrim, sipas parashikimeve të Kodit të Punës.

Nga analiza financiare e kryer fillimisht nga Komisioni ka rezultuar pamundësi financiare për blerjen e apartamentit në Kashar në vlerën – 3 milionë e 349 mijë lekë. Gjithashtu, janë evidentuar mospërputhje të deklarimit të subjektit në lidhje me të ardhurat e përfituara nga bashkëshorti në vitet 2006 – 2009, krahasuar me dokumentacionin e lëshuar nga shoqëritë “P.A.” sh.p.k.; “N.” sh.p.k.; “E. S.” dhe “A.- S.” sh.p.k., si dhe me dokumentacionin e depozituar nga ISSh.

Osmani ka shpjeguar punësimin e bashkëshortit në shoqëritë në fjalë duke pretenduar se deklarimet e saj për të ardhurat, ishin reale. Ajo ka sqaruar se bashkëshorti kishte filluar punë në korrik të vitit 2002 në shoqërinë “P. A.” sh.p.k. dhe ka renditur objektet e ndërtimit ku ai ka ushtruar detyrën. Për të provuar se pagesa e bashkëshortit kishte qenë ajo e deklaruar, subjekti ka depozituar listëpagesa të punonjësve të tjerë, ku ndër të tjera pasqyrohet fakti se një punonjës me detyrë teknik, për vetëm 20 ditë kalendarike është paguar në shumën 90.375 lekë. Osmani ka pretenduar se bashkëshorti në pozicionin e inxhinierit, nuk mund të paguhej më pak se një teknik.

Ajo ka parashtruar se gjatë kohës kur bashkëshorti ka punuar në këtë shoqëri, kjo e fundit kishte fituar procedura tenderimi në shumën totale prej 555 milionë e 847 mijë lekë.

Për të provuar punësimin e bashkëshortit, subjekti ka depozituar disa dokumente për tërheqjen e pagave të përfituara në vitin 2003 dhe 2004, si dhe ka kërkuar që të merret në konsideratë paga që sipas saj ka marrë bashkëshorti, në vlerën 80 mijë lekë.

Po ashtu Komisioni ka marrë si dëshmitarë administratorin e shoqërisë “P.A.” sh.p.k, një vërtetim të lëshuar prej tij se paga e bashkëshortit kishte qenë 80 mijë lekë dhe një pagesë prej këtij të fundit për llogari të bashkëshortit të subjektit që ka shërbyer për të paguar tatimin mbi të ardhurat dhe penalitetet për mospagimin e tij në kohë.

Nisur nga këto të dhëna Komisioni arrin në përfundimin se ai kishte punuar në këtë kompani gjatë periudhës 2002 – 2008, ashtu si kishte deklaruar subjekti. Më tej, trupi gjykues është bindur se subjekti ka qenë në kushtet e pamundësisë së marrjes dijeni të mospërmbushjes së detyrimeve nga shoqëria dhe se ai nuk mund të ishte përgjegjës për këto detyrime.

“Në përfundim për këtë çështje, trupi gjykues vlerëson të aplikojë parimin e objektivitetit që lidhet me pamundësinë e subjektit për të provuar marrjen dijeni të mospagimit të detyrimeve në favor të tij dhe se Osmani nuk gjendet përpara arsyeve të mjaftueshme për të aplikuar ndonjë masë disiplinore”, konkludon Komisioni.

Ndërkohë lidhur me pretendimet e subjektit mbi provueshmërinë e burimit të ligjshëm të të ardhurave të krijuara nga punësimi në dy shoqëritë e tjera “N.” sh.p.k. dhe “A.S.” sh.p.k., ndaj të cilave është kryer padi, trupi gjykues çmon se “ato mbetet në nivel deklarativ dhe se zgjidhja përfundimtare do të ishte e parakohshme përderisa çështjet janë ende objekt gjyqësor”. Duke mosllogaritur në analizë financiare të ardhurat nga këto dy shoqëri, Komisioni konkludon se balanca negative në vlerën -143 mijë lekë në vitin 2008 është e ulët dhe nuk merr peshë në vlerësimin përfundimtarë të prokurores.

Përndryshe anëtarja Suela Zhegu në mendimin paralel, arsyeton se ligjshmëria e të ardhurave nuk provohej. Zhegu rendit një sërë provash të rezultuara nga hetimi administrativ, që sipas saj sjellin pamundësinë për t’i konsideruar të ligjshme të gjitha ardhurat e deklaruara si të përfituara nga punësimi i bashkëshortit të Osmanit pranë shoqërisë “P.A.” sh.p.k., për vitet 2002 – 2008, në shumën totale 5.8 milion lekë.

Zhegu shprehet se, edhe pas kalimit të barrës së provës, nuk u provua që në favor të bashkëshortit të prokurores Osmani të kishte rregullisht pagesa neto mujore për gjithë periudhën e punësimit në këtë shoqëri, që të ishin marrë prej tij nëpërmjet sistemit bankar, apo me një nga mënyrat e parashikuara në nenin 118 të Kodit të Punës.

Gjithashtu, nuk është provuar të ishin paguar sigurimet shoqërore dhe detyrimet tatimore për të gjithë periudhën e punësimit. Në mendimin paralel thuhet se punëdhënësi ka rezultuar të ketë paguar detyrime tatimore për punëmarrësin gjatë viteve 2003 – 2007, me shkëputje, për paga bruto që variojnë nga 9.403 lekë deri në 48.611 lekë, të cilat nuk përputhen me pagën mujore të deklaruar sipas vërtetimit të shoqërisë, prej 80 mijë lekësh në muaj.

Ajo identifikon faktin se, kryerja e mëvonshme e pagesës për tatimin mbi të ardhurat është bërë vetëm për vitet 2006, 2007 dhe 2008 dhe jo për të gjitha vitet e punësimit pranë shoqërisë “P.A.” sh.p.k.. Zhegu çmon se, këto pagesa janë kryer për sistemimin e balancave negative të rezultateve të hetimit administrativ në KPK.

Pavarësisht këtyre konstatimeve, anëtarja Suela Zhegu konkludon se efekti negativ që mbartin këto të ardhura të bashkëshortit të subjektit në analizën financiare për periudhën 2002-2008, në vlerësim tërësor të çështjes, “janë të pamjaftueshme për ta shkarkuar subjektin” dhe se për këtë arsye ka votuar për konfirmimin në detyrë të prokurores Enkleda Osmani (Xhengo).

Pasaktësitë dhe mospagimi i kontributeve

Edhe për për blerjen e një apartamenti tjetër në Golem të Kavajës me sipërfaqe 45.6 m2 në prill të 2011-ës për vlerën 1 milion e 837 mijë lekë, për të cilin po ashtu ishin deklaruar si burime krijimi kursime nga të ardhurat nga pagat e bashkëshortit, KPK ka gjetur thuajse të njëjtat probleme.

Të ardhurat prej 5.5 milionë lekë nga puna në shoqërinë “E. – S. E. M.”, për vitet 2008 – 2012, nuk rezultonin të kishin kaluar përmes bankës, bashkëshorti nuk figuronte në listëpagesa dhe nuk ishin paguar kontributet dhe sigurimet shëndetësore.

Nga analiza financiare e kryer fillimisht nga KPK ka rezultuar balancë negative në blerjen e kësaj pasurie, në shumën -1.6 milion lekë.

Për të provuar burimin e ligjshëm e të ardhurave nga puna e bashkëshortit në shoqërinë “E. S.” sh.p.k., në shumën 5 milionë lekë, Osmani ka shpjeguar se vlera ishte përfituar nga kryerja e shërbimit të realizuar nga bashkëshorti, si inxhinier projektues. Në vendim thuhet se subjekti ka depozituar shkresën e Drejtorisë Rajonale Tatimore, Tiranë që vërteton se është paguar tatimi në burim për bashkëshortin e saj.

Lidhur me mospagimin e kontributeve përkatëse dhe detyrimeve tatimore nga shoqëritë “E. C.” sh.p.k., dhe “E.- C.G.”, sh.p.k. për të cilat ka punuar bashkëshorti, Osmani ka deklaruar se ka rënë në dijeni gjatë procesit të rivlerësimit dhe se ka kryer menjëherë kërkesë padi.

Komisioni vlerësoi përfundimisht se subjekti ka pasqyruar saktësisht në deklaratat periodike marrëdhëniet e punësimit të bashkëshortit në këto shoqëri “duke identifikuar ekzaktësisht emërtesat e tyre, si dhe ka deklaruar në kohë reale pagën vjetore të përfituar”. Trupi gjykues i vlerësoi si “fakte të pakontestueshme” pagesat e tatimit në burim të bëra në vitet kur edhe ishin përfituar pagesat.

Ndërkohë Komisioni nuk ka gjetur probleme në blerjen e një apartamenti tjetër me sipërfaqe 105.18 m2 në Tiranë në vitin 2016, kundrejt vlerës 46 mijë euro.

Në fund KPK pasi ka pranuar pretendimet e prokurores Osmani përfshi edhe arsyetimin mbi disa deklarime të pasakta të të ardhurave, Komisioni e ka përmbysur analizën financiare fillestare ku rezultonin disa milionë lekë të pa justifikuara.

KPK në vendim thotë se Osmanit i kishte rezultuar fillimisht se nuk ishin paguar detyrimet për 6.7 milion lekë të ardhura të bashkëshortit.

“…Trupi gjykues konstatoi se mospërputhjet midis shumës së të ardhurave të deklaruara nga subjekti në deklaratat periodike vjetore të përllogaritura në shumën 15.9 milion lekë për vitet 2006 ‒ 2016 dhe atyre të konfirmuara në vlerën 9.1 milion lekë, rezultuan vetëm në shumën 6.722.000 lekë, për shkak se pjesa tjetër u ligjërua nga konfirmimi i pagimit të detyrimeve tatimore përkatëse”, citohet në vendim.

Nga vendimi del se një pjesë e shumës prej 6.7 milion ishte e ndikuar nga deklarimi i gabuar prej Osmanit të fitimeve të kompanisë së bashkëshortit si të ardhura. KPK nuk e shpjegon në vendim se sa ishte kjo shumë, por thotë se në analizën financiare ishin përfshirë vetëm të ardhurat që kompania kishte ndarë si divident.

Ndërkohë pjesa tjetër i referohet pagesave nga një sërë kompanish për të cilat bashkëshorti pretendon se kishte punuar, por që nuk provohet pagesa e tatimeve dhe kontributeve. Osmani tha se kishte bërë padi ndaj këtyre kompanive. Përndryshe ajo në shpjegimet e saj i thotë KPK se “Diferenca për të cilën nuk provohet pagimi i detyrimeve të sigurimeve shoqërore shëndetësore dhe detyrimet tatimore është 2.3 milion lekë”.

Nga analiza financiare e KPK balancat negative të konkluduara përfundimisht për katër vite rezultuan: 143 mijë lekë në vitin 2008; 280 mijë lekë në 2011-ën; 19 mijë lekë në vitin 2013 dhe 316 mijë lekë në vitin 2015. Komisioni i konsideroi ato të pamjaftueshme për të aplikuar ndonjë masë ndaj prokurores Osmani, e cila u vlerësua pozitivisht edhe për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.