Lajm2 Aug 2019

“Kredia e butë”, Komisioneri dërgon në Kolegj prokuroren Manjola Kajana

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i kërkon Kolegjit të hetojë nëse kandidatja për SPAK, Manjola Kajana ka cënuar apo jo etikën në rastin e përzgjedhjes së bashkëshortit të saj për të përfituar kredi të butë nga Bashkia e Fierit, në kohën kur zyrtarët e kësaj bashkie ishin në hetim pikërisht për abuzime në shpërndarjen e kredive të buta.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Manjola Kajana. Foto:BIRN

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa apeloi të premten konfirmimin në detyrë të prokurores Manjola Kajana, duke vënë njeherazi në pikëpyetje ambicien e saj për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Arsyet e ankimimit bazohen kryesisht mbi përzgjedhjen e bashkëshortit të subjektit për të përfituar kredi të butë nga Bashkia e Fierit në vitin 2012 –kohë kur prokurorja Kajana e ushtronte funksionin në Prokurorinë e Fierit dhe ish-kryebashkiaku Baftjar Zeqo dhe zyrtarë të tjerë ishin nën hetim pikërisht për abuzime të dyshuara në dhënien e kredive të buta për familjet e pastreha pranë kësaj Prokurorie.

Komisioneri Publik e cilëson të paplotë hetimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit lidhur me këtë fakt dhe kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të qartësojë nëse Kajana ka kryer apo jo veprime hetimore në ngarkim të punonjësve të Bashkisë së Fierit dhe nëse ndodhej apo jo në kushtet e konfliktit të interesit me përzgjedhjen për kredi të butë.

Në funksion të pikëpyetjeve të ngritura, Komisioneri Publik ka përfshirë në ankimim edhe ato që i quan “deklarime kontradiktore” të subjektit në lidhje me adresat e banimit, ku sipas tij nuk figuron adresa e banimit në qytetin e Fierit.

Duke iu referuar rekomandimit të ONM-së dhe ankimit për prokurorin Besnik Cani –bashkëshortja e së cilit u kualifikua gjithashtu për të përfituar kredi të butë nga Bashkia e Fierit, komisioneri Ballhysa kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të qartësojë nëse prokurorja Kajana ka cënuar në këtë rast etikën profesionale.

“Këto rrethana të ndërthurura me njëra-tjetrën, eventualisht do të qartësonin nëse veprimi apo mosveprimi i subjektit të rivlerësimit ka cenuar rregullat etike profesionale, figurën e magjistratit, e për rrjedhojë, besimin e publikut, referuar nenit 61, pika 5, e ligjit nr. 84/2016,” thuhet në ankimin e Komisionerit Publik.

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Manjola Kajana, e përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e SPAK-ut ka qenë e emëruar në Prokurorinë e Fierit gjatë viteve 2009-2014.  Megjithatë, ajo ka punuar si e komanduar brenda kësaj periudhe në prokurorinë e Durrësit dhe si këshilltare në Prokurorinë e Përgjithshme.

Gjatë hetimit administrativ, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbuloi se në tetor të vitit 2012, bashkëshorti i Kajanës kishte përfituar statusin si i pastrehë dhe ishte përzgjedhur nga Këshilli Bashkiak i Fierit për të përfituar kredi me kushte lehtësuese për blerjen e një apartamenti.

Aplikimi dhe përzgjedhja, sipas komisionerit  kanë ndodhur në kohën kur zyrtarët e Bashkisë së Fierit ishin nën hetim nga prokuroria e këtij rrethi pikërisht për abuzime të dyshuara në shpërndarjen e kredive të buta.

Në korrik 2012, Prokuroria e Fierit i pushoi hetimet për ish-kryebashkiakun Zeqo dhe zyrtarët e tjerë, por pas një ankimi, Gjykata e Fierit urdhëroi rihapjen e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore.

“Komisioneri Publik konstaton se mbetet i pahetuar fakti nëse subjekti i rivlerësimit të ketë përfituar statusin e pastrehë, që rezulton se nuk mund ta përfitonte bazuar në kërkesat e ligjit nr. 9232/2004, “Për programet sociale të strehimit për banorët e zonave urbane”, për shkak të funksionit që ajo kryente në organin e Prokurorisë, që po hetonte zyrtarët e Bashkisë Fier, për të njëjtat shkelje të ligjit,” thuhet në ankimin e Ballhysës.

Aty konstatohet se në kohën e aplikimit për kredi të butë, subjekti i rivlerësimit, bashkëshorti dhe vjehrri i saj ishin pronarë të një apartamenti në Durrës. Por në deklarimet e saj për KPK-në, Kajana ka sqaruar se në kohën e aplikimit, ajo dhe bashkëshorti i saj jetonin me qira për shkak të sipërfaqes së vogël (rreth 40m2) dhe gjendjes së amortizuar të banesës në bashkëpronësi në Durrës.

Prokurorja Kajana ka sqaruar gjithashtu se bashkëshorti i saj kishte çmuar se kishte të drejtë të përfitonte nga programet sociale të strehimit, pasi përfitues mund të ishin edhe “familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit”.

Në fund, ajo ka shtuar se kontrata e kredisë së butë nuk u ekzekutua nga banka, pasi bashkia e Fierit i kishte ezauruar kuotat në dispozicion dhe se ata morën më pas kredi tregtare për të financuar apartamentin, duke mos sjellë asnjë pasojë financiare apo juridike.

Argumentet e prokurores Kajana janë pranuar nga KPK, por jo nga Komisioneri Publik, i cili argumenton në ankim se familja nuk i përmbushte kriteret ligjore, pasi kishte të ardhura mujore prej 232 mijë lekësh dhe likujditete në bankë në atë kohë prej 5.7 milionë lekësh.

Komisioneri rrëzon gjithashtu pretendimin e mungesës së pasojave, duke shtuar se mosfinalizimi i kredisë me kushte lehtësuese nuk varej nga vullneti i subjektit të rivlerësimit apo i bashkëshortit të saj, por nga fakti se Bashkia e Fierit nuk kishte më kuota në dispozicion për këtë kategori kredish.

“Komisioneri Publik vlerëson se përfitimi jashtë kritereve ligjore i statusit si i pastrehë i familjes së subjektit të rivlerësimit në qytetin e Fierit, ndërkohë që ushtronte funksionin e prokurores në këtë qytet mund të jetë rrjedhojë e përfitimit të padrejtë…Komisioni Publik, në ndryshim nga përfundimi i Komisionit, në gjendjen që janë aktet nuk mund të vlerësojë nëse subjekti i rivlerësimit ka cënuar etikën e magjistratit e për rrjedhojë, në një vlerësim tërësor të kritereve të rivlerësimit, besimin e publikut në sistemin e drejtësisë,” deklaron Ballhysa në ankim.

Pika e dytë e ankimit të konfirmimit në detyrë të Kajanës lidhet me ato që Komisioneri Publik i quan “deklarime kontradiktore të subjektit lidhur me vendbanimin dhe vendqëndrimin” në Deklaratën për Kontrollin e Figurës. Pikëpyetjet në këtë rast ngrihen mbi mosdeklarimin e një adrese banimi në Fier, e cila ka dalë në pah gjatë korrespondencës që Kajana ka pasur me KPK-në.

Prokurorja ka shpjeguar se kishte jetuar me qira në Durrës dhe në Tiranë, por në nëntor 2012 kishte marrë me qira një apartament në qytetin e Fierit si dhe kishte bërë edhe transferimin e gjendjes civile në këtë qytet. Komisioneri gjen paqartësi edhe në transferimin e gjendjes civile dhe arrin në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit nuk ka plotësuar saktë Deklaratën për Kontrollin e Figurës lidhur me historikun e adresave të banimit.

“Gjithashtu mbeten të paqarta lëvizjet e gjendjeve civile dhe deklarimit të banesave të subjektit të rivlerësimit, të kryera nga kjo e fundit, si për shkak të përfitimit nga privatizimi i EKB-së, për banesën në Durrës të vjehrrit të subjektit, ashtu dhe për përfitimin e kredisë si familje e pastrehë në qytetin e Fierit,” thuhet në ankimim.

Komisioneri Publik ka vënë gjithashtu në diskutim ligjshmërinë e një pjese të të ardhurave të bashkëshortit të subjektit për vitet 2013-2014 për shkak të mungesës sipas tij të pagesës së detyrimeve tatimore. Ai konstaton se këto të ardhura nuk duhej të llogariteshin si burime të ligjshme në analizën financiare.

Në fund të ankimit, komisioneri Florian Ballhysa deklaron se me gjendjen që janë aktet, nuk krijon bindjen që në rastin konkret gjen zbatim neni 59/1 i ligjit për rivlerësimin kalimtar. Për këto arsye, ai kërkon që shkaqet e ankimit të merren në konsideratë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe pas vlerësimit tërësor të procedurave të vendosë ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit në detyrë për prokuroren Manjola Kajana.