Lajm1 Aug 2019

Krimet e Rënda heqin masën e arrestit për ish-kreun e Burgjeve, Arben Çuko

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko akuzohet nga Prokuroria për korrupsion në lidhje me transferimin e një të dënuari, por gjykata lehtësoi masën e arrestit pasi i kishte konsideruar më parë provat kundër tij të mangëta.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Ish-kreu i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko gjatë një aktiviteti.

Gjykata e Krimeve të Rënda lehtësoi masën e sigurisë për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko të enjten, duke zëvendësuar arrestin shtëpiak me detyrim paraqitje. Çuko dhe katër persona të  tjerë akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për korrupsion pasiv dhe aktiv të funksionarëve të lartë, lidhur me episodin e transferimit të një të dënuari, i zbuluar gjatë përgjimeve në kuadër të dosjes 339.

Heqja e arrestit shtëpiak erdhi pas seancës paraprake të 16 korrikut në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku u kërkuan hetime shtesë në drejtim të provave, që gjykata i cilësoi të mangëta.

Dosja kundër Çukos, e njohur si 339/2 u dërgua për gjykim më 19 qershor 2019. Nën akuzë për korrupsion  janë edhe Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Artur Balla dhe Denis Llaftiu. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se ka dokumentuar rastin e korrupsionit në transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga burgu i Burrelit në atë të Fierit.

“…nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve Arben Çuko, Artur Balla, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, është dokumentuar veprimtaria e kundraligjshme e këtyre personave, të cilët kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel…,” thuhet në komunikatën e shpërndarë nga prokurorët e çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Çuko e ka mohuar akuzën përmes avokatit të tij, Maks Haxhia. Në një deklaratë për mediat, Haxhia pretendoi atëherë se ish-deputetit socialist, Arben Çuko, nuk kishte pranuar transferimin e  të burgosurit nga burgu i Burrelit në atë të Peqinit.

Një investigim i BIRN dhe Zërit të Amerikës më herët zbuloi nga përgjimet e Çukos edhe ndikimin politik në emërimet në burgje apo ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë dhe deputetë të Partisë Socialiste. Sipas transkripteve të prokurorisë, vetë Çuko deklaronte se në një testim të kryer në kuadër të një konkursi, kandidatët e testuar ishin “nga listat e partisë”.

Çuko dhe katër të tjerët u arrestuan në tetor të vitit të kaluar në një operacion të pagëzuar “Vol-Vo4”. Prokuroria njoftoi atëherë edhe arrestimin e ish-deputetit tjetër të PS Arben Ndoka vëllai të tij dhe të afërmve të tyre, të akuzuar për “tjetërsim pronash” kryesisht në bregdetin e Lezhës. Bashkë me ta policia e prokuroria njoftuan se kishte ndaluar 27 anëtarë të një organizate trafiku narkotikësh të drejtuar nga vëllezërit nga Avdyli nga Shijaku, të dënuar edhe më parë për vepra të rënda penale.