Bashkimi Europian duhet të rishikojë traktatet e veta, për t’i hapur mundësinë demokracisë lokale të jetë më e fuqishme dhe të sheshojë pakënaqësinë dhe humbjen e shpresës, që përbëjnë arsyen kryesore të nacionalizmit dhe ksenofobisë, shkruan ish-ministri grek i financës, Yanis Varoufakis.
Për të rigjallëruar projektin e sëmurë europian, konflikti i shëmtuar mes qeverisë rajonale të Katalunjës dhe shtetit spanjoll mund të jetë pikërisht ajo që doktori ka sugjeruar. Një krizë e madhe kushtetuese në një vend të rëndësishëm të Bashkimit Europian krijon një mundësi të artë për të rikonfiguruar qeverisjen demokratike të institucioneve rajonale, kombëtare dhe europiane, duke çuar në një BE mbrojtëse, në këtë mënyrë dhe të qëndrueshme.
Reagimi zyrtar i BE-së ndaj dhunës së policisë të hasur në referendumin e Katalunjës për pavarësi rezulton braktisje e detyrës. Të deklarosh, siç bëri presidenti i Komisionit Europian, se ky është një problem i brendshëm spanjoll ku BE-ja nuk ka asgjë për të thënë është hipokrizi e madhe.
Sigurisht, hipokrizia ka qenë prej kohësh në qendër të sjelljes së BE-së. Zyrtarët e saj nuk kanë pasur brejtje ndërgjegjje për përfshirjen në çështjet e brendshme të një vendi anëtar – të themi për të kërkuar heqjen e politikanëve të zgjedhur që kanë refuzuar të zbatojnë shkurtimin e pensioneve të shtetasve më të varfër apo për të shitur asete publike me çmime qesharake (diçka që e kam përjetuar personalisht). Por kur qeveritë hungareze dhe polake braktisën parimet thelbësore të BE-së, mos-ndërhyrja u bë papritur e shenjtë.
Çështja katalane ka rrënjë të thella historike, siç më gjërësisht ka dhe nacionalizmi. Por a do të kishte shërthyer ashtu siç bëri së fundmi nëse Europa nuk do të kishte keqpërdorur krizën e eurozonës që nga 2010, duke imponuar stanjacion thuajse-permanent në Spanjë dhe në pjesën tjetër të periferisë europiane ndërsa lejoi ksenofobinë dhe panikun moral kur refugjatët filluan të kalonin në kufijtë e jashtëm të Europës? Një shembull ilustron lidhjen.
Kryeqyteti elegant i Katalunjës, Barcelona, është një qytet i pasur që drejton një buxhet me teprica. Megjithatë shumë prej qytetarëve të tij u përballën së fundmi me dëbime nga bankat spanjolle që janë nxjerrë nga falimenti me taksat e tyre. Rezultati ishte formimi i një lëvizje civile që nga qershori 2015 ia doli të zgjedhë Ada Colau si kryebashkiake të Barcelonës.
Mes angazhimeve të Colau te njerëzit në Barcelonë ishte një ulje taksash lokale për bizneset e vogla dhe familjet, ndihmë për të varfërit dhe ndërtim për strehimin e 15,000 refugjatëve – një pjesë e madhe nga numri total që Spanja duhej të merrte nga shtetet si Greqia dhe Italia. E gjitha kjo mund të arrihet pa ndikuar te bilancat e qytetit, thjesht duke pakësuar tepricat e buxhetit bashkiak.
Mjerisht, Colau shpejt kuptoi se kishte përpara pengesa të pakapërcyeshme. Qeveria qendrore spanjolle, duke cituar obligimet ndaj direktivave të BE për kursimin, kishte vënë në zbatim legjislacionin që ndalonte çdo bashki nga pakësimi i tepricës. Njëkohësisht, qeveria qendrore ndaloi hyrjen e 15.000 refugjatëve për të cilët Colau ndërtoi objekte strehimi të shkëlqyera.
Edhe sot e kësaj dite, prevalon buxheti me tepricë, ulja e taksave nuk është zbatuar dhe strehat sociale për refugjatët mbeten të zbrazëta. Rruga nga kjo gjendje e mjeruar e punëve, drejt ringjalljes së separatizmit katalan nuk mund të ishte më e qartë.
Në çdo krizë sistematike, kombinimi i kursimit për shumicën, socializmi për bankierët dhe mbytja e demokracisë vendore krijon mungesë shprese dhe pakënaqësi – që janë oksigjeni i nacionalizmit. Katalanasit progresivë, anti-nacionalistë, si Colau, e gjejnë veten mes dy zjarreve: establishmentit autoritar të shtetit, që përdor direktivat e BE-së si mbulim për sjelljen e vet dhe një rilindje të izolimit radikal, nativizmit atavistik. Të dyja reflektojnë dështimin për të përmbushur premtimin e një begative të përbashkët, pan-europiane.
Katalunja ofron një shembull të shkëlqyer studimi të rebusit të gjerë të Europës. Zgjedhja mes një shteti spanjoll autoritar dhe një nacionalizmi “ta bëjmë Katalunjën madhështore sërish” është e barabartë me zgjedhjen mes Jeroen Dijsselbloem, presidentit të Eurogrupit të ministrave të financës së eurozonës dhe Marine Le Pen, liderës franceze të Frontit Kombëtar: kursim ose disintegrim.
Detyra e europianëve progresivë është t’i refuzojnë të dy: establishmentin e thellë në nivel BE-je dhe nacionalizmin që rrënon solidaritetin dhe mirëkuptimin në shtete anëtare si Spanja.
Alternativa është të Europianizohet zgjidhja e një problemi të shkaktuar kryesisht nga kriza sistematike e Europës. Në vend të pengimit të qeverisjes demokratike lokale dhe rajonale, BE-ja duhet ta nxisë atë. Traktatet e BE-së mund të ndryshohen për t’i dhënë më tepër hapësirë qeverive rajonale dhe këshilleve të qyteteve, si Katalunjës dhe Barcelonës, për autonomi fiskale dhe madje për paratë e tyre fiskale. Ata mundet gjithashtu të lejohen të zbatojnë politikat e veta për refugjatët dhe migracionin.
Nëse ka ende kërkesë për shtetësi dhe separatizëm nga shteti ndërkombëtarisht i njohur që ata i përkasin, BE-ja mund të krijojë një kod për shkëputje. Për shembull, BE-ja mund të përcaktojë se do të sanksionojë një referendum pavarësie, nëse qeveria rajonale që e kërkon atë ka fituar tashmë një palë zgjedhje me një platformë të tillë me shumicë absolute votuesish. Për më tepër, referendumi duhet të mbahet të paktën një vit pas zgjedhjeve, për të lejuar një debat të saktë rreth tij.
Sa për shtetin e ri, duhet të mbajë të paktën të njëjtin nivel transfertash fiskale si më parë. Veneto i pasur mund të shkëputej nga Italia, për shembull për sa kohë mbante transferta fiskale me Jugun. Për më tepër, shteti i ri duhet të ndalohet nga ngritja e kufijve të ri dhe të garantojë se banorët e vet do të kenë të drejtën e shtetësisë së trefishtë (të shtetit të ri, të shtetit të vjetër dhe europiane).
Kriza në Katalunjë është një dëshmi e fortë nga historia që Europa ka nevojë të zbatojë një lloj të ri sovraniteti, që forcon qytetet dhe rajonet, që shkrin partikularizmin kombëtar dhe ruan normat demokratike. Përfituesit e drejtpërdrejtë do të ishin katalanasit, njerëzit e Irlandës Veriore dhe mbase skocezët (të cilët në këtë mënyrë do të mund të dilnin nga dhëmbët e Brexit). Por përfituesi afatgjatë i këtij lloji të ri të sovraniteti do të ishte Europa si e tërë. Imagjinimi i një demokracie pan-europiane është kusht i domosdoshëm për të imagjinuar një Europë që ia vlen të shpëtohet.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate 2017. Spain’s Crisis is Europe’s Opportunity