Sa kohë duhet të presim në shoqërinë tonë patriakale para se të kemi baballarë dhe jo “etër” – figura të frikshme roli i vetëm i të cilëve në jetën e fëmijëve të tyre është ai i policit?
Ndërsa ndoqa fushatën në Kroaci kundër ratifikimit të të ashtuquajturës Konventa e Stambollit – që synonte të trajtonte dhunën kundër grave – nuk mund të mos shikoja tabelat e protestës në rrugë.
Disa ishin provokuese dhe ofenduese – si artisti që mban një zgjedhë që ka formë të ngjashme me një vaginë, sepse, me sa duket, gratë janë një barrë e madhe që duhen tërhequr. Por kishte edhe për të qeshur.
Në një protestë kundër Konventës në Zagreb në mars, një burrë në mesomoshë mbante një tabelë që thoshte: “Unë jam një baba, jo prindi 1”, i cili u tall në rrjetet sociale nga mbështetësit e konventës.
Edhe pse në fillim qesha me përpjekjen e atij burri për të shprehur frikën konservatore rreth futjes së formave zyrtare në të cilat nëna dhe babai referohen si “prindi 1 dhe prindi 2” – për shkak të çifteve të të njëjtit seks – që duket se ekzistojnë në disa vende europiane – kjo në të vërtetë më futi në mendime.
U përpoqa të kujtoja babanë tim dhe baballarët e të gjithë miqve të mi dhe shokëve gjatë viteve të shkollës dhe rolin që ata kishin luajtur.
Ata ishin baballarë, sigurisht, por a ishin ata prindër?
Nisur nga eksperienca ime dhe nga eksperienca e shokëve të mi në atë kohë, mund të them se atëherë mungonte babai si prind i plotë, i përfshirë në çdo aspekt të edukimit, rritjes dhe jetës në përgjithësi të fëmijës së tij.
Baballarët ishin pothuajse – me shumë pak përjashtime – një lloj i veçantë i prindi që përdorej “në rast emergjence”.
Ata ishin rrallë të pranishëm në shkollë. Mbaj mend se vetëm tre nga nga 35 prindërit e shokëve të klasës time vinin rregullisht në shkollën time, njëri prej të cilëve ishte prind beqar.
Dy nga këta baballarë ishin tipa strikt pater familia, por ishin gjithashtu prindër të dashur dhe të përfshirë në çdo gjë. I kam pasur gjithmonë zili ata fëmijë.
Dikush mund të thotë se baballarët nuk kanë ardhur në shkollë sepse ata ishin në punë, por edhe të gjitha nënat punonin gjithashtu, ndonjëherë madje për paga më të mira dhe orë më të gjata.
Edukimi i fëmijëve ishte i tillë që nënat shkonin në shkollë dhe informoheshin për notat e për problemet e mundshme me notat dhe në sjellje, ndërsa baballarët informoheshin vetëm për gjërat kryesore.
Nëse gjërat rrezikonin të përshkallëzoheshin, sidomos me djemtë adoleshentë që u vlonin hormonet, nënat përdornin fjalinë e fundit të mbrojtjes: “Prit sa ta marrë vesh babai yt këtë.”
Prit derisa ta marrë vesh babai yt këtë? Pse babai duhet të presë që të informohet nga të tjerët për fëmijët e tij? Pse të mos i marrë i pari informacionet?
Në analogjinë e institucioneve shtetërore, nënat ishin kryeministre, ministre të jashtme dhe të brendshme, ose ministre për shëndetësinë, arsimin, mirëqenien, rininë dhe administratë shtetërore. Ato ishin punonjëse sociale, terapiste, madje edhe prokurore, gjyqtare dhe juri.
Baballarët, nga ana tjetër, ishim policia. Në fakt, ata ishin policia e trazirave, që vinin në skenë kur kur gjërat përshkallëzoheshin – kur autoritetet nuk e përballonin dot më turmën.
Baballarët rrallë e dinin emrin e profesorëve, ose të paktën të atij që kishte në kujdestari klasën ku ishin fëmijët e tyre. Zakonisht nuk dinin se cilët profesorë kishin frikë fëmijët, nëse fëmija i tyre kishte probleme me disa lëndë dhe se nëse notat e këqija kishin filluar të shtoheshin si kërpudhat pas shiut – vetëm nëse tregonte nëna.
Baballarët shpesh dinin sipërfaqësisht interesat e fëmijëve të tyre, ndërsa nënat ishin kryesisht këshilltare.
Megjithatë, baballarët ishin më të përfshirë, nëse fëmijët e tyre – sidomos, dhe e theksoj këtë, djemtë e tyre – merreshin me sport. Atëherë mund t’i çonin me makinë në stërvitje ose në ndeshje, ose edhe mburreshin në ndonjë bar aty pranë pas shënimit të ndonjë goli.
Ata dinin shumë pak rreth miqve dhe zënkave të fëmijëve të tyre, jetët e tyre dashurore të suksesshme dhe më pak të suksesshme. Ata nuk duhej të shqetësoheshin; ky ishte rol i nënave. Ndërkohë, shumë prej nesh ata u kanë munguar në jetët e tyre, por pa e kuptuar tamam këtë.
Kur e mendoj, ata nuk ishin prindër, as baballarë, por Etër: figura simbolike të ngjashme me Zotin, të cilët shiheshin me frikë dhe respekt. Më shumë një autoritet ose totem sesa një prind, zemërimi i të cilit nuk duhej të provokohej. Ndoshta nuk i shikonit shpesh, por do ta ndienit së shpejti pasojat e blasfemisë tuaj.
Ndoshta është një krahasim idiot, por ne kemi pasur dhe ende kemi shumë etër në vendin tim. Shumë njerëz kanë Zotin si Atin e tyre, në vitet 1990 kishim presidentin Franjo Tuxhman, i cili gjithashtu shihej si një at – bashkë me politikanin e shekullit të 19-të Ante Starceviç, të cilit ende i referohen si “Ati i vendit”.
Nëse jeni ose keni qenë simpatizues i Jugosllavisë, kishit Josip Broz Titon, i cili u cilësua si “biri më i madh i popujve tanë”, por i cili në të vërtëtë ishte një at – për të cilin të rinjtë jugosllavë bënin një garë speciale me stafetë për ditëlindjen e tij.
Pra, mjaft me Etërit Themelues. Poshtë me Etërit në Kroaci dhe kudo tjetër dhe le të kemi etër të thjeshtë, baballarë, prindër. Ne duhet të punojmë për të forcuar baballarët si prindër aktivë dhe kjo është diçka që nuk do të ndryshohet me ndonjë konventë apo ligj.
Ka baballarë që do të donin të ishin më të përfshirë në jetën e fëmijëve të tyre dhe që nuk duhet të ndjekin dinamikën patriarkale sipas të cilës nënat kujdesen për fëmijët. Ndoshta atëherë gjykatat nuk do të ishin disi të padrejta kur do të vendosnin gjithnjë në favor të kujdestarisë për nënat – sepse “vendi i një fëmije është me nënën e tij”.
Ne duhet t’i mbështesim këto lloj nismash dhe t’i japim fund kulturën e Etërve. Gjërat po ecin ngadalë në atë drejtim. Miqtë që janë baballarë janë shumë më pak “Etër” tani – por duhet të kapim ritmin. Kur të bëhem baba, unë dua të kem sa më shumë rol është e mundur në jetën e fëmijës tim. Në rregull, vështirë se mund ta mësoj vajzën time se si të bëjë makijazh, por kam sy të mprehtë për detajet.
Do të bashkohesha me këdo, vërtet me këdo, që përkrah idenë e baballarëve si prindër të barabartë, që marrin pjesë në jetët e fëmijëve të tyre, që nga zemrat e thyera e deri te kockat e thyera, nga notat e këqija e deri te mësimet e baletit. Jo Etër të cilët i kanë frikë, por baballarë të dashur, prindër të barabartë me nënat.
Shpresoj të mos më duhet të pres shumë për këtë.