Gjergji Azisllari, oficer i policisë së Durrësit, u arrestua pas hetimeve të SHÇAB që gjetën se kishte dhënë vërtetim besueshmërie për Genti Nderjakun dhe një person tjetër, të cilët në fakt kishin precedentë penale. Azisllari akuzohet për “shpërdorim detyre”.
Nënkomisari i policisë së Durrësit Gjergji Azisllari u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa është gjetur nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave i Ministrisë së Brendshme përgjegjës për dosjen e bardhë që i mundësoi paisjen me armë Genti Nderjakut.
Nga hetimi rezultoi se Azisllari ka plotësuar raport pozitiv pa evidentuar asnjë të dhënë kriminale të Nderjakut dhe as shoqërinë e tij me persona të skeduar nga policia. Nderjaku i cili u arrestua disa ditë pasi mori leje arme sëbashku me Marjel Fjerzën, gjatë një kontrolli rutinë, ishte pajisur me armë në shkelje të ligjit, pasi nga verifikimet del se është person me precedent penal. SHÇBA zbuloi se i arrestuari “është person me rekorde kriminale, por kishte ndryshuar gjeneralitetet”.
“SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit kreu një hetim gati 2 javor për N/komisar Gjergji Azisllari, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në stacionin policor Plazh, Durrës. Ky punonjës ka përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin me rekorde kriminale G.N., i cili ishte pajisur me armë zjarri për në banesë”, thuhet në njoftimin e SHÇBA-së.
Ndërkohë sipas akuzës punonjësi i policisë Azisllari nuk ka kryer verifikimin në sistem dhe nuk ka ndjekur procedurat standarde të punës. “Gjatë hetimit ka rezultuar se po ky punonjës policie kishte përpiluar të njëjtin lloj vërtetimi edhe për shtetasin A.M., i cili gjithashtu rezulton me rekorde kriminale në të dhënat e Policisë së Shtetit”, njoftoi SHÇBA. Kjo e fundit bëri me dije se po kryente verifikime në të gjitha drejtoritë vendore të policisë për procedurat e lëshimit të lejeve të armëve.
Gerti Nderjaku u arrestua në fillim të muajit tetor së bashku me Marjel Fjerzën gjatë operacionit policorë të koduar “Vjeshtë 2017”, ndërsa iu sekuestruan edhe dy armë zjarri. Genti Nderjaku ishte pajisur me një pistoletë dhe 50 fishekë, por që sipas lejes mund t’i mbante vetëm në banesë ose te bizneset e tij. Ai u la i lirë nga gjykata që e konsideroi këtë shkelje administrative. Ndërsa Fjerza u arrestua pasi mbante armë pa leje.
Arrestimi i Nderjakut dhe fakti që kishte leje nga policia dhe të firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako, u pasua me debat publik dhe dyshime mbi mënyrat se si pajisen me armë me leje nga policia, personat civilë dhe verifikimet që bëhen në këto raste.