Investigim7 Aug 2017

Loja e dyfishtë e ish zv/drejtoreshës së doganave në kontrabandën e naftës ‘virgine’

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se ish zëvendës drejtoresha e përgjithshme e doganave Lula Njebza, një prej gjashtë të akuzuarave si pjesë e skandalit të kontrabandës me naftën virgine, tentoi në mënyrë të pasuksesshme të mbulonte gjurmët e kontrabandës që çonin tek kompania ‘Tea Construction & Petrol’ dhe krerët e lartë të doganave.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Fier
Printo

Ceromonia e prezantimin të kompanisë ‘Crown Agents’ në doganën e Tiranës | Foto nga : Twitter

Me 27 Maj 2015, një grup inspektorësh nga kompania britanike ‘Crown Agents’ – e kontrakuar nga qeveria shqiptare për t’i dhënë asistencë doganave në luftën kundër kontrabandës, udhëtoi nga Tirana drejt Ballshit me kërkesë të ish drejtoreshës së doganës së Fierit Lula Njebza (me herët zv/drejtoreshë e përgjithshme), për të inspektuar një depozitë hidrokarburesh (G 43), ku sipas të dhënave ndodhej e depozituar nje sasi e madhe nafte ‘virgine’ në pronësi të kompanisë Tea Construction & Petrol.

Por, për suprizë të grupit të inspektimit të udhëhequr nga britaniku Lea Nolan, këshilltar operacionesh për Crown Agents, stafi menaxhues i rafinerisë së Ballshit – në atë kohë e marrë me qira nga kompania ‘Deveron Oil’, deklaroi se ‘nuk kishte asnjë marrëdhënie me kompaninë Tea Construction & Petrol’.

Nolan u kthye një javë më vonë me një akt-kontrolli të ri në emër të ‘Deveron Oil,’ por drejtori i rafinerisë, shtetasi iranian Ali Hajirasouliha i konfirmoi grupit të inspektimit se depozita G-43 ishte bosh dhe kishte qenë e tillë që nga viti 2013-të.

“Kur arritëm te depozita G-43, dyert ishin të hapura dhe nuk gjetëm asgjë brenda, ishte bosh,” do t’i tregonte më vonë Nolan prokurorëve shqiptarë që po hetonin zhdukjen e 4.8 milionë litrave naftë ‘virgine’.

Edhe pse nuk kishte asnjë fakt që të provonte se Tea Construction & Petrol e kishte depozituar naftën në Ballsh, grupi i Crown Agents u përplas ashpër pas kthimit në Fier me drejtoreshën Lula Njebza, e cila insistonte se për naftën e zhdukur duhet të ndëshkohej kompania ‘Deveron.’

“Unë i shpjegova asaj se për shak të natyrës së shkeljeve dhe fakteve të rënda të rastit specifik, duhej informuar zyra hetimore në doagana,” kujton Nolan. “Lula më tha se nuk donte që të përfshihej zyra hetimore dhe as strukturat e tjera të doganave,” shtoi ai.

Pas debatit me Njebzën Nolan njoftoi kolegun e tij në Crown Agents, Drew Robertson, i cili të nesërmen udhëtoi drejt Fierit. Njebza e kishte kontaktuar Robertson nëpërmjet telefonit dhe kishte insistuar që ai të shkontë në Fier vetëm dhe të mos merrte me vete përfaqësues nga Departamenti Operativ Hetimor në Dogana.

“Kërkesa e saj mu duk shumë e çuditshme, sepse vetëm dikush që do të bëj diçka të pazakontë dhe ka diçka për të fshehur do të kërkonte që zyra hetimore e Doganës mos të përfshihej,” i tregoi më vonë prokurorëve Robertson.

“Kur takova Lulën ditën tjetër, për 1 orë e 20 minuta ajo insistoi se, për shkeljen doganore për sasinë e naftës që mungonte duhej të gjobitej Deveron Oil dhe jo Tea Contruction & Petrol,” shtoi ai, duke nënvizuar që “unë dhe skuadra e Crown Agents e kundërshtuam duke nënvizuar se nga dokumentet rezultonte se nafta e ishte e kompanisë Tea Contruction & Petrol.”

Pas  gati 1 orë e gjysmë debati, Robertson kujton se Njebza nxorri nga sirtari një dokument, që ishte një kopje dhe nuk kishte numër protokolli dhe ia tregoi. Pasi e pa dokumentin Robertson kuptoi se depozita G43 kishte qenë e mbyllur pëpara veprimeve doganore që përshkruheshin në atë dokument.

“E mora dokumentin dhe ia dhashë zyrës hetimore në dogana për ta çuar hetimin përpara, sepse ai dokument ishte pika e nisjes për të zbuluar aktet kriminale,” tha ai.

Pasi njoftoi Departamentin Operativ Hetimor, DOH, Robertson informoi dhe prokurorinë, e cila në Dhjetor 2015 urdhëroi arrestimin e Njebzës dhe 6 doganierëve. Në Maj 2016 Prokuroria e çoi çështjen për gjykim, duke akuzuar administratorin e kompanisë Tea Construction and Petrol, Adrian Xhillari për “fshehje të të ardhurave”, “mospagim i taksave” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Akuzë u ngrit edhe për ish kreun e Doganës së Tiranës Mirëarbër Teneqexhiu dhe ish zv/drejtoreshën e përgjithshme Lula Njebza, si dhe doganierët Alfred Bushi, Syrja Misiraj dhe Adrian Alikaj për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.

Të kontaktuar nga BIRN nëpërmjet mbrojtësve ligjorë, Adrian Alikaj, Alfred Bushi dhe Syrja Misiraj i mohuan akuzat, ndërkohë që avokatët e Teneqexhiut dhe Njebzës nuk iu përgjigjën një kërkese për koment. Avokati i Xhillarit, që është në arrati dhe nuk është ndaluar ende nga policia, gjithashtu i mohoi akuzat në emër të klientit të tij.

“Klienti im pretendon dhe insiston se është i pafajshëm,” tha avokati Maks Haxhia. “Presim drejtësinë të thotë fjalën,” shtoi ai.

Transporti fiktiv i naftës virgine

Kompania Tea Construction & Petrol është themeluar në Dhejtor të vitit 2006-të, duke pasur si objekt tregtimim me shumicë të naftës, varjave, mineraleve të papërpunuar dhe hidrokarbureve.

Sipas prokurorisë, Adrian Xhillari, në cilësinë e administratorit të shoqërisë Tea Construction & Petrol, ka blerë në Maj të vitit 2010 një sasi prej 5.65 milionë kg naftë virgine me vlerë 500 milionë lekë nga rafineria e Ballshit. Nafta ‘virgine’ është një mbetje teknologjike hidrokarbure që nuk mund të tregtohet dhe përpunohet në territorin e Shqipërisë që nga viti 1996 dhe është e destinuar për eksport.

Në Janar 2014 Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Tatim Paguesve të Mëdhenj dhe Dogana e Tiranës, kanë inspektuar depozitat e kompanisë në Kodër Mëzez në Tiranë për të verifikuar sasinë e naftës virgine që kompania kishte në gjëndje, e cila është vlerësuar nga grupi përbashkët i inspektimit në 4.4 milionë litra.

Sipas prokurorisë, pas inspektimit në Gusht 2014, Xhillari ka ndërtuar në bashkëpunim me të pandehurën Lula Njebza, në atë kohë zv/Drejtorëshë e Përgjithshme e Doganave dhe të pandehurin Mirëarbër Teneqexhiu, me detyrë Drejtor i Doganës së Tiranës, një skemë fiktive për zhvendosjen e sasisë së naftës të depozituar në Kodër Mëzez drejt depozitës G-43 në Ballsh, duke i mundësuar kompanisë Tea Construction & Petrol të hedhi në treg naftën virgine dhe të shmang detyrimet tatimore të akcizës.

Për të mundësuar transportimin e kësaj sasie të madhe nafte virgine brenda territorit të vendit, në Qershor të vitit 2014, Xhillari i është drejtuar me kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për një shtesë autorizimi për magazinën fiskale në Kodër Mëzez.

Praktika e shtesës së autorizimit është ndjekur dhe është miratuar nga ana teknike nga zv/Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave dhe Shefe e Departamentit të Akcizës, Lula Njebza. Menjëherë pasi ka siguruar statusin e magazinës doganore fiskale, Xhillari ka kryer dy kërkesa të tjera, një për heqjen e plumbçeve dhe tjetrën për transportimin e gjithë sasisë së naftës prej 4.4 milionë litra nga depozitat në Kodër Mëzez në Tiranë, për në magazinën doganore fiskale G-43 në rafinerinë e Ballshit.

Administratori i Tea Construction & Petrol është shpallur në kërkim nga Interpoli, pasi dyshohet se fshihet jashtë Shqipërisë

Ndonëse këto kërkesa, ndër të tjera i janë drejtuar edhe Departamentit Operativ Hetimor (DOH) në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ato nuk janë trajtuar asnjëherë nga ky department, por i janë dërguar për kompetencë nga ana e të pandehurës Njebza Degës së Doganës Tiranë.

Pasi Kryetari i Degës së Doganës së Tiranës, i pandehuri Mirëarbër Teneqexhiu ka nxjerrë urdhërin për heqjen e plumbçeve, Xhillari ka siguruar garancinë për riaktivizimin e magazinës fiskale G-43 në Ballsh, e cila rezultonte të ishte inaktive për shkak të skadimit të garancive të mëparshme në vitin 2013. Krijimi i këtyre kushteve i ka mundësuar Xhillarit nxjerrjen e sasisë prej 4.4 milionë litra naftë nga magazinat në Kodër Mëzez me qëllim për t’u hedhur në tregun e brendshëm në mënyrë të paligjshme.

Për të mbuluar këtë fakt dhe për të tregëtuar në mënyrë të paligjshme këtë sasi të madhe nafte virgine brenda territorit shqiptar, Xhillari ka depozituar pranë Degës së Doganës Tiranë 257 Dokumente Shoqërues Administriativë, DSHA, me përmbajtje fiktive, duke pretenduar se lënda është transportuar dhe depozituar në magazinën doganore fiskale G-43, në Ballsh.

Por, nga verifikimi e regjistrit të shoqërisë “A.K.F. Petroleum”, mjetet e të cilës janë marrë me qira nga Tea Construction&Petrol për transportimin e naftës virgine, ka rezultuar se këto mjete nuk e kanë kryer transportimin e produktit drejt Qarkut Fier, por në destinacione të tjera brenda vendit si Tropojë, Vlorë, Durrës etj.

Ndërkohë, fakti që vetëm tre muaj pasi është kryer ky transport i paligjshëm, Xhillari i është drejtuar me kërkesë Degës së Doganës Tiranë për mbylljen e magazinës doganore fiskale në Kodër Mëzez, në një kohë kur nuk kishte dorëzuar ende pasqyrat financiare dhe bilancet e vitit 2014-të, ka ngritur dyshimet e prokurorisë se marrja e statusit për këtë magazinë ka qenë me qëllim transportimin fiktiv dhe shmangien e pagimit të akcizës. Nga hetimet ka rezultuar se të ardhurat e përfituara prej shmangies së detyrimeve tatimore, të pagimit të akcizës në shumën 242.7 milionë lekë (rreth 2 milionë euro), Xhillari i ka përdorur për investime të ndryshme.

Përfshirja e doganierëve në kontrabandë

Hetimet kanë zbuluar se ka qenë e pandehura Lula Njebza ajo e cila ka trajtuar në vazhdimësi shkresat dhe kërkesat e paraqitura nga subjekti Tea Construcion&Petrol, lidhur me shtesën e autorizimit për t’i dhënë statusin magazinë fiskale depove në Kodër Mëzez. Ajo ka administruar kërkesat e Tea Construcion&Petrol drejtuar Departamentit të Akcizës dhe Departamentit Operativo-Hetimor duke mos i kaluar nga një kopje këtij të fundit.

“Gjatë kohës që unë kam punuar si zv/Drejtor i Përgjithshëm i Doganave dhe njëkohësisht Drejtor i Departamentit Operativ Hetimor nuk më është referuar në asnjë moment ndonjë informacion lidhur me këtë subjekt si dhe me faktin që do të kryhej lëvizja e mallit,” ka deklaruar përpara prokurorëve ish drejtori i DOH-së Admir Abrija.

Sipas prokurorisë, pasi Njebza i ka trajtuar personalisht këto shkresa, ia ka dërguar për kompetencë Degës së Doganës Tiranë, nga ku rezulton se ajo është interesuar personalisht që të përmbusheshin kërkesat për heqjen e plumbçeve dhe lëvizjen e produktit naftë virgine. Fillimisht Njebza ka hasur në kundërshtimin e Përgjegjësit të Zyrës së Akcizës, Gerand Ylli dhe kreut të Degës së Doganës së Tiranës, Drilon Bushati, të cilët kanë pretenduar se mungonte kushti i detyrueshëm për vendosjen e kontalitrave, ose njësive matëse në hyrje dhe në dalje të depozitave.

“Shtetasja Lula Njebza më ka marrë në telefon dhe më ka pyetur se çfarë po bëhëj me këtë shkresë. Pas këtij kontakti lidhur me këtë shkresë unë kam vënë re se Lula i ashpërsoi raportet me mua,” ka deklaruar Bushati.

Pak para se të niste transporti i paligjshëm i naftës virgin dhe krijimi i dokumentacionit fiktiv për të, me datë 2 Gusht 2014, Bushati është larguar nga detyra si kreu i Degës së Doganës së Tiranës dhe në vend të tij është emëruar i pandehuri Mirëarbër Teneqexhiu, i cili e ka siguruar këtë post edhe falë mendimit pozitiv që ka përcjellë e pandehura Njebza tek Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali.

Spiropali ka dëshmuar në prokurori se Njebza kishte një marrëdhënie të mirë me Teneqexhiun, ndërsa i ka propozuar dhe shkarkimin e shefit të zyrës së akcizës së Tiranës, Gerand Ylli.

“Para, gjatë dhe pas këta shtetas kanë pasur marrëdhënie shumë të mira midis tyre,” ka dekluar në porkurori Spiropali. “Është e vërtetë se Lula Njebza më ka kërkuar largimin nga detyra të shtetasit Gerand Ylli, dhe pasi kam parë dosjen personale të këtij shtetasi i cili kishte disa vite që punonte në DPD, kam vlerësuar se ky shtetas nuk duhet të lëvizte nga detyra,” ka shtuar ajo.

Menjëherë pas emërimit në krye te Degës së Doganës së Tiranës, Tenqeqexhiu ka kërkuar informacion për kërkesat e subjekti Tea Construcion&Petrol, të cilat nuk ishin zbatuar deri në atë kohë dhe ka urdhëruar verbalisht dy vartëse që të shkonin në magazinat fiskale në Kodër Mëzes që të hiqnin plumbçet me argumentin se subjekti kishte bërë kërkesë që të bënte pastrimin e tubacionit të depozitave.

Por, dy doganieret nuk kanë pranuar të kryejnë asnjë veprim pa pasur një urdhër me shkrim. Gjatë deklarimeve të tij, i pandehuri Teneqexhiu ka preteneduar se ka zbatuar vetëm ligjin, pasi sipas tij produkti ka qenë i mbuluar me garanci fiskale, por, nga hetimi janë zbuluar prova të tjera. Rezulton se më datë 19 Gusht 2014, subjekti Tea Construcion&Petrol  i ka kërkuar Degës së Doganës Tiranë kalimin e garancisë fiskale në Kodër Mëzez për në magazinën fiskale G-43 në rafinerinë e Ballshit.

Kreu i Crown Agents në Shqipëri gjatë një konference për shtyp me ish drejtoreshën e përgjithshme të doganave, Elisa Spiropali | Foto nga : LSA

Nga këqyrja e sistemit ka rezultuar se kalimi i garancive është realizuar nga Endri Dafa, një punonjës i Drejtorisë Teknike të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave më datë 18 Gusht 2014, një ditë para se subjekti të kryente kërkesën. Dafa ka deklaruar para hetuesve se ka qenë e pandehura Lula Njebza e cila në cilësinë e eprores i ka kërkuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë që të kryejë këtë veprim në sistem, duke i thënë se subjekti Tea Construcion & Petrol  kishte bërë kërkesë për kalimin e garancive.

“Në datë 18.08.2014, Lula më ka pyetur se çfarë u bë me atë kalimin e garancisë, nëse kisha filluar procedurën e kalimit të saj apo jo, pasi subjekti e kishte bërë kërkesën dhe e kishte nisur,” ka deklaruar Dafa. “Ajo më urdhëroi gjithashtu që në atë moment të nisja procedurën e kalimit të garancisë si dhe kalimin e artikullit virgin naftë nga depozitat në Kodër Mëzez ne atë në Ballsh,” ka shtuar Dafa.

Një tjetër fakt sipas prokurorisë, prej nga konkludohet se të pandehurit kanë tentuar të fshehin paligjshmërinë e kryer prej tyre, është edhe veprimi i kryer nga Njebza menjëherë pas emërimit të saj në detyrën e Kryetares së Degës së Doganës Fier, kur ajo ka miratuar programin e kontrollit për shoqërinë Deveron Oil Albania, për magazinën doganore G-43, në KPTHN-në e Ballshit.

Por, pasi grupi i kontrollit ka shkuar në terren, administratori i Deveron Oil, nuk ka pranuar të kryhej ky kontroll me argumentin se kjo depozitë nuk kishte qenë asnjëherë në pronësi apo në përdorim të subjektit që ai drejtonte. Për këtë arsye, Njebza ka bërë ndryshim të planit të kontrollit drejtuar shoqërisë Tea Construcion & Petrol. Ajo ka deklaruar para hetuesve se sapo kishte nisur punën si kryetare e Degës së Doganës Fier ka konstatuar se DSHA-të e shoqërisë Tea Construcion & Petrol nuk ishin të mbyllura në sistem dhe se për këtë arsye ka urdhëruar kryerjen e kontrollit tek ky subjekt.

Lidhur me konstatimet e grupit të kontrollit më datë 2 Qershor 2015 dhe se cili subjekt duhej të penalizohej, e pandehura Njebza ka deklaruar para hetuesve se ka mbajtur qëndrim konstant se subjekti që duhej të penalizohej ishte shoqëria Tea Construcion&Petrol. Por, të tjerë zyrtarë të doganave dhe pjestarët e grupit të Crown Agents gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e Degës së Doganës Fier, kanë theksuar se qëndrimi i Njebzës ka qenë që të penalizohet subjekti Deveron Oil, me pretendimin se produkti ndodhej në magazinën që administrohej nga ky subjekt.

Sipas deklaratave në prokurori të shtetasit Arlind Lagji, me detyrë përgjegjës i zyrës së akcizës në Degën e Doganës Fier, Njebza ka insistuar gjatë takimit me grupin e inspektimit të Crown Agents që të ndëshkohej kompania Deveron Oil për naftën e kontrbanduar.

“Pasi u konstatua fakti që në depozitën G43 nuk u gjend sasia e artikullit  virgin naftë që duhet të ndodhej, përpara se të plotësohej procesverbali i konstatimit të shkeljes doganore dhe të merrej vendimi, u diskutua ndërmjet kryetares së degës doganore Lula Njebza, Crown Agents, mua dhe grupit të punës, se cili subjekt duhet të sanksionohej për shkeljen doganore,” ka thënë Lagji.  “Unë kam shprehur mendimin dhe opinionin tim që ligjërisht duhet të sanksionohej subjekti Tea Construction & Petrol, mendim ky që e mbështeti dhe Crown Agents, ndërsa Lula Njebza diskutoi nëse mund të sanksionohej subjekti Deveron Oil Albania, pasi malli gjendej në magazinën e vendosur në territorin e tij,” shtoi ai.

Të tjera fakte që kanë kompromentuar të pandehurën Lula Njebza janë edhe deklarimet e saj dhe verifikimi i vërtetësisë së tyre. Ajo ka deklaruar para hetuesve se nuk ka pasur dijeni rreth transportit të lëndës naftë virgin nga subjekti Tea Construcion&Petrol  në muajin Gusht të vitit 2014 dhe se nuk ka pasur njohje me administratorin e kësaj shoqërie, Adrian Xhillari dhe se as nuk ka kryer komunikime telefonike. Gjatë deklarimeve të tjera, ajo ka ndryshuar qëndrim përsa i përket dijenisë së transportit të naftës dhe ka pohuar se ka komunikuar personalisht me të pandehurin Teneqexhiu për ta udhëzuar se si duhej të kryheshin procedurat për transportin e kësaj lënde.

Nga këqyrja e tabulateve telefonike ka rezultuar se midis të pandehurve Njebza e Xhillari ka pasur 24 komunikime telefonike nga data 13 deri më datë 21 Gusht 2014, ndërsa midis Xhillarit dhe Teneqexhiut ka pasur 15 biseda telefonike në muajin Shtator 2014. Sipas prokurorisë, Teneqexhiu ka dhënë urdhër që magazina doganore e Kodër Mëzezit të mos ruhej me pretendimin se produkti ishte i matur dhe i mbuluar me garanci fiskale.

Por, sipas legjislacionit dhe rregullores për transportimin e 4.4 milionë litra naftë vrigine duhej të viheshin në dijeni Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të merreshin masa paraprake nga Drejtoria e Antikontrabandës për shoqërimin e produktit dhe minimalisht të ishte njoftuar Dega e Doganës Fier si doganë pritëse për marrjen në dorëzim të tij.

Prokuroria ka pasur gjithashtu dyshime se lëvizjet në organikë nga ish Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali, e cila në datën 13 gusht 2014 – 1 ditë para se të hiqeshin plumbçet e depozitave të Tea Construction & Petrol në Kodër Mëzez – ka urdhëruar largimin nga detyra të Përgjegjësit dhe Drejtorit të Sektorit të Antikontrabandës.

Spiropali ka deklaruar në prokurori se lëvizja nga detyra e krerëve të Antikontrabandës ka qenë ‘një lëvizje paralele,” në kuadër të riorganizimit të DPD-së.

“Fakti që data e lëvizjës paralele korrespondon me lëvizjen e produktit është krejt rastësi,” është mbrojtur Spiropali.

Prokuroria pretendon se transporti i naftës virigina nga Kodër Mëzezi është udhëzuar, urdhëruar dhe lejuar nga Njebza dhe Teneqexhiu, në një kohë kur që prej vitit 1996 është e ndaluar me ligj që të përpunohet në vend nafta virgin. Këto veprime janë kryer në datat 13-14 Gusht 2014, kur përgjegjësi i Zyrës së Akcizës së Tiranës Gerand Ylli është larguar për kontroll me urdhër të Njebzës, pasi nuk kishte pranuar heqjen e plumbçeve dhe transportimin e naftës nga magazinat në Kodër Mëzes pa u instaluar më parë kontalitrat nga subjekti.

Pasi përgjegjësi i Zyrës së Akcizës ka marrë dijeni për ç’ka ndodhur i ka kërkuar Teneqexhiut që të kryenin mbikëqyrjen e kësaj lëvizjeje por nuk ka marrë miratimin e tij, me pretendimin se ishin DSHA me pezullim dhe nuk krijonin të ardhura për Degën e Doganës Tiranë.

“Ai më tha shiko DSHA-të të cilat japin rezultate,” kujton Ylli.

Sipas prokurorisë, Njebza dhe Teneqexhiu duke rakorduar veprimet me njëri-tjetrin në datat 13, 14, si dhe 15- 21 Gusht 2014 e në vijim kanë lejuar dhe mundësuar me dashje lëvizjen e sasisë 4.4 milionë litra naftë virgine nga magazina doganore fiskale në Kodër Mëzez.

Në dosjen e organit të akuzës thuhet se Njebza dhe Teneqexhiu kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin e aktet nënligjore në fuqi, me rregulloren dhe detyrat e tyre funksionale me dijeni për faktin, duke tentuar të bënin përgjegjës shoqërinë Deveron Oil Albania dhe jo të pandehurin Adrian Xhillari dhe kompaninë që ai administronte, për hedhjen për tregëtim në mënyrë të paligjshme të sasisë prej 4.4 milionë litra naftë virgine. Prokuroria pretendon se dy të pandehurit e sipërcituar e kanë shpërdoruar detyrën me dashje dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Prokuroria e Fierit akuzon edhe tre punonjës të Degës së Doganës Fier, përkatësisht, Syrja Misiraj, me detyrë si doganier mbikëqyrës i subjektit Tea Construcion&Petrol, Alfred Bushi, në cilësinë e Përgjegjësit të Sektorit të Akcizës dhe Regjimeve pranë Degës së Doganës Fier dhe Adrian Alikaj, në detyrën e doganierit pranë Sektorit të Akcizës në Degën e Doganës Fier.

Sipas prokurorisë, nga provat e analizuara, rezulton se Adrian Alikaj, me dashje direkte ka mbajtur dhe ka hartuar në cilësinë e doganierit dhe në emër të Degës së Doganës Fier dokumentin “Procesverbal”, të datës 21 Gusht 2014, për plumbosjen e magazinës doganore fiskale G-43 në KPTHN Ballsh, duke paraqitur në këtë procesverbal faktin e rremë se në këtë datë kishte mbërritur aty produkti naftë virgine nga shoqëria Tea Construcion&Petrol.

Sipas ish drejtorit të Degës së Doganës Fier, Dritan Çekani, Alikaj kishte një marrëdhënie miqësore me Lula Njebzën, dhe ajo kishte ndikuar që ai të merrej në punë në doganën e Fierit.

“Lula më tha që Adrianin e kam mik shpie dhe më kërkoi ta merrja në punë atë pranë doganës në Fier, dhe më pas ai u emëruar doganier akcize në Fier,” ka deklaruar Çekani.

Gjithashtu doganieri i Degës së Doganës Fier, Ermal Çani, gjatë marrjes në pyetje, ka paraqitur një ekstrakt nga adresa e postës elektronike vloraseawayspetrol@gmail.com, e cila, sipas prokurorisë, ka qenë në përdorim të të pandehurit Adrian Alikaj, ku në përmbajtje të këtij ekstrakti gjenden disa mesazhe në adresë të postës elektronike info@teaoilgroup.net me datë 28 Maj 2015, ku paralajmërohet kjo shoqëri që të marrë masa për kontrollin që do të zhvillohet nga Dega e Doganës Fier dhe grupi i Crown Agents.

“Shikoni dokumentat pasi e ka marrë në dorë kompania angleze këtë kontroll dhe për njohjen që kam me Xhillarin po ju njoftoj,” shkruan Alikaj në emailin drejtuar Tea Construction & Petrol.  “Kemi bërë një procesverbal vjet që e ka marrë Tarioni, prandaj doja të komunikoja, e kemi bërë te depozitat në Ballsh,” shton ai.

Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Misiraj, me cilësinë e doganierit mbikëqyrës ka kryer veprimin e heqjes së plumbçes së sigurisë së saraçineskës hyrëse të magazinës doganore fiskale G-43 në KPTHN Ballsh më datë 15 Gusht 2014, pa asnjë urdhër e pa kërkesë paraprake me shkrim të subjektit që përdorte ose posedonte këtë magazinë që duhej të miratohej nga Kryetari i Degës Doganore. Prokuroria pretendon se Misiriaj, në këtë mënyrë, me veprime aktive dhe me mosveprime, i ka dhënë udhë transportit fiktiv të produktit naftë vrigine të shoqërisë Tea Construcion&Petrol, më datë 15 gusht 2014 e në vijim, duke shpërdoruar detyrën.

Ndërsa i pandehuri Alfred Bushi është akuzuar nga prokuroria se ai me dashje ka mbajtur qëndrim mosveprues në kundërshtim me ligjin, duke sjellë si pasojë skadimin e garancive ende të vlefshme në sistem për transportimin fiktiv në naftës virgin, si edhe lejimin e gjendjes së kundërligjshme të kryer nga i pandehuri Adrian Xhillari. Sipas organit të akuzës, Alfred Bushi, në cilësinë e Përgjegjësit të Sektorit të Akcizës dhe Regjimeve pranë Degës së Doganës Fier, ka pasur si detyrë fuknsionale të kryente rakordimin e evidencave për gjendjen e naftës virgin në magazinën G-43.

Ping-pongu gjyqësor

Çështja kundër 6 të pandehurve është regjistruar fillimisht në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier. Në fazën paraprake të gjykimit të pandehurit Alikaj, Bushi dhe Misiraj, kanë kërkuar që çështja në ngarkim të tyre të zhvillohet me gjykim të shkurtuar dhe për këtë arsye gjykata ka vendosur ndarjen e çështjes ndaj tyre.

Pas kërkesës së avokatit të të pandehurit Xhillari, Gjykata e Fierit me 3 Shkurt 2017 ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Adrian Xhillari, Lula Njebza dhe Mirëarbër Teneqexhiu dhe kalimin e kësaj dosje për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ndaj këtij vendimi ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë Prokuroria e Rrethi Gjyqësor Fier, e cili ka kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës, por kjo kërkesë është rrëzuar nga Gjykata e Lartë.

Me 18 Korrik 2016, Gjykata e Fierit vendosi dënimin e të pandehurit Syrja Misiraj me 1 vit burgim dhe të pandehurin Alfred Bushaj me 10 muaj e 20 ditë burgim. Gjykata gjithashtu vendosi pezullimin e këtyre dënimeve dhe konvertimin e tyre me shërbim prove. Pas apelimit të çështjes, Gjykata e Apelit Vlorë ka vendosur më 3 Mars 2017 pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurit Alfred Bushi duke e cilësuar të pafajshëm dhe lënien në fuqi të dënimit për të pandehurin Misiraj.

Avokati mbrojtës i të pandehurit Alfred Bushi, i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit Vlorë deklaroi për BIRN se klienti i tij nuk ka pasur asnjë përgjegjësi për atë çfarë mund të ketë ndodhur.

“Klienti im, Alfred Bushi, ka qenë me leje vjetore që prej datës 11 Gusht 2014 deri më datë 26 Gusht 2014, periudhë kohore në të cilën prokuroria pretendon se janë kryer veprimet e paligjshme. Ndërkohë, kur është kthyer në punë, as vartësit dhe as eprorët nuk e kanë lajmëruar për veprimet e kryera,” tha avokati Edmond Dema.

“Nuk është njoftuar nga vartësit e tij as për çplumbosjen dhe as për plumbosjen e magazinës. Për këto arsye ai nuk ka asnjë lidhje apo përfshirje me atë çka mund të ketë ndodhur dhe për pasojë nuk ka asnjë lloj përgjegjësie penale,” shtoi Dema.

Ndërsa avokati mbrojtës i të pandehurit Syrja Misiraj, i tha BIRN se, meqënëse çështja ndaj kilentit të tij është nisur për gjykim në Gjykatë të Lartë, nuk do të komentonin “pasi do lënë gjykatën të shprehet në mënyrë përfundimtare.”

Ndryshe nga Misiraj dhe Bushi, ish doganieri Adrian Alikaj ka kërkuar revokimin e gjykimit të shkurtuar dhe çështja në ngarkim të tij po shqyrtohet aktualisht në Gjykatën e Fierit.

I kontaktuar nga BIRN, Adrian Alikaj ka mohuar që të ketë shkelur ligjin gjatë procedurës së plumbosjes së magazinës G-43 më datë 21 Gusht 2014.

Ai ka deklaruar se procesverbali që ka mbajtur më datë 21 Gusht 2014 ka paraqitur situatën reale të produktit naftë virigin në depoziten G 43, që sipas tij ka qenë rreth 20,000 litra dhe jo 4.8 milion litra, siç shkruhet në procesverbalet e sekuestrua nga prokuroria në kompanitë Tea Contruction & Petrol dhe Deveron Oil- të cilat sipas tij janë dokumente të paprotokolluara në Degën e Doganës Fier.

Gjykata e Fierit ka shpallur moskompetencë toksore për të pandehurit Xhillari, Njebza dhe Teneqexhiu | Foto nga : Flickr/Ssalonso

Alikaj sqaroi se ka kërkuar revokimin e gjykimit të shkurtuar, pasi prokuroria ka paraqitur fotokopje të procesverbaleve pa vulë të njomë, të cilat nuk mund të konsiderohen prova. Kjo, pasi sipas Alikajt, procesverbali që është nënshkruar prej tij ‘do të jetë grisur’ nga personat që kanë kryer këtë aferë.

“Ky proces verbal duke paraqitur situatën reale të depozitës G 43 (sasinë prej 20 000 litra dhe jo atë prej 4,8 million litra) është grisur pasi nuk i ka interesuar personave të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre lejuan lëvizjen fiktive të produktit virgin nafta nga data 15 Gusht 2014 deri në datën 21 Gusht 2014, datë në të cilën u gjend e paplumbosur depozita G 43,” tha Alikaj.

“Nga veprimet dhe mosveprimet e dy prokurorëve duket qartë fakti që këta përfaqësues të organit të akuzës nuk kanë patur si qëllim zbardhjen e çështjes por mbrojtjen e hajduteve të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre lejuan lëvizjen fiktive të produktit virgin nafta nga subjekti Tea Construction & Petrol,” shtoi ai.

Alikaj po gjykohet aktualisht i akuzuar për falsikim dokumentesh në gjendje të lirë në Gjykatën e Fierit, ndërsa Gjykata e Tiranës pritet të vendosë mbi marrjen ose jo të kompetencës tokësore për shqyrtimin e çwshtjes ndaj Xhillarit në mungesë nën masën e sigurisë “arrest në burg” dhe ndaj Njebzës e Teneqexhiut të cilët po gjykohen në gjendje të lirë.

Masat arrest me burg kundër dy ish krerëve të doganës, të dhëna nga Gjykata e Fierit në Dhjetor 2015-të, janë rrëzuar nga Gjykata e Lartë në Mars 2016-të. Ndërsa biznesmeni Xhillari vazhdon të jetë në arrati dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi besohet se fshihet jashtë territorit të Shqipërisë.