Analize14 Jan 2021

Masat kundër koronavirusit dëmtuan industrinë e dasmave në Lezhë

Lokalet dhe sallat e dasmave në zonën e Lezhës, të cilat i shërbejnë traditës sipas të cilës gëzimet ndahen me shumë miq dhe familjarë, ankohen se masat parandaluese kundër COVID-19 nuk u zbatuan njëlloj në të gjithë vendin.

Autor: Elvis Hila BIRN Lezhë
Printo

Sallë dasmash në Lezhë ” Foto nga : Elvis Hila

Zef Beka, një këngëtar me origjinë nga Tropoja i adoptuar prej dekadash nga zona e Lezhës, e ka ndërtuar karrierën e tij duke u mbështetur në repertorin e gjerë të këngës popullore të Veriut dhe gëzimet familjare që janë skena e tij kryesore.

Megjithatë, ndryshe nga vitet e tjera kjo skenë nuk ka kumbuar njëlloj gjatë 2020-tës për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri dhe masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Referuar një deklarate të ministrit Blendi Klosi se do lejohen dasmat pas 25 qershorit me numër të kufizuar personash, unë nisa të marr masa për ti bërë ato që kisha të prenotuara,” kujton Beka, i cili është pronari i dy sallave në Lezhë.

“Fundjavën e para që nisa të organizoi dasma me erdhi policia dhe me gjobiti 10 milionë lekë të vjetra,” tregoi ai.

Beka i tha BIRN se pas gjobës është detyruar të anulojë prenotimet për 80 dasma, por theksoi se akti normativ i qeverisë nuk është zbatuar njëlloj në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ka pasur selektivitet.

“Por të gjitha këto dasma që unë kisha i kanë organizuar në Laç, Rrëshen apo Shkodër, çka do thotë se akti normativ nuk është zbatur kudo,” tha Beka.

“Humbja financiare për mua ka qenë shumë e madhe e ndonëse vijoj të paguaj taska,” tha ai, ndërsa shtoi se “asnjë mbështetje nuk e kam marr nga shteti.”

Që nga shpërthimi i pandemisë në mars, në Shqipëri 65334 persona janë prekur nga COVID-19, ndërsa 1256 pacientë kanë humbur jetën.

Për të parandaluar shpërndarjen e virusit, qeveria ka ndërmarrë disa herë masa shtrënguese nëpërmjet akteve normative, përfshirë mbylljen e bizneseve të bareve dhe restoranteve në muajt mars-prill dhe më pas lejimin e aktivitetit të tyre nëpërmjet një protokolli strikt, ku përfshihet rregulla përsa i përket higjienës, distancimit fizik, muzikës, orarit të operimit, etj. Shkelja e këtyre rregullave është shoqëruar me masa administrative ndëshkuese.

Autoritet shëndetësore i kanë identifikuara dasmat dhe festat familjare me shumë të ftuar si aktivitete të rrezikshme nga ku koronavirusi përhapet masivisht.

Që prej nisjes së pandemisë së COVID-19 në muajin mars e deri në fund të dhjetorit, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në Lezhë ka realizuar 17,046 inspektime dhe janë vendosur 14 masa administrative ndaj bizneseve për shkelje të akteve normative që synojnë të parandalojnë përhapjen e koronavirusit të ri.

“Që me hyrjen në fuqi të aktit normativ për mospërhapjen e koronavirusit ne kemi qenë në monitorim të vazhdueshëm për zbatueshmërinë e këtyre masave të përcaktuara,”  kryeinspektorja e ISHSH-së në Lezhë, Laureta Prendi

“Përgjatë kësaj periudhe kemi gjetur 14 subjekte në shkelje të ligjit dhe i kemi vendosur masa administrative ndaj tyre për mos respektim të masave antikovid,” shtoi ajo.

Sipas Prendit masat administrative që janë vendosur për shkelje të akteve normative, luhaten nga 50 mijë lekë deri në 500 mijë leke dhe pjesë e ndëshkimit kanë qenë kryesisht biznese që kryejnë aktivitet tregtar.

Ajo shtoi se të gjitha subjektet e ndëshkuara kanë patur kundërshti në lidhje me masat administrative të vendosura dhe për këtë kanë ndjekur rrugën e ankimit në mënyre ligjore. Sipas Prendit gjatë kësaj periudhe ISHSH ka treguar se, në bashkëpunim me policinë ka kapacitete të mjaftueshme për të mundësuar zbatimin e akteve normative që synojnë parandalimin e COVID-19 në Lezhë.

“Gjatë kësaj periudhe ISHSH Lezhë ka treguar se ka kapacitete të mjaftueshme për mbajtjen e kësaj situate nën kontroll, bashkëpunimi më strukturat e policisë është realizuar sipas akteve normative për marrjen e masave anti-covid për bashkëpunimin ndërinstitucional,” tha Prendi

Administratori i një prej subjekteve të gjobitura nga ISHSH, i cili preferoi të fliste në kushtet e anonimatit, i tha BIRN se i ishte drejtuar gjykatës për ta kundërshtuar gjobën, pasi akti normativ i qeverisë ka qenë i paqartë.

“Unë mendoj se ka patur shumë paqartësi në lidhje me aktin normativ, pra nuk na është shpjeguar qartë se cilët biznese duhet të qëndronin hapur apo edhe leja që duhej të merrnim,” tha sipërmarrësi nga Lezha.

“Në këto kushte unë e kam ankimuar në gjykatë masën administrative që më është vendosur dhe kam shumë shpresë që de dalë e vërteta,” shtoi ai.

Martin Bezhi, pronar i një lokali tjetër dasmash ankohet se nga autoritetet ka pasur selektivitet dhe se vetëm lokalet në Lezhë nuk janë lejuar të organizojnë dasma.

“Na janë vërsul policia duke na gjobitur e mos na lejuar të organizojmë dasma,” tha ai, ndërsa shtoi se vetëm Lezha është diskriminuar në këtë drejtim.

Sipas Bezhit një ndalim i ngjashëm i dasmave nuk është bërë në Laç apo në Rrëshen, bashki që janë në territorin e të njëjtit qark.

“Atje janë zhvilluar dasmat thuajse në të gjitha lokalet dhe kjo më duket diçka e padrejtë,” theksoi ai.

Nga fundit i muajit korrik e deri në fund të gushtit në Lezhë u vendosen një numër i konsiderueshëm gjobash për lokalet që u gjeten duke organizuar dasma, por më vendim qeverie këto masa administrative më pas u falën.

Megjithatë, sipas Bezhit masat administrative janë vetëm një fraksion i dëmit që iu shkaktuar biznesit të lokaleve të dasmave në Lezhë nga pandemia dhe vendimet që qeveria mori kundër saj.

“Mirë që s’na lejuan të punojmë, por s’na dhanë asnjë mbështetje financiare e ne po shkojmë drejt falimentit, pasi edhe e ardhmja është e pasigurt,” përfundoi ai.