Reportazh4 Aug 2020

Mbyllur nga COVID-19; pandemia gjunjëzon biznesin e vogël në Shkodër

Rënia e fuqisë blerëse, mungesa e turistëve dhe kufizimet e vendosura mbi bizneset për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri, i kanë detyruar shumë sipërmarrës në bashkinë e Shkodrës të pezullojnë aktivitetin dhe të tjerë të shkurtojnë stafin.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Kalaja e Shkodres që mban emrin Rozafa, e ngritur mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit në hyrje të qytetit të Shkodrës | Foto : LSA

Epidemia e koronavirusit të ri SARS-CoV-2, ka përkeqësuar dukshëm situatën ekonomike e sociale në Shkodër, duke sjellë rritje të numrit të të papunëve apo bizneseve të vogla të cilat kanë mbyllur aktivitetin – ndërsa qyteti verior renditet i dyti pas Tiranës për numrin e të prekurve dhe viktimave nga COVID-19.

Sipas të dhënave zyrtare nga marsi deri në qershor 2020, janë 166 subjekte që kanë deklaruar pezullim e aktivitetit pranë zyrë së Tatim Taksave, ndërsa nga 4600 biznese të vogla në Shkodër gati gjysma e tyre nuk kanë punuar fare gjatë periudhës së pandemisë.

Kreu i sindikatës së pavarur në Shkodër, Albert Tukaj shprehet për BIRN se ndihma për punonjësit e bizneseve të vogla nga shteti nga qenë minimale.

“Përfitimi nga shteti ka qenë minimal pasi kryesisht pagën e luftës e kanë marrë punonjësit e fasonerive apo ato që janë të punësuar në biznese të mëdha, sipas listave që kanë dërguar administratorët e këtyre bizneseve,” tha Tulkaj.

Tregtarët shprehen se për shkak të situatës së krijuar nga emergjenca shëndetësore, ka pasur një rënie të ndjeshme të shpenzimeve nga konsumatorët; ndërsa të ardhurat nga turistët e huaj thuajse janë zhdukur për shkak të bllokimit të kufijve.

Rënia e konsumit dhe e turizmit po sjell një efekt zinxhir që shtrihet nga fermerët e deri të bizneset e shërbimit – të cilat të vendosura në vështirësi janë detyruar të shkurtojnë personelin.

E sikur të mos mjaftonte ekonomia në rënie, Shkodra përballet dhe me një numër të lartë të prekurish dhe viktimash nga COVID-19.

Sipas burimeve zyrtare nga Prefektura deri më 27 Korrik 2020 në bashkinë Shkodër janë të identifikuar infektuar nga koronavirusi 389 pacientë, nga të cilët 45 janë aktivë, ndërsa kanë humbur jetën 30 persona, nga të cilët 18 me COVID19 dhe 12 me COVID-19 por dhe me diagnoza tjetër shoqëruese.

Në rrugët e Shkodrës vërehen mjaft ambiente të mbyllura në të cilët është vendosur tabela “Jepet me qira”, ose “Mbyllur nga COVID-19 “.

Edhe ato biznese që qëndrojnë hapur dhe vazhdojnë aktivitetin shprehen se fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm pasi njerëzit shpenzojnë më pak, sepse edhe ato që kanë punë nuk kanë siguri për të ardhmen.

“Ka rënie të blerësve, blejnë më pak,” ankohet Paulin Marku, i cili prej 25-vjetësh shet fruta dhe perime. “Nëse më parë dikush blinte dy a më shumë produkte, tani blen vetëm një dhe më pak në sasi,” shtoi ai.

Problemet ekonomike kanë prekur dhe fermerët. Ato ankohen se prodhimi shitet pak – si me shumicë ashtu edhe me pakicë, pasi kanë rënë blerjet.

Kujtim Plangaj, një fermer në fshatin Boks të njësisë administrative të Postribës, i cili prej 30 vitesh merret me kultivimin e qepës, thotë se  këtë vit prodhimi është i bollshëm, por çmimi tepër i ulët bën që të mos nxjerrë dot as shpenzimet e mbjelljes dhe punës së punëtoreve.

Baret e kafenetë e hapura pas periudhës së izolimit po hasin gjithashtu në vështirësi dhe kanë shkurtuar personelin.

Indrit Mani tregon se ka qenë i punësuar në një lokal në lagjen ‘Tre Heronjtë’ para izolimit. Kur u rihapën bizneset filloi punën por pas një muaji pronari i thotë se ai bashkë me një tjetër duhet të largoheshin pasi do kishte shkurtim personeli.

“Duke qenë se jemi në verë shkova për të punuar në plazhin e Velipojës dhe nisa punë si kamarier,” tregon Mani. “Por para pak ditësh dhe aty e ndërpreva punën, pasi pronarit i ra ndjeshëm frekuentimi pasi u mbyll muzika natën,” shtoi ai.

Për shkak të përhapjes së COVID-19, këtë vit numërohet një numër tejet i ulët i turistëve të huaj që kanë kërkuar informacione pranë zyrës së informimit turistik në qytetin e Shkodrës.

Përgjegjësi i kësaj zyre, Renato Lumçi thotë se gjatë kësaj periudhe interesimi i turistëve për të kërkuar informacione në lidhje me pikat turistike dhe guidat e ndryshme pothuajse ka qenë zero.

Nga 2500 turistë që ka patur vitin e kaluar, tashmë në muajin korrik – që është piku i sezonit turistik, numërohen vetëm 25 turistë që janë paraqitur pranë zyrës së informcionit.

Të vetmit që kanë vizituar Shkodrën në këtë sezon veror kanë qenë turistët vendas si dhe një numër i vogël shtetasish nga Kosova.

Behar Asllani, pronar i një lokali në Velipojë shprehet se aktiviteti i tij gjatë muajit qershor ishte thuajse i zbrazët, ndërkohë që shumë sipërmarrës po shpresonin që korriku dhe gushti të ishin më fitimprurës.

Fatkeqësisht, edhe pse në korrik pati një rritje të aktivitetit në krahasim me muajin e mëparshëm, akomodimet në Velipojë mbetën rreth 30% të kapacitetit, duke e shtyrë Asllanin të bënte shkurtime të stafit.

“Në lokal u vendosën më pak tavolina për shkak të distancimit, por darkave me muzikë live kishte frekuentim,” shpjegoi Asllani, ndërsa shtoi se “tani që kjo u ndërpre, çdo natë në lokalin tim nuk zihen më shumë se dy tavolina.”

Sipërmarrësi nga Velipoja është detyruar të largoj nga puna dy kamerierë, një banakier dhe një ndihmës kuzhinier.

“Nuk i përballoj shpenzimet,” tha ai. “Shpresoj disi tek muaji gusht por duket se ky vit po shkon me humbje, se për fitim nuk bëhet fjalë,” përfundoi Asllani.