Interviste25 Jun 2018

Ministri i jashtëm i Hungarisë: “Ne jemi një vend anti-emigracion”

Në një intervistë me BIRN, Peter Szijjarto mbron lëvizjet e Hungarisë që shënjestrojnë OJQ-të që ndihmojnë refugjatët dhe emigrantët, vlerëson trajtimin që Serbia i bën pakicave dhe thotë se nuk e kupton përse BE-ja po zvarrit anëtarësimin e Malit të Zi.

Autor: Sven Milekic BIRN Zagreb
Printo

Ministri i jashtëm hungarez Peter Szijjarto. Foto: Youtube.

Ndërsa Hungaria miraton ligje që penalizojnë organizatat që ndihmojnë emigrantët dhe refugjatët, ministri i jashtëm hungarez nga partia qeverisëse Fidesz tha për BIRN se Hungaria është një vend “anti-emigracion”.

Szijjarto, 39 vjeç, thotë se çështja e emigrantëve dhe refugjatëve është në krye të axhendës së Hungarisë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me fqinjët e saj, së bashku me pozitën dhe statusin e hungarezëve që jetojnë në rajon.

Ministri i jashtëm vlerësoi marrëdhëniet me Serbinë nën udhëheqjen e presidentit Aleksandër Vuçiç, por tha se marrëdhëniet me Kroacinë mbetën “të helmuara” nga mosmarrëveshja mbi kompaninë kroate të energjisë INA.

Organizatat “pro-emigrantëve” duhet të etiketohen si të tilla

Szijjarto foli me BIRN më 18 qershor gjatë një konference në Këshillin e Europës në Strasburg, vetëm pak ditë pasi aktivistët pro-qeveritarë po ngjisnin letra ku shkrihej: “Një organizatë që mbështet emigracionin” para zyrave të OJQ-ve të ndryshme të të drejtave të njeriut në Budapest.

Hungaria miratoi një sërë ligjesh që kriminalizojnë personat që ndihmojnë azilkërkuesit më 20 qershor.

Letrat u ngjitën në dyert e OJQ-ve në të gjithë Budapestin nga politikanë dhe aktivistë të partnerit të vogël të koalicionit qeverisës, Partisë Popullore e Kristian Demokratëve.

“Organizatat në favor të emigracionit nuk duhet ta fshehin këtë fakt dhe nuk duhet të habiten nëse dikush e thekson këtë,” tha Szijjarto, duke e mbrojtur veprimin.

I pyetur nëse një afishe e ngjashme do të ngjitej para zyrës së BIRN – nëse do ta kishte një zyrë në Budapest – Szijjarto u përgjigj duke pyetur nëse BIRN ishte “pro-emigracionit”.

“Ne kemi një debat të hapur këtu midis qeverisë dhe organizatave që e konsiderojnë veten OJQ, edhe pse unë nuk jam i sigurt nëse “jo” –ja është e përshtatshme apo jo,” tha ai.

“Kemi një debat me organizatat ndërkombëtare mbi çështjen e emigracionit. Ne jemi një vend kundër emigracionit dhe ne jemi stigmatizuar shumë herë në mënyra të ndryshme në mediat ndërkombëtare, po ashtu edhe me akuza të padrejta,” shtoi Szijjarto.

Szijjarto tha se shumë OJQ ishin “armiqësore ndaj Hungarisë” dhe kishin “vepruar si parti opozitare” gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në prill.

“Ato bënë haptazi fushatë kundër qeverisë për çështjen e emigracionit,” këmbënguli ai.

“Unë mendoj se këto organizata, të cilat janë aq shumë në favor të transparencës dhe të qenit të hapur, duhet të pranojnë se ato konsiderohen organizata pro-emigracionit në Hungari. Kjo nuk është kanosje,” vazhdoi ai.

Asnjë emigrant i paligjshëm nuk mund të hyjë në vend

Hungaria është kritikuar ndërkombëtarisht për qëndrimin e saj mbi emigracionin, sidomos për refuzimin e saj për të pranuar refugjatët dhe azilkërkuesit që vijnë nga Lindja e Mesme. Ishte vendi i parë i BE-së që ngriti një gardh kufitar në vitin 2015, në kulmin e fluksit të refugjatëve në Europë.

Organizatat për të drejtat e njeriut dhe ato humanitare ndërkombëtare dënuan Hungarinë për kthimet e paligjshme, duke u mohuar njerëzve të drejtën për të kërkuar azil.

Por Szijjarto këmbënguli se qëndrimi i Hungarisë mbi emigracionin është i thjeshtë. “Asnjë emigrant i paligjshëm nuk mund të hyjë në territorin tonë,” tha ai.

“E vetmja mënyrë për të hyrë në Hungari është një mënyrë ligjore. Ne i marrim seriozisht kërkesat për azil dhe ne kemi kapacitetin tonë përmes të cilit mund t’i hetojmë ata, kështu që përfundimisht nuk mund të ndodhë që qindra mijëra njerëz të hyjnë në vend,” theksoi ai.

Pasi Turqia pezulloi traktatin e saj të riatdhesimit të refugjatëve me Greqinë më herët këtë muaj, Szijjarto e sheh situatën e përgjithshme si “të tmerrshme”, me një rrugë të re emigracioni që hapet përmes Bosnjës dhe Hercegovinën.

“Mund të shohim OJQ-të që forcojnë aktivitetet e tyre në Ballkan dhe politika e Mesdheut dhe ajo europiane për emigracionin është një lloj ftese për ata që duan të vijnë në Europë. Sa herë që politikanët europianë flasin për kuota apo rishpërndarje, kjo është një ftesë,” tha ai.

Ai tha se BE-ja duhet të mbrojë kufijtë e saj të jashtëm dhe të krijojë një sistem pikash të nxehta – vende jashtë zonës Shengen ku për refugjatët do të merreshin vendime për azil.

Sipas Szijjarto, Hungaria dëshiron që fqinjët e Sirisë, si Iraku, Jordania dhe Libani, të kujdesen për refugjatët, në mënyrë që ata të mund të kthehen lehtë në shtëpi pas përfundimit të konfliktit në Siri.

“Në këtë rast, ne mbështesim ofrimin e ndihmës aty ku është e nevojshme. Të çojmë ndihmën atje, jo të importojmë problemin këtu,” vuri në dukje ai.

Ai tha se kjo ishte arsyeja pse Hungaria hodhi poshtë sistemin e kuotave të propozuar nga Bullgaria, e cila mban presidencën e BE-së, më herët këtë muaj.

“Ne nuk do të mbështesim kurrë asnjë lloj nisme që përmban kuota. Kurrë. Pati një referendum në Hungari mbi kuotat me një përfundim shumë të qartë. Pati zgjedhje së fundmi me një përfundim shumë të qartë. Ne e konsiderojmë atë një çështje sigurie,” shtoi Szijjarto.

Në tetor 2016, Hungaria organizoi një referendum mbi sistemin e kuotave të propozuara nga Komisioni Europian, i cili do t’i caktojë secilit shtet anëtar një numër refugjatësh dhe azilkërkuesish, duke zvogëluar barrën për Italinë dhe Greqinë.

Edhe pse 98.36 për qind e votuesve hodhën poshtë kuotat në referendum, rezultati u vlerësua jo i detyrueshëm pasi pjesëmarrja nuk kalonte pragun ligjor.

Ministri tha se refugjatët po kalojnë kufij të shumëfishtë dhe nuk qëndrojnë, për shembull, në Kroaci dhe Serbi, të cilat ai e sheh si vende të sigurta dhe paqësore.

Kjo e vë atë në kundërshtim me UNHCR-në gjatë krizës në vitin 2015-2016, e cila tha se nuk e konsideronte Greqinë, Maqedoninë dhe Serbinë si vende të sigurta për refugjatët.

“Askush nuk mund të përmendë një arsye pse duhet t’i tolerojmë njerëzit që shkelin kufijtë tanë nëpërmjet Serbisë dhe Kroacisë. Atje nuk ka asnjë luftë apo kërcënim për jetën,” tha ai.

“Kjo është për shkak se ata duan të shkojnë në Gjermani. Pse duhet t’i lëmë të kalojnë? Që t’i kthejnë përsëri mbrapsht tek ne?” pyeti Szijjarto retorikisht, duke këmbëngulur se ata duhet të ndalojnë në vendin e parë paqësor që hasin.

Serbia shihet si model në trajtimin e pakicave

Në konferencën në Strasburg, Szijjarto theksoi rëndësinë e të drejtave të pakicave kombëtare për Hungarinë.

Në intervistë, ai shpjegoi se, për shkak të historisë së saj, Hungaria ka pakica të rëndësishme në të shtatë vendet fqinje – Slloveni, Kroaci, Serbi, Rumani, Ukrainë, Sllovaki dhe Austri.

“Pavarësisht nga fakti se Serbia nuk është ende anëtare e BE-së, Serbia e trajton pakicën tonë në mënyrën më të mirë,” tha ai duke i krahasuar të shtatë vendet fqinjë.

“Serbia e trajton pakicën tonë në një mënyrë që mund të paraqitet si shembull për shumë shtete anëtare të BE-së. Hungarezët gëzojnë shkallën më të gjerë të të drejtave në Serbi, në Vojvodinë,” tha ai, duke iu referuar krahinës veriore të Serbisë.

Ai shpjegoi se si, para se presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri hungarez Viktor Orban të ndryshonin gjërat, marrëdhënia mes dy vendeve “ishte plot me tensione, për shkak të historisë”.

Ai tha se përpjekjet e tyre të përbashkëta kishin vërtetuar të ishin “një ndryshues” që kishin sjellë paqe dhe marrëdhënie të mira dypalëshe.

Kjo është arsyeja pse Hungaria “mbështet përshpejtimin e bisedimeve të tyre të pranimit në BE”, theksoi Szijjarto.

Në lidhje me pakicën e madhe hungareze në Rumani, ai tha se po bëhej progres në bisedimet me qeverinë rumune, në të cilën Aleanca Demokratike e Hungarezëve në Rumani është një partner koalicioni.

“Kemi shumë çështje për të zgjidhur. Siç çështja e shkollave hungareze dhe çështja e përdorimit të gjuhës, por, hap pas hapi, ne po ecim përpara dhe po përjetojmë njëfarë vullneti politik për të përballuar sfidat në anën e tyre,” shtoi Szijjarto.

Ai theksoi se Hungaria në përgjithësi mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE “sa më shpejtë që të jetë e mundur”, pasi BE-ja duhet të zgjerohet për të “ruajtur fuqinë dhe konkurrencën e saj”.

“Miqtë tanë të Europës Perëndimore nuk e kuptojnë natyrën e Ballkanit Perëndimor. Nuk është faji i tyre, ata thjesht janë më larg se ne,” tha ai.

“Ata s’e mbajnë mend kohën e konflikteve ushtarake në Ballkanin Perëndimor, ose kur kryeministri Vuçiç u sulmua në Srebrenicë në vitin 2015. Ata nuk i kuptojnë ato tensione historike,” shpjegoi ai, duke kujtuar një incident ku u përfshi lideri serb në Bosnje.

Më shumë se 130,000 vetë u vranë gjatë luftës së viteve 1990 në ish-Jugosllavi. Gjatë përkujtimores së 20 vjetorit të masakrës serbe boshnjake të boshnjakëve në Srebrenicë, në Bosnjën lindore, në vitin 1995, një grup qëlloi me sende Vuçiçin, duke e goditur atë në fytyrë dhe duke i thyer syzet.

Si ish-anëtar i Partisë nacionaliste Radikale Serbe, gjatë luftërave të viteve 1990, Vuçiç ende kujtohej për deklaratat e tij të vjetra kundër boshnjakëve dhe kroatëve.

Por Szijjarto tha se Serbia tani ishte një “faktor stabilizues” në rajon, për shkak të së cilës anëtarësimi i saj në BE duhet të përshpejtohet. Ai gjithashtu do të dëshironte të shikonte përshpejtimin e anëtarësimit të Malit të Zi në BE.

“Lidhur me Malin e Zi, nuk e kuptoj se çfarë ka frikë BE-ja, është një vend me 600,000 banorë. S’mund të jetë i keq apo i rrezikshëm për BE-në,” tha ai.

“Ne nuk e kuptojmë pse procedura e pranimit për Malin e Zi është kaq e ngadaltë. Nëse do të ishte në dorën tonë, ne do të hapnim të gjithë kapitujt negociues me Serbinë dhe Malin e Zi këtë vit,” shpjegoi ai, duke thënë se kjo  do të ndihmonte qeveritë e tyre pro-europiane.

Mosmarrëveshja e INA-s ende cenon marrëdhëniet me Kroacinë

Kur vjen fjala te marrëdhëniet me fqinjët e saj, Kroacia dallon për një marrëdhënie problematike.

Szijjarto theksoi ndjenjat pozitive të Hungarisë ndaj Kroacisë, duke thënë se marrëdhënia ishte “helmuar” nga ish-qeveria e qendrës së majtë e Kroacisë në 2015.

“Megjithatë, unë mendoj se kjo marrëdhënie mund të përmirësohet. Kur shikoni statistikat, mund të shihni se marrëdhëniet ekonomike janë më të forta dhe më të ngushta, gjithnjë e më shumë hungarezë shkojnë në Kroaci për pushime,” shpjegoi ai.

Një nga problemet kryesore midis Kroacisë dhe Hungarisë është pronësia e kompanisë kroate të energjisë, INA.

Në vitin 2003 dhe 2008, kompania hungareze e energjisë MOL bleu një total prej 47.15 për qind të aksioneve të INA-s, duke lënë shtetin kroat me 44.83 për qind. MOL mori menaxhimin e INA-s në vitin 2009.

Megjithatë, në qershor 2011, zyra e anti-korrupsionit e Kroacisë, USKOK, konfirmoi se dyshonte ish-kryeministrin Ivo Sanader, nga viti 2003 deri në vitin 2009, kishte marrë një ryshfet prej 10 milion eurosh nga kreu i MOL-it, Zsolt Hernadi, i cili në këmbim mori të drejtat e menaxhimit të INA-s.

Ndërsa Sanader fillimisht u dënua dhe më pas u lirua nga akuzat nga Gjykata Kushtetuese e Kroacisë, në dhjetor 2016, Kroacia humbi procesin e arbitrazhit kundër MOL para Komisionit të OKB-së për të Drejtën Tregtare Ndërkombëtare, UNTRAIL, në Gjenevë.

Edhe pse Kroacia menjëherë njoftoi se do të blente përsëri aksionet e MOL-it te INA, ideja nuk është realizuar.

“Çështja e INA-s është padyshim një barrë për marrëdhëniet dypalëshe. Ne shpresojmë që të arrihet një marrëveshje mes MOL dhe qeverisë kroate. Ne u urojmë atyre fat në këto negociata dhe që ato të përfundojnë sa më shpejt që është e mundur,” u 0përgjigj Szijjarto, kur u pyet për çështjen e INA-s.

Ai përmendi gjithashtu planin e Kroacisë për të ndërtuar një terminal gazi natyror të lëngshëm, LNG, në ishullin e Krk, i cili duhet të ndihmojë në diversifikimin e burimeve të gazit për rajonin – aktualisht shumë i varur nga Rusia. Kjo është “me rëndësi të madhe” për Hungarinë, e cila është e hapur për blerjen e gazit nga Kroacia, tha ai.

“Kroacia nuk i ka përfunduar këto investime në interkonektorin e gazsjellësit në kufi, gjë që do t’i mundësonte Kroacisë të dërgonte gaz në Hungari. As ndërtimi i portit të LNG nuk ka filluar ende,” vuri në dukje ai.

“Ne presim që Kroacia të marrë vendimet e nevojshme dhe t’i zbatojë ato në mënyrë që Kroacia të shihet si një burim i diversifikimit të gazit,” tha ai.

Megjithatë, për shkak të dështimit të Kroacisë për të zbatuar vendimin e gjykatës së arbitrazhit, Hungaria kohët e fundit bllokoi anëtarësimin e Kroacisë në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD.

“Qeveria kroate e bëri vërtet të qartë se nuk i bëhet vonë për vendimin e arbitrazhit mbi MOL-in. Me një qasje të tillë, unë nuk mendoj se Kroacia mund të jetë një anëtare e OECD,” tha ai.

“Sapo Kroacia të vërë në zbatim vendimet, të cilat tregojnë se qeveria kroate tregon respekt për ato institucione mbi të cilat është ngritur OECD, ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në rrugën tuaj drejt OECD-së,” u përgjigj Szijjarto, kur u pyet nëse mund të hiqej vetoja.