Lajm27 Oct 2021

Modelja serbe heq dorë nga konkursi i bukurisë pas fotos me simbolin shqiptar

Valentina Petroviç kërkoi të largohej nga konkursi Miss Intercontinental pasi mediat serbe e kritikuan ashpër për një foto ku ajo shfaqet duke bërë me duar shqiponjën dykrenare, simboli kombëtar shqiptar.

Autor: Milica Stojanovic BIRN Beograd
Printo

Fotoja që shkaktoi polemikat.

Valentina Petroviç kërkoi falje dhe u tërhoq nga konkursi i bukurisë Miss Intercontinental të martën, pasi mediat serbe reaguan plot zemërim ndaj një fotografie të saj me konkurrente të tjera nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria duke bërë me duar formën e shqiponjës dykrenare, e publikuar në Instagram.

Republika, versioni dixhital i tabloidit Srpski Telegraf, e quajti foton “tronditëse” dhe tha se Petroviç “e kishte tmerruar Serbinë”, ndërsa gazeta Politika shkroi se fotografia “me të drejtë ndezi rrjetet sociale” nga zemërimi për përdorimin e simbolit shqiptar nga ana e modeles.

Petroviç shkroi në Instagram se ajo “nuk kishte qëllime të këqija” dhe se bërja e asaj fotografie ishte një “pamaturi e momentit dhe spontanitet idiot”.

Ajo u kërkoi falje “të gjithë anëtarëve të kombit tim, popullit të Kosovës dhe Metohisë, shoqërisë dhe familjes time”.

“Më vjen shumë keq, kështu që përveç një ndjese të thellë, mora vendimin t’u kërkoj organizatorëve leje për t’u larguar nga konkursi dhe kështu të çlirohem nga presioni aktual që po përjetoj”, shkroi Petroviç. Konkursi do të mbahet në Sharm el-Sheikh të Egjiptit të premten.

Gjesti i shqiponjës dykrenare shqiptare ka zemëruar nacionalistët serbë në të kaluarën. Në prill 2019, një bukëpjekës në periferi të Beogradit, Borca, u bë shënjestër e zemërimit nacionalist pasi të djathtët në Facebook ripostuan një foto dyvjeçare të kushëririt të tij i cili pozonte duke bërë simbolin me duar.

Nacionalistët u mblodhën para furrës së bukës, bërtitën slogane nacionaliste, luajtën këngë patriotike serbe, vendosën ngjitëse me shkrimin “Kosova është Serbi” në dritare dhe hodhën koka derrash në furrë.

Në qershor 2018, gjatë një ndeshje futbolli mes Serbisë dhe Zvicrës në Kupën e Botës, dy futbollistë të ekipit zviceran, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri – të dy shqiptarë etnikë nga Kosova – i festuan golat e tyre kundër Serbisë me këtë gjest, duke shkaktuar zemërim te serbët në stadium dhe në rrjetet sociale. FIFA gjobiti Xhakën dhe Shaqirin për këtë incident.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *