Rumania tradicionalisht rusofobe është një arrë e fortë për t’u thyer nga Kremlini propagandistik, por kjo s’do të thotë se ky i fundit nuk po përpiqet.
Kur kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila, foli në telefon më 28 shkurt me zv/presidentin amerikan Mike Pence për të diskutuar dhe vlerësuar partneritetin strategjik të vendeve të tyre, shumica e mediave rumune shkruan vetëm një lajm të shkurtër.
Por versioni në gjuhën rumune i Sputnik shkroi një artikull akoma më të gjatë më 1 mars duke përshëndetur arritjet diplomatike të Dancilës dhe perspektivat e saj politike.
Sputnik e quajti atë “jo vetëm politikanen e momentit, por ndoshta një kandidate për presidencën e vendit”.
Në realitet, Partia Social Demokrate e saj në pushtet ende nuk ka emëruar asnjë kandidat për zgjedhjet presidenciale të kësaj vjeshte dhe ajo nuk shihet si një e preferuar.
Po atë ditë, Sputnik po ashtu publikoi një lajm në faqe të parë mbi një shkrimtar të famshëm rumun të shekullit të 19-të, Ion Creanga.
Analistët rumunë thonë se Rusia po synon zemrat dhe mendjet në Rumani për të përcjellë mesazhin e saj, duke përdorur një kombinim mjetesh “të buta” – lajka, kulturë dhe metoda të tjera – së bashku me mjetet “e forta” tradicionale të politikës së jashtme.
Angela Gramada, kryetare e Ekspertëve për Siguri dhe Çështje Globale, një organizatë në Bukuresht, tha për BIRN se Rusia e di se çfarë e pret në Rumani.
“Moska i ka matur shumë mirë perceptimet që kanë rumunët për Rusinë në përgjithësi,” vuri në dukje ajo.
Vendi mbetet më pro-Perëndim sesa shumica e vendeve në Europën Juglindore, vërejti ajo.
Por disa grupe në shoqëri janë të ndjeshme ndaj historive pro-Kremlin dhe po shfrytëzohen për të rritur mosbesimin ndaj BE-së dhe NATOS-s, shtoi ajo.
Një raport rajonal mbi dobësitë ndaj propagandës ruse i publikuar nga qendra Global Focus në Bukuresht në mars 2018 tha se Rusia po luan një lojë të gjatë në Rumani.
“Vizioni i saj afatgjatë është një Rumani që ka lënë BE-në dhe NATO-n dhe në këtë proces është bërë një aleat ideologjik i Rusisë,” tha ai, “që do të nënkuptonte kthimin e saj në një vend të dominuar nga një diskurs konservativ anti-Perëndim.”
Ende armiku numër 1 i vendit
Tani për tani, Rumania mbetet më e orientuara nga Perëndimi dhe më rezistente ndaj narrativave ruse nga të gjitha vendet e Europës Juglindore.
Një sondazh i publikuar nga kompania kërkimore Avantgarde në tetor 2018 tregoi se 31 për qind e rumunëve ende e shohin Rusinë si armikun më të madh të vendit të tyre.
Rivalja rajonale Hungaria është shumë prapa me 9 për qind.
Nga të gjithë liderët e huaj, rumunët pëlqejnë më shumë presidentin francez Emmanuel Macron – i zgjedhur nga 38 për qind e të anketuarve – i ndjekur nga Angela Merkel e Gjermanisë – e zgjedhur nga 37 për qind.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vjen në vend të pestë, me 19 për qind, pas kreut të Komisionit Europian Jean Claude Juncker.
Në të njëjtën kohë, 47 për qind e rumunëve besojnë se marrëdhëniet e vendit të tyre me Moskën duhet të përmirësohen dhe vetëm 29 për qind dëshirojnë që ato të mbeten të ftohta.
Pavarësisht kësaj, pothuajse 60 për qind besojnë se baza e mbrojtjeve nga raketat në Deveselu është një gjë e mirë për vendin.
Kjo antipati ndaj Moskës ekziston nga fërkime historike, të lidhura pjesërisht me Moldavinë fqinjë – e cila dikur ishte pjesë e Rumanisë dhe që Bashkimi Sovjetik e aneksoi pas Luftës së Dytë Botërore.
Një burim tjetër edhe më i vjetër i mosmarrëveshjes është thesari i shtetit rumun, i cili ruhej në Moskë gjatë Luftës së Parë Botërore, gjatë pushtimit gjerman dhe austro-hungarez, por që vendi s’e mori kurrë mbrapsht.
Rezultati është një vend që është më rezistent ndaj narrativave dhe përshkrimeve ruse sesa shumica e fqinjëve të saj në rajon.
Rumania ka mbështetur me vendosmëri një prani të rritur të NATO-s që ka për qëllim të pengojë Rusinë në Detin e Zi pasi ajo aneksoi Krimenë në vitin 2014.
Ajo e ka pasur të vështirë të bindë Bullgarinë dhe Turqinë fqinje për të mbështetur iniciativa të tilla.
Shfrytëzimi i dobësive në shoqëri
Siç tregoi raporti i Global Focus, ndërsa shumë rumunë janë rusofobë elastikë, ndjenja dominante anti-ruse që duket se mbron Rumaninë nga lloji i lajmeve që publikon Sputnik ka dobësitë e veta.
Një prej tyre janë ato grupe në shoqërinë rumune që besojnë se anti-korrupsioni i viteve të fundit ka ekspozuar kapitalizmin si një farsë që ka çuar vetëm në mosfunksionimin e shoqërisë.
Shumica e këtyre njerëzve nuk janë përshtatur me realitetet e reja ekonomike dhe integrimi në BE nuk ka bërë asgjë për ta, thotë studimi.
Këta njerëz mund të mos jenë automatikisht të prirur për të adoptuar një qëndrim pro-rus, por as nuk janë të lumtur me status quo-në.
Ekspertët thonë se kjo është pika ku narrativat ruse mund të gjejnë një zonë të brishtë në të cilën të veprojnë.
“Situata e tyre i vendos ata në konflikt me status quo-në dhe ekzistenca e këtyre grupeve dhe e diskursit të tyre mund të inkurajohen ose të nxiten nga Rusia,” pohon studimi.
Gramada thotë se Moska ka disa mënyra për të ushtruar ndikim në vendet fqinje, madje edhe ato armiqësore, si Ukraina dhe Rumania.
Një metodë është që të investojë në vend përmes kompanive me bazë në BE.
“Në letër, duket sikur është një investim nga BE-ja, por po të shikoni pas kompanisë me bazë në BE, do të zbuloni se pronari i vërtetë është rus,” tha ajo.
Një tjetër kanal për Moskën kalon nëpërmjet grupeve në shoqërinë rumune që konsumojnë kulturën ruse.
Kremlini shfrytëzon gjithashtu OJQ-të e vogla lokale, duke i joshur ato që të promovojnë narrativat pro-ruse në këmbim të financimit ose njohjes më të gjerë ndërkombëtare.
Sulme kibernetike dhe faqe të rreme lajmesh
Një metodë më agresive është lufta kibernetike. Shërbimet rumune të inteligjencës thonë se sulmet kibernetike me “origjinë lindore” zakonisht synojnë vendin e NATO-s.
Facebook çaktivizon vazhdimisht faqe të rreme në mediat sociale të operuara nga Sputnik, të cilat pretendojnë se mbështesin protestat anti-korrupsion në Bukuresht, por duket se kanë një axhendë tjetër.
Ekspertët thonë se përpjekjet periodike vazhdojnë të përhapin informacione të rreme ose të shtrembëruara mbi historinë rumune dhe europiane.
Më 20 shkurt, Microsoft njoftoi se kishte zbuluar fushata sulmesh kibernetike që synonin punonjësit e institucioneve në Belgjikë, Francë, Gjermani, Poloni, Rumani dhe Serbi.
Disa nga organizatat ishin OJQ-të, organizata dhe grupe advokimi të demokracisë.
Ato përfshinin Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, Fondin Marshall të Gjermanisë dhe zyrat e Aspen Institute.
Sulmet kanë shënjestruar 104 punonjës të këtyre organizatave midis shtatorit dhe dhjetorit 2018.
Fushata ishte koordinuar nga Strontium, një grup i mbështetur nga Kremlini, tha Microsoft.
Strontiumi është një riemërim i Fancy Bear ose Sofacy, grupe të mbështetura nga Kremlini që ishin përfshirë në sulme të tjera të mëdha në vitet e fundit.
Një paralajmërim i postuar në faqen e internetit të Microsoft tha se priste që një numër në rritje grupesh, disa të mbështetura nga shteti, të përpiqen të ndikojnë te votuesit në Europë përpara zgjedhjeve të majit të Parlamentit Europian.
Më 17 janar, Facebook njoftoi se kishte hequr 364 faqe dhe llogari, disa me më shumë se 800,000 ndjekës, që paraqiteshin si faqe të pavarura lajmesh në Europën Lindore, duke përfshirë Rumaninë dhe Moldavinë, që në fakt drejtoheshin nga punonjës në Sputnik.
Faqet shpesh promovonin mesazhe anti-NATO dhe lëvizje proteste, tha Facebook.
Ndër faqet që synonin Rumaninë, njëra i kushtohej protestave anti-korrupsion që kryesisht postonte përmbajtje që diskreditonin lëvizjen anti-korrupsion.
Në përgjigje, Sputnik akuzoi Facebook për “se po përdor censurën” për të mbyllur në mënyrë të padrejtë faqet.
“Redaksitë e Sputnikut merren me lajme dhe ata e bëjnë mirë këtë gjë. Nëse ky bllokim është reagimi i vetëm i Facebook për cilësinë e punës së medias, atëherë ne nuk kemi pyetje, gjithçka është e qartë. Ekziston ende shpresa mendimi praktikë do të mbizotërojë,” tha ai.
Më 1 mars, shërbimi i inteligjencës rumune njoftoi se në vitin 2018 kishte trajtuar disa valë sulmesh kibernetike, shumë prej tyre me origjinë nga “zona lindore” – një term që institucionet rumune zakonisht përdorin për Rusinë.
Ai tha se e dinte se këto sulme ishin të mbështetura nga shteti sepse viruset ishin shumë të sofistikuara dhe kishin nevojë për mbështetje të madhe infrastrukturore logjistike – ndonjëherë nga më shumë se 2,000 servera.
Rruga për marrëdhënie më të mira mbetet e ndërlikuar
Rusia pretendon se kërkon marrëdhënie më të mira me Rumaninë. Më 7 shkurt, ambasadori i saj në Bukuresht Valery Kuzmin u tha gazetarëve se Rusia nuk kishte qëllime armiqësore dhe donte marrëdhënie më të ngrohta.
Pengesa më e madhe, tha ai, ishte baza amerikane për mbrojtjen nga raketat që Rumania ka në Deveselu.
“Marrëdhënia jonë me Rumaninë është e njëjtë me vitin e kaluar. Fjalët e sakta do të ishin që këto marrëdhënie mund të ishin shumë më të mira,” tha diplomati.
Por realiteti ende duket mjaft i ndryshëm në Bukuresht.
Më 28 dhjetor, për shembull, ambasada ruse në Rumani postoi një mesazh dygjuhësh në gjuhën rumune dhe ruse duke mohuar se Ushtria e Kuqe kishte kryer krime kur pushtoi vendin në fund të vitit 1944.
“Për një kohë të gjatë, mediat perëndimore dhe rumune kanë botuar artikuj periodikë që kanë për qëllim të diskreditojnë ushtarët e Ushtrisë së Kuqe të cilët liruan vendet e Europës Lindore dhe Qendrore nga fashizmi,” thoshte mesazhi.
Ky mesazh zemëroi shumë rumunë të cilët ende nuk e durojnë pushtimin sovjetik dhe imponimin e detyruar të një regjimi komunist.
Më shumë se 200 rumunë lanë komente armiqësore në postim, duke përmendur vrasjet, plaçkitjet dhe përdhunimet e kryera nga ushtria sovjetike dhe duke postuar dëshmi të njerëzve të moshuar që kishin jetuar në ato kohë.
Gramada thotë se Rusia, me dashje apo jo, vazhdon të ofendojë ndjenjën kombëtare rumune.
“Rusia ende po promovon, edhe sot, sidomos në Moldavi, një imazh të Rumanisë si një vend fashist me tendenca imperialiste,” tha ajo.
“Rumunët nuk mund t’i harrojnë këto fërkime historike. Por nëse përcillni vazhdimisht të njëjtin mesazh pa pushim te një grup njerëzish, ata mund të përfundojnë duke e miratuar atë,” përfundoi ajo.