Analize7 Sep 2021

Mungesa e personelit dhe logjistikës pengoi luftën me zjarret në Lezhë

Banorët e Pllanës në Lezhë dolën në mal të hënën për të shuar flakët që mund t'u afroheshin shtëpive, por vullnetarizmi i tyre nxorri në pah mungesën e kapaciteteve të strukturave të zjarrfikësve. Zjarret në Lezhë dogjën mbi 400 hektarë pyje këtë verë.  

Autor: Elvis Hila BIRN Lezhë
Printo

Zjarrfikëse duke shuar zjarrin në fshatin Pllanë. Foto: Elvis Hila.

Në mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe logjistikës së institucioneve përgjegjëse, banorët e fshatit Pllanë në Lezhë u angazhuan vetë për të shpëtuar pronën e tyre nga zjarri i cili përfshiu masivin pyjor të pranë fshatit dhe iu afrua banesave.

Së bashku me forcat zjarrfikëse gjatë natës së të hënës, më 8 shtator 2021, ata punuan për vënien nën kontroll të flakëve me mjete rrethanore.

“Në oret e pasdites së hënë u përfshi nga flakët një kompleks blegtoral, i cili ndodhet ngjitur me malin e fshatit tonë. Favorizuar dhe nga era e fortë, flakët përfshinë dhe malin, duke i përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme në disa drejtime,” thotë Alfons Trashaj, banorë i Pllanës.

Trashaj thotë se kur panë përmasat e zjarrit dhe pamundësinë e grupit të vogël të zjarrfikësve të vinin nën kontroll flakët, 50 burra nga fshati dolën vullnetarisht në mal për të fikur zjarrin.

“Gjatë natës flakët iu afruan banesave dhe ne u frikësuam shumë. Në mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe logjistikës u angazhuam të gjithë fshati bashkë me punonjësit e paktë zjarrfikës dhe ndërhymë me mjete rrethanore,” tregon Trashaj.

Pa gdhirë ende, zjarri u fik, pasi kishte shkaktuar dëme materiale duke djegur fermën  dhe pjesë të malit, por Trashaj thotë se nëse nuk do ishte angazhuar i gjithë fshati, pasojat e tij do ishin edhe më të rënda.

Kjo nuk ishte një situatë e veçantë në Lezhës. I gjithë vendi u përball gjatë verës me zjarre që shkaktuan dëme të konsiderueshme dhe që morën ditë për t’u shuar.

Qarku i Lezhës u përball me një problematikë të shtuar nga zjarret gjatë stinës së verës, që shkaktuan dëme të shumta kryesisht në pyje. Referuar të dhënave Zyrtare të Mbrojtjes Civile në Prefekturë, rastet më problematike kanë qenë 5 vatra zjarri gjatë muajit gusht, të cilat kanë dëmtuar rreth 400 hektarë pyje.

“Numri i zjarreve në shkallë qarku është vërtet i lartë gjatë kësaj vere. Akoma nuk e kemi përfunduar pasqyrën përmbledhëse, por dua të them se rastet më problematike kanë qenë 5 zjarre të rëna gjatë muajit gusht”, tha Ndrek Mhillaj, specialist i Mbrojtjes Civile në Prefekturen e Lezhës.

Mhillaj tha se dëmet më të mëdha ishin në Bashkinë Mirditë, konkretisht në Thirrë dhe Munellë, pasi pavarësisht përpjekjeve për t’i shuar zjarret, atje vijuan për ditë të tëra.

Por si në Pllanë, situata e krijuar nga zjarret në Qarkun e Lezhës gjatë këtij sezoni veror, nxori në pah mungesën e logjistikës dhe kapaciteteve njerëzore të zjarrfikësve për të ndërhyrë në raste të tilla, fakt ky që pranohet edhe nga vetë institucionet.

“Strukturat janë të ngritura për të ndërhyrë në raste zjarresh, por nuk mund të themi se ato janë të plota, të specializuara e të pajisura me bazën e nevojshme materiale, këtë nuk mund ta themi sepse kjo është një diçka e dukshme,” thotë Mhillaj.

Bashkia e Mirditës ishte zona më e prekur nga zjarret gjatë këtij sezoni veror në Qarkun e Lezhës. Kreu i degës së Partisë Demokratike në Mirditë, Mark Ruçi thotë se po të kishte patur angazhim serioz të institucioneve, dëmet duhet të ishin minimizuar.

“Në Mirditë janë shkrumbuar qindra hektarë pyje gjatë kësaj vere dhe po mos t’u tregonte i vëmendshëm vetë komuniteti për të mbrojtur pronën e tyre, do kishim dhe banesa të djegura”, thotë Ruçi.

Ai thotë se strukturat kundër zjarreve nuk funksionojnë.

Ndërkohë, specialisti i Pyjeve, Zef Imeraj thotë se situata ka ardhur dhe nga një keqmenaxhim që iu është bërë pyjeve në vite, pasi strukturat që merren me këtë sektor nuk kanë funksionuar.

“Punë e mirë e bërë në vite ka pësuar dëme të jashtëzakonshme nga keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i pyjeve,” thotë Imeraj.

Imeraj shton se duhet bashkëpunim mes institucioneve dhe komunitetit të zonës dhe sipas tij, brenda vitit 2030 masivet pyjore të dëmtuara rikrijohen, por jo siç kanë qenë më parë.

“Të gjithë pyjet e shkatërruara është e mundur që me administrim nga bashkitë dhe të vendosin rregull e partneritet me komunitetin. Specialistët në bashkëpunim me komunitetin të vendosin një rregull strikt. Pas disa vitesh, pyjet mund të rikrijohen, por nuk bëhen siç kanë qenë më parë,” shtoi Imeraj.

Mhillaj fajëson zjarrvënien e qëllimshme për situatën që u krijua. “Dua të them se pjesa më e madhe e zjarreve kanë qenë të qëllimshme apo dhe nga pakujdesia dhe ne kemi bërë të pamundurën me aq kapacitete sa kemi për të ndërhyrë në kohë në shuarjen e tyre,” thotë ai.

Referuar të dhënave nga policia, në qarkun e Lezhës janë arrestuar 4 persona dhe disa të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për zjarrvëniet. Në të gjitha këto raste ka rezultuar se zjarret janë vendosur nga pakujdesia, ndërsa autorët e zjarrvënieve të qëllimshme nuk është arritur të të zbulohen dhe të vihen para drejtësisë.