Analize25 Aug 2020

Mungesa e transparencës ngre pikëpyetje mbi të dhënat zyrtare për testet e COVID-19

Ekspertët theksojnë se raportimi nga Ministria e Shëndetësisë i testeve të kryera në laboratorë privatë, së bashku me testet e COVID-19 të kryera nga ISHP për gjurmimin e pandemisë, është një metodë joshkencore që synon të manipulojë opinionin publik.  

Autor: Vladimir Karaj, Dhorjela Çule BIRN Tiranë dhe Korçë
Printo

Qytetarët mbajnë radhë për të bërë testin e COVID-19 në laboratorin ALNET- pjesë e Spitalit Amerikan në Tiranë. Foto: Vladimir Karaj.

Ndërsa digjte dielli të shtunën në mesditë, dy duzina me njerëz – pjesa më e madhe me maska në fytyrë, qëndronin në hyrjen e Laboratorit Qendror të Spitalit Amerikan në Bulevardin “Zogu I” në Tiranë. Shumica prisnin jashtë, ndërsa të tjerë qëndronin në makina aty pranë, në pritje për të bërë testin diagnostikues për COVID-19.

Ndërsa përpiqeshin të fshiheshin nën hijen e ndërtesës apo të ndonjë rrapi të ri buzë rrugës – që i detyronte të ngjisheshin pranë e pranë, shumë pak prej tyre i zbatonin rregullat e distancës fizike në mjediset publike.

Një pjesë me pasaporta në duar dalloheshin që janë aty për të marrë një vërtetim që do t’u mundësonte të kalojnë kufirin me Greqinë ose vende të tjera të Bashkimit Europian.

Të tjerë, të mbuluar më mirë me maska dhe më të veçuar, i thanë BIRN se ishin aty për shkak të dyshimeve se mund të ishin sëmurë.

“Jam e 145-ta në radhë,” tha një vajzë rreth 25-vjeçe, me maskën që i mbulonte fytyrën, e cila shpjegoi se kishte ardhur për të bërë testin e COVID-19, pasi kishte pasur temperaturë.

“Kam pasur temperaturë disa ditë, jo shumë. Fola me doktoreshën dhe më tha të bëja një test për siguri,” shtoi vajza, e cila qëndronte pak më e veçuar nga njerëzit në radhë.

Ajo theksoi se nuk kishte kërkuar ndihmë në urgjencë -siç kërkonte protokolli- për shkak të frikës se mund të mos merrej në konsideratë, pasi nuk kishte shumë simptoma.

Dy laboratorë jo-publikë, Intermedica dhe ALNET (American Laboratory Network) – i lidhur me Spitalin Amerikan, u licencuan nga Ministria e Shëndetësisë pas një vendimi të Komitetit Teknik të Ekspertëve më 27 korrik, për të kryer testime të COVID-19 për efekt dokumenti për ata që duhej të udhëtonin jashtë shtetit.

Por mes atyre që presin të testohen ka persona që dyshojnë se mund të jenë infektuar, ndërsa drejtues të laboratorëve jopublikë thanë se ata nuk mund të diferenconin arsyet e atyre që kërkonin të bënin testin.

Sipas të dhënave që BIRN mori nga ALNET (American Laboratory Netëork) dhe Intermedica, ata kishin filluar testimet përkatësisht më 3 dhe 8 gusht dhe vetëm në javën e fundit kishin kryer së bashku rreth 3458 testime.

Rezultatet e këtyre testeve janë lënë jashtë informimit ditor mbi koronavirusin, të bëra nga Ministria e Shëndetësisë deri në 18 gusht- ditë kur numri i testeve të raportuara gati u dyfishua brenda ditës në 932 testime nga 501 që ishin realizuar një ditë më parë.

Pas insistimit të medias dhe opozitës, disa ditë më vonë Ministria e Shëndetësisë sqaroi se kishte përfshirë në të dhënat e saj edhe testet që po bëheshin në laboratorë privatë, por pa bërë ndarje nga shifrat e testeve që kryheshin ISHP.

Publikimi i të dhënave në këtë formë ka shqetësuar ekspertët epidemiologë, që shohin mungesë transparence.

Në një bisedë me BIRN, doktor Erion Dasho, drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në kompaninë e konsulencës për projektet ndërkombëtare të shëndetit M4h , tha se hedhja në një poçe e të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë ishte si të vendosje bashkë “mollë dhe portokalle”, pasi grupet e të testuarve ishin të ndryshëm. Sipas Dashos, raportimi i tyre i përbashkët “nuk ka asnjë vlerë shkencore”, ndërsa shtoi se “mungesa e transparencës ishte revoltuese”.

Silva Bino, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, tha se testimet që kryheshin në laboratorë privatë ishin testime depistimi dhe jo gjurmimi, por se “plotësonin përkufizimin e rastit”.

Bino këmbënguli se ishin dy procese të ndryshme, “por që lidhen me njëra tjetrën”.

Të njëjtën gjë këmbënguli edhe Instituti i Shëndetit Publik në një përgjigje me shkrim, ndërsa shtoi se rastet pozitive nga laboratorët privatë ishin konfirmuar edhe nga ISHP.

Rrëmuja e shifrave

Ministrja Ogerta Manastirliu dhe dhe Silva Bino, shefe e laboratorit të referencës në ISHP | Foto : MSH

Deri më 18 gusht, testimet e kryera në strukturat jo publike – të cilat sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, kur ishin pozitive duhej të ritestoheshin nga ISHP-ja, nuk duket se u raportuan për publikun.

Në këtë ditë, pas vendosjes së detyrimit nga Greqia për të pasur një test në kufi, shifrat e testeve për COVID-19 të bëra publike u rritën nga 501 në 932 teste. Ministria e Shëndetësisë, e cila që prej fillimit të gushtit kishte raportuar mesatarisht 560 testime ditore, nuk sqaroi se çfarë kishte ndryshuar dhe si u shtuan rreth 350 testime në ditë.

Katër ditë më vonë, pas akuzave nga ish-deputeti i opozitës Tritan Shehu për manipulim të të dhënave, Ministria sqaroi në komunikatën ditore se testimet përfshinin edhe testet e kryera në laboratorët jo-publikë, duke thënë se bëhej fjalë për “rastet për konfirmim diagnoze që rezultojnë të dyshuara ose pozitive në strukturat jopublike”, por pa ndarë se sa teste ishin publike dhe sa ishin nga strukturat jo publike.

Këtë të hënë, pasi kishte filluar raportimin e të dhënave nga spitalet private, ministria ndau për herë të parë testimet. Sipas informacionit për testet e kryera në 24 orët e fundit, 749 ishin bërë në laboratorë publikë dhe 198 të kryera në privat, po pa bërë të ditur rastet pozitive me COVID-19 të zbuluara në secilin testim.

Ndërkohë, dy laboratorë privatë që u licencuan nga Ministria e Shëndetësisë për të kryer teste për COVID-19, filluan te testonin që në javën e parë të gushtit. BIRN mësoi nga doktoresha Albana Daka, drejtuese e laboratorit pranë Spitalit Amerikan se ata kishin filluar testimet me datë 3 gusht. Laboratori Intermedica, sipas të dhënave që i dërgoi BIRN administratori Vasil Llajo, kishte filluar testimet në 8 gusht.

Sipas rregullave që Komiteti Teknik i Ekspertëve u vendosi laboratorëve privatë, ata duhej të  testonin vetëm për qëllime dokumentacioni dhe jo personat që kishin shenja të sëmundjes apo që ishin të dyshuar.

“Në këtë kategori do të lejohet testimi vetëm për ata individë që kanë kërkesë për dokument, që provon se nuk janë të prekur nga SARS- COV2, për të udhëtuar jashtë vendit,” thuhet në njoftimin e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për vendimin e Komitetit të Ekspertëve.

Madje sipas njoftimit, edhe nëse do kishte raste pozitive nga këta laboratorë, ata do të ritestoheshin nga ISHP.

Por Vasil Llajo, administrator i Intermedica i tha BIRN se ata nuk kishin mundësi për të dalluar arsyet e atij që kërkonte testim, ndryshe nga sa pretendon Ministria në komunikimin ditor – se merrte nga laboratorët privatë testet “që përmbushin përkufizimin e rastit, për konfirmim diagnoze pozitive”.

“Ne kryejmë testimin RT -PCR ( Real Time PCR) për SARS-CoV -2  për nevoja administrative,” tha Llajo. “Nëqoftëse midis tyre na dalin rastësisht raste pozitive, atëherë mostrën e marrë nga ana jonë e dërgojmë në ISHP për konfirmim diagnoze,” tha ai.

Edhe Albana Daka nga laboratori ALNET pranë Spitalit Amerikan la të kuptohej se arsyet e testimit mund të kuptohen vetëm nga sa deklarojnë qytetarët.

“Ata që deklarojnë se kanë simptoma nuk i testojmë, por i çojmë në ISHP,” tha Daka.

Përgjigje me vonesë

Elda Mitre nga Erseka qëndron në radhë në pritje të përgjigjes së testit në klinikën private Kristi në Korçë. Foto: Dhorjela Çule.

Nga të dhënat e policisë në Gjirokastër dhe Korçë, nga 18 gushti kur Greqia vendosi detyrimin për testime deri të shtunën që kaloi, në kufi kishin kaluar mesatarisht 687 shtetas shqiptarë në ditë.

Dy laboratorët që testojnë kundrejt një çmimi prej 12 mijë lekësh, nga të dhënat që mori BIRN prej tyre, kishin testuar mesatarisht 613 persona në ditë. Kërkesa për teste për arsye udhëtimi vazhdon të  mbetet e lartë.

Pranë klinikës mjekësore Kristi në Korçë, pjesë e rrjetit ALNET të Spitalit Amerikan, nga data 18 gusht mesatarisht bëhen 70-80 testime në ditë për COVID-19 – kryesisht persona të cilët synojnë të udhëtojnë në shtetin grek.

Vetëm më 21 gusht, tamponin pranë kësaj klinike e bënë 109 persona, kryesisht nga qarku i Korçës, të cilët ankohen se vonesat në daljen e përgjigjes janë të shumta.

Elda Mitre nga Erseka pret përgjigjen e tamponit prej gati 72 orësh, së bashku me bashkëshortin, ndërsa tregon se për disa ditë radhazi ka udhëtuar nga Erseka në drejtim të Korçës për shkak se i janë komunikuar afate të ndryshme për marrjen e përgjigjes.

“Po bëjmë ecejake dhe s’po mbarojmë dot punë,” ankohet ajo, duke ngritur shqetësimin se mund të humbasë edhe vendin e punës për shkak të vonesave të shumta apo edhe karantinës së detyruar në shtetin grek.

Mitre u kthye disa javë më parë nga Greqia për të rinovuar pasaportën, por nuk arriti ta rinovonte dot në kohë përpara se të hynin në fuqi rregullat e reja, që detyrojnë bërjen e testit për COVID-19 për të kaluar kufirin.

“Pasaporta na doli të martën dhe para tre ditësh bëmë tamponin,” shpjegoi Mitre.

Një burrë nga Bilishti që po priste gjithashtu përgjigjen e tamponit i tha BIRN se ishte kthyer nga Greqia për shkak të një fatkeqësie.

“Më ndërroi jetë babai dhe u detyrova të vij, por tani po presim përgjigjen e tamponit,” tha ai. “E bëmë në të njëjtën kohë me bashkëshorten. Ajo e mori përgjigjen dje ndërsa unë kam sot gjithë ditën që pres – hë tani e hë pastaj,” u ankua emigranti shqiptar.

Mes emigrantëve ka nga ata që udhëtojnë për punë sezonale dhe çdo ditë vonese është një ditë e humbur pune.

“Do të shkoj të punoj tek duhani, por këtu kam dy ditë dhe s’po marr përgjigjen,” tha Adelina Xhaferri, e cila shpjegoi se kishte ardhur tre herë nga fshati Belorta për rezultatet. “Shpenzime për tamponin, shpenzime për rrugën, s’do fitoj dot asgjë nga puna,” u ankua ajo.

“Mollë dhe portokalle”

Edhe në qytetin e Korçës, qytetarët qëndrojnë në radhë pranë laboratorit privat për bërjen e tamponit apo marrjen e përgjigjes. Foto: Dhorjela Çule.

Drejtuesi i laboratorit Intermedica i tha BIRN se në 5 ditët e fundit – deri më 21 gusht, ata kishin zbuluar gjithsej 35 raste pozitive nga 1131 teste gjithsej, me një pozitivitet prej 3 për qind. Në krahun tjetër, ALNET i Spitalit Amerikan thotë se ka bërë 2327 testime – nga e hëna e javës së kaluar dhe janë zbuluar 123 raste pozitive ose 5.2 për qind pozitivitet.

Para se të përfshinte shifrat e marra nga laboratorët jo-publikë, pozitiviteti në testet e ISHP-së shkonte nga 20 deri në 23 për qind – sipas ditëve. Me përfshirjen e analizave nga laboratorët privatë, pozitiviteti i rasteve të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë ra midis shifrave 16-18 për qind.

Pozitiviteti i ulët i testeve në laboratorët privatë tregon sipas ekspertëve se shumica e atyre që testohen atje, duhet të jenë personat që kanë nevojë për dokument për të kaluar kufirin.

Megjithatë, siç BIRN gjeti gjatë një vëzhgimi në Tiranë, mes atyre që prisnin të testoheshin kishte edhe nga ata që kishin pasur kontakte me persona të infektuar me COVID-19 edhe të tjerë që kishin simptoma apo temperaturë.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti i tha BIRN se ishte e qartë që testimet që bëheshin nga ISHP nuk po e mbulonin si duhej popullatën, ndërsa shtoi se mjekët i dërgonin pacientët në privat për diagnozë në rast se kishte dyshime, “pasi nuk u shkon njeri nga ISHP për 4-5 ditë”.

Ndërsa Erion Dasho theksoi se përzierja dhe mosndarja e testimeve administrative nga ato që bëhen me indikacion nga ISHP-ja dhe ato për konfirmim diagnoze në laboratorët jo publikë, kishin krijuar “terr informativ” dhe se kishte “paaftësi për të raportuar si duhet”.

Dasho nënvizoi se bashkimi i shifrave ishte veprim joshkencor, pasi metodologjitë që përdoreshin ishin të ndryshme.

“ISHP teston persona me indikacion dhe këtu pritet pozitivitet i lartë,” tha ai, duke pasur parasysh që të testuarit në publik ishin të dyshuar ose kontakte të personave të infektuar.

Ndërkohë, ata që testohen në laboratorë jopublikë, sipas rregullit duhet të jenë persona të shëndetshëm që kërkojnë një dokument udhëtimi dhe që kanë mundësi të paguajnë për testin.

Të dy ekspertët i thanë BIRN se ishte mirë që testimet të raportoheshin të plota dhe po ashtu të ndara, sipas veçorive të atyre që testoheshin.

“Patjetër që kuptojmë edhe nga (testet për) dokumentacion. Diçka del edhe nga ato,” tha Alimehmeti. Ai shtoi se në këtë rast bëhej fjalë për të kuptuar se sa mund të ishte përhapja e virusit në një grup të popullatës, që e mendon veten të shëndetshme.

Dasho ishte më i ashpër për mungesën e transparencës. Ai i tha BIRN se ndërsa vetë Ministria e Shëndetësisë raporton teste të sektorit privat të personave të dyshuar si të infektuar apo që përmbushin përkufizimin e rastit, laboratorët jo publikë nuk kishin licencë të bënin testime të tilla dhe se dikush duhej të jepte përgjigje për këtë.

Të dy ekspertët këmbëngulën që vendi duhej të rriste numrin e testeve që realizohen për COVID-19. Alimehmeti tha se pavarësisht kush i kryente, testimet i jepnin dorë mbikëqyrjes dhe izolimit të rasteve, ndërsa Dasho tha se vendi duhej të bënte 2000 deri 2500 testime në ditë në mënyrë që të arrihej të kuptohej situata.

Dasho po ashtu këmbënguli se shteti, që sipas tij ka dështuar të ngrejë infrastrukturë për të testuar më shumë qytetarë falas – siç kërkohet prej ligjit, po shfrytëzonte testet që qytetarët paguanin vetë për të krijuar një ide të rritjes së numrit të testimeve.

“Manipulojmë opinionin publik, duke thënë po testojmë, kemi rritur numrin e testeve,” tha Dasho. “Bëjmë një veprim jo korrekt ndaj qytetarëve,” shtoi ai.

Dasho theksoi se po ashtu se duheshin garanci për cilësinë e testeve, që asnjë prej palëve nuk e kishte bërë deri më sot.

“Ka persona të shtruar, që mjekët i kanë diagnostikuar klinikisht, por që rezultojnë negativë në teste,” tha ai. “Ka më shumë pacientë të dyshuar se sa të konfirmuar,” përfundoi Dasho.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *