Lajm18 Jun 2020

Ndalimi i gazetarit Elvis Hila nga policia, SHÇBA nis hetimet

Ndalimi i gazetarit Elvis Hila nga policia e Lezhës ndërsa ishte duke ndjekur dhe filmuar një aksion të IKMT-së është konsideruar “dhunë shtetërore” nga shoqatat e gazetarëve, ndërsa SHÇBA ka nisur hetimet.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Shoqërimi i gazetarit Elvis Hila. Screenshot nga video e filmuar nga News 24.

Ndalimi i gazetarit Elvis Hila nga policia e Lezhës pasditen e të mërkurës ndërsa ishte duke ndjekur dhe filmuar një aksion të IKMT-së në plazhin e Shëngjinit është konsideruar “dhunë shtetërore” nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Ndërsa “Shoqata e Gazetarëve Profesionistë” reagoi duke e cilësuar të papranueshëm reagimin e policisë. Ndërkohë Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka nisur hetimet dhe ka marrë dëshminë e gazetarit dhe punonjësve të policisë të pranishëm.

Gazetari i Report.tv Elvis Hila u ndalua nga policia e Lezhës ndërsa po filmonte një operacion për prishjen e një ndërtimi buzë detit. Në një video që BIRN ka Hila është duke filmuar kur i afrohen punonjës të IKMT-së dhe oficerë policie. Njëri prej tyre, që u identifikua si shefi i rendit në Policinë e Lezhës Agron Qullhaje, i këkon Hilës të identifikohet dhe pasi ai i thotë që ishte gazetarë i rrëmben telefonin me të cilin ishte duke filmuar nga duart duke bërtitur “Çfarë gazetari je t’i?!”.

Hila tha se ai ishte identifikuar disa herë si gazetarë dhe se punonjës të tjerë të policisë e kishin informuar shefin e rendit për profesionin e tij. Ai tha se i kishin marrë telefonin dhe pas 10 minutash e kanë liruar për shkak të presionit që gazetarët e tjerë në vendngjarje ushtruan. “Qëllimi i tyre ishte të mos filmoja përplasjet mes IKMT-së, policisë dhe pronarëve të ndërtimeve pa leje. Po filmoja dhunën ndaj një gruaje të moshuar që po kundërshtonte prishjen e ndërtimit të saj”, tha Hila.

Po ashtu gazetarë dhe kameramanë që ndodheshin në vendngjarje reaguan duke i kërkuar oficerit të policisë të lironte kolegun dhe duke kërkuar informacion për ndalimin. Oficeri i policisë refuzoi të përgjigjej, ndërsa shihet se përpiqet të kontrollojë telefonin që i ka marrë nga dora gazetarit.  Të pyetur nga BIRN zëdhënësit e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit nuk komentuan mbi ndalimin e gazetarit dhe arsyet e këtij ndalimi.

Menjëherë pas ndalimit të Hilës pati reagime të ashpra ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Unioni i Gazetarëve e cilësoi rastin një përsëritje. “Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët dhe reporterët në detyrë”, thuhet në deklaratë. Në deklaratën e Unionit thuhet se rasti është përsëritur disa herë “gjatë tri muajve të fundit nga disa akte të tjera dhune, kërcënimi dhe deri prangosje në sytë e publikut të gazetarëve dhe reporterëve të ndryshëm”.

Po ashtu Unioni shprehet se ishte zhgënjyes mosreagimi i institucioneve dhe mos hetimi i asteve të shpeshta të dhunës dhe presioneve ndaj gazetarëve.

Në të njëjtën frymë ishte edhe reagimi i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë, që e cilësuan papranueshëm pengimin e gazetari për të bërë detyrën.  “Kjo sjellje ndaj gazetarit Elvis Hila nuk duhet të tolerohet, në mënyrë që të mos përsëritet më!”, thuhet në reagim.