
Në fillim të luftës në Gaza, historiani izraelit Omer Bartov, një nga autoritetet më të njohura botërore për Holokaustin dhe studimet mbi gjenocidin, argumentonte se Izraeli po kryente krime kundër njerëzimit, por jo gjenocid.
Për të, mungonte elementi vendimtar: qëllimi për të shkatërruar popullsinë palestineze si grup etnik. Kur ai u ngjit në podiumin e kolegjit universitar Davidson pranverën e kaluar, Bartov nuk po mbronte më të njëjtin përfundim.
“Prof. Bartov dha një ndër leksionet më të mira që kam dëgjuar mbi këtë temë, ku shpjegoi se si, pas intervistave të shumta me gjeneralë dhe politikanë në Izrael, ai arriti në konkluzionin e qartë se kjo që po ndodhte në Gaza ishte pa dyshim një gjenocid,” kujton Silvana Toska, akademike me origjinë shqiptare pranë këtij kolegji.
“Planet konkrete të Izraelit për të shpërngulur të gjithë popullsinë e Gazës në vende të ndryshme në botë janë shenjë e qartë e qëllimit për të shpërngulur një grup etnik me forcë – pikërisht thelbi i konceptit të gjenocidit,” shtoi ajo, ndërsa theksoi se në të njëjtin konkluzion kanë arritur gjykatat ndërkombëtare.
Silvana Toska është profesore e asociuar e Shkencave Politike në Davidson College, ku hulumton dhe jep mësim mbi politikën e Lindjes së Mesme, sigurinë ndërkombëtare, psikologjinë politike dhe konfliktet. Ajo është autore e librit Revolutionary Emotions: The Roots of Revolutionary Waves, i cili thellohet mbi rolin e emocioneve në kryengritje, përfshirë Pranverën Arabe.
Në një intervistë me BIRN, Toska diskuton gjendjen humanitare në Rripin e Gazës, krimet nga palët ndërluftuese, drejtësinë ndërkombëtare dhe sanksionet amerikane, ndikimin gjeopolitik të luftës në Iran mbi Lindjen e Mesme, flotiljet humanitare, vizitën e Edi Ramës në Izrael dhe rolin e Shqipërisë si vend anëtar i Bordit të Paqes për Gazën, organizatën e themeluar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Kulti i sulmit
Lufta në Gaza nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1,200 izraelitë – shumica civilë, dhe duke marrë peng 251 të tjerë. Si kundërpërgjigje, Izraeli ndërmori një ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë që ka shkaktuar, sipas autoriteteve palestineze, mbi 73 mijë viktima.
Sipas Toskës, sulmi i Hamasit përbënte krim lufte, por përgjigjja ushtarake e Izraelit nuk ishte proporcionale dhe pasqyron një doktrinë të hershme të sigurisë, të ndërtuar mbi goditjen shkatërruese të kundërshtarit përpara se ai të përbëjë kërcënim ekzistencial.
Ajo argumenton se trauma e sulmit, e kombinuar me strategjinë e “parandalimit” përmes forcës, e shtyu Izraelin drejt një ofensive që synonte të rivendoste epërsinë ushtarake dhe efektin frikësues ndaj Hamasit, Iranit dhe Hezbollahut.
“Ky event traumatizoi një popullsi për të cilën Holokausti nuk është e kaluar e largët (siç nuk mund të jetë) dhe dëshira për hakmarrje – për një pjesë të madhe të popullsisë – dhe dëshira për ta hequr njëherë e përgjithmonë mundësinë e një akti tjetër terrorist si 7 tetori ishte motivim kryesor,” tha ajo.
“Edhe pse pa dyshim shteti më i fuqishëm në Lindjen e Mesme, Izraeli operon me besimin se është në rrezik ekzistencial në çdo moment dhe se ky rrezik vjen nga armiq me të cilët nuk negociohet,” shtoi ajo.
Toska identifikon edhe faktorë të tjerë politikë. Sipas saj, kryeministri Benjamin Netanyahu mbart përgjegjësi politike për fuqizimin e Hamasit në të kaluarën, si pjesë e një strategjie për të përçarë kampin palestinez, ndërsa sulmi i 7 tetorit ekspozoi dështimin e kësaj politike.
Ajo argumenton gjithashtu se zgjatja e luftës i shërben interesave personale të Netanyahut, i cili përballet me akuza për korrupsion, si dhe mbijetesës së koalicionit të tij qeverisës, që varet nga mbështetja e ministrave të ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich.
Për Toskën, kombinimi i këtyre faktorëve strategjikë dhe politikë e bën të pamundur një përfundim të shpejtë të luftës.
Drejtësia ndërkombëtare
Në nëntor 2024, gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshuan urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant dhe komandantin e Hamasit Mohammed Deif.
Netanyahu dhe Gallant akuzohen për përdorimin e urisë si armë lufte, si dhe për krime ndaj njerëzimit për mënyrën se si u zhvillua lufta në Gaza. Të dy i mohojnë me forcë akuzat. Ndërkohë, Deif – i cili u vra në korrik 2024 – ishte ndër organizatorët kryesorë të sulmit të 7 Tetorit dhe akuzohej për krime kundër njerëzimit, dhunë seksuale, torturë dhe rrëmbim.
Pas urdhër-arresteve ndaj Benjamin Netanyahut, SHBA vendosi sanksione ndaj gjyqtarëve të ICC-së, një qëndrim i marrë fillimisht nga Joe Biden dhe më pas i mbështetur edhe nga Donald Trump.
Sipas Toskës, gjykimi i ICC-së ishte i drejtë dhe i mbështetur si në fakte, ashtu edhe në ligj, ndërsa ajo thekson se sanksionet e SHBA-së janë më shumë rezultat i politikave personale, edhe pse me pasoja globale. Ajo shtoi se qëndrimi i marrë nga Uashingtoni është katastrofik për ligjin dhe sistemin ndërkombëtar në përgjithësi.
“Do të duhet shumë punë të rindërtohet ky sistem, i cili, sado problematik (pabarazia dhe racizmi ishin pjesë e tij), kishte një sistem normativ që kufizonte sjelljet ekstreme të liderëve,” theksoi Toska.
“Çfarë i ndalon liderët e tjerë të sillen në të njëjtën mënyrë – të kryejnë krime lufte apo gjenocid – kur nuk ka asnjë pasojë?” pyeti ajo.
Rritja e antisemitizmit
Përveç gjyqtarëve të ICC-së, SHBA ka vendosur sanksione edhe ndaj raportueses speciale të OKB-së për territoret e pushtuara palestineze, Francesca Albanese. Ajo është përballur me kritika të forta nga Izraeli, SHBA dhe organizata pro-izraelite, të cilat e kanë akuzuar për paragjykim dhe antisemitizëm.
Toska thekson se antisemitizmi është problem shumë i madh dhe është bërë akoma më i madh si rezultat i politikave të Izraelit, të cilat, edhe pse nuk e justifikojnë urrejtjen ndaj hebrenjve, fatkeqësisht i fryjnë flakëve ekzistuese të antisemitizmit.
Sipas Toskës, njerëzit me pak njohuri mbi çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme dhe politikën e brendshme të Izraelit ia vënë fajin për krimet e qeverisë çdo izraeliti apo personi hebre. Ajo theksoi se edhe protestat e fundit në Shqipëri kanë pasur disa zëra të tmerrshëm antisemitë, që nuk është e njëjta gjë si të jesh kritik ndaj Izraelit ose Jared Kushner.
“Kritika ndaj qeverisë së Izraelit dhe politikës së saj nuk është antisemite, përderisa ajo kritikë nuk varet nga esenca ‘hebraike’ e shtetit,” tha ajo. “Korrupsioni i Kushner nuk ka të bëjë me faktin që është hebre,” shtoi ajo.
Fatkeqësisht, Toska theksoi se kritika ndaj Izraelit ngatërrohet me urrejtjen ndaj fesë hebreje dhe hebrenjve, dhe kjo ndodh në universitetet më të mëdha kërkimore në SHBA, përfshirë Harvard dhe Yale, të cilat kanë adoptuar një përkufizim të antisemitizmit që e barazon kritikën ndaj Izraelit.
“Nuk është aspak e habitshme që Albanese ka vuajtur pasojat e aktivizmit të saj,” tha ajo.
Gaza dhe lufta në Iran
Lufta e Izraelit dhe ShBA-sw kundwr Iranit ka sjellw pasoja jo vetëm në Gaza, por edhe në Bregun Perëndimor ku, sipas Toskws, kolonët izraelitë dhunojnë dhe vjedhin tokë të palestinezëve nën mbështetjen e heshtur të ushtrisë
“Në këto njëzet vjet që udhëtoj në rajon, shoh çdo vit më pak tokë në disponim të Palestinezëve dhe gjithmonë me shumë dhunë ndaj tyre,” tha ajo.
Toska thekson se konflikti nw Lindjen e Mesme ka sjellw pasoja edhe në Siri, dhe sigurisht Liban i cili po shkatërrohet dhe rrezikon një tjetër luftë civile.
“Duke qënë se bota është e përqendruar te Irani dhe kriza ekonomike që ka pasuar (dhe mund të përkeqësohet), Izraeli ka qënë pak a shume i lirë të bëjë ç’të dojë në këto zona,” tha ajo.
Studiuesja shqiptare theksoi se shpronësimi dhe dhuna në Bregun Perëndimor është e përditshme dhe as që kap faqet kryesore nëpër gazetat e mëdha, ndwrsa shtoi se situata në Liban është po aq e trishtë dhe politikanë në Izrael flasin bindshëm se Libani nën lumin Litani do të jetë pjesë e Izraelit – një pjesë e madhe e një vendi të vogël.
“Kjo dinamikë e ka bërë Izraelin akoma më ekspansionist,” tha ajo. “Strategjia e tij në këtë moment është që të krijojë sa më shumë kaos të mundet, pasi nëse shtetet rrotull janë në kaos, nuk do jenë rrezik për të, dhe nuk do të mund të ndalojnë rrëmbimet e tokave,” theksoi Toska.
Flotilja ‘Sumud’
Në javën e tretë të majit, 54 anije me 426 pjesëmarrës nga 39 vende – të organizuar si pjesë e flotiljes humanitare Sumud, u përpoqën të thyenin bllokadën e Gazës, duke lundruar drejt territorit të pushtuar palestinez.
Më 18 dhe 19 maj, marina izraelite ndaloi shumicën e anijeve në Mesdhe përpara se ato të arrinin në Gaza. Organizatorët deklaruan se ndërhyrja ndodhi në ujëra ndërkombëtare dhe e cilësuan të paligjshme, ndërsa Izraeli tha se po zbatonte bllokadën detare të Gazës, të cilën e konsideron të ligjshme për arsye sigurie.
Mes aktivistëve të flotiljes ishte edhe një i ri shqiptar nga Vlora, Baki Goxhaj. Ndalimi i tij, së bashku me aktivistët e tjerë, solli ndërhyrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe një vëmendje të shtuar për situatën në Gaza në median shqiptare.
Toska shpjegoi se iniciativat e tilla kanë për qëllim të thyejnë bllokadën e Izraelit, i cili nuk lejon ushqim dhe mjekim të hyjnë në Gaza përmbi një nivel shumë minimal.
“Sigurisht që nuk do të ndryshojë situata humanitare me disa flotilje, por qëllimi është të ndryshojnë perceptimin se është e mundshme të thyhet bllokada,” tha ajo. “Izraeli, sigurisht, nuk ka interes të lejojë diçka të tillë: nuk mund të lejojë që flotiljet të ndryshojnë një plan shumë strikt që limiton se ç’hyn dhe del nga Gaza, apo të lejojë të huaj të jenë dëshmitarë të situatës tragjike,” shtoi ajo.
Pas ndalimit të flotiljes Sumud, një numër aktivistësh ngritën akuza serioze për keqtrajtim gjatë arrestimit dhe ndalimit në Izrael, por Toska thekson se, krahasuar me të burgosurit palestinezë, sjellja e Izraelit ndaj aktivistëve ka qenë shembullore.
“Duke marrë parasysh se si Izraeli sillet ndaj të burgosurve palestinezë apo kritikëve të qeverisë, sjellja ndaj aktivistëve ka qenë shumë e përmbajtur, pasi qeveria nuk do të krijojë incidente ndërkombëtare,” tha ajo.
Bordi i Paqes
Në janar 2026, Presidenti amerikan Donald Trump themeloi një organizatë ndërkombëtare të quajtur Bordi i Paqes, për të mbikëqyrur zbatimin e planit të armëpushimit, administrimin e përkohshëm dhe rindërtimin e Gazës pas luftës midis Izraelit dhe Hamasit.
Organizata u themelua me një kartë të nënshkruar nga vendet pjesëmarrëse dhe mori mandat përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Deri në mesin e vitit 2026, ajo kishte 27 vende anëtare themeluese, përfshirë Shqipërinë.
Sipas Toskës, megjithë emrin e madh dhe pompozitetin e kësaj organizate, ajo ka bërë pak për ta ndryshuar situatën në Gaza.
“Gaza nuk po shkon drejt normalitetit dhe asgjë në projektin e ‘Bordit të Paqes’ nuk do ta çonte atë në një normalitet ku populli palestinez do të ishte sovran,” tha ajo.
“Përveç Shqipërisë, Kosovës dhe Hungarisë së kohës së Orbanit, nuk ka asnjë shtet tjetër europian si pjesë të këtij bordi,” gjë që, sipas Toskës, minon legjitimitetin e tij.
Nga 17 miliardë dollarë që janë premtuar nga 27 shtetet pjesëmarrëse në bord, vetëm një shumë simbolike është depozituar deri tani.
“E gjitha është një lojë për përfitim personal, për të shtyrë zgjidhjen konkrete të situatës, ndërkohë që ajo vazhdon të jetë katastrofike për palestinezët,” tha Toska.
Më 25 janar, kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Izrael, ku u takua me Benjamin Netanyahu dhe mbajti një fjalim në Knesset. Vizita u zhvillua në kulmin e debatit ndërkombëtar mbi luftën në Gaza dhe hetimet e ICC-së. Toska thekson se nuk duhet shumë për të kuptuar se ky nuk ishte momenti i duhur.
“Edi Rama i dha të njëjtën shuplakë ICC-së si edhe SHBA-ja, edhe pse pesha e shuplakës së tij është pa vlerë në krahasim,” tha ajo.
Ajo theksoi se situata në Gaza mbetet jashtëzakonisht e rëndë dhe se armëpushimi jo vetëm që nuk i ka ndalur sulmet e Izraelit, por edhe marrja e më shumë territori nën kontroll ka vazhduar dhe tashmë ai zotëron 70% të tij.
“Palestinezët jetojnë në 30 përqindëshin e mbetur në kushte jashtëzakonisht të vështira; shumica janë ose në tenda, ose në rrënoja, ndërsa ushqimi dhe shërbimet mjekësore mbeten të limituara,” tha ajo.
“Qeveria Rama po thotë qartë se është dakort me politikën e Izraelit, dhe si rezultat është të paktën indiferente ndaj gjenocidit,” përfundoi Toska.






