
Në vitin 2023, gërmimet për hapjen e themeleve të shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës zbuluan strukturat e një vile të periudhës romake, mes të cilave edhe pesë mozaikë. Zbulimi arkeologjik i ndërpreu punimet për rindërtimin e shkollës prej tre vitesh, ndërkohë që Bashkia po planifikon tani një projekt bashkëjetese mes dy objekteve.
Sipas Bashkisë së Durrësit, projekti është dërguar për miratim tre muaj më parë në Komisionin Shtetëror të Rindërtimit, ndërkohë që është kërkuar njëherazi edhe leja nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale.
Në pritje janë edhe arkeologët, të cilët kërkojnë një dritë jeshile nga Bashkia. Drejtuesi i ekspeditës, prof. Luan Përzhita i tha BIRN se siti duhet t’i nënshtrohet fillimisht gërmimit arkeologjik dhe më pas të vendoset.
“Ne ende nuk e dimë se çfarë ka nën pjesën ku do të zbatohet projekti,” theksoi ai.
Kuadratet e mureve antike janë mbuluar me rërë dhe me copë për t’i shpëtuar dëmtimeve nga ndryshimet atmosferike. Arkeologët janë të shqetësuar për fatin e pesë mozaikëve të zbuluar, të cilët janë më të ndjeshëm veçanërisht ndaj lagështirës.
Përveç pjesës së njohur të zbulimit prej 1.200 metrash katrorë, ndërtimi i ri pritet të realizohet në pjesën prej afro 600 metra katrorë në hapësirën që mbetet.
Ndërkaq, Bashkia ka parashikuar në buxhetin e vitit 2026 një fond prej 370 milionë lekësh për ndërtimin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, nxënësit e së cilës i kanë ndjekur mësimet në shkolla të tjera që nga viti mësimor për afro shtatë vite.
Fioralba Rica, banore në lagjen nr 1, tregon se dy fëmijët e saj i ndoqën mësimet në auditoret e universitetit, ndërsa prej vitesh nxënësit mësojnë vetëm pasdite në klasat e shkollën 9-vjeçare “Marie Kaçulini”. Sipas saj, është sakrificë e madhe ti dërgosh fëmijët në një shkollë tjetër pasditeve deri në mbrëmje, ndërsa njëlloj si shumë prindër shpreson që nxënësit të kthehen në shkollën e tyre.
Projekti që parashikon bashkëjetesën mes shkollës së re dhe sitit arkeologjik është konceptuar nga studio spanjolle e arkitekturës, Tony Girones, dhe është detajuar nga “Inception Studio”. Ndërtimi i ardhshëm dhe vazhdimi i zbulimit arkeologjik pranë tij do të vijojnë me sa duket paralelisht.
“Një gjë është e sigurt,” – tha prof Luan Përzhita. “Sipërfaqja e zbuluar deri tani do të ruhet për të vijuar ekspeditën e nisur tre vjet më parë”.






