Reportazh20 Jan 2020

Ndotja nuk njeh kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë

Mungesa e menaxhimit të mbetjeve urbane në zonat malore të Dibrës e Kukësit si dhe në disa pjesë të Kosovës, shoqëruar me derdhjen e ujërave të zeza dhe peshkimin e paligjshëm rrezikojnë të kthejnë në katastrofë mjedisore atë që duhej të ishte një burim turizmi natyror, liqenin e Fierzës.

Autor: Bashkim Shala BIRN Tiranë
Printo

Stacioni i trageteve në Fierzë. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Liqeni i Fierzës në Shqipërinë verilindore u krijua në vitin 1978 pas ndërtimit të digës së hidrocentralit me të njëjtin emër, falë prurjeve të lumenjve Drini i Bardhë me origjinë nga Kosova dhe Drini i Zi, me origjinë nga Maqedonia, por afro 40 vjet pas krijimit, prurjet e mbeturinave nga këto lumenj si dhe derdhjet e ujërave të zeza të pafiltruara nga qytetet e shumta përgjatë lumit rrezikojnë ta kthejnë këtë mrekulli natyrore në një katastrofë mjedisore.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga BIRN përmes intervistave dhe kërkimit në dokumente, planet e qeverisë aktuale për të rindërtuar infrastrukturën e peshkimit – e cila në kohën e ekonomisë së centralizuar të regjimin komunist siguronte deri në 120 tonë peshk në vit, duket se pengohen nga mungesa e menaxhimit mjedisor në një zonë të gjerë nga veriu i Kosovës deri në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë si dhe nga peshkimi i paligjshëm.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në shtator i propozoi Këshillit të Ministrave të Shqipërisë shpalljen e liqenit hapësirë ujore me interes për peshkim, gjë që nënkupton një nivel menaxhimi të liqenit, por ekspertë të ndryshëm të pyetur nga BIRN sugjerojnë se një masë e tillë sërish e lë “pronësinë” e liqenit dhe rrjedhimisht, përgjegjësinë për menaxhimin e tij, të fragmentarizuar dhe joefikas.

Një problem shtesë, sipas ekspertëve të pyetur nga BIRN, është derdhja e mbetjeve sterile të kompanive minerare si dhe depozitimi i inerteve buzë lumit.

Si pasojë e ndotjes së liqenit të Fierzës, por edhe të gjuetisë së paligjshme në territorin e Shqipërisë, po dëmtohet rëndë flora dhe fauna në këtë liqen, njëherësh edhe ekonomitë familjare, që e kanë lidhë jetën me peshkimin.

Ndotjet nga Kosova

Drini i Bardhë, një nga dy kontribuesit më të mëdhenj të liqenit të Fierzës, rrjedh nga bjeshkët e Rugovës në Kosovën veri-perëndimore për të përshkruar të gjithë Kosovën para se të hyjë në territorin shqiptar. Verën e këtij viti, rreth 12 tonë peshq u gjendën të ngordhur në territorin e komunës së Prizrenit në Kosovë, duke ngritur shqetësime për nivelin e ndotjes. Pesë vjet më parë, Këshilli i Qarkut të Kukësit pati propozuar trajtimin e të gjithë pellgut ujëmbledhës së liqenit, përfshirë territorin e Kosovës, si zonë e mbrojtur mjedisore. Por planet në këtë drejtim duket se nuk kanë ecur.

Sipas Arben Palushit, biolog në bashkinë e Kukësit, ndotja nga Kosova vjen kryesisht nga tributarët e Drinit të Bardhë, të cilat mbledhin ujërat në një zonë të gjerë të Kosovës. Këtyre u shtohen ndotjet e sjella nga Drini i Zi, i cili rrjedh përgjatë njësive administrative të Dibrës. Shqetësim tjetër është prania e një numri të konsiderueshëm minierash në pellgun ujëmbledhës të Drinit, të cilat depozitojnë inertet e sterileve të mineraleve të kromit dhe hekur nikelit.

Hilmi Duraku, kryesekretar në Prokurorinë e Kukësit thotë se në këtë prokurori është regjistruar një kallëzim penal për ndotjen e mjedisit. Kallëzuesi rezulton të jetë Bashkia e Kukësit.

“Kam kallëzuar në prokurori firmën turke të shfrytëzimit të mineralit të kromit në Kalimash,” tha kryetari i bashkisë, Safet Gjici.

Por për Shemsi Shahun drejtor i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit në qarkun e Kukësit, edhe pse sterilet e mineraleve janë ndotëse të mjedisit ato nuk kanë ndikim në biodiversitet.

“Sterilet e kromit ndotin ambientin, ulin volumin e liqenit të Fierzës, por nuk kanë ndikim në pasuritë peshkore të liqenit të Fierzës. Ne vlerësojmë në bazë të raporteve të monitorimit që na vijnë nga terreni. Nuk kemi ndonjë informacion se firmat minerare ndotin liqenin,” tha ai.

Për Shahun, liqeni ka nevojë për një pronar.

“Liqeni vuan për një pronar “de facto”. Ai pronar duhet të jetë KESH-i dhe të mbajë përgjegjësi për ndotjet dhe jo të mjaftohet vetëm me ndotjet në afërsi të digës dhe prodhim energjie,” shtoi ai.

Problem më të madh duket se shkaktojnë derdhjet e ujërave të zeza të disa qyteteve të mëdha në rrjedhën ë Drinit. Këto derdhje përbëjnë shqetësim të madh për biodiversitetin. Aktualisht vetëm në qytetin e Prizrenit po ndërtohet një impiant për përpunimin e ujërave të zeza por sipas Islam Thaçit, nga Inspektorati i Mjedisit në komunë, kolektori nuk është vënë ende në punë dhe fondet mungojnë. Verën e këtij viti, kur niveli i liqenit ishte relativisht i ulët, shkuma e ujërave të zeza mbushi brigjet e liqenit të Fierzës në anën e Kosovës duke e bërë ndotjen të dukshme si kurrë më parë. Ndotja e ujërave të zeza është shqetësuese veçanërisht për shkak të detergjentëve, të cilët kanë fuqi gërryese dhe përbëjnë rrezik për peshqit.

Por ndërsa në Prizren ka përpjekje për ndërtimin e impiantit të përpunimit, kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici tha se tani për tani bashkia e tij nuk i ka mundësitë për një impiant të tillë.

“Përsa i përket impiantit të ujërave të zeza fillimisht duhet ta bëjë Prizreni dhe pastaj të mendojmë ne për këtë punë. Po nuk përfundoi impianti i Vlashnjës ne nuk mund të investojmë,” tha ai.

Peshkim me dinamit

Liqeni dhe lumi Drin përfshin një zonë të gjerë dhe të thyer malore, gjë që e lehtëson punën e peshkatarëve të paligjshëm. Me një sipërfaqe prej 72 kilometrash katrore dhe një vijë bregliqenore shumë të gjatë, Fierza është vështirë të kontrollohet.

Në kohën e ekonomisë së centralizuar, kur popullsia e zonës ishte shumë më e madhe se sa tani, shfrytëzimi i liqenit për peshk jepte deri në 120 ton në vit, kryesisht të llojeve gjuhcë, krap dhe ballgjërë. Nga këto, gjuhca përfundonte për konserva ndërsa e kishte sezonin e peshkimit shumë të shkurtër, vetëm dy muaj. Ballgjëri, një nga peshqit jo shumë të pëlqyer për konsum, përfundonte për të furnizuar menzat e punëtorëve të ndërmarrjeve industriale të zonës.

Sot peshkimi ka rënë në rreth 25 ton në vit dhe kryhet nga rreth 45 varka të vogla. Peshqit kryesorë janë krap, amur, karas, luçipërkë, gjuhcë, nil dhe sharmak, ndërsa në raste të rralla ka edhe ngjala.

Në shtator të këtij viti, qeveria shqiptare hodhi një sasi rasati peshku në liqenin e Fierzës, një proces që nuk ishte kryer prej shumë vitesh për arsye të ndryshme. Po Destan Dina, një nga peshkatarët më të vjetër të zonës, thotë se për sa kohë vijon peshkimi me lëndë plasëse, çdo përpjekje për peshkëzim është e kotë.

“Për ne peshktatarët e rregullt, gjuajtja me lëndë plasëse është problem kryesor dhe vazhdon të jetë. Rasati që është hedhur në muajin shtator është hedhur kot nëse vazhdohet të gjuhet me lëndë plasëse,” tha Dina.

“Tashmë dihet se zihet peshk me dinamit. Dihen edhe personat që gjuajnë me dinamit. Kemi ngritur zërin disa here por nuk ka asnjë reagim nga shteti. Dihen personat, por nuk i kap askush,” shtoi ai.

“Çdo ditë gjej në rrjeta peshq të ngordhur. Krapi dallohet lehtë kur është vrarë me dinamit,” shtoi ai.

Ndryshe mendojnë autoritetet. Hilmi Dafku, inspektor peshkimi, thotë se një grup pune i ministrisë së Bujqësisë ka inspektuar katër herë të gjithë zonën e Liqenit të Fierzës nga Skavica deri në digë në Fierzë për të ndaluar gjuetinë e paligjshme.

“Nuk kemi konstatuar ndonjë rast. Gjendja është normalizuar”, tha Dafku.