Analize28 Aug 2018

Ndryshimi i qëndrimit të SHBA për ndarjen e Kosovës nxit debate te ekspertët

Bisedimet së fundmi për një shkëmbim të territoreve etnike mes Kosovës dhe Serbisë kanë alarmuar shumicën e ekspertëve në SHBA - të cilët besojnë se ideja nuk qëndron dhe se do të nxiste konflikte të tjera.

Autor: Ivan Angelovski BIRN Uashington
Printo

Vuçiç, Mogherini dhe Thaçi në Bruksel. Foto: Beta/Keshilli Europian /Mario Salerno/MO

Serbia dhe Kosova duket se po drejtohen nga Uashingtoni dhe jo nga Europa për të fituar përkrahje ndërkombëtare për një marrëveshje përfundimtare paqeje, që mund të përfshijë një shkëmbim të shumëpërfolur territori.

Deklaratat e fundit nga Uashingtoni se SHBA është dakord me atë që Serbia dhe Kosova do të vendosin janë muzikë për veshët e Aleksandër Vuçiç të Serbisë dhe Hashim Thaçit të Kosovës.

Megjithatë, ekspertët amerikanë për Ballkanin thonë se qëndrimi i Amerikës për shkëmbimin nuk është aq i qartë apo i njëanshëm.

Gjatë Forumit Europian Alpbach, i zhvilluar në Austri gjatë fundjavës, presidentët Thaçi dhe Vuçiç konfirmuan se po peshojnë një marrëveshje historike, e cila mund të përfshijë një shkëmbim territoresh në Serbinë jugore dhe në veri të Kosovës.

Ata i bënë thirrje Bashkimit Europian të mbështesë përpjekjet e tyre.

Ideja e ndarjes nuk është e re dhe ka pasur rikthime nga fokusi gjatë historisë së mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi.

Ç’ka është padyshim e re është se administrata e Donald Trump duket se po ndryshon pozicionin afatgjatë të Amerikës për të.

Pas një heshtje të gjatë, shurdhuese për këtë çështje, që në vetvete tregonte se pozicioni amerikan po ndryshonte, John Bolton, këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare, konfirmoi të premten e kaluar se Uashingtoni nuk e përjashtonte shkëmbimin e tokës.

Deklarata e Bolton nxiti më shumë debat mes zyrtarëve amerikanë dhe ekspertëve të cilët kanë punuar në Ballkan për vite.

Ide e vjetër me vrull të ri:

Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës për një shkëmbim territoresh duket se po hyjnë në fazën e tyre përfundimtare, pas vizitës së kryeministres serbe, Ana Brnabiç dhe ministrit të jashtëm Ivica Daçiç në Uashington në korrik.

Pas takimit me Bolton më 26 korrik, Daçiç tha se politika amerikane ndaj idesë së shkëmbimit territorial po ndryshonte.

“Tani, për herë të parë, ata janë të gatshëm të dëgjojnë zgjidhje krijuese për problemet e mundshme, përfshirë Kosovën. Kjo është shumë e rëndësishme për ne dhe është shumë e rëndësishme që të kemi kuptim nga Uashingtoni,” tha Dacic.

Çdo administratë e mëparshme amerikane ka qenë kategorikisht kundër ndryshimeve të kufirit. Gjatë bisedimeve më të hershme Kosovë-Serbi, ndarja e Kosovës kurrë nuk u shqyrtua në negociata – pjesërisht sepse sa herë që dikush e përmendte, qëndrimi kundërshtues i Uashingtonit ishte i qartë.

“Qëndrimi ynë ishte se nëse do të fillonim të ndanim çdo pjesë të territorit ballkanik sipas kritereve etnike, nuk do t’ia shihnim fundin. Do të ishte një arsye më shumë për tensione negative dhe konflikte etnike në Ballkan,” tha për BIRN Thomas Countryman, zyrtari më i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin në atë kohë.

Countryman, megjithatë, ende nuk beson se ndarja është vërtet në tavolinë.

“Vuçiç, Daçiç dhe Thaçi janë të gjithë politikanët. Situata është e vështirë për të gjithë. Unë me të vërtet besoj se ata duan të bëjnë një përpjekje drejt anëtarësimit në BE,” tha ai.

“U duhet një lloj marrëveshjeje. Por duhet të jenë më realist në negociatat e tyre. Duhet ta çojnë vëmendjen në zgjidhjen e problemeve reale, ekzistuese, dhe të mos krijojnë të reja,” shtoi Countryman.

Eliot Engel, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të SH.B.A.-së, i cili ka qenë i përfshirë në politikën amerikane për Ballkanin, thotë se pavarësisht të gjithave, “bisedimet në paradhomë për mundësinë e një shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë”, mbetet e paqartë nëse ka një marrëveshje në tryezë.

“Për vite me radhë ka pasur zëra për shkëmbime territori dhe nuk jam i befasuar që vëllimi është rritur së bashku me intensitetin e bisedimeve,” tha Engel në një deklaratë me shkrim për BIRN.

Ai shtoi se SHBA duhet të marrë parasysh çdo marrëveshje të arritur nga të dyja vendet, por theksoi: “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për çdo gjë që mund të përbëjë rrezik të madh për rajonin”.

Këto shqetësime vijnë kryesisht nga ideja se një shkëmbim i territoreve në një pjesë të Ballkanit mund të shkaktojë përpjekje të ngjashme gjetkë; kjo është arsyeja kryesore pse shumica e ekspertëve të Ballkanit në SHBA ende besojnë se një shkëmbim tokash Beograd-Prishtinë është një ide e keqe.

Marrëveshja mund të hapë kutinë e Pandorës në Ballkan:

Ish-presidenti i Serbisë Sllobodan Millosheviç. Foto: Wikimedia Common.

Daniel Serwer, nga Universiteti Johns Hopkins, paralajmëron ndarja ndodh, “e keqja është në pritje”.

“Vetëm diskutimi i temës po shkakton probleme në Bosnjë dhe Maqedoni”, tha Serwer për BIRN.

Serwer dyshon se Vuçiç dhe Thaçi do të jenë në gjendje të bien dakord për një shkëmbim toke, por shton se edhe hapja e kësaj teme kërcënon të hapë kutinë e Pandorës së Ballkanit.

“Shqiptarët jetojnë në veri të Kosovës. Serbët jetojnë në Preshevë [në Serbinë jugore]. Doni të jeni një prej tyre? Pyetni At Savën se çfarë mendon se do të ndodhë me serbët në jug të Ibrit”, tha Serwer për BIRN, duke iu referuar At Sava Janjiç, kryemurg i manastirit serb të Deçanit dhe një zë i fortë i serbëve në Kosovën jugore.

Serwer thotë se, sipas burimeve të besueshme në qeverinë amerikane, ndërkohë që administrata amerikane nuk do të kundërshtojë çfarëdo që të bien dakord liderët vendas, edhe ky ndryshim i rëndësishëm në politikën amerikane nuk do të thotë se një marrëveshje është e afërt.

“Nuk e di në është një marrëveshje e mbyllur dhe shpresoj ende që të mund të ndalet”, tha Serwer, duke shtuar se administrata amerikane nuk i kupton rreziqet e ndarjes së Kosovës.

David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat pranë Institutit të Studimit të të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbisë, e sheh gjithashtu ndarjen e Kosovës si një hap të rrezikshëm që mund të shkaktojë konflikte të dhunshme në shoqëri të tjera të përçara.

“Shumë njerëz vdiqën në vendet e Ballkanit Perëndimor për të ruajtur idealin e pluralizmit dhe multikulturalizmit”, tha Phillips, duke kujtuar se ndarja etnike e ish-Jugosllavisë ishte qëllimi i ish-kryeministrit serb, Slobodan Millosheviç.

“Ndarja e Kosovës përmes negociatave do të arrinte atë që Millosheviçi nuk arriti të bëjë përmes dhunës dhe spastrimit etnik”, shtoi Phillips.

“Deklaratat e fundit të presidentit Thaçi sugjerojnë se ai është fleksibël kur bëhet fjalë për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, në mënyrë që të dyja vendet të mund të ecin përpara me integrimin euroatlantik, edhe nëse kjo marrëveshje përfshin “rregullimin e kufijve”, theksoi Phillips.

Por, sipas tij, Serbia po e shantazhon qartë Kosovën për ta arritur këtë, duke bllokuar përpjekjet e saj për të fituar njohje më të madhe globale dhe për të penguar përparimin e dialogut.

Nevojiten zgjidhje kreative:

Megjithatë, Daniel Vajdich, një anëtar i lartë në Këshillin Atlantik, thotë se administrata amerikane ka nevojë për një “zgjidhje kreative” për Kosovën dhe ideja “rregullimit të kufirit” mund të mjaftojë për këtë.

Njëkohësisht, ai paralajmëron se kjo ide nuk do të jetë e lehtë për t’u zbatuar, sepse Serbia duhet të bindë palët e përfshira që shkëmbimet territoriale të mos kenë pasoja negative për stabilitetin në pjesët e tjera të Ballkanit.

Kjo nuk arrihet vetëm me disa vizita zyrtare në Uashington, theksoi ai

“[Serbia] duhet të nisë një fushatë shumë më të gjerë për të njohur me propozimin e saj aktorët e rëndësishëm në Kapitol Hill, si dhe ekspertët.

“Derisa ajo ta bëjë këtë, ideja e saj për t’u angazhuar në ndryshimin e kufijve me Kosovën nuk do të fitojë pranimin në Uashington,” parashikoi Vajdich.

Vajdich thotë se SHBA po e mbështet këtë ide për t’u dhënë elitave politike të Serbisë mundësinë të thonë se po marrin diçka të prekshme nga negociatat me Kosovën.

“Është thelbësore për liderët në Serbi nga një perspektivë e brendshme politike. Nga ana tjetër, SHBA mund të kundërshtonte ndërrimet territoriale prej shqetësimit se kjo do të kishte pasoja negative për stabilitetin në fusha të tjera të Ballkanit,” përfundoi Vajdich.