Analize4 Mar 2021

Në luftën kundër COVID-19, liria e fjalës bëhet dëm kolateral

Teksa përpiqen të kontrollojnë lajmet mbi pandeminë, qeveritë në rajon i janë drejtuar mjeteve drakoniane, duke heshtur mediat, arrestuar kritikët dhe duke bombarduar gjigantët e rrjeteve sociale me kërkesa për të fshirë postime dhe mbyllur llogari

Autor: BIRN BIRN Beograd, Budapest, Podgoricë, Shkup, Tiranë, Zagreb
Printo

Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic.

Në fillim, gazetari Tugay Can nuk e kishte idenë pse ishte shoqëruar për t’u marrë në pyetje nga policia më 25 mars të vitit të kaluar në qytetin Izmir të Turqisë. Pastaj oficerët e krimit kibernetik i thanë se ai dyshohej për përhapje frike dhe paniku për shkak të një raporti që ai shkroi, botuar dy ditë më parë, rreth shpërthimeve të COVID-19 në dy qendra shëndetësore në qytet që më pas u karantinuan.

“Pasi konfirmova këtë me burimet e mia, e raportova situatën”, tha për BIRN Can, i cili punon për gazetën lokale Iz Gazete në Izmir.

Atij i bënë shumë presion që të tregonte burimet, por Can nuk pranoi. Orë të tëra marrje në pyetje përfunduan me një akuzë për përhapje lajmesh të rreme dhe paniku. Çështja u hodh poshtë disa muaj më vonë, por përvoja tronditëse e Can nuk ishte një rast i izoluar.

Sipas organizatës “Reporterët pa Kufij”, Can ishte midis 10 redaktorëve dhe reporterëve turq që u morën në pyetje në mars të vitit të kaluar në lidhje me mbulimin e tyre të pandemisë që sapo kishte filluar.

“Qeveritë po përdorin pandeminë si një avantazh ndaj fjalës së lirisë”, tha Can.

Turqia njihet për burgosjen e saj të gazetarëve, por ajo nuk ishte i vetmi vend në rajon që përdori mjete drakoniane për të kontrolluar lajmet mbi pandeminë. Dhe gazetarët nuk kanë qenë shënjestra e vetme.

BIRN ka konfirmuar dhjetëra raste në të cilat qytetarë të thjeshtë janë përballur me akuza për shkaktim paniku në rrjetet sociale ose personalisht. Ka indikacione se numri i vërtetë i rasteve shkon në qindra.

Pavarësisht nëse merren me raportime të sakta, por ndoshta aspak lajkatare, ose me ato që Organizata Botërore e Shëndetësisë vitin e kaluar i cilësi si një “infodemi” informacionesh të rreme, qeveritë nuk kanë hezituar t’i drejtohen gjigantëve të rrjeteve sociale për të marrë informacione që mund t’i ndihmojnë ata të gjurmojnë ata që konsiderohet se po shkelin rregullat.

“Çdo qeveri ka për detyrë të promovojë informacion të besueshëm dhe të korrigjojë akuzat e dëmshme dhe të pavërteta në mënyrë që të mbrojë integritetin personal dhe besimin e qytetarëve”, tha Tea Gorjanq Preleviq, drejtoreshë e OJQ-së malazeze Human Rights Action.

“Por çdo masë e marrë për të luftuar dezinformimin nuk duhet të shkelë të drejtën themelore të shprehjes.”

Mbyllen faqe interneti

Foto ilustruese: Unsplash.com/Erik Mclean.

Ndërsa luftojnë një armik të padukshëm, qeveritë në të gjithë rajonin janë përpjekur të kufizojnë informacionin ndërsa godasin raportimin e mediave ose postimet në rrjetet sociale që devijojnë nga narrativa zyrtare. “Keqinformimi” është kriminalizuar.

Disa nga këto kufizime ishin pjesë e gjendjeve të jashtëzakonshme që u shpallën; të tjera u prezantuan me legjislacion të ri që tejkalon çdo dekret të përkohshëm në rast emergjencash.

Por kush e vë kufirin midis të drejtës së fjalës së lirë dhe nevojës për të ruajtur rendin publik?

Në raportin e tij “COVID dhe Fjala e Lirë” të nëntorit 2020, organi i të drejtave i Këshillit të Evropës paralajmëroi se “situatat e krizës nuk duhet të përdoren si pretekst për të kufizuar qasjen e publikut në informacione ose për të shtypur zërat kritikë”.

Por kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur në disa vende.

Në Hungari, Kodi Penal u ndryshua për të penalizuar përhapjen e “fakteve të rreme ose të shtrembëruara të afta për të vështirësuar ose penguar efikasitetin e përpjekjeve për mbrojtje” për kohëzgjatjen e një gjendje të jashtëzakonshme, fillimisht midis marsit dhe qershorit dhe përsëri që nga nëntori.

Parlamenti më pas miratoi një projektligj që e bën më të lehtë që qeveritë të deklarojnë emergjenca të tilla në të ardhme. Në mars, qeveria prezantoi dënime nga një deri në pesë vjet burg për përhapjen e “gënjeshtrave” ose “të vërtetës së shtrembëruar” që gjykohet se pengon përpjekjet për të luftuar pandeminë.

Kufizime të ngjashme u vendosën në entitetin e Bosnjës, kryesisht të populluar nga serbët, Republika Srpska dhe në Rumani.

Në Bukuresht, qeveria mbylli një duzinë faqesh lajmesh për shkak të promovimit të informacioneve të rreme në lidhje me pandeminë.

Qendra për Gazetari të Pavarur, CJI, një OJQ që promovon lirinë e medias dhe praktikat e mira gazetareske, ka ngritur shqetësimin se dispozitat e miratuara si pjesë e një gjendje të jashtëzakonshme midis mesit të marsit dhe mesit të majit 2020 për të luftuar përhapjen e koronavirusit në Rumania mund të pengojnë aftësinë e gazetarëve për të informuar publikun.

“Aspekti më shqetësues i gjithë kësaj është, nga perspektiva ime, kufizimet në qasjen në informacion me interes publik”, tha drejtoresha ekzekutive e CJI, Cristina Lupu.

“Mungesa e transparencës nga ana e autoriteteve është një shenjë shumë e keqe dhe problemi më i madh me të cilin përballen mediat tona tani”, tha Lupu për BIRN, duke u ankuar për faktin që kjo e linte publikun pa “qasje në kohë në informacion”.

Në mars 2020, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, ngriti shqetësim për atë që ajo tha se ishte “heqja e raportimeve dhe mbyllja e faqeve në internet, pa siguruar mekanizma apelimi ose korrigjimi” në Rumani.

Komisioni i Venecias, organi këshillimor për çështjet kushtetuese i Këshillit të Evropës, theksoi se edhe në situata emergjente, përjashtimet nga liria e shprehjes duhet të interpretohen ngushtë dhe t’i nënshtrohen kontrollit parlamentar për të siguruar që rrjedha e lirë e informacionit të mos pengohet më shumë se ç‘duhet.

“Është e dyshimtë nëse kufizimet në botimin e informacioneve ‘të rreme’ në lidhje me një sëmundje që është ende duke u studiuar mund të jenë në përputhje me kërkesën e Komisionit të Venecias, vetëm në rast se këto informacione përmbajnë haptazi pohime të rreme ose të rrezikshme”, tha ai.

Në vend të parandalimit, gjobitje dhe dënime me burg 

Foto ilustruese: Unsplash.com

Në fillim të pandemisë, qeveria e Republikës Srpska lëshoi ​​një dekret që e lejonte atë të vinte në zbatim masa ndëshkuese, përfshirë gjobitje, për përhapjen e “lajmeve të rreme” për virusin në media dhe në rrjetet sociale gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Sipas dekretit, kushdo që përdor rrjetet sociale ose tradicionale për të përhapur “lajme të rreme” dhe për të shkaktuar panik ose prishje të rendit publik përballej me gjoba të mundshme që varionin nga 500 deri në 1,500 euro për individë dhe nga 1,500 dhe 4,500 euro për kompani ose organizata. Nuk dihet sa persona janë gjobitur.

Në Mal të Zi, neni 398 i Kodit Penal, i prezantuar në vitin 2013, parashikon një gjobë ose një dënim deri në 12 muaj burg për përhapje të lajmeve të rreme ose akuzave që shkaktojnë panik ose prishje serioze të rendit publik ose paqes. Për gazetarët, dënimi arrin deri në tre vjet burg. Ligji zor se ishte përdorur derisa shpërthyen protestat në fund të vitit 2019 në lidhje me një ligj polemik të lirisë fetare.

Në korrik 2019, shumë kohë para pandemisë, qeveria e Maqedonisë së Veriut zbuloi një plan veprimi për t’u marrë me “lajmet e rreme” dhe në mars të vitit 2020 u zotua se do të ndëshkonte këdo që mendohej se po shpërndante dezinformim rreth koronavirusit të ri.

Specialisti i komunikimeve dhe i medias në Shkup, Bojan Kordalov, tha se autoritetet do të ishte më mirë të përqendroheshin në parandalimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit.

“Është e domosdoshme të ndërtohet një sistem transparence aktive dhe digjitale, si dhe të krijohet një strategji reale për komunikim të shpejtë dhe efikas dypalësh të institucioneve me qytetarët dhe mediat, që nënkupton personel shumë i trajnuar dhe i përgatitur për monitorim 24-orësh dhe publikim të informacioneve zyrtare dhe të besueshme për publikun”, tha Kordalov për BIRN.

Në Turqi, censurimi i medias, sidomos i atyre online, është rritur ndjeshëm që nga fillimi i pandemisë, sipas një raporti të botuar në nëntor nga Shoqata e Gazetarëve të Turqisë.

Sipas raportit, vetëm midis korrikut dhe shtatorit të vitit 2020, RTUK, agjencia shtetërore për monitorimin, rregullimin dhe sanksionimin e transmetimeve radiotelevizive, dha ​​90 ndëshkime kundër mediave të pavarura, duke përfshirë ndalimin e transmetimeve dhe gjobat administrative.

Qeveria miratoi gjithashtu disa ligje të reja drakoniane në lidhje me të drejtat digjitale dhe organizatat e shoqërisë civile, duke detyruar kompanitë e mediave sociale të caktojnë përfaqësues ligjorë për t’iu përgjigjur kërkesave të qeverisë, përfshirë ato që kërkojnë mbylljen e llogarive ose fshirjen e postimeve në rrjetet sociale.

Nuk dihet se sa njerëz u hetuan ose u arrestuan nën masat e reja, por gjobat administrative gjatë pandemisë arritën në afërsisht një miliard lira turke, ose 115 milionë euro.

Arrestime për “lajme të rreme”

Foto ilustruese: Pixabay.

Në Maqedoninë e Veriut, lajmet e rreme të shpërndara në rrjetet sociale varionin nga një raportim se një garazh po përdorej si vend testimi për COVID-19 e deri te lajmet se autoritetet shëndetësore akuzoheshin për neglizhencë, gjë e cila çoi në vdekjen e dy motrave nga komplikimet e shkaktuara nga COVID-19. Një lajm i rremë pretendonte se mungesat e ushqimit ishin të pashmangshme.

Sipas Ministrisë së Brendshme të vendit, deri në shtator 2020 autoritetet kishin marrë masa për një total prej 58 çështjesh që buronin nga shpërndarja e pretenduar e lajmeve të rreme në lidhje me COVID-19. Tridhjetë e një çështje iu përcollën prokurorëve dhe janë ngritur akuzat penale në tri raste, tha për BIRN një zëdhënës i ministrisë.

Në Serbi, ndëshkimi për krimin e shkaktimit të prishjes së rendit dhe shkaktimit të panikut varion nga tre muaj deri në tre vjet burg, si dhe një gjobë. Sipas Ministrisë së Brendshme serbe, në dy muajt e parë të pandemisë u akuzuan dhjetëra njerëz.

Pasi dha lajmin për rrëmujën në Qendrën Klinike të Vojvodinës, provincë veriore e Serbisë, reporterja e Nova.rs Ana Laliç u mor në pyetje nga policia dhe shtëpia e saj u kontrollua.

Në Malin e Zi fqinj, një debat i ashpër politik mbi një ligj polemik mbi fetë solli arrestimin e disa personave për përhapje paniku para se vendi të konfirmonte rastin e tij të parë të COVID-19.

BIRN qe në gjendje të konfirmonte 14 raste në të cilat gazetarë, redaktorë dhe anëtarë të publikut u arrestuan për shkaktim paniku.

Në mënyrë të ngjashme në Turqi, Ministria e Brendshme hetoi, gjobiti dhe arrestoi qindra njerëz në muajt e parë të pandemisë për postimet e tyre në rrjetet sociale. Më vonë, megjithatë, ministria ndaloi botimin e të dhënave të tilla.

Kritikët thonë se qeveria ishte e vendosur të frenonte ankesat në lidhje me mënyrën sesi ajo po e trajtonte pandeminë dhe problemet që ajo shkaktoi në ekonomi.

“Turqia në përgjithësi ka një problem kur bëhet fjalë për lirinë e fjalës”, tha Ali Gul, një avokat dhe aktivist për të drejtat e njeriut. “Qeveria re shton presion e saj sepse nuk dëshiron që njerëzit të flasin për dështimet e saj”, tha Ali Gul.

Në Kroaci, asnjë gazetar nuk është akuzuar për përhapjen e lajmeve të rreme gjatë pandemisë, por kjo nuk do të thotë se nuk kishte informacione çorientuese.

“Pa asnjë hezitim, mund të them se, për fat të keq, një numër i madh qytetarësh kanë qenë të përfshirë në përhapjen e lajmeve të rreme”, tha Tomislav Levak, një ndihmës mësues dhe kandidat për doktoraturë në Akademinë e Artit dhe Kulturës në qytetin lindor të Kroacisë, Osijek. “Por, për mendimin tim, në shumicën e rasteve, është vërtet e paqëllimshme sepse ata nuk mendojnë mjaftueshëm në mënyrë kritike.”

Ministria e Brendshme tha se kishte regjistruar 40 shkelje të Nenit 16 të Ligjit për Kundërvajtje kundër Rendit Publik dhe Paqes, “të cilat kanë lidhje me epideminë e COVID-19”.

Rritje e kërkesave të shtetit për gjigantët e rrjeteve sociale

Foto ilustruese Pixabay.

Raportet e transparencës të Facebook dhe Twitter hedhin dritë në shkallën e përpjekjeve të qeverisë për të gjetur dhe gjurmuar llogari të dyshuara për përhapje paniku.

Sipas Twitter, në vitin 2020 kërkesat për zbulim informacioni në rast emergjencash – kur organet e zbatimit të ligjit kërkojnë informacione në lidhje me llogari të caktuara – kanë të bëjnë afërsisht me një në çdo pesë kërkesa globale për të drejtë informimi të dorëzuara në Twitter, duke u rritur me 20 për qind gjatë periudhës së raportimit ndërsa numri i përgjithshëm i llogarive të specifikuara në këto kërkesa u rrit me 24 për qind.

Turqia ka 3 për qind të të gjitha kërkesave që qeveria ka dërguar për të marrë informacione nga Twitter.

Në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar, Turqia regjistroi një rritje prej 160 për qind të kërkesave emergjente krahasuar me të njëjtën periudhë në 2019.

Maqedonia e Veriut pa një rritje prej 175 për qind.

Për sa i përket kërkesave për heqje, ato u shumëfishuan disa herë nga Serbia, Turqia dhe Polonia.

Sa për Facebook, Turqia vitin e kaluar paraqiti 6,171 kërkesa, një rritje trefish nga viti 2019. Në 4,904 raste, Facebook zbuloi të dhëna, krahasuar me 1,513 raste në 2019. Polonia bëri 4,572 kërkesa, nga 3,397 të tilla që bëri në vitin 2019, dhe mori informacione në 2,666 raste, krahasuar me 1,902 të një viti më parë.

Kur bëhet fjalë për kërkesa që kanë të bëjnë me procese ligjore – kur shteti kërkon informacione mbi llogari të caktuara për të ndihmuar një hetim – Turqia dhe Polonia udhëheqin rajonin përkatësisht me 6,143 dhe 4,200 kërkesa, afërsisht dyfishi i numrave të vitit 2019.

Krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2019, të dhënat e Facebook tregojnë një rritje të konsiderueshme në të gjitha llojeve të kërkesave nga shumica e vendeve në rajon.

Për sa i përket kërkesave për ruajtje – kur organet e zbatimit të ligjit i kërkojnë Facebook-ut të ruajë regjistrat e llogarive që mund të shërbejnë si prova në procedura ligjore – Bosnja dhe Hercegovina regjistroi një rritje prej pak më shumë se 150 për qind.

Turqia përbën 3.55 për qind të të dhe Polonia 2.63 për qind të të gjitha kërkesave të qeverisë për informacione nga Facebook.

Paditë synojnë të heshtin zërat kritikë

Dhe si të mos mjaftonte kjo, disa media u përballën me procese gjyqësore që mbikëqyrësit thonë se u krijuan thjesht për të ndaluar rrjedhën e lirë të informacionit – një e ashtuquajtur SLAPP, ose Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike, qëllimi i së cilës është të censurojë ose frikësojë kritikët duke i ngarkuar ata me koston e një mbrojtje ligjore.

Në Poloni, botuesi dhe gazetarët e së përjavshmes Newsweek Polska iu nënshtruan një SLAPP-i për raportimin e tyre mbi kompaninë polake të veshjeve LLP, pronare e markës Reservation, për të cilën e përjavshmja tha se kishte dërguar maska të blera në Poloni në fabrikat e saj në Kinë pavarësisht mungesës së madhe të maskave në Poloni.

Kompania po kërkon dëmshpërblim prej 1.37 milion eurosh, një ndjesh dhe heqjen e artikujve në lidhje me LPP-në botuar më 22 mars dhe një “ndalim për shpërndarjen e pretendimeve që sugjerojnë se pozicioni i kompanisë për këtë çështje është i pavërtetë”.

Çështja vazhdon ende.

Gjithashtu në Poloni, një gjykatë hodhi poshtë paditë e ngritura kundër medias Wyborcza nga KGHM, një nga prodhuesit më të mëdhenj të bakrit dhe argjendit, në lidhje me lajmet që zbulonin se kompania kishte paguar shuma të mëdha parash për maska të pavlera nga Kina.

Në Turqi, një gjykatë miratoi një kërkesë nga prodhuesi i makaronave Oba Makarna për heqjen e një lajmi që thoshte se 26 nga punëtorët e fabrikës së saj në qytetin Gaziantep kishin rezultuar pozitiv për COVID-19. Sipas vendimit të gjykatës, ndërkohë që lajmi ishte i vërtetë, ai dëmtoi reputacionin tregtar të kompanisë.

Në raportin e tij, Këshilli i Evropës paralajmëroi që kufizimet e paraqitura gjatë pandemisë mund të shkaktojnë rritje të përdorimit të padive civile, veçanërisht të çështjeve gjyqësore për shpifje.

“Ndërsa përdorimi i tyre nuk u rrit në mënyrë dramatike gjatë kulmit të pandemisë, ekziston një farë shqetësimi se raportimi i lidhur me pandeminë do t’i nënshtrohet padive SLAPP dhe rasteve të shpifjes në të ardhmen”, tha ai.