Lajm27 Sep 2021

Në qytetin biçikletave mungojnë korsitë dhe siguria

Shkodra festoi “Ditën e Biçikletave”, por qyteti që llogaritet një nga përdoruesit më të hershëm dhe më masivë të mjetit, ka probleme me sigurinë dhe mungesë korsish.  

Autor: Emi Kalaja BIRN Shkodër
Printo

Moment nga festimi i “Ditës së biçikletave” në Shkodër. Foto:Emi Kalaja

Të shtunën Shkodra festoi “Ditën e Biçikletave”. Dhjetëra aktivistë dhe qytetarë u mblodhën në cermoni të zhvilluara enkas për të nxitur përdorimin e mjetit të famshëm në qytet.

Shkodra njihet gjerësisht si qyteti i biçikletave në Shqipëri. Që prej 1907 kur biçikleta e parë mendohet se u soll në qytet nga konsulli i Suedisë, Shkodra ka një histori dashurie me mjetin.

Një sondazh i bashkisë mbi problemet e trafikut në vitin 2018 doli në përfundimin se në qytet kishte 400 biçikleta për 1000 banorë dhe se gati 85 për qind e familjeve e zotëronin një të tillë. Ajo rezultonte mjeti i preferuar i transportit në qytet, por sipas të njëjtit pyetësorë “Projekt– Studim Trafiku” 81 për qind e të pyeturve e vlerësonin keq dhe shumë keq hapësirën për biçikleta në qytet.

Për banorët është e qartë se të tashmë të lëvizësh më biçikletë në Shkodër është një sfidë më vete dhe vazhdimisht vë në rrezik jetën e përdoruesve të saj. Shefi i Qarkullimit në DVP  Shkodër Valmir Nikolli thotë që çdo muaj ka mesatarisht 3-4 aksidente ku të dëmtuar janë përdoruesit e biçikletave.

Ai thotë se duke marrë në konsideratë përdorimin e gjerë të biçikletave në Shkodër dhe qarkullimin kaotik dhe në mungese të theksuar infrastrukture dhe sinjalistike që Shkodra ka, kjo shifër nuk është aq e keqe.

Por Gentian Mema përfaqësues i Bashkisë Shkodër thotë se problemi është te zbatimi i rregullave dhe hapësirave nga qytetarët. “Që nga lagja Xhabije deri në unazë ka korsi me biçikleta”, tha Mema, por shtoi se kjo hapësirë zihej nga makinat dhe fajësoi policinë që nuk ndërhynte që korsitë të ishin të lira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *