Investigim12 Nov 2018

Një biznes familjar: Farmacitë e lidhura me drejtuesit e Fondit përfituan miliona euro nga ilaçet

Një grusht farmacish nën pronësinë e familjarëve të zyrtarëve të Fondit të Kujdesit Shëndetësor, të hetuara për mashtrim me subvencionet, përfituan dhjetëra milionë euro në rimbursime barnash nga viti 2010 deri në vitin 2018, pavarësisht dyshimeve për përfitime të paligjshme, konflikt interesi dhe favorizim nga drejtuesit e FSDKSH-së.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Ish drejtori i dorëhequr i FSDKSH, Astrit Beci me ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Në fund të korrikut 2014, duke folur në një konferencë përpara mjekëve të shërbimit parësor në Tiranë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj denoncoi një numër farmacish dhe mjekësh, që sipas tij manipulonin skemën e rimbursimit të barnave.

“Ky është mjeku B.T në Shkozë, 80% e recetave të tij përfundojnë tek farmacia Geni&Lori. Shkoza ka 10 farmaci, por njëra prej tyre, Geni&Lori merr 4/5 e recetave që rimbursohen,” tha Beqaj në prani të ish drejtorit të FSDKSH, Astrit Beci, duke nënvizuar se kjo skemë mashtrimi ishte e shpërndarë në të gjithë Shqipërinë.

Një vit më vonë, në qershor 2015, bazuar në një raport të iniciuar nga Njësia e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Kryeministri, Prokuroria e Tiranës procedoi penalisht 9 persona – përfshirë ish drejtorin e Fondit për Tiranën, Pjerin Xhuvani, të akuzuar për favorizimin e 4 farmacive, që nëpërmjet recetave të falsifikuara kishin përfituar në mënyrë të paligjshme 56 milionë lekë.

Skandali çoi në dorëheqjen e kreut të Fondit, Astrit Beci, por farmacia Geni&Lori në pronësi të kunatës së ish- nëndrejtorit të FSDKSH-së në atë periudhë, Sokol Skura, nuk u penalizua.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se farmacia Geni&Lori nuk ishte e vetmja farmaci në pronësi të familjarëve të Skurës dhe Skura nuk ishte i vetmi zyrtar i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH, familjarët e të cilit kanë në pronësi farmaci që përfitojnë shuma marramendëse rimbursimi çdo vit.

Pesë farmaci të tjera, të lidhura me dy kompani në pronësi të ish- kontrollorit të Fondit,  Gazmend Aliaj, njëherazi kunati i drejtorit të Politikave në FSDKSH, Aleksandër Haxhi, kryesojnë listën e përfituesve gjatë dekadës së fundit.

Të dhënat e rimbursimit të barnave të analizuara nga BIRN tregojnë se nga vitit 2010 deri në vitin 2018, vetëm farmacitë në pronësi të familjeve Aliaj dhe Skura kanë siguruar rimbursime që janë disafish më të larta se mesatarja dhe kapin në total një vlerë prej 13.9 milionë eurosh.

Këto farmaci janë denoncuar disa herë në Prokurori për “mashtrim me subvencionet”, por hetimet janë mbyllur pa nxjerrë përgjegjësi penale. Në anën tjetër, shkeljet e konstatuara nuk e kanë penguar Fondin që të rilidhë vit pas viti kontrata për rimbursimin e barnave me këto subjekte, megjithë shqetësimet e vazhdueshme të ngritura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Farmacitë në pronësi të familjeve Skura dhe Aliaj nuk janë të vetmet që përfitojnë vlera të larta rimbursimi nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjatë dekadës së fundit, dy duzina farmacish nga një listë prej gati 850 subjektesh në kontratë me Fondin, kanë përfituar vlera rimbursimi disa herë mbi mesataren.

Së bashku, 24 farmacitë kryesuese përfituan 36.6 milionë euro nga viti 2010 deri në prill 2018; ose 9.4 për qind të vlerës totale të rimbursimeve.

Vlera e lartë e rimbursimit nuk do të thotë automatikisht që këto subjekte kanë shkelur ligjin. Por auditet e vazhdueshme të ndërmarra KLSH kanë zbuluar se kontrolli që Fondi ushtron ndaj farmacive me rimbursim më të lartë se 2 milionë lekë në muaj ka qenë i papërshtatshëm dhe në shkelje të rregulloreve të institucionit.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor nuk iu përgjigj pyetjeve të detajuara të BIRN. Ish kontrollori i Fondit, Gazmend Aliaj gjithashtu nuk i përgjigj një kërkese për intervistë, ndërsa kunati i tij Aleksandër Haxhi nuk ishte i arritshëm për koment. Ndryshe nga Aliaj, ish- nëndrejtori i Fondit, Sokol Skura i tha BIRN se ai ishte hetuar nga disa institucione publike, por në fund kishte dalë i pastër.

“Të ardhurat relativisht te mira të dy farmacive të mia justifikohen nga furnizimi i mirë me barna, për të cilat unë tatohem dhe jap të gjitha të dhënat çdo muaj pranë institucioneve përkatëse,” tha Skura. “Jam hetuar nga ILDKPKI, nga hetimi tatimor, nga Fondi kam pasur një kontroll të plotë dhe kam dalë i pastër,” shtoi ai.

Skura kundërshtoi gjithashtu akuzat e ish-ministrit Ilir Beqaj, duke e përshkruar këtë të fundit si të keq-informuar.

“Unë kam qenë prezent në sallë gjatë deklaratës së ish- ministrit Ilir Beqaj dhe mendoj se nuk ka pasur dijeni që ka qenë farmacia e vëllait tim,” tha Skura duke iu referuar mbledhjes së korrikut 2014.

“Atë ditë jam bërë tym, me pak fjalë jam mërzitur shumë. Të jem realist deri në atë kohë nuk kisha dëgjuar ndonjëherë një ministër të merrej me receta pacientësh, por me politika të larta në zhvillim të sistemit shëndetësor,” shtoi ai.

Rrjeti familjar i farmacive  

Vizualizim i lidhjeve në konflikt interesi midis zyrtarëve të fondit dhe farmacive që përfitojnë rimbursime të larta | Foto nga : BIRN

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u themelua në vitin 1995 si një institucion që kishte për qëllim financimin e shërbimeve shëndetësore në formën e një skeme publike. Njëzet vjet më vonë, kjo skemë e financuar nga një tarifë e barabartë me 3.4% të pagës të çdo punëmarrësi në vend, financon shërbimet shëndetësore në nivele të ndryshme nga ofrues publike dhe privatë.

Në vitin 2017, Fondi kishte një buxhet prej 39.4 miliardë lekësh, nga të cilat 11.3 miliardë lekë erdhën nga kontributet e sigurimeve shëndetësore dhe 28 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Nga ky buxhet, 20 miliardë lekë u shpenzuan për shërbimin e kujdesit spitalor, 8 miliardë lekë për shërbimin shëndetësor parësor dhe 10 miliardë lekë për rimbursimin e barnave.

Lista e barnave të rimbursueshme është një nga paketat më të rëndësishme që financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor. Ky rimbursim realizohet në bazë të kontratave që Fondi lidh çdo vit me subjektet farmaceutike në vend.  Gjatë vitit 2017, Fondi kishte kontrata me 848 farmaci, 74 agjenci farmaceutike, 14 spitale dhe 19 burgje. Gjatë këtij viti, Fondi shpenzoi 3.7 miliardë lekë për rimbursimin e farmacive spitalore dhe 6.7 miliardë lekë për rimbursimin e rrjetit të hapur të farmacive private.

Fondi publikon në bazë mujore vlerën e rimbursimit të përfituar nga çdo subjekt farmaceutik privat me të cilin ka kontratë. Këto të dhëna statistikore janë të publikuara në faqen në internet të Fondit për një periudhë që fillon nga viti 2010 deri në prill të vitit 2018 [mungojnë vetëm vlerat e rimbursimit për periudhën janar –mars 2015].

Me qëllim analizimin dhe identifikimin e përfituesve më të mëdhenj të skemës së rimbursimit të barnave, BIRN i hodhi të dhënat e publikuara nga Fondi në një bazë të dhënash. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se nga viti 2010 deri në prill të vitit 2018, FSDKSH shpenzoi 48.8 miliardë lekë [390.8 milionë euro] për rimbursimin e ilaçeve, fond nga i cili përfituan rreth 850 subjekte farmaceutike.

Nga kjo listë, një grup prej 24 subjektesh, që përbëjnë 2.8 % të farmacive me kontratë në vend kanë përfituar 9.4 % të fondit ose 36.6 milionë euro nga viti 2010 deri në prill 2018.

Lista e subjekteve përfituese udhëhiqet nga një grusht farmacish të lidhura me drejtorin e politikave në Fond, Aleksandër Haxhi dhe kunatin e tij Gazmend Aliaj, si dhe ish- nëndrejtorin e FSDKSH-së, Sokol Skura. Përpara se të bëheshin pronarë farmacish, Skura dhe Aliaj kanë punuar si kontrollorë në drejtorinë e Fondit për Tiranën.

Të dhënat e Fondit listojnë 5 farmaci, të cilat janë ose kanë qenë në pronësi të Gazmend Aliajt dhe bashkëshortes së tij, Iris Aliaj. Gjatë dekadës së fundit, bashkëshortët Aliaj nëpërmjet farmacive Nikol 1, Nikol 2, Nikol 2 –IRA, Bio Plus dhe Medigreen kanë qenë farmacistët me rekordin më të lartë të rimbursimeve, duke arkëtuar 974 milionë lekë [7.75 milionë euro] nga FSDKSH.

Farmacitë e lidhura me ish- nëndrejtorin e fondit, Sokol Skura renditen në vend të dytë.

I rritur në Librazhd, Skura i tha BIRN se ishte diplomuar për Farmaci në vitin 2002, duke ndjekur profesionin e të atit. Ai ka punuar si kontrollor i Fondit për 4 vjet, përpara se të hapte farmacinë e tij të parë Coli’s në vitin 2007, në afërsi të ambulancës numër 9, tek lagjia e njohur si ish-Parku i Autobusëve në Tiranë.

Sipas Skurës, biznesi është rritur vit pas viti “duke punuar me përkushtim”. Paralelisht me biznesin farmaceutik, Skura ka ndjekur dhe ambiciet e tij politike.

I mbështetur edhe nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, me të cilin kishte miqësi që nga koha e gjimnazit në Librazhd, ai u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS në vitin 2011 dhe në vitin 2013 kandidoi për një vend në Parlament si përfaqësues i zonës së Librazhdit. Skura nuk u zgjodh deputet, por pas zgjedhjeve u emërua zv.drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Përveç farmacisë Geni&Lori, që është në pronësi të kunatës së tij, Loranda Skura, Sokol Skura ka në pronësi farmacitë Coli’s dhe Eurofam2.

Në regjistrin tregtar gjenden dy shoqëri me emër tregtar Coli’s me pronar Skurën. Një subjekt i regjistruar në 2007 në formën e personit fizik, i cili është çregjistruar në vitin 2013 dhe një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e quajtur gjithashtu Coli’s. Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar ‘Coli’s’ është regjistruar në vitin 2013 me pronare znj. Elga Gogu, bashkëshortja e  Sokol Skurës. Në janar 2014, aksionet e kësaj shoqërie i janë transferuar Elida Gogut, vjehrrës së z.Skura, me vlerë nominale prej 100 mijë lekë. Në vitin 2015, vjehrra e Z. Skuraj ia transferon aksionet z.Erdis Alikajt përsëri për vlerën e tyre nominale prej 100 mijë lekësh.

Në 29 qershor 2017, shoqëria Coli’s sh.p.k ka përthithur farmacinë Eurofam2, e regjistruar gjithashtu në emër të Erdis Alikaj. Shoqëria e krijuar nga bashkimi, me emër tregtar ‘Coli’s, Eurofam2, Pharmalider,’ është shitur në vitin 2018 nga Erdis Alikaj tek Sokol Skura për vlerën nominale të aksioneve prej 200 mijë lekësh.

Transaksionet e shumta brenda familjes të aksioneve të farmacisë Coli’s ngrenë dyshime se mund të kenë pasur si qëllim maskimin e marrëdhënies së z.Skura me këtë shoqëri gjatë periudhës që ai mbante postin e zv.drejtorit të Fondit. Në total gjatë 8 viteve të fundit, tre farmacitë në pronësi të familjes Skura – Geni&Lori, Eurofam2 dhe Coli’s kanë përfituar 765 milionë [6 milionë euro] lekë rimbursime nga FSDKSH.

Në një intervistë me BIRN, Skura mohoi të ketë favorizuar farmacitë në pronësi të tij apo të familjarëve gjatë periudhës që ai ka punuar si zv.drejtor i FSDKSH-së. Ai tha BIRN që gjatë kësaj periudhe, farmacia Coli’s “ka qenë dhe është biznes familjar’, dhe para se të fillonte detyrën ia ka transferuar në fillim vjehrrës dhe pastaj djalit të hallës, Erdis Alikaj, duke shmangur konfliktin e interesit.

“Sipas ILDKPKI, e cila e ka hetuar pronësinë e farmacive, në qoftëse farmacia ishte në pronësinë e djalit të hallës nuk përbënte konflikt interesi. Edhe kur ishte në emër të vjehrrës, konflikti i interesit gjykohej rast pas rasti,” tha Skura.

“Nuk ka pasur konflikt interesi sepse unë në detyrën time kurrë dhe asnjëherë nuk kam ndikuar apo bllokuar kontrolle ndaj subjektit, ose personave në lidhje gjaku me mua, të cilat janë bërë objekt kontrolli nga drejtoritë përkatëse,” shtoi ai.

Kontrolle selektive

Farmacitë me nivelin më të lartë të rimbursimeve nga FSDKSH nga viti 2010 deri në vitin 2018.

Në 18 mars 2015, kryeministri Edi Rama firmosi një urdhër të brendshëm që autorizonte kontrollin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, lidhur me zbatimin e procedurave ligjore në përzgjedhjen e distributorëve farmaceutikë, lidhjen e kontratave dhe zbatimin e tyre.

Tre muaj më vonë, me 5 qershor 2015, Prokuroria e Tiranës arrestoi nëntë persona, mes të cilëve edhe drejtorin e FSDKSH së Tiranës, Pjerin Xhuvani për abuzime me fondin e ilaçeve të rimbursueshme. Skema për të cilën u procedua Xhuvani përfshinte katër farmaci dhe një vlerë të paligjshme rimbursimi prej 56 milionë lekësh. Skandali çoi në dorëheqjen e ish drejtorit të FSDKSH-së, Astrit Beci.

Raporti i akt-kontrollit të NJKBA-së, një kopje e të cilit u sigurua nga BIRN, përmend një numër më të lartë farmacish dhe një dëm financiar ndaj Fondit tre herë më të lartë se skandali i zbuluar nga Prokuroria. Ky raport evidenton një dëm që e kalon vlerën e 150 milionë lekëve, ndërsa në skemën e dyshuar të ‘mashtrimit’ përfshinte shtatë farmaci të tjera.

Sipas vendimit të Këshillit Administrativ të Fondit me nr.101, datë 22 nëntor 2014, Drejtoria e Kontrollit Parësor dhe Farmaceutik, DKPF, duhet të kontrollojë në mënyrë periodike subjektet me vlerë rimbursimi më të madhe ose të barabartë me 2 milionë lekë, ose ato subjekte që regjistrojnë luhatje në vlerat mujore të rimbursimit.

Por sipas raportit të NJKBA-së, DKPF nuk e ka zbatuar udhëzimin e Këshillit Administrativ dhe ka ndërmarrë kontrolle subjektive ndaj farmacive të rregullta, ndërkohë që ka anashkaluar kontrollet ndaj farmacive që kanë pasur luhatje të vlerave të rimbursimit, të cilat dyshohej se ishin pjesë e mashtrimit.

Ish ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, e cila zëvendësoi Astrit Becin në korrik 2015  duke u emëruar si drejtore e komanduar në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i tha BIRN se kontrollet ndaj farmacive shpesh dekonspiroheshin nga punonjës të Fondit.

“Kur nxirrej urdhër kontrolli, që farmacitë të mos njoftoheshin nga punonjësit e Fondit paraprakisht, bëja kujdes që urdhrat e kontrollit t’i autorizoja gjatë të njëjtës ditë pune,” kujton Ekonomi, e cila qëndroi në krye të Fondit deri në dhjetor 2015.

“Konflikti i interesit, për aq sa ishin të zhvilluara mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit në atë kohë, nuk ishte e mundur të verifikohej në kohe reale,” shtoi ajo.

Akuzat për konflikt interesi ndaj Sokol Skurës u zbuluan pas bërjes publike të raportit të Njësisë së Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Kryeministri. Sipas NJKBA-së, tre farmacitë në atë kohë në emër të familjarëve të tij përfitonin shuma të konsiderueshme rimbursimi. NJKBA nënvizonte gjithashtu se farmacia “Coli’s’ nuk ishte kontrolluar që prej ditës së regjistrimit në QKR.

Raporti i kontrollit evidenton se këto raste janë të rënduara nga rrethanat e konfliktit të interesit, pasi “zv.drejtori ka për detyrë të bashkërendojë punët mes strukturave të fondit dhe të kontrollojë marrëdhëniet me subjektet e kontraktuara”. Njësia e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit shkruan gjithashtu se drejtuesit e Fondit u përpoqën të fshihnin shkeljet ose ta shkarkonin përgjegjësinë vetëm zyrën rajonale të Tiranës.

Ekonomi tha se pas ardhjes në krye të Fondit, i ka kërkuar Skurës të largohet për shkak të konfliktit të interesit.

“Sokol Skurën e thërrita në zyrë disa ditë pasi u komandova në krye të Fondit dhe i thashë që nuk mund të mbash më pozicionin e punës. Ai zgjodhi të japë dorëheqjen,” tha Ekonomi për BIRN.

I pyetur nga BIRN, Skura e përshkroi raportin e NJKBA-së si jo-objektiv, ndërkohë që mohoi se farmacitë në emër të familjarëve të tij të jenë favorizuar përsa i përket kontrolleve.

“E kontestoj pretendimin e raportit të NJKBA-së që farmacia Coli’s nuk ishte kontrolluar,” tha Skura. “Raporti ka qenë tendencioz ndaj meje,” shtoi ai.

Suplementi ‘NeuroAid” dhe veteranët

Më 14 prill 2016, Prokuroria e Tiranës mori një kallëzim të ri nga Fondi për veprat penale të ‘falsifikimit të dokumenteve shëndetësore’, ‘mashtrimit’ dhe ‘mashtrimit me subvencionet’, i cili rridhte nga një kontroll i ushtruar në drejtorinë e Fondit në Tiranë në nëntor 2015.

Në kallëzimin penal drejtuar Prokurorisë, ish- drejtoresha e përgjithshme e FSDKSH-së, Vjollca Braho kërkoi fillimin e hetimeve dhe procedimin penal të disa farmacive dhe mjekëve për rimbursimin në periudhën qershor-tetor 2015 të një suplementit të quajtur NeuroAid II MLC901, për kategorinë e veteranëve të luftës.

“Nga verifikimi i bërë në regjistrin online të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore rezulton se ky produkt nuk është ‘bar’, nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe si i tillë nuk mund të rimbursohet, gjë që i ka shkaktuar një dëm ekonomik për muajt qershor-tetor 2015 me një vlerë totale prej 14.3 milionë lekësh,” shkruante Braho.

Biznesi më i ‘suksesshëm’ i vitit
Në tetor 2015, Prokuroria e Tiranës mori nën hetim 13 persona të dyshuar si pjesë të një skeme tjetër mashtrimi me fatura false, mes të cilëve, pronarë dhe punonjës farmacish si dhe punonjës të FSDKSH.
Sipas Prokurorisë në qendër të kësaj skeme qëndronte depoja farmaceutike “Omega Pharma” Group, e cila gjatë periudhës qershor 2013 – maj 2015, ka lëshuar fatura fiktive për barin ‘ketosteril’, të cilat janë paraqitur nga farmaci të ndryshme për rimbursim në FSDKSH.
Prokuroria zbuloi se disa farmaci në Tiranë patën deklaruar -hyrje të barit Ketosteril me furnitor “Omega Farma Group”, por në fakt, ky ilaç importohet nga një kompani tjetër farmaceutike, e cila nuk kishte bërë shitje ndaj këtij subjekti.
Në korrik 2016, drejtuesi i Omega Pharma, Nadir Çausholli u dënua nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me 2.6 vjet shërbim prove për akuzën e mashtrimit dhe falsifikimit. Ai e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar pafajësi.
Gjykata e Tiranës, në vendimin e muajit korrik 2016 i hoqi kompanisë Omega Pharma të drejtën e tregtisë së barnave. Megjithatë, kjo kompani dhe asetet e saj u përthithën me 3 dhjetor 2016 nga kompania CFO Pharma – e cila ishte nën pronësinë e Fatos Çaushollit- babait të Nadir Çaushollit dhe që kishte një kontratë aktive me FSDKSH.
Në 2 qershor 2016, nëpërmjet një akti dhurimi, Fatos Çausholli i transferoi aksionet e kompanisë CFO Pharma tek i biri Nadir Çausholli. Pak muaj më vonë, në dhjetor 2017, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës së bashku me Bashkinë e Tiranës e shpallën kompaninë “CFO Pharma’ si biznesin ‘më të suksesshëm të vitit.’
FSDKSH pretendoi në atë kohë se përtej rimbursimit të gabuar të këtij suplementi, nga kontrollet e recetave dhe faturave tatimore është arritur në përfundimin se farmacitë që i kanë rimbursuar nuk kanë respektuar marzhet e fitimit. FSDKSH nënvizon se për importin e këtij produkti, depoja importuese “Vinipharma’ ka ekskluzivitetin dhe për 1 kuti prej 180 kapsulash vlera është 27,330 lekë. Nga faturat shoqëruese të recetave rezulton se vlera e blerjes të këtij suplementi nga farmacitë që kanë rimbursuar recetat është 94 mijë lekë – më shumë se trefishi i importit.

Edhe pse depoja farmaceutike “Vinipharma” ka ekskluzivitetin për importin e këtij suplementi, farmacitë që e kanë rimbursuar suplementin kanë dorëzuar në Fond faturat tatimore nga depoja farmaceutike ‘Omega Pharma’ – e kallëzuar më parë për mashtrim me rimbursimet. Ndërkohë, që rimbursimi i kërkuar nga farmacitë për 1 kuti NeuroAid II MLC901 varion nga 123,500 lekë deri në vlerën 174,150 lekë – ose një çmimin fundor 637 % më i lartë se çmimi i importit.

Me anë të një shkrese të dërguar me datë 2 qershor 2016, Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Fondit informacion shtesë dhe saktësim të objektit të kallëzimit penal, si dhe specifikim të recetave, mjekëve dhe farmacive që i kanë lëshuar recetat për rimbursimin e suplementit NeuroAid II MLC901.

Me datë 17 qershor 2016, FSDKSH i është përgjigjur Prokurorisë së Tiranës duke i dërguar listën e plotë të recetave, mjekëve dhe farmacive që kanë rimbursuar suplementin e paregjistruar në periudhën qershor-tetor 2015, e cila përbëhet nga farmacitë në pronësi të çiftit Aliaj dhe familjes Skura.

“Nuk ka qenë vetëm NeuroAid, i vetmi medikament i rimbursuar për kategorinë e veteranëve,” i tha Sokol Skura BIRN.

“Rimbursimi i këtyre medikamenteve (suplementeve) është një fenomen që nuk e kishim vënë re, pasi Fondi duhet të kishte një liste me vete jashtë listës së rimbursimit, që kategoria veterane të trajtohej,’ pretendoi ai.

Si pjesë e hetimit, prokurorja Suela Salavaçi ka marrë  deklarimet e disa shtetasve, përfshirë punonjës të Fondit, mjekë dhe pronarëve të farmacive të dyshuara për falsifikim. Nga deklarimet e dhëna në prokurori nga ish- nëndrejtoresha e FSDKSH-së, Eglantina Çuko, kontrolli i nëntorit 2015 në degën e Tiranës u motivua nga vlera e lartë e rimbursimit të suplementit, e cila ishte 177 mijë lekë për një muaj.

Çuko vendosi të krijojë një grup auditimi në mënyrë që të verifikonte recetat nga mjekët që kishin rimbursuar këtë suplement. Grupi i auditimit i FSDKSH-së ka verifikuar nëse pacientët për të cilët u lëshuan recetat e kishin marrë këtë suplement. Grupi i auditit ka kontrolluar pacientët e tre mjekëve, të cilët kishin deklaruar se nuk e kishin marrë asnjëherë këtë suplement dhe se nuk ishin në dijeni të recetave të rimbursueshme në emër të tyre.

Prokurorja Salavaçi ka pyetur mjekët që kanë lëshuar recetat, të cilët kanë kundërshtuar gjetjet e auditimit të FSDKSH-së për sa i përket deklaratave të pacientëve dhe kanë pretenduar se nuk e dinin që ky suplement nuk ishte i rimbursueshëm. Më tej, prokurorja ka pyetur administratorët e farmacive Nikol 2 dhe Coli’s.

Në deklaratën e dhënë për Prokurorinë e Tiranës në dhjetor 2016, administratori dhe pronari i Nikol 2, Gazmend Aliaj ka pranuar se ka rimbursuar recetat për suplementin ‘NeuroAid’ për kategorinë ‘veteran’. Aliaj ka pretenduar se ka qenë detyrë e Fondit që t’i informojë nëse ky preparat ka qenë apo jo pjesë e listës së barnave. Shpjegime të ngjashme janë dhënë nga administratori i farmacive Coli’s dhe Eurofarm2, si dhe pronarja e farmacisë ‘Geni&Lori’.

Në mbyllje të hetimit, prokurorja Salavaçi arriti në përfundimin se sipas deklarimeve të administruara, nuk kemi të bëjmë me veprat penale të falsifikimit dhe mashtrimit me subvencionet.

“Nga ana objektive kjo vepër penale kryhet me veprime të kundërligjshme, me anë të mashtrimit me dokumentet e paraqitura për të përfituar padrejtësisht subvencione nga shteti, që na rastin konkret nuk ekziston,” shprehet Salavaçi në vendimin e pushimit të hetimeve.

Kontratat nuk u ndërprenë pas kallëzimit 

Ilaçe pa pullë të denoncuara nga aktivistët e shoqërisë civile dhe familjarët e pacientëve | Foto ilustruese nga : Ivana Dervishi

Në periudhën korrik – gusht 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit ndërmori një audit mbi Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2016. Një nga gjetjet e këtij auditimi lidhet me faktin se edhe në rastet kur zbulohen shkelje nga farmacitë që kanë kontratë me Fondin, kontratat me subjektet përgjegjëse nuk ndërpriten.

Sipas KLSH-së, ky fenomen është konstatuar në mënyrë të veçantë pas kontrollit të ndërmarrë nga auditi i Fondit në drejtorinë e Tiranës për suplementin NeuroAid. Në bazë të kontrollit të ndërmarrë nga DAB, ka rezultuar që një numër farmacish janë rimbursuar padrejtësisht.

KLSH nënvizon se Drejtoria e Kontrollit Parësor Farmaceutik në Tiranë, DKFP, ia ka faturuar përgjegjësinë për rimbursimin e suplementin “NeuroAid’ mjekëve të familjes, duke u shprehur se ata kanë shkelur marrëdhënien kontraktuale.  Ndryshe nga DKFP-Tiranë, Drejtoria e Auditit të Brendshëm në FSDKSH ia ka faturuar përgjegjësinë për dëmin ekonomik farmacive përfituese.

Megjithatë sipas KLSH-së, DAB ka dështuar të vendosë rekomandime për mjekët dhe farmacitë përfituese të shumave të rimbursimit, edhe pse përdorimi i recetës për rimbursim për produktet farmaceutike që nuk janë barna, përbën shkelje kontrate.

Si rrjedhim, farmacitë e kapura me shkelja nga auditi i DAB për rimbursim kanë vazhduar të përfitojnë para publike nga Fondi, edhe pse ato ishin kallëzuar për mashtrim me subvencionet.

“Sipas të dhënave të Fondit, farmacitë me të cilat është vijuar kryerja e rimbursimit padrejtësisht ndonëse duhej të ishte zgjidhur kontrata, për periudhën Gusht 2016–Shkurt 2017 janë rimbursuar në shumën 205.7 milionë lekë, [1.65 milionë euro]” shkruan KLSH.

Një pjesë e madhe e këtij dëmi i përket farmacive të lidhura me çiftin Aliaj dhe familjen Skura, të cilat janë rimbursuar gjatë periudhës që kanë qenë nën hetim nga Prokuroria për suplementin NeuroAId.

KLSH evidenton gjithashtu se pas kallëzimit të bërë nga drejtoresha e FSDKSH, Vjollca Braho për “mashtrim me subvencionet”, ndaj farmacive Coli’s, Bio Plus, Eurofam2 dhe Geni&Lori duhet të ishte pezulluar kontrata.

“Pavarësisht së është lidhur Kontrata F/2016, këtyre farmacive nuk u është pezulluar aktiviteti sipas klauzolës “Pezullim Aktiviteti” të kësaj kontrate,” shkruan raporti i KLSH-së. “Për këtë periudhë, farmacia nuk duhet të ekzekutojë receta me rimbursim, pasi nuk i rimbursohet vlera e këtyre recetave,” shton KLSH.

Sipas KLSH-së, vetëm për periudhën qershor 2016- shkurt 2017, kohë kur këto farmaci kanë qenë nën hetim, atyre u është rimbursuar një shumë totale prej 178 milionë lekësh.

Gjatë kontrollit të farmacive Eurofam2 dhe Coli’s, Drejtoria e Kontrollit Parësor Farmaceutik ka zbuluar gjithashtu diferenca të mëdha negative për periudhën 2015-2016 midis gjendjes së barnave dhe gjendjes kontabël, përkatësisht 154.2 milionë lekë për farmacinë Coli’s dhe 333 milionë për farmacinë Eurofarm2.

Sipas KLSH-së, kjo diferencë e gjendjes kontabël e zbuluar në farmacitë në pronësi të ish zv.drejtorit Skura duhej të ishte raportuar nga FSDKSH në organet kompetente tatimore.

Sokol Skura i pranon pjesërisht përfundimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Nuk kam qenë asnjëherë i hetuar – nën procedim penal, por kam dhënë deklarime si person në dijeni të aktivitetit që kam zhvilluar,” tha Skura për BIRN.

“KLSH ka një farë të drejtë për diferencat [midis gjendjes së barnave dhe gjendjes kontabël], kjo presupozohet nga shitja me lekë në dorë. Por shuma ka qenë më e vogël, rreth 200 milionë lekë, mund të jetë shkaktuar si pasojë e shitjes së barnave me kasë ose ndonjë gabim i bërë gjatë ushtrimit të aktivitetit, por gjithmonë kam qenë shumë korrekt dhe jam inventarizuar,” përfundoi ai.

Farmacitë shkëmbejnë recetat

Farmaci në qytetin e Durrësit | Foto ilustruese

Ngjashëm me Sokol Skurën, edhe shoqëria ‘Nikol 2’ në pronësi të Gazmend Aliajt është regjistruar në vitin 2007 në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe ka ushtruar aktivitetin në tregun e shitjes së barnave me pakicë. Kjo kompani ka pasur në vitin 2015 dy kontrata shërbimi me drejtorinë rajonale të Tiranës për farmacitë ‘Nikol 1” dhe “Nikol 2”, të cilat janë lidhur në janar 2015.

Të dy farmacitë kanë pasur me Fondin një kontratë 6 mujore, por në rastin e Nikol 2 kontrata është zgjatur nëpërmjet një shtojce deri në dhjetor 2015. Nga janari deri në qershor 2015, marrëdhëniet kontraktuale të dy farmacive me Fondin kanë vazhduar normalisht. Në këtë periudhën këto dy farmaci kanë kryer shitje të barnave të rimbursueshme në vlerën 77.1 milionë lekë, por kanë arkëtuar nga DRFSDKSH në total 44.9 milionë lekë.

Më 24 gusht 2015, Drejtoria Rajonale Tiranë e FSDKSH-së ka vendosur zgjidhjen e kontratës për një periudhë një vjeçare me subjektin farmaceutik “Nikol 1”. Vendimi bazohet në relacionin e mbajtur për këtë subjekt, sipas të cilit farmacia nuk ka dorëzuar në Drejtorinë Rajonale recetat me rimbursim brenda afatit kohor një mujor.

Rezulton gjithashtu se drejtori i Përgjithshëm i FSDKSH-së ka nxjerrë me datë 29 korrik 2015, vendimin nr.100  për marrjen e masave për zgjidhje të kontratës së lidhur me farmacinë “Nikol 2”, me drejtues teknik shtetasin Gazmend Aliaj, për shkak se nga verifikimi dhe përpunimi i të dhënave on-line për periudhën maj – korrik 2015, u konstatua se janë paraqitur për rimbursim në Drejtorinë Rajonale receta me rimbursim të pacientëve të farmacisë “Nikol 1”, e cila ka ndërprerë kontratën me fondin nga data 1 korrik 2015.

Sipas pikës 2 të vendimit nr. 100 të Drejtorit të Përgjithshëm, Fondi nuk duhet të nënshkruante shtojcë kontrate me farmacinë Nikol 2 për periudhën gusht-dhjetor 2015. Drejtoria rajonale e Fondit ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës ndaj këtij subjekti, por me vendimin e datës 17 tetor 2016 të prokurorit të çështjes, është vendosur pushimi i saj.

Tre ditë më vonë, me datë 21 tetor 2016, subjekti Nikol 2 ka paraqitur 2 padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë. Në padinë e parë, të gjykuar nga gjyqtari Emiljano Ruli, kompania farmaceutike ka kërkuar detyrimin e Fondit të paguajë 27 milionë lekë për detyrimin e papërmbushur kontraktual dhe kamatë-vonesë prej 0.2 %. Padia e dytë e gjykuar nga gjyqtarja Elda Vrioni, ka pasur si objekt kërkesën e subjektit Nikol 2 për shpërblim të dëmit pasuror dhe fitim të munguar me vlerë 16.7 milionë lekë, pas prishjes së njëanshme të kontratës nga Fondi për 6 mujorin e dytë të 2016-ës.

Në shkurt 2017, gjyqtari Ruli ka vendosur në favor të subjektit Nikol 2, duke i akorduar një detyrimin kontraktor të papërmbushur prej 27 milionë lekësh dhe 3.6 milionë lekë kamatë-vonesa. Ndërkohë, padia për dëm pasuror është hedhur poshtë nga gjyqtarja Elda Vrioni. Të dy paditë janë ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit.

Sistemi i prishur

Medikamente mjekësore në një farmaci | Foto ilustruese

Në gusht 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit ndërmori një auditim të teknologjisë së informacionit të përdorur nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kontrollit Shëndetësor. Mes të tjerash, ky audit u përqendrua tek kontrolli i aplikacioneve të përdorura nga Fondi për vlefshmërinë e të dhënave për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2015.

Nga auditimi i programit Depo, i përdorur nga Fondi për regjistrimin e inventarëve, faturat hyrëse dhe faturat dalëse që deklarojnë depot importuese/distributore të cilat kanë kontratë me FSDKSH, Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi se vetëm për vitin 2015 ishin deklaruar 1.63 miliardë lekë [13 milionë euro] më shumë shitje se sa hyrje të barnave të rimbursueshëm. KLSH ia faturonte mospërputhjet si depove ashtu edhe rrjetit farmaceutik.

Sipas KLSH-së, 5 depo farmaceutike e kanë mbyllur vitin 2015 me një gjendje negative për 14 barna të rimbursueshme në shumën 1.08 miliardë lekë, çka do të thotë se “referuar të dhënave të sistemit janë deklaruar shitje të barnave drejt rrjetit të hapur farmaceutik më shumë se sa deklarimi në hyrje i tyre”.

Gjithashtu, KLSH ka konstatuar se për 10 raste në bilancin e shitjeve dhe gjendjes së barnave rezulton një diferencë prej 541.1 milionë lekë, për shkak se vlera e rimbursuar është më e madhe se vlera e barnave të shitura nga depot dhe rrjeti farmaceutik. Ndërkohë në 16 raste të tjera janë konstatuar shitje me minus,  të cilat rezultojnë të jenë kthime të barnave nga Qendrat Spitalore në drejtim të depove farmaceutike brenda datës së skadencës në shumën 7,7 milionë lekë.

Nga auditimi i programit Depo, KLSH ka konstatuar gjithashtu se regjistrohen fatura shitjeje ku sasia e barnave në faturë është më e madhe se gjendja e tyre, nuk regjistrohen të dhëna për barnat që shkojnë te subjekti që nuk kanë kontratë me FSDKSH, si dhe nuk ka kryqëzim të të dhënave të këtij aplikacioni me të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Përveç programit Depo, KLSH ka kontrolluar dhe aplikacionin Sistemi i recetave të rimbursueshme, i cili shërben për hedhjen e të dhënave të recetave fizike të rimbursimit dhe nxjerr statistika për sasinë e barnave të konsumuara, si dhe vlerat e rimbursimit për çdo bar sipas mjekut dhe farmacive.

Nga auditimi i këtij programi, KLSH ka konstatuar se ai lejon regjistrimin e recetave që dalin jashtë kufijve të listës së rimbursimit në sasi dhe në kohë. Gjithashtu në këtë sistem mund të regjistrohen receta për farmaci që i ka mbaruar kontrata me Fondin. Një tjetër problem i këtij programi, sipas KLSH-së është fakti se lejon të regjistrohen receta me rimbursim për pacientë që nuk gjenden të regjistruar në tabelën e pacientëve, për diagnoza që nuk gjenden të regjistruara në tabelën e diagnozave dhe për mjekë që nuk janë aktivë.

“Në këtë program nuk ekziston ndonjë opsion kontrolli mbi sasinë e barnave që kërkon një recetë me rimbursim të ekzekutohet, sepse nuk ruhen të dhëna mbi Hyrjet dhe Inventarët e Rrjetit farmaceutik, përfshirë këtu dhe farmacitë spitalore,” shkruan KLSH.

“Këto të dhëna nuk kontrollohen me ato të deklaruara nga vetë rrjeti farmaceutik (hyrjet, Inventarët, gjendja), për të siguruar jo vetëm një informacion të saktë në të dy programet, por edhe identifikim të ngjarjeve që kanë nevojë për sistemim veprimi, apo ushtrim kontrolli mbi aktivitetin e tyre,” shton raporti.

Nga auditimi i të dhënave të programit, KLSH ka zbuluar se Fondi ka regjistruar receta për farmaci që i ka përfunduar kontrata në 264 raste si dhe janë regjistruar receta të përfituara nga pacientë që nuk rezultojnë të regjistruar në tabelën e pacientëve në 115,049 raste me vlerë 654,7 milionë lekë.

Ndërkohë,  në 1,078 raste recetat janë regjistruar në sistem për mjekë të cilët nuk rezultojnë aktivë; në 1,598 raste Fondi ka regjistruar barna të dhëna mbi kufizimin e përcaktuar në listën e barnave, ndërsa në 18,614 raste janë regjistruar receta me vlerë shtesë, që kapin një vlerë prej 104.6 milionë lekësh.

“30% e kësaj vlere është ekzekutuar vetëm tek subjekti farmaceutik “Nikol 2” dhe 11.5% e kësaj shume është lëshuar vetëm nga një mjek,” shkruan KLSH.

“Nga auditimi u konstatua se Drejtoria DIAS në bashkëpunim me drejtori të tjera si atë të Çmimeve dhe Rimbursimit të Barnave, Kontrollit Parësor Farmaceutik, nuk kanë ushtruar kontrollet e nevojshme mbi bazën e të dhënave dhe marrjen e masave në rastin e shkeljeve të rregullave në fuqi për menaxhimin e rimbursimit,” përfundoi KLSH.