Lajm19 Dec 2018

Një shtëpi dhe një makinë vënë në vështirësi prokurorin Adnan Kosova

Prokurori i karrierës Adnan Kosova u vu në vështirësi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në lidhje me blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 1998 dhe një makine në të njëjtin vit ndërsa u përpoq të shpjegonte diferencat me deklarata noteriale, të cilat, vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jackobs i cilësoi si jo shumë të vlefshme.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në seancën dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Adnan Kosova, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Foto: BIRN

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Kosova, me një karrierë në sistemin e drejtësisë që nga viti 1987, u përball me pikëpyetje për blerjen e një apartamenti në vitin 1998 dhe një makine në të njëjtin vit ndërsa rezultoi i pastër për lidhje me krimin dhe i aftë profesionalisht, në seancën dëgjimore të zhvilluar në Tiranë më 19 dhjetor 2018.

Kosova pranoi paqartësitë dhe këmbënguli se ai ishte në gjendje të shpjegonte diferencat dhe kërkoi konfirmimin në detyrë duke deklaruar se vinte nga një familje punëtorësh, se bënte një jetë modeste, se kishte bërë udhëtimin e fundit jashtë Shqipërisë në vitin 2007 dhe se fëmijët e tij ishin arsimuar në sistemin arsimor publik.

Kosova u përball me komisionin Veting të përbërë nga Xhensila Pine, Genta Tafa dhe Pamela Qirko me përfaqësues ndërkombëtar Theo Jackobs, me të cilin pati disa shkëmbime të pakëndshme.

Kosova deklaroi se bleu një apartament në Tiranë në vitin 1998 me një vlerë prej 19.600 USD si dhe një makinë nga i vëllai me të ardhurat e siguruara nga shitja e një apartamenti në Korçë, apartament i përfituar nga procesi i privatizimit. Problemi i Kosovës ishte se kontrata e shitjes së apartamentit në Korçë mban vlerën 1 milionë lekë ndërsa ai ka deklaruar se ka përfituar 2.5 milionë lekë. Gjithashtu, vlera e kontratës së makinës së blerë nga i vëllai ishte 1 milionë lekë. Kosova tha se ai ishte transferuar me punë nga Prokuroria e Korçës në Tiranë dhe se kishte rënë dakord me blerësin për një paradhënie në masën 1.5 milionë lekë, pavarësisht se në kontratën finale, kontratë e realizuar disa vite më vonë, çmimi i shitjes figuron 1 milionë lekë. Sa i përket kontratës së makinës, Kosova deklaroi se pavarësisht se kontrata shënonte vlerën 1 milionë lekë, ai i kishte paguar të vëllait vetëm 400 mijë lekë fillimisht dhe disa pagesa të tjera më vonë të mbuluara me kursime. Ai theksoi se automjetin e kishte të domosdoshëm për shkak të llojit të punës që bënte dhe që mund ta përballte me subjekte të hetuara prej tij nëse përdorte transport publik.

“Unë vi nga një familje punëtore,” tha Kosova. “Prindërit e mi vijojnë të jetojnë në Kuçovë dhe një vëlla e kam emigrant në Greqi”, shtoi ai. “Fëmijët i kam të arsimuar në shkolla publike dhe udhëtimin e fundit jashtë vendit e kam bërë në vitin 2007. Aktualisht pasaportën e kam të pastër”.

Kosova tha se kishte dorëzuar para komisionit pesë deklarata noteriale nga të afërm, por edhe nga blerësi i apartamentit në Korçë për të vërtetuar marrjen e 1.5 milionë lekëve paradhënie për apartamentin disa vite para transaksionit final.

Përfaqësuesi ndërkombëtar Theo Jackobs nuk u duk shumë i bindur nga shpjegimet. Ai vërejti se procesi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk lidhet me një vlerësim të stilit të jetesës dhe gjendjes ekonomike të subjektit të rivlerësimit por me justifikimin e aseteve mbi të ardhurat.

“Ju keni blerë një apartament me vlerë 2.5 milionë lekë dhe dy muaj më vonë një makinë me vlerë 1 milionë lekë me një total prej 3.5 milionësh,” tha ai.

“Ju thoni se kontrata e makinës, e cila shkruan vlerën 1 milionë lekë të paguar jashtë zyrës noteriale, në fakt përbënte një pagesë prej 400 mijë lekësh. Ju jeni marrë me çështje etike dhe e kuptoni se një prokuror nuk mund të nënshkruajë diçka të pavërtetë. Kontrata nuk është letër higjenike,” komentoi ai.

Jackobs vuri në dukje se 1.5 milionë lekë të dhëna paradhënie për blerjen e një apartamenti në Korçë nuk shoqërohen me asnjë dokument, gjë që atij i dukej e çuditshme.

Kosova iu përgjigj duke thënë se transaksioni i makinës ishte bërë mes dy vëllezërve ndërsa paradhënia për apartamentin ishte e shoqëruar fillimisht me një dokument jonoterial, i cili ishte ruajtur deri në momentin që ishte nënshkruar kontrata finale. “Kjo është Shqipëria”, tha Kosova.

Jackobs nuk ishte shumë i bindur as për vërtetësinë e deklaratave noteriale të personave të ndryshëm që dëshmonin variantin e Kosovës për transaksionet  vitit 1998.

“Kjo është çështja ime e 13 dhe deri tani kam parë shumë deklarata noteriale. Duket sikur çdokush shkon para noterit, deklaron çfarë nevojitet dhe noteri vulos,” tha ai duke shtuar se deklaratat noteriale në opinionin e tij nuk përbënin prova me peshë.

Në përfundim, Kosova kërkoi rikonfirmimin në detyrë. Vendimi pritet të shpallet nesër më 20 dhjetor 2018.

 

Lexo më shumë:

Skeda e pasurisë së deklaruar-Adnand Kosova-Prokuroria e Përgjithshme