Mijëra banorë të Durrësit, të cilët u strehuan në hotelet e plazhit të Golemit pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, shohin me pasiguri drejt së ardhmes ndërsa mundohen të gjejnë qetësi dhe normalitet larg shtëpive të shkatërruara.
Frida është 64 vjeç dhe Rita 20 vjet më e re. Të dy gratë janë njohur vetëm pak javë më parë në korridoret e hotelit FAFA – ku qindra familje u strehuan pas tërmetit të 26 nëntorit, megjithatë, tashmë e konsiderojnë njëra-tjetrën mikesha të mira.
“Me Ritën jemi njohur këtu në hotel dhe tani jemi si shoqe të ngushta,” thotë Frida. “Bëjmë muhabet gjithë ditën bashkë dhe jemi shumë të kënaqura me kushtet këtu,” shtoi ajo, duke shtuar se ditët në hotel i kalon shpesh duke fjetur.
“Edhe dje kur ra tërmeti i mbasdites isha duke fjetur dhe u zgjova e trembur nga gjumi,” tha ajo duke iu referuar një paslëkundjeje 4.1 të shkallës Rihter që u regjistrua në Vorë ditën e enjte.
“Mos më keqkupto, jam shumë e kënaqur që strehohem këtu pas gjithë asaj që kam parë në shtëpi pas tërmetit, sesi u shkatërrua gjithçka,” tha ajo. “Por edhe pse me gjithë këto kushte të mira këtu, përsëri mendja më rri tek shtëpia,” shtoi Frida
Ngjashëm me Fridën, mijëra banorë të Durrësit shtëpitë e të cilëve u dëmtuan rëndë nga lëkundjet sizmike dhe u shpallën të pabanueshme janë strehuar në një rrjet hotelesh dhe kompleksesh turistike buzë detit në plazhin e Golemit.
Ndërsa përpiqen të shërojnë traumën psikologjike që shumë prej tyre mbartin, banorët shprehen të kënaqur me kushtet e strehimit nëpër hotele por mbeten në ankth për të ardhmen, të vetëdijshëm që rezervimi i tyre i detyruar në këto resorte turistike nuk është i përhershëm.
Tërmeti 6.4 i shkallës Rihter që goditi Shqipërinë e Mesme me 26 nëntor, shkaktoi 51 viktima dhe qindra të plagosur si dhe la mijëra të pastrehë. Sipas sizmologëve, ky tërmet ishte më i forti në dekada, i krahasueshëm me tërmetin e Petrovacit që goditi Shqipërinë Veriori në vitin 1979.
Sipas zëvendësministres së Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi në zonën e Durrësit janë strehuar nëpër hotele 4200 banorë të mbetur të pastrehë nga tërmeti. Një pjesë e mirë e tyre ndodhen në resortin ‘Diamma’ dhe hotelet FAFA dhe ‘Bonita’.
“Diamma Resort’ ka hapur dyert në shenjë solidariteti që në orët e para pas rënies së tërmetit, pa e ditur akoma se çfarë masash do të ndërmerreshin nga qeveria,” shprehet menaxherja e hotelit Romina Boshllari, e cila shtoi se resorti ka vënë në dispozicion kapacitetin e plotë dhe aktualisht strehon 350 banorë, ku të gjithëve po u mbulohen vaktet e plota.
Ngjashëm, edhe kompleksi turistik FAFA, një nga më të mëdhenjtë në zonën e Golemit, ka hapur dyert për familjet e lënë të pastrehë pas tërmetit me një kapacitet prej 550 shtretërish. Në ambientin e hollit të kompleksit FAFA, në një kënd të hapur është improvizuar dhe kopshti i fëmijëve. Ndërkohë, në hotel ‘Bonita’ është organizuar nga Ministria e Arsimit programi i shkollës së përkohshme, i ndjekur nga 40 nxënës.
“Unë gjatë gjithë kësaj periudhe e kam çuar vajzën vetëm një ditë në kopësht,” shprehet Lorena Gega, 33-vjeç, e cila është zhvendosur në kompleksin “Diamma” pasi tërmeti u shembi shtëpinë.
“Vajza e vogël akoma nuk e ka kaluar traumën, prandaj kam frikë ta lë vetëm gjatë ditës, ndërsa djali është më i madh dhe e ka më të lehtë”.
Familja e saj përbëhet prej dy fëmijëve, përkatësisht 3 dhe 5 vjeç, motrës dhe mamasë. Ata janë te gjithë së bashku të strehuar në një dhomë të vetme të hotelit.
“Jeta ime ka ndryshuar 80% për së mbrapsht,” shtoi Lorena, e cila pranon se akoma nuk i ka kaluar frika pasi tërmetet vazhdojnë të bien.
Duke folur në parlament të mërkurën, kryeministri Edi Rama u shpreh i kënaqur se qeveria po i trajtonte të pastrehët nga tërmeti me kushte të mira, duke i krahasuar ata që janë strehuar në hotelet turistike si FAFA apo resorti ‘Diamma’ me turistët gjermanë dhe holandezë.
“Dua të shpreh ndjenjën e krenarisë që ndiej për qeverinë që unë drejtoj, për shumicën tonë qeverisëse, për të gjithë ministrat, deputetët, për kryetarët e bashkive që u angazhuan në vijën e parë pas tërmetit të 26 nëntorit,” tha kryeministri, duke shtuar se në 10 ditë 13 mijë persona janë akomoduar në kushte shumë të mira.
Teksa shpërndahen produktet higjenike ditore nëpër dhoma, Elda, 34-vjeçe, tregon se është tepër e kënaqur me shërbimin dhe humanizmin që ka treguar stafi i hotelit. Ajo thotë se është e strehuar në hotel FAFA vetëm prej 2-javësh, pasi më parë kanë qenë të vendosur në një prej hoteleve të Beratit.
“Jam e kënaqur nga kushtet, por pasiguria në lidhje me shtëpinë nuk më lë të qetë,” tregoi ajo.
Shumë prej familjeve të strehuara në hotele janë mirënjohës për kushtet, por nuk e ndajnë euforinë e kryeministrit, ndërsa mbeten të pasigurtë se ku do të strehohen në të ardhmen.
“Ne këtu jemi deri në Janar, pastaj nuk e dimë ç’do bëhet me ne,” tha Frida. “Problemi është se ne mendjen e kemi tek shtëpia! Ajo nuk ribëhet aq kollaj dhe e dimë që edhe qeveria nuk bën dot gjë aq kollaj,” shtoi ajo, duke nënvizuar se të gjithë familjet e prekura “duhet të jenë shumë të duruara.”