Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli të Mërkurën për herë të parë shpërthimin e koronavirusit si pandemi, shkalla më e lartë e alarmit mjekësor në botë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi të Mërkurën pasdite se përhapja e koronavirusit nëpër botë mund të “karakterizohet si pandemi”, një term i përmendur për herë të parë nga organi kryesor botëror për luftën kundër sëmundjeve. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e bëri deklaratën në një konferencë për shtyp të mbajtur në Gjenevë.
“Në dy javët e fundit, numri i rasteve të COVID 19 jashtë Kinës është trembëdhjetëfishuar ndërsa numri i vendeve të prekura është trefishuar. Tashmë ka 118 mijë raste në 114 vende. Në javët e ardhshme ne presim që numri i të prekurve dhe numri i të vdekurve të rritet edhe më tutje,” deklaroi drejtori i OBSH.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar si nga niveli alarmant i përhapjes dhe ashpërsia si dhe nga nivelet alarmante të mosveprimit,” shtoi ai.
“Për rrjedhojë ne bëjmë vlerësimin se COVID-19 mund të karakterizohet si pandemi,” tha Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Aktualisht Koreja e Jugut dhe Italia janë duke luftuar me sëmundjen e përhapur në një numër të lartë pacientësh ndërsa kapacitetet e tyre shëndetësore janë rraskapitur nga rritja e shpejtë e personave në nevojë për kujdes intensiv. Shumë vende të tjera dyshojnë se masat parandaluese apo ngadalësuese të përhapjes së virusit mund të mos mjaftojnë dhe po përgatiten për t’u përballur me situatë pandemie.
Shqipëria urdhëroi sot mbylljen e lokaleve dhe restoranteve me shpresë se mbyllja e popullatës në shtëpi dhe kufizimi i kontakteve njerëzore do të shmangë përhapjen e virusit.
Situata e jashtëzakonshme mund të zgjasë disa javë.
Kjo është hera e parë që OBSH shpall pandemi të shkaktuar nga koronavirusi.
Koronaviruset janë një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje nga më të lehtat deri tek ato tepër të rënda. Ato janë të përhapur në shumë lloje të kafshëve dhe rrallë evoluojnë, transmetohen, infektojnë njerëzit dhe më pas përhapen midis tyre.
Koronaviruset humane u identifikuan për herë të parë në vitin 1960 dhe deri në vitin 2019 njiheshin 6 të tillë nga të cilët 4 të zakonshëm, ndërsa dy prej tyre kanë patogjenitet të lartë – SARS – CoV që shkakton Sindromën Respiratore Akute të Rëndë dhe MERS – CoV që shkakton Sindromin Respirator të Lindjes së Mesme.
Lexo më shumë:
Koronavirusi ka “potencial pandemik”, por çfarë është pandemia?