Lajm1 Feb 2021

Organizatat mjedisore kundër ndërtimit të aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur

Një grupim organizatash mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare kundërshtojnë ndërtimin e aeropotit ndërkombëtar të Vlorës në zonën e peisazhit të mbrojtur ligatinor Vjosë-Nartë.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Flamingo në lagunën e Nartës| Foto nga Raimond Kola

36 organizata mjedisore në Shqipëri dhe vendet fqinje të Ballkanit, i kanë drejtuar një letër të hapur qeverisë shqiptare si edhe delegacioneve europiane në vend kundër ndërtimit të aeroportit të Vlorës në territorin e peisazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë.

“Jemi tejet të shqetësuar për këtë situatë në të cilën ndodhemi, për arsye se, ndërtimi i këtij aeroporti do të dëmtonte në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë – Nartë,” shprehen organizatat mjedisore.

“Një nismë e tillë sjell dhe përshpejton një model ekonomik aspak miqësor ndaj mjediseve natyrore, i cili stimulon zhvillimin e pakontrolluar dhe të paqëndrueshëm, dhe shkatërron në mënyrë të pakthyeshme resurset dhe vlerat natyrore të zonës”, citohet në letrën e hapur të 36 organizatave.

Në fund të nëntorit, Ministria e Infrastruktures dhe Energjisë shpalli rihapjen e  garës për tenderin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës që u bllokua për shkak të pandemisë së COVID-19, projekt i cili sipas drejtuesve të qeverisë do t’i jepte Jugut të Shqipërisë nje aset kombëtar tejet të vlefshëm.

“Në këtë mënyrë përmbushet premtimi i qeverisë Rama për t’i dhënë jugut të Shqipërisë një aset kombëtar që do t’i jap jo vetëm zonës, por dhe krejt vendit zhvillimin ekonomik dhe turistik që meriton dhe që ne kemi premtuar”, është shprehur Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në vitin 2019, para se tenderi ndërkombëtar të shtyhej.

Ngjashëm, edhe kolegja e saj në krye të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e ka përshkruar projektin si një pol zhvillimin për të gjithë vendin.

“Ndërtimi i një aeroporti në qytetin bregdetar të Vlorës do të ketë një impakt ekonomik të madh jo vetëm për këtë rajon, por edhe për të gjithë vendin,” është shprehur Denaj.

“Ndërtimi i tij është vetëm fillimi i një dimensioni shumë të madh investimesh vendase dhe të huaja,” shtoi ajo.

Ndryshe nga deklaratat e ministrave që shohin ke projekti i aeroportit një investim në infrastrukturë që do të sjellë zhvillim ekonomik, organizatat e shoqërisë civile shqetësohen mbi ndikimin që ky projekt do të ketë në një mjedis të mbrojtur.

“Laguna e Nartës dhe mjediset përreth përfaqësojnë një nga ekosistemet ligatinore më të mëdha e më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Mesdheut,” theksojnë organizatat në letrën dërguar qeverisë.

“Vjosë-Narta, përveç se është Zonë e Mbrojtur në rang kombëtar, është gjithashtu pjesë e pothuajse të gjitha rrjeteve ekologjike ndërkombëtare në të cilat një zonë natyre në Shqipëri mund të bëjë pjesë,” shtojnë ato.

Në zonën e grykderdhjes së lumit Vjosa dhe lagunën e Narttës janë regjistruar mbi 200 lloje të shpendëve të egër, 33 prej të cilave janë pjesë e ‘listës së kuqe’ të Shqipërisë si popullata në risk.

Nje rrezik tjetër potencial që parashtrohet prej aktivistëve është ai i sigurisë së fluturimeve ajrore, si pasojë e  aksidenteve që mund të shkaktohen nga numri i madh i zogjve dhe shpendëve në këtë zonë me avionët që do të ngrihen në të ardhmen nëse aeroporti ndërtohet.

“Kjo zonë përfaqëson një prej segmentëve më të rëndësishëm të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, ku qindra mijëra shpendë gjejnë ushqim dhe strehë gjatë sezoneve të shtegtimit,” theksojnë ato.

“Disa prej këtyre shpendëve kanë përmasa dhe peshë të tillë që nëse përplasen me aeroplanët mund të shkaktojnë aksidente tragjike”, shtojnë ekspertët mjesidorë në letrën e tyre të hapur, ndërsa theksojnë se Shqipëria  nuk ka as edhe një arsye përse të humbasë një pasuri natyrore kaq të larmishme në bregdetin e Adriatikut.

“Ndërtimi i një infrastrukture të tillë brenda zonës së mbrojtur bie në kundërshtim me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar për ruajtjen e natyrës, duke shkelur në tërësi kuadrin ligjor për ruajtjen e natyrës dhe në veçanti ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe një sërë konventash të cilat Shqipëria, si vend sovran, me integritet dhe aspiratë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i ka ratifikuar”, përfundon letra e 36 organizatave mjedisore.