
Protesta e një grupi qytetarësh paraditen e së martës përballë Parlamentit të Shqipërisë u përshkallëzua në shoqërime të dhunshme të gjashtë personave për disa orë në komisariatin numër 1 në Tiranë.
Ndërhyrja e policisë erdhi pasi disa protestues hodhën vezë drejt makinave të deputetëve. Për të mundësuar vendosjen e prangave, punonjësit e policisë i tërhoqën zvarrë protestuesit.
Më vonë, protestuesit marshuan drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke kërkuar lirimin e gjashtë të të shoqëruarve. Për afro dy orë, ata qëndruan në rrugën para ambjenteve të drejtorisë së Policisë Tiranë, duke protestuar kundër asaj që ata e quajtën “dhunë dhe intimidim”.
“Po ndiqja protestën para Kuvendit në televizor. Kur pashë se si policia tërhoqi zvarrë me dhunë djemtë nuk mund të qëndroja më dhe erdha të protestoj për lirimin e tyre,” tha një 68-vjeçare para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. “Të tërhiqen zvarrë pse hodhën vezë?” pyeti me habi ajo.
Protestuesit u zhvendosën më vonë drejt ambjenteve të Komisiariatit të Policisë nr.1, duke kërkuar dhe aty lirimin e të shoqëruarve. Rreth orës 17:15, policia i liroi gjashtë të shoqëruarit.
Burime zyrtare të Policisë të Tiranës pohuan për BIRN se materialet për gjashtë protestuesit do të referohen në prokurori, ashtu si dhe në rastet e mëparshme, për prishje të qetësisë publike, tubim të paligjshëm dhe bllokim të rrugëve.
Prej një muaji, dhjetëra mijëra qytetarë po protestojnë kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe klasës politike të tranzicionit, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta filloi një ditë pasi gjatë protestës të zhvilluar në Zvërnec më 30 maj kundër ndërtimit të një kompleksi rezidencial turistik në zonën e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, një qytetar u dhunua dhe u tërhoq zvarrë nga forca private të sigurisë. Gjithçka ndodhi në praninë e punonjësve të policisë së shtetit, të cilët nuk vepruan.
Deri më tani, Policia ka referuar më shumë se 150 protestues paqësorë në Prokurori, por nuk është regjistruar ende asnjë procedim penal.







