
Kërkesat për të drejtën e informimit janë shtuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe, ndonëse “transparenca mund të jetë përmirësuar në aspektin formal”, institucionet kanë gjetur mënyra të reja për t’i mohuar publikut qasjen në informacion në praktikë, paralajmëron një raport i ri i publikuar të martën, i bazuar në punën e gazetarëve të BIRN gjatë vitit 2025.
“Përgjigjet e vonuara, pengesat administrative, zbatimi i kufizuar i ligjit dhe praktikat e ndryshme institucionale vazhdojnë të cenojnë të drejtën e publikut për t’u informuar,” tha Gentiana Murati, zëvendësdrejtore rajonale e BIRN, gjatë prezantimit të raportit.
Raporti analizoi 1,740 kërkesa për të drejtë informimi të dorëzuara nga gazetarët e BIRN gjatë vitit 2025 në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Kosovë dhe Serbi.
“Të dhënat e BIRN për kërkesat për të drejtë informimi për periudhën 2022–2025 tregojnë një rritje të ndjeshme të përdorimit të këtij mekanizmi nga gazetarët në të gjithë rajonin, e shoqëruar me një përmirësim gradual të shkallës së miratimit të kërkesave, nga 38,03 për qind në vitin 2022 në 58,22 për qind në vitin 2025. Por kjo prirje pozitive fsheh një realitet të pandryshuar strukturor: informacioni kërkohet më shpesh dhe miratohet më shpesh, por qasja në të vazhdon të pengohet rregullisht.”
“Heshtja administrative” – mungesa e përgjigjes ndaj kërkesave për të drejtën e informimit – vazhdon të prekë një pjesë të konsiderueshme të kërkesave, 28,16 për qind gjatë vitit 2025. Ndërkohë, refuzimet e pajustifikuara, moskthimi i përgjigjeve, procedurat e zgjatura të ankimit dhe zbatimi i dobët i vendimeve detyruese vazhdojnë të minojnë efektivitetin e mekanizmave që garantojnë qasjen në informacion”, thuhet në raport.
Sipas raportit, “pavarësisht kuadrit ligjor përgjithësisht të konsoliduar, paqartësitë rregullatore, përdorimi i gjerë i përjashtimeve dhe rreziku i prapakthimit legjislativ kërcënojnë të dobësojnë garancitë për transparencën dhe të kufizojnë qasjen efektive të publikut në informacion”.
Raporti shton se në disa vende janë ndërmarrë nisma për ndryshime ligjore që do të “zgjeronin përjashtimet, do të forconin kufizimet që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale dhe do të krijonin pengesa procedurale që mund të vështirësojnë qasjen në informacion në praktikë”.
“Në të njëjtën kohë, gazetarët në të gjithë rajonin raportojnë se përjashtimet ekzistuese shpesh interpretohen në mënyrë të zgjeruar ose zbatohen në mënyrë selektive për të refuzuar dhënien e informacionit, veçanërisht në raste politikisht të ndjeshme, ndërsa testi i interesit publik dhe vlerësimi i proporcionalitetit shpesh anashkalohen,” thuhet më tej në raport.
Në Kosovë, për shembull, “në disa raste institucionet i justifikuan refuzimet duke pretenduar se dokumentacioni i kërkuar ishte pjesë e hetimeve në zhvillim nga Prokuroria” ose se përbënte “informacion shtetëror”.
Në Mal të Zi, gazetarëve të BIRN u është refuzuar shpesh qasja në informacion me arsyetimin se institucionet nuk kishin kapacitete të mjaftueshme administrative për t’iu përgjigjur kërkesave. Raporti evidenton gjithashtu raste kur Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Qasjen e Lirë në Informacion pranoi plotësisht ankesat e BIRN Mali i Zi, por institucionet përkatëse sërish refuzuan të zbatonin vendimin dhe të jepnin informacionin e kërkuar.
Në Maqedoninë e Veriut, sipas raportit, “Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit refuzoi kërkesat për informacion lidhur me certifikimin e dyshuar të paligjshëm të një zyrtari publik, duke u mbështetur në mbrojtjen e të dhënave personale dhe në faktin se çështja ishte objekt i procedurave të Prokurorisë. Informacioni u bë i disponueshëm vetëm pas paraqitjes ankimimit.”
Autorja e raportit, Megi Reçi, tha se ai “nxjerr në pah një paradoks: megjithëse informacioni kërkohet më shpesh dhe jepet më shpesh se kurrë më parë, heshtja institucionale, vonesat dhe shpërfillja e përhapur e detyrimeve ligjore vazhdojnë të minojnë vetë qëllimin e transparencës”.
Reçi theksoi se investigimet e përfshira në raport “tregojnë se qasja në informacion lidhet drejtpërdrejt me sigurinë publike, mbrojtjen e mjedisit, shpenzimin e fondeve publike dhe mbikëqyrjen demokratike. Fshehtësia jo vetëm që pengon gazetarinë, por dobëson edhe aftësinë e shoqërisë për të parandaluar dëmet dhe për t’i kërkuar llogari pushtetit.”
“Kur institucionet mund të shpërfillin vendimet ligjërisht detyruese pa u përballur praktikisht me asnjë pasojë, mekanizmat e mbikëqyrjes humbasin autoritetin e tyre dhe besimi i publikut gërryhet,” tha ajo.






