Gjyqtari kontravers kërkon 83.000 euro “dëme morale” nga mediat dhe gazetarët.
Përpjekjet e një gjykatësi të përfolur shqiptar për të imponuar dëmshpërblime për “dëme morale” ndaj mediave dhe gazetarëve që raportuan pasurinë dhe statusin e tij në një investigim korrupsioni nënvijëzon sfidën që abuzimi me ligjin e shpifjes paraqet ndaj lirisë së medias në Europë.
OJQ-ja mediatike shqiptare, BIRN dhe gazeta Shqiptarja.com, si dhe dy gazetarë për secilën gazetë respektivisht, përballen me një kërkesë totale prej 83.000 eurosh në dy padi nga Gjin Gjoni, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjykatës në Apelin e Tiranës.
Paditë burojnë nga lajmet e mediave për Gjonin, një nga gjyqtarët më të pasur në vend i cili mendohet se ka një pasuri neto prej 2 milionë eurosh. Gjoni dhe bashkëshortja e tij Elona Çaushi, pretendojnë se mediat kanë raportuar “informacion fals”.
Ata po kërkojnë 5 milionë lekë (rreth €38,000) nga BIRN dhe 2 milionë lekë (rreth €15,000) nga Shqiptarja.com, si dhe nga 1 milion lekë (rreth €7,600) nga gazetarët e BIRN Besar Likmeta dhe Aleksandra Bogdani, si dhe për gazetarët e Shqiptarja.com Elton Qyno dhe Adriatik Doçi.
Një seancë dëgjimore kundër BIRN dhe gazetarëve filloi sot (të mërkurën) në Tiranë.
Në një intervistë së fundmi për Institutin Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), Likmeta tha se nuk u befasua kur ai dhe organizata e tij morën një thirrje nga gjykata për padinë. Ai tha se për një vit e gjysmë, gjyqtari e kishte kërcënuar BRIN se do ta padiste çdo herë që publikohej një histori për të.
Gazetari theksoi se ndërsa hetimet për Gjonin ishin një histori kombëtare që e raportoi çdo media në Shqipëri, gjyqtari paditi vetëm BIRN dhe Shqiptarja.com. Likmeta tha se ai besonte se ata u veçuan sepse po e raportonin çështjen “më korrekt dhe më gjerësisht”.
Një histori me dyshime korrupsioni e një figure të rëndësishme është padyshim në interes publik, argumentoi Likmeta, duke shtuar se ishte e detyrueshme që BIRN ta raportonte. Ai tha se mendon se Gjini po padit vetëm për të krijuar më shumë vetë-censurë te media dhe për të parë më pak lajme për veten.
Likmeta u shpreh se nuk ishte kundër ligjit të shpifjes në parim dhe se besonte se njerëzit që ndihen të fyer kanë të drejtën ta mbrojnë veten. Megjithatë, në këtë rast, ai tha se BIRN kishte vepruar me etikë dhe mbrojti ndershmërinë e raportimit të medias së tij.
“Ia bëmë të qartë atij se historitë tona respektojnë standarde të larta gazetarie”, tha Likmeta. “I dhamë të drejtën të përgjigjej, por nuk do të kërcënohemi me heshtje sepse besojmë se publiku ka të drejtën të dijë kur zyrtarët e lartë gjyqësor po hetohen mbi akuza të pastrimit të parave dhe falsifikimit të dokumentave të lidhura me pasurinë e tyre”.
‘Raportim i fortë, me fakte’
Vincent W.J. van Gerven Oei, një gazetar i pavarur nga portali Exit i cili ka raportuar për padinë, e vlerësoi BIRN, duke thënë se media ka ‘raportim të fortë, me fakte” dhe se janë “mbase gazetarët më të paanshëm që mund të gjesh në këtë vend”.
Ai tha se një reputacion i tillë, kombinuar me statusin e BIRN si një media e pavarur, nënkupton se media me gjasa do të mbijetojë, edhe nëse Gjoni e fiton çështjen. Van Gerven Oei tha gjithashtu se mendonte që Shqiptarja.com nuk do të dëmtohej rëndë nëse Gjoni fiton, duke pasur parasysh lidhjet afatgjata të pronarit të saj me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Megjithatë, gazetari i sheh shanset e Gjonit për sukses si të pakëta. Ai theksoi se Shqipëria së fundmi filloi një reformë në sistemin e vet të drejtësisë dhe planifikon veting për të gjithë gjyqtarët. Duke u bazuar te “pasuria e diskutueshme, e tepërt” tha van Gerven Oei, gjyqtari mund të jetë lart në listën e atyre që do të kalojnë vetingun.
Van Gerven Oei tha gjithashtu se shumë shqiptarë besojnë se kjo do ta lërë Gjonin pa pozicionet e tij dhe se gjykatës të tjerë mund të kenë pak gjasa të vendosin në favor të tij duke qenë se edhe ata do të përballen së shpejti me veting. Ai tha se mendon se Gjoni gëzon universalisht mosbesimin e qeverisë, medias dhe popullatës së përgjithshme duke iu referuar gjyqtarit si “emblema e korrupsionit në Shqipëri”.
Gazetari shtoi se një vendim në favor të Gjonit do të ishte “krejt skandaloz” dhe do të motivonte të pandehurit ta çonin çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, ku ai parashikoi se me shumë gjasa do të fitonin.
Likmeta shprehu dyshime të ngjashme rreth çështjes së Gjonit, duke thënë se padisë “i mungon çdo meritë”.
Drejtori i Përkrahjes dhe Komunikimit në Institutin Ndërkombëtar të Shtypit, Steven M. Ellis tha se padia tregonte potencialin e interesave të pushtetshme për të abuzuar me ligjet e shpifjes për të penguar gazetarinë me interes publik.
“Raportimi për çështje të pasurisë së një zyrtari të përfolur dhe lajmet për një hetim të asaj figure, është jetësor për transparencë dhe absolutisht në linjë me rolin e monitoruesit që media e pavarur duhet të luajë në demokraci,” tha ai. “Kjo padi tregon se si edhe ligjet që synojnë të shërbejnë për një arsye legjitime – mbrojtja e të drejtës së individëve për dinjitet dhe ofrimi i një dëmshpërblimi për shkeljet – mund të keqpërdoret për fshehur shkeljet dhe për të penguar llogaridhënien qeveritare”.
Ellis i bëri thirrje Gjoni të tërheqë të dyja paditë dhe theksoi se ironia është që Gjoni, duke e ngritur padinë, i ka dhënë ekspozim më të madh akuzave kundër tij.
Jo shumë inkurajues
Ndërsa nuk është një vend i vdekur për gazetarët, Shqipëria është një ambient më pak inkurajues për median e pavarur në vitet e fundit. Në gusht, kur një punëtor 17-vjeçar u gjet i vdekur në landfillin e Sharrës, gazetarja e A1, Alida Tota u pushua nga puna nga stacioni televiziv pasi e mbuloi atë. Më vonë ajo akuzoi kryebashkiakun për ndërhyrje në parandalimin e transmetimit të raportimit mbi vdekjen.
Në nëntor, kompania e ndërtimit Edil Al-It paditi gazetarin Artan Rama për 15 milionë lekë (110.000 euro pasi ai publikoi një histori në programit e tij Publicus ku sugjeronte se kompania kishte përdorur mjete të dyshimta për të fituar një tender për ndërtimin e teatrit kombëtar.
Muajin e kaluar, kryeministri shqiptar Edi Rama tërhoqi kritika kur u shfaq në një program të njohur televiziv ndërsa bënte fushatë përpara zgjedhjeve. Gjatë programit, ai luajti një lojë në të cilën dha opinione për gazetarët teksa moderatori i jepte emrin. Rama u përgjigj për 19 nga 21 emra të dhënë me komente si “kazan” dhe “helm”.
Duke hequr një vijë paralele mes presidentit të SHBA, Trump, van Gerven Oei theksoi se Rama nuk mban më konferenca për shtyp dhe në vend të kësaj i drejtohet direkt publikut shqiptar përmes medias sociale.
Gazetari tha se ndërsa kishte besim se gazetarët do të kishin sukses në çështjen e Gjonit, ai kishte më pak shpresa për të ardhmen e lirisë së medias në Shqipëri. Kur kryeministri hedh poshtë veprimet e gazetarëve dhe i referohet atyre si “politikanë të dështuar”, argumentoi Van Gerven Oei, tregon se problemi buron përtej një çështje të vetme nga një gazetar polemik.
Likmeta megjithatë tha se ai mbetet më optimist. Ai komentoi se në këtë “cep të botës” çdo marrëdhënie e afërt me zyrtarët mund të rrezikojë në kalimin e një vije drejt një sjellje joetike dhe të njëanshme. Ai shtoi se gazetarët mund t’i kundërvihen kësaj duke qëndruar objektivë dhe duke mbajtur një distancë të shëndetshme nga burimet.